Ura antike e Fatishës, gjurmë e rrugës “Egnatia”

Gjurmët e rrugës “Egnatia” ruhen ende sot në segmente të konsiderueshme. Një ndër to është edhe ura antike në fshatin Fatishë në qytetin e Peqinit.

Ura antike e Fatishës është një urë e vogël me një qemer guri. Kjo urë është rreth tre metra e gjerë dhe lartësia e qemerit prej guri kap lartësinë 0,56 metra. Qemeri i Urës së Fatishës është i ndërtuar me gurë të gdhendur të lidhur me llaç.

Aksi i rrugës së hershme romake Via Egnatia, paraqet një ndërtim të pushtimit turk të shek. XVII. Nga të dyja anët e saj ruhen gjurmë kalldrëmi, dëshmi e adaptimit të Via Egnatias gjatë periudhës së sundimit turk.

Kjo urë është një nga monumentet më me vlerë të Peqinit si dëshmi e ekzistencës së qytetit në të kaluarën./atsh/KultPlus.com

Muzeu Arkeologjik i Apolonisë ruan një prej gurëve miliar të rrugës Egnatia

Muzeu Arkeologjik i Apolonisë (MAA) përmes një postimi në rrjetet sociale, të objekteve që ruhen aty, tregon për aftësitë inxhinierike në ndërtimin e rrugëve, në lashtësi.

Si në të gjithë perandorinë, romakët ndërtuan edhe në territorin tonë një rrjet rrugor, si nga veriu në jug, ashtu edhe nga lindja në perëndim.

Në disa raste ato ishin nyje tërësisht të reja dhe disa të tjera ishin lidhje dhe përmirësim i rrjeteve rrugore më të hershme, të cilat ekzistonin që në periudhat e mëparshme.

Për aftësinë inxhinierike të romakëve, në lidhje me ndërtimin e rrugëve ka shumë artikuj të shkruar nga autorë të ndryshëm si edhe prova arkeologjike të cilat ruhen edhe në ditët tona.

Rrugët ndërtoheshin me disa shtresa, për të siguruar qëndrueshmërinë. Që të ishin në gjendje sa më të mire, bëhej mirëmbajtja e tyre, dhe me këtë punë zakonisht ngarkohej Legjioni, i cili ishte vendosur në atë provincë.

Në disa pika kishte stacione, për çlodhje të udhëtarëve si rasti i termeve në Bradashesh (stacion i Via Egnatias) dhe për ndërrimin e kuajve, tempuj, si dhe gurë miliar (që tregonin distancën), një rast i një guri miliar i Via Egnatias është i ekspozuar në Muzeun Arkeologjik Apoloni (MAA).

Një kopje e tij, me të njëjtin përmbajtje ndodhet edhe në qytetin e Ohrit. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një pikënisje të kësaj rruge jo vetëm nga Dyrrahu, por edhe nga Apolonia. / atsh / KultPlus.com