U përmbyll etapa e parë e edicionit III të International Kosova Clarinet Fest

Për katër ditë rradhazi, nxënës të shkollave të mesme të muzikës, student të departamentit të artit muzikor pranë Universitetit të Prishtinës, student të Kolegjit UBT dhe pedagog të klarinetës punuan intenzivisht në program në Ansamblin e Klarinetave nën udhëheqjen e profesorit të klarinetës nga Universiteti i Arteve në Shqipëri, Fatos Qerimaj.

Në një prej mbrëmjeve të festivalit ishin të ftuar Prishtina Brass, ansambël tunxhi me bazë në Prishtinë të cilët performuan për pjesëmarrësit e festivalit.

Punën e përbashkët 23 instrumentistët e kurorëzuan me një koncert përmbyllës të cilin e organizuan mbrëmë në hapësirat e Filharmonisë së Kosovës. Programi i përzgjedhur përmbante ndërthurje të veprave të muzikës klasike, përpunime të këngëve të vjetra shqipe si dhe aranzhime të këngëve për festat e fundvitit.

Pjesë e kësaj ngjarje ishte edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Festivali i klarinetave ka për qëllim promovimin e instrumentit te të rinjtë si dhe ofrimin e mundësive si masterklasë, punëtori, koncerte me qëllim të avancimit të njohurive në instrumentin e klarinetës.

Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës. / KultPlus.com

Festivali i parë i Baballarëve në Kosovë po rikthehet me edicionin e tretë

Festivali i parë i Baballarëve në Kosovë po rikthehet me edicionin e tretë, përcjellë KultPlus.

SUPERDADS do pushtojnë Prishtinën, të dielën, më 19 qershor nga ora 16:00 te Platoja e “Zahir Pajaziti” – te Hotel Grandi.

Me muzikë, argëtim, lojëra interaktive, gara mes baballarëve, lexim, art, kuiz dhe plotë energji, këtë vit do shënohet Dita Ndërkombëtare e Baballarëve dhe do të frymëzohen baballarët dhe kujdestarët që të jenë të vëmendshëm dhe të përfshirë aktivisht në edukimin e fëmijëve, të fillojnë diskutime mbi rëndësinë e atësisë, me një fokus të veçantë në avokimin për lejen prindërore.

“Ejani me familje dhe tregoni se çfarë babai jeni! Është kënaqësi të shohësh fëmijët e tu duke u shoqëruar me fëmijët e shokut/shoqes tuaj. Ftoni edhe baballarët e tjerë bashkë me familje”, thuhet në njoftim.

Ky festival implementohet në kuadër të projektit “E Ardhmja për Rininë” nga SIT me mbështetje nga UNFPA, zyra në Kosovë, CARE International në Ballkan, Agjensioni Austriak për Zhvillim, Fondacioni Oak, Komuna e Prishtinës, QKSGj dhe D4D. / KultPlus.com

The Park Festival së shpejti nis edicionin e tretë në Gostivar

Ashtu si në vitet paraprake, në veçanti edicioni i kaluar, një ndër pikëndalesat kryesore të pushimeve verore vazhdon të jetë festivali i muzikës The Park, i cili për herë të tretë, në datat 29-30-31 korrik dhe 1 gusht 2021 do të mbahet në parkun e qytetit të Gostivarit, përcjellë KultPlus.

Të përgatitur dhe të gatshëm gjithmonë për risi, The Park edhe këtë vit sjell emra shumë të njohur të botës së muzikës në vend dhe nga rajoni. Në katër net dhe në tre skena të ndryshme këtë vit do të performojnë emra si: Dafina Zeqiri, Elita 5, Offchestra, Astrit Stafai & All Star Band, Superhiks, Zani Band, Shkëlzen Baftjari, Besarta Murtezani, Duo Guitar, Nita Reçi&Band, Yon Idy, Dina Jashari, Stoned Hedge dhe shumë emra nga bota e muzikës elektronike, si dhe programe të përgatitura enkas për më të dashurit tonë, fëmijët.

Parada e Shqiponjave është një nga aktivitet mbresëlënëse që e karakterizon këtë edicion.

Bashkëpunimi i ndërsjellë në mes The Park dhe Klubit Shqiponjat, sjell për herë të parë paradën e motoristëve në Gostivar me mbi 200 motoristë nga e gjithë Evropa, të cilët do të keni mundësi t’i shihni më 1 gusht.

The Park Festival III, me një ndërthurje të artit, muzikës dhe natyrës do të jetë një kremtim për të gjitha mundësitë që jeta na i ofron.

Biletat mund të merren online në faqen mktickets.mk ose fizikisht në pika të ndryshme në: Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe Kërçovë.

Për më tepër vizitoni faqen: www.theparkfestival.mk / KultPlus.com