Edicioni i pestë i “Za Fest” përmbyllet në Kalanë e Shkodrës

Nga Thethi, në edicionin e Pestë, ZA Fest, zbriti më poshtë duke i dhënë “ZA” Shkodrës, qytet i cili përherë ka qenë vendtakim i kulturave europiane. Për 3 netë me radhë, në Shirokë, Gjuhadol dhe në kalanë e Rozafatit u bënë bashke artistë shqiptarë të famshëm edhe ne skenat botërore.

Kalaja madhështore e Shkodrës ishte edhe me e bukur në natën finale të festivalit ku u bë mikpritëse e artit të vërtetë.

Jehona e Za Fest tashmë ka kaluar kufijtë e Shkodrës dhe Shqipërisë.

“Vij nga Australia. Jo nuk është hera e parë, e katërta. Është shumë bukur, atmosferë e këndshme, njerëz të mrekullueshëm, mbrëmje e veçantë. Do të jem këtu 2 muaj për të shijuar vendin tuaj, kam miq dhe më pëlqen ta vizitoj Shkodrën”, thotë për Top Channel një shikues.

Za Fest” nisi si një sensibilizim për ruajtjen e Alpeve të Veriut dhe promovon dialogun ndërkufitar, kulturën që bashkon njerëzit, mbrojtjen e natyrës, të drejtat e grave dhe fuqizimin e të rinjve.

Za Fest solli një numër të madh artistësh si Shpat Deda, Josif Gjipani, Ekland Hasa, Gjon`s Tears, Gentian Doda, Vlashent Sata, Gipsy Barcelona Balkan Orchestra etj.

“Zâ-Fest” bëri bashkë artistë shqiptarë në Diasporë dhe trojet shqiptare. Ndaj ky aktivitet realizohet edhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Drejtoresha Ekzekutive e AKD, Sonila Hysi dhe Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ishin prezent në hapjen e edicionit të pestë të “Zâ-Fest”, në mbështetje dhe promovimit të vlerave kulturore. / KultPlus.com