Durrësi, një xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta priti në një takim kryesinë e shoqatës “Durrësi” të përfaqësuar nga intelektualët, Shpëtim Metani, Lumturi Ngjala, Agim Shehi, Rifat Bilali dhe Gjon Huli.

Pasi u njoh me aktivitetin e kësaj shoqate, Presidenti Meta vlerësoi lart kontributin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave qytetare e patriotike, trashëgimisë së pasur historike, arkeologjike dhe kulturore të kësaj treve.

“Durrësi është një xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë, për vlerat e spikatura patriotike, intelektuale, artistike e kulturore, si vatër e rëndësishme e atdhedashurisë dhe dijes nga ku kanë dalë personalitete të shquara në të gjitha fushat. Por veçanërisht për trashëgiminë e pasur, autentike dhe të jashtëzakonshme arkeologjike, që e dallon nga trevat e tjera duke e kthyer në një atraksion të rëndësishëm turistik”, tha Meta.

Mbrojtja dhe promovimi i këtyre vlerave që na bëjnë krenarë si shqiptarë, tha Kreu i Shtetit, duhet të jetë një prioritet madhor për të gjithë ne.

“Sepse duke dashur vendlindjen, rrënjët tona, të parët tanë dhe trashëgiminë e vyer që na kanë lënë, fëmijët dhe të rinjtë do mund të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt në Shqipëri. Duke vlerësuar punën e shkëlqyer me pasion e përkushtrim që keni bërë në këtë drejtim, ju inkurajoj të vijoni më tej”, – u shpreh Presidenti Meta.

Përfaqësuesit e shoqatës “Durrësi” e falënderuan Kreun e Shtetit për vëmendjen e treguar ndaj këtij qyteti dhe promovimit të vlerave kombëtare, duke i shprehur dëshirën për një bashkëpunim më të ngushtë për këtë qëllim të përbashkët. /a.g/KultPlus.com

Durrësi nën petkun festiv

Dritat shumëngjyrëshe kanë ndriçuar këtë fundvit edhe qytetin bregdetar të Durrësit.

Qytetarët durrsakë po shijojnë atmosferën e bukur e të veçantë të festave të fundvitit në sheshin “Liria” dhe në rrugët e tjera të qytetit, të zbukuruara nga ndërmarrja e dekorit të qytetit.

Ky dekorim i ka dhënë një pamje mahnitëse qytetit që pret mijëra turistë gjatë sezonit veror.

Qytetarëve të Durrësit u mbetet të shijojnë atmosferën e ngrohtë gjatë shëtitjeve të mbrëmjeve./ A.T.SH/ KultPlus.com

Durrësi ‘pushtohet’ nga jahtet turistike

Një muaj i mbarë ka qenë korriku për portin e Durrësit, ku prej datës 1 deri më 24, plotë 81 jahte turistike janë ankoruar në këtë port.

Numri i jahteve turistike gjatë vitit 2018 pritet të dyfishohet, krahasuar me vitin e kaluar.

Zyrtarisht mësohet se në Durrës që nga viti 2017 është ankoruar një numër i madh jahtesh me gjatësi nga 30-100 metra, përgjithësisht prodhime të viteve të fundit në kantiere të njohura të botës.

Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike të qytetit tonë.
Nga fillimi i muajit janar 2018 në Durrës kanë mbërritur 214 jahte, ndërsa shifra e të gjithë vitit 2017 ka ndaluar në 294 jahte gjithsej.

Durrësi i 1984-ës në sytë e italianit që ka fotografuar Monica Belluccin

Ferdinando Scianna ka fotografuar Jorge Luis Borges, Monica Bellucci, Dolce & Gabbana, Martin Scorsese, etj etj… por edhe Durrësin.

Ai fotografoi shqiptarët që pushuan në plazhin e Durrësit në verën e vitii 1984.

Ja imazhet nga vizita e italianit në Shqipërinë komuniste.

“Emerging Europe”: 48 orë në perlën e bregdetit shqiptar

Media britanike “Emerging Europe” promovon vlerat turistike dhe kulturore të Durrësit, në një artikull mjaft interesant.

Guida e Qytetit të Durrësit: 48 orë në perlën e bregdetit shqiptar
Qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, Durrësi, ka qenë një portë ballkanike për të gjithë botën. Grekët, romakët dhe bizantinët shfrytëzuan të gjithë portin e tij të mrekullueshëm natyror dhe ende vazhdon të mbetet një nga portet më të frekuentuara të Adriatikut.

Përse duhet vizituar tani?
Me amfitetatrin më të madh romak në Ballkan, muret bizantine, frutat e mrekullueshme të detit dhe një jetë argëtuese nate, Durrësi ka një bregdet plot stil dhe elegancë të cilin në pak vende mund ta gjesh. Çmimet gjithashtu mbesin një fraksion i asaj që do t’ju duhej të paguanit në ndonjë vend tjetër.

Si mund të vini në Durrës?
Durrësi ka një distancë të shkurtër nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, vetëm një gjysmë ore larg, (kur trafiku nuk është i rënduar). Taksia mund t’ju sjellë nga aeroporti i Tiranës vetëm për 30-40 euro. Nga qendra e Tiranës ka autobusë dhe mini autobusë të cilët nisen çdo 30 minuta dhe kushtojnë pothuajse asgjë. Durrësi është përqendruar në portin e tij: qyteti i vjetër zë gadishullin e vogël në perëndim të portit, plazhi i gjatë ranor është në lindje.

Gjumi
Nëse dëshironi të qëndroni në qytetin e vjetër atëherë zgjedhja jonë është Hotel Nais, mjaft i thjeshtë, por shumë i këndshëm, ku do të gjeni nje shtrat dhe mëngjes të shijshëm dhe një kafene të mrekullueshme buzë rrugës. Nëse dëshironi pak më shumë luks dhe një hotel ku të bëni dhe plazh, Hotel Palace është ai që ju kërkoni.

Dita 1

Grekët dhe romakët
Fillo ditën me Muzeun Arkeologjik (Rruga Taulantia 32), ndoshta muzeu më i mirë në qytet dhe një abetare e vërtetë në historinë shqiptare. Më pas kthehu pranë Amfiteatrit Romak. Në shikim të parë ju mund të mendoni se është lënë pak pas dore; e vërteta është që është ndërtuar gjatë sundimit të Adrianit rreth vitit 100 pas Krishtit, u dëmtua nga tërmeti dy herë dhe më vonë u shkatërrua nga osmanët në shekullin e 16-të. U gërmua në vitin 1966, dhe e rrethuar nga ndërtimet moderne, ajo që ka mbetur është më se e mjaftueshme për të përcjellë një shkallë dikur epike. Një kishë e krishterë, e shtuar në shekullin e 13-të, është e ruajtur mjaft mirë me pamjet e saj të brendshme mahnitëse.

Gjenden dhe disa mbetje arkeologjike të tjera, Forumi Bizantin dhe banjot Romake, të cilat gjenden në veri të sheshit “Liria“, një hapësirë mjaft e këndshme e rrethuar nga ndërtesat moderne, ku pasditeve gjallërohet nga qytetarët që ulen e bisedojnë e fëmijë që luajnë. Nëse do të bëni një shëtitje në kodrën e Durrësit do të shihni një vilë mbretërore të braktisur e njohur si vila e mbretit Zog, i vetmi mbret i Shqipërisë i cili mbretëroi nga viti 1928-1939. Ndërtesa u përdor si një shtëpi mysafirësh për personalitete të huaja gjatë sundimit komunist në Shqipëri, e më pas u rrëmbye në 1997 gjatë futjes së Shqipërisë në anarki kur një numër skemash piramidale u shembën.

Mbrëmjet Veneciane
Bulevardi elegant “Epidamn”, rruga kryesore e qytetit të vjetër, e veshur me palma, kafene, restorante, dyqane dhe bare, të çon deri në port. E ashtuquajtura “Torra Veneciane” pranë detit dhe muri rrethues i saj janë mbetjet më të ruajtura të fortifikimeve bizantine të qytetit. Ka disa vende të këndshme për të ngrënë në këtë zonë (duke përfshirë dhe kafenenë tek ‘Torra’), por ia vlen të shëtisni vetëm 10 min përgjatë bregut ku do të gjeni Bar–Restorant “Aragosta“ (Rruga Taulantia 71), restoranti më i mirë në zonë ku ju mund të hani ushqim deti.

Dita 2

Plazhi
Me rërën e tij të artë dhe të butë me një sipërfaqe të gjerë, plazhi i Durrësit është një qytet vibrant në vetvete. Gjatë fundjavës në stinën e verës duhet të shkosh herët për të gjetur një vend: nëse jeni duke kërkuar një plazh të vetmuar duhet të shkosh më në jug. Në momentin që je stabilizuar, nuk ke pse të lëvizësh më gjatë ditës: shitësit ambulantë gjatë gjithë ditës do t’ju ofrojnë kafe, çaj, kokteile, panine dhe çdo gjë tjetër që do t’ju nevojitet. E ndërkohë që të gjitha lokalet konkurojnë me njëra-tjetrën se kush të vendosë muzikën më të bukur në sfond, çdo gjë kthehet në një atmosferë tipike ballkanike, të zhurmshme.

Ditët larg
Nëse nuk mund të shkoni në bregdetin e Durrësit, (në të vërtetë shumë njerëz do t’ju pëshpërisnin në veshin tuaj që më e mira e rivierës shqiptare gjendet në Jug).
Duhet të drejtoheni për në Parkun kombëtar të Divjakë-Karavastasë ose thjesht (Laguna e Karavastasë) rreth 20 minuta në jug të qytetit, një zonë e gjerë me laguna, pyje dhe këneta. Jo larg prej këtej gjendet Manastiri më i vjetër i Shqipërisë, Manastiri i Ardenicës i shekullit të 13-të, kisha e Shën Marisë, e cila përmban disa ikona të holla të pikturuara nga Athanas Zografi, një shqiptar që ishte një nga artistët kishtarë më të kërkuar të shekullit të 18-të.

Darka e fundit
Restoranti në Hotelin Oaz, në Golem në fundin jugor të plazhit të Durrësit, ka tryeza aq afër detit sa ju mund të ndjeni aromën e jodit. Peshk i freskët, ushqim deti i mahnitshëm nën një perëndim të mrekullueshëm e bëjnë një nga vendet më të preferuara në qytet.

Durrësi në një paragraf
Plotësisht ballkanik, me një gusto të pagabueshme italiane. Peshk dhe fruta deti të mrekullueshëm dhe me një çmim që nuk mund ta gjeni në asnjë vend tjetër. Gjenden të gërshetuara mbetjet e një të kaluare shqiptare kristiane me minaret dhe xhamitë e myslimanizmit të sotëm. Merr me qira një makinë dhe bëj një xhiro gjatë gjithë bregdetit deri në Lagunën e Karavastasë./ATA/ KultPlus.com

The Guardian paraqet bukuritë e bregdetit të Durrësit (FOTO)

The Guardian, sot përmes fotografive ka treguar bukuritë e bregdetit të Durrësit, shkruan KultPlus.

Fotografitë i ka shpërndarë në rrjetin social Facebook, edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili njëkohësisht ka uruar një ditë të mbarë me këto fotografi./ KultPlus.com