“Historiografia e artit të tingullit në botën shqiptare”, promovohet libri i Edmond Buharaja

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimit të Arteve dhe Fakultetin e Muzikës – UART promovuan sot librin “Historiografia e artit të tingullit në botën shqiptare – Nga prehistoria në antikitet” të autorit prof. dr. Edmond Buharaja.

Libri u prezantua nga akademik Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Nuk do të dëshironim që ky promovim i librit të Edit të bëhej pa të, pa prezencën e tij sot. Por ja, kështu ndodhi, që Edmond Buharaja (1964-2024), miku, shoku, kolegu, kompozitori, muzikologu, pedagogu, intelektuali i artit u nda nga ne dhe familja në mënyrë të beftë, duke lënë pas emrin e tij të nderuar dhe trashëgiminë e tij muzikore, një pjesë të së cilës, ndoshta më të rëndësishmen e promovojmë sot”, u shpreh Tole.

Në emër të kryesisë së Akademisë së Shkencave, ai i ftoi të pranishmit që të mbanin një minutë heshtje në shenjë nderimi për prof. dr. Buharanë.

Tole foli për figurën e prof.dr. Edmond Buharasë si pedagog në Universitetin e Arteve, si themelues programesh mësimore e drejtues departamentesh të muzikës, si teoricien i muzikës, si kompozitor, etj.

Duke u ndalur te “Historiografia e artit të tingullit në botën shqiptare”, Tole tha se kjo vepër synon ta shtjellojë objektin e vet përmes shfrytëzimit të instrumenteve dhe të të dhënave të nxjerra nga të gjitha disiplinat shkencore të përfshira, të cilat janë shumë, nga ato historike, gjuhësore e gjenetike, antropologjike, estetike, muzikologji e krahasuar, semantika e semiotika, historia e muzikës, etj.

“Me termin “botë shqiptare”, Buharaja i referohet asaj, e cila përfshihet brenda kufijve të sotëm të republikave të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe ato në Itali, Mali i Zi, Serbi, Maqedonia e Veriut, Bullgari dhe Greqi. Do të mendohen si pjesë e tij edhe të shpërngulurit për në Rumani, ish-Bashkimi Sovjetik, Turqi, Egjipt dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Libri i kushtohet gjyshit të tij, Vexhi Buharasë, i cili me jetën dhe veprën e tij ka qenë për Edin “horizont orientues për këtë historiografi”, tha Tole.

Ai foli për tre pjesët e librit të strukturuara në 6 kapituj gjithsej, secili prej kapitujve me shumë nënndarje, që ashtu si gurët e mozaikut krijojnë pamjen e së tërës lëndë.

“Si e tillë, historiografia e shprehjes muzikore shqiptare, paralelisht me simotrat e saj më të mëdha e më të hershme, kalon nga epoka mitologjike përmes asaj teologjike, për tek Pozitivizmi bashkëkohor. Këtu e shohim edhe kontributin e Buharasë, pasi sjell një abstragim dhe interpretim të tij mbi artin e tingullit tek ne, deri diku i patrajtuar në tërësi si i tillë”, tha Tole.

Në fund të veprimtarisë u mbajt një koncert me vepra të kompozuara nga prof.dr. Eddmond Buharaja.

Veprimtaria u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimit të Arteve pranë ASHSH-së dhe Fakultetin e muzikës – UART./KultPlus.com

Vdes kompozitori dhe studiuesi Edmond Buharaja

Ka vdekur kompozitori, studiuesi, pedagogu e drejtuesi i departamentit KMDP pranë Fakultetit të Muzikës, Prof. Asoc. Dr. Edmond Buharaja.

Ai ishte një studiues dhe kompozitor i përmasave botërore. Krijimtaria dhe puna e tij kolosale studimore me botime tepër të vlerëta do të mbeten trashëgimi dhe thesar për sot dhe brezat që do të vijnë. Simfonia Alpine me Interlud, u vlerësua me çmime dhe mirënjohje nga disa prej figurave më të shquara të artit ndërkombëtar.

Po ashtu, përveç studimeve të tjera, botimi i Analiza Schenkeriane dedikuar interpretimit organik të strukturave muzikore, u vleresua nga tre prej studiuesëve më të njohur si E. Pozzi, W. Drabkin dhe S. Pasticci, me urimet e vlerësimet më të mira për Të.

Njëkohësisht, kontributi i tij në të gjitha trevat Shqiptare, përkatësisht në Universitetin e Arteve Tiranë, Akademinë e Shkencave në Shqipëri, Institutin Albanologjik Prishtinë, Universitetin e Pejës, etj., do të mbetet një vlerë e shtuar dhe do të nderohet dhe kujtohet me shumë respekt.

Universiteti i Arteve përcolli një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Buharajës, teksa në mesazhin e tyre theksojnë se ai do të mbahet mend edhe si njeriu i mirë, i drejtë, i thjeshtë dhe i kudondodhur, si mbështetje për këdo që i ka besuar aspektit njerëzor duke gjetur tek Prof. Edi besimin, fjalën e këshillën e mençur e të urtë të mikut, profesorit dhe njeriut me virtytet më sublime të karakterit njerëzor.

“Për Prof. Edin duhet të flitet gjatë por sot jemi të pafuqishëm, ndaj mund te themi vetëm:
Prehu në paqe miku kolegu dhe Profesori ynë i nderuar Edmond Buharaja”, lexohet në postimin në rrjetet sociale në faqen e Universitetit të Arteve./TopChannel/KultPlus.com