Gratë e Orkestrës së Mandolinave në Pejë, viti 1952 (FOTO)

KultPlus ju sjellë një fotografi të vjetër ku shihet Orkestra e Mandolinave, me anëtare femra, e formuar dhe udhëhequr nga Franjo Vacolini, Pejë, 1952.

Disa nga anëtaret e kësaj orkestre në këtë fotografi janë Gjejlon Bukleta, Gita Ciflaku, Nexhmije Krasniqi, Drita Rugova, Hasibe Syka, motrat Nagjije Luta dhe Samka Luta, Vilma Gashi, Zekije Budima, Sabernaz Bojku, Sytkije Turjaka, Saide Gashi, Qamile Sahatciu, Jezofina (mbiemri i pa njohur), Feride Gashi, Gjemile Kyqykrama, Atifet Malushaga, Vilma Antoni, Atije Dranqolli, Resmije Begolli dhe Bukurie Taraku.

Dirigjenti Franjo Vaculini kishte ardhur nga Çekosllovakia e atëhershme. Ai kishte filluar mësimin e teorisë së muzikës dhe fillimin e shkollës së parë muzikore me mësimin e instrumenteve frymore dhe të tjerave dhe luajtjen me nota, që në atë kohë ishte një risi.

Franjo Vaculini kishte qenë dirigjent i Orkestrës Shtetërore të Mbretit Zog kurse në Kosovë kisha ardhur si pasojë e internimit. Ai jo vetëm që formoi këtë orkestër por edhe Orkestrën Frymore të Meshkujve. Pas Franjo Vaculinit, orkestrën e ka udhëhequr Muhamet Belegu dhe më vonë Halit Kasapolli.

Peja në atë kohë, në vitet 1950 -1960 ka pasur disa lloje të orkestrave, si Orkestra frymore , Orkestra harkore, Xhaz orkestra, Orkestra e mandolinave dhe Orkestra popullore amatore. Këto të gjitha ishin në kuadër të shoqërisë kulturore “Përparimi”. / KultPlus.com