Dua Lipa dyfishon për një vit fitimet e ‘Warner Music’

Shitjet e albumit më të fundit të këngëtares së famshme nga Kosova, Dua Lipa, brenda një viti i kontribuuan rritjes prej 1.8 milionë eurosh të fitimeve të krahut irlandez të gjigandit të muzikës “Warner Music”.

Albumi i Lipës u publikua në marsin e vitit 2020, gjatë fazës fillestare të pandemisë COVID-19, dhe që atëherë u ka kontribuuar të ardhurave të “Warner Music Ireland Ltd”, duke e rritur vlerën për 14.75 për qind, nga 12.37 milionë në 14.2 milionë euro.

Lista e artistëve ndërkombëtarë të këtij brendi muzikor përfshin gjithashtu bendin Coldplay dhe kantautorin Ed Sheeran, ndërkaq sipas raportit vjetor të kompanisë rritja e të ardhurave ishte realizuar “kryesisht për shkak të shtimit të transmetimeve të muzikës”, transmeton KultPlus.

“’Warner Music Ireland’ përqafon spektrin e mundësive të paraqitura nga teknologjia digjitale për të thelluar lidhjen midis adhuruesve dhe artistëve”, thuhet në raportin e kompanisë.

Në lidhje me zhvillimet e ardhshme të kompanisë raporti cek se “krijimi dhe zhvillimi i modeleve të reja të biznesit për të përshpejtuar transformimin e saj të biznesit mbetet një domosdoshmëri kryesore strategjike”.

Kompania ka regjistruar përfitime pas taksave prej 1.54 milionë eurosh, pasi që kishte paguar taksën e korporatës prej 253 mijë eurosh.

Një ndarje e të ardhurave tregon se shitjet e drejtpërdrejta janë rritur për 17 për qind, duke arritur në 13.2 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga honorarët dhe tarifat e licencës kanë rënë për 6 për qind.

Në fund të shtatorit të kaluar kompania kishte grumbulluar fitime me vlerë prej 4.63 milionë eurosh. / KultPlus.com