Tirana ‘brutaliste’ e Edi Hilës shkon në Paris (FOTO)

Galeria Miterrand në Paris do të mirëpresë punët e artistit shqiptar Edi Hila.

Dhe Edi Hila nuk një piktor i ‘nxehtësisë’. Hila e sjellë pikturën e ftohtë që i ngjallë peizazhet e Shqipërisë së tij dhe i prezanton ato më pas për publikun. Akull.

Ekspozita që vjen në Miterrand e sjellë artistin rreth të shtatëdhjetave i cili refuzon ta lë periferinë e Tiranës. Ata janë njerëzit që ai përfaqëson, në pikturat ku dominon ngjyra e kaltër, ngjyra gri.
Ekspozita “Tirana-Versailles” është hapur në fillim të muajit nëntor ndërsa me datë 23 dhjetor mbyllet. Ajo sjellë punët e Hilës pas vitit 2000, shkruan KultPlus.

Një pjesë e mirë e pikturave bazohen në arkitekturën, e cila sipas artistit, është pjesa e privilegjuar e shprehjes së identitetit shqiptar. Është me anë të prezantimit të tij kur edhe ndodhë materializimi i vizuales dhe fuqisë politike, trashëgimisë kulturore por edhe klimës psikologjike të Shqipërisë, shkruhet në konceptin e ekspozitës.

Referenca e Versailles vjen tek punët që paraqesin Bulevardin dhe që janë paraqitur në edicionin e fundit të Documenta. Në këtë seri fotografish, ku shohim ndërtesat kryesore rreth Bulevardit të Martirëve të Kombit, Hila sjellë një paralele mes urbanes dhe arkitekturë së kohës klasike.

Hila ka lindur në Shkodër ndërsa jeton në Tiranë. Ai ka marrë pjesë në disa ekspozita, përfshirë këtu Bienalen e Venecias në vitin 1999, Moderna Museet në Stokholm, Ludvig Museum në Budapest, Essl Museum në Vjenë dhe në Bienalen e Liverpoolit në vitin 2010-të. / KultPlus.com

Anti-pushtetet (mbi ekspozitën e piktorit E. Hila, Paris)

Shkruan Luan Rama

Anti-pushtet janë akte revolucionare, janë fjalë, deklarata, vërshime në rrugë, janë tablo, poezi, vepra arti. Anti-pushtetet janë të gjithkohëshme, siç janë dhe në veprat e Edi Hilës, që na prezantohen edhe në ekspozitën e fundme të tij në Paris, e hapur mbrëmë në “Galerie Mitterand”, galeristi i tij francez.

“Tiranë-Versailles” është titulli i kësaj ekspozite për të ballafaquar antipodet në kuptimin e imazhit dhe të semantikës së tyre, por që në thelb Tirana dhe Versaja janë shumë larg, ashtu si vetë buevardet e tyre, pasi edhe pse Versaja kishte në vetvete simbolikën e absolutizmit, përsëri ajo kishte dhe shkëlqimin e artit dhe të prurjes historike, ndërkohë që Tirana mbetet ende rob i pushtetit, çka për Hilën është një koncept i vazhdueshëm, madje në thelb të krijimtarisë së tij prej më shumë se katër dekadash.

Ky piktor është një piktor revolucionar, pasi ai denoncon pushtetet, denncon de-humanizimin që sjellin këto pushtete absolutist, ku shfaqja më spikatëse në këtë ekspozitë është tabloja “Piramidat” e mbytur nga një blu e shplarë dhe që edhe pse imazh real dhe tepër i njohur nga ne por dhe evropianët, ai e vendos në një atmosferë hënore, e vendos në konceptin e dikurshëm që kishin gazetarët perëndimorë për kohën totalitare shqiptare kur për “vendin e shqipeve” shkruanin : “Shqipëria një planet tjetër”.

Shikuesi i afrohet kësaj tabloje, e vështron gjatë, mediton rreth saj dhe e ka vështirë të largohet, pasi ajo, ashtu dhe godina e bashkisë së Tiranës, në tablonë tjetër, po me tonet e blusë së shpëlarë, i tregojnë se kur pushtetet janë dhunuese, ato largohen nga njeriu, nga jeta njerëzore, nga dëshirat dhe nevojat e shoqërisë që pretendojnë se mbrojnë. Ja pse qëllimthi, ngjyrat në këto tablo të Hilës janë të shplara, pa jetë, janë ashtu siç është shpirti i njerëzve, ta që janë përballë ca barrierash si në tablonë “Pritja”, e cila ka një domethënie të madhe:
ç’është kjo pritje, çfarë presin këta njerëz që i shohim me kurriz dhe të rrënuar, ç’është kjo shoqëri e përhumbur, e cila pret si në një “shkretëtire tartarësh” po të rikujtojmë Buzatin? Dhe sa do presin?… Vështron tablotë dhe më kot ta kërkosh njeriun, pasi ai nuk është aty, i përjashtuar nga vetë artisti për të mishëruar idenë e tij të anti-pushtetit. Ai na prezanton kështu pasojën, viktimën, në vend të tij na ofron të shohim shtëpitë-bunker të një kohe.

Por, Hila e tejkalon kufirin e një periudhe historike, ai e çon këtë koncept dhe pas përmbysjes së sistemit politik. Ja pse ka një aktualitet të veçantë vepra e tij si dhe në tablonë “Monumenti” gjithashtu, (ku heroi historik është vendosur në një dekor absurd dhe që s’do ta shohësh), ja pse ka një tingëllim revolucionar në konceptin e tij, një dëshirë për t’i thënë publikut të vendit të vet: Do të prisni ende?…/ KultPlus.com