“Ekspo Foto”, memoria historike e ATSH-së në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës

Edicioni i 28-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës – UFI Approved Event, do të mbahet në datat 1, 2 dhe 3 dhjetor, 2022 në Pallatin e Kongreseve.

Ky eveniment që tradicionalisht është shquar si pikëtakimi i pamungueshëm, bën bashkë me dhjetëra ekspozues, investitorë ndërkombëtarë dhe institucione të rëndësishme të kulturës dhe artit.

Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) prezantohet në këtë aktivitet të rëndësishëm, në pavijonin “Expo Foto” me stendën e saj, ku përmes fotove sjell një pjesë nga historia e saj hershme, e cila daton që prej vitit 1912.

Përmes fotove ATSH ruan memorien historike të periudhave të ndryshme që ka kaluar vendi dhe i jep një vlerë të veçantë Panairit Ndërkombëtar të Tiranës.

Gjithashtu arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare me lajmet e kohës nga më të rrallat jo vetëm në historikun e medieve në Shqipëri, por dhe të kulturës, fotografisë dhe entitetit kombëtar, janë një tjetër risi që do të zgjojë interesin e ekspozuesve dhe vizitorëve që do ndjekin këtë aktivitet.

Çdo vit, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është boshti i një networku të pamatë biznesi dhe kulture, zotuar ndaj më shumë se 250 ekspozuesve që përfaqësojnë kompani të vëmendshme ndaj tregjeve të njohura dhe të panjohura, të gatshme për të ndarë dije dhe zgjidhje të reja të zbatueshme në sektorë të ndryshëm, që nga ndërtimtaria, energjia e rinovueshme, bujqësia dhe industria ushqimore, tekstili dhe industria e lehtë, siguria dhe digjitalizimi.

Këto grupe sipërmarrësish shoqërohen nga delegacione zyrtare shtetërore duke i dhënë rendësi faktit që, për të kontribuar në zhvillimin e vendeve, sipërmarrja është ajo që ka më tepër nevojë se kurrë për inkurajim, mbështetje, entuziazëm.

Gjithashtu të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm ekonomiko-kulturor janë: Dhoma e Tregtisë e Stambollit, në përvjetorin e saj të 140-të, vjen me kompanitë e zgjedhura që përmes Shqipërisë, shohin përtej investimet, për më thellë në Rajon.

Edicioni i këtij viti sjell më fuqishëm se në të paktën 5 vjeçarin e fundit, sipërmarrësit nga Serbia, mbi 50 biznese elitare nën kujdesin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë dhe RAS – Agjencisë Shtetërore për Zhvillim të Serbisë.

Dhoma e Tregtisë e Malit të Zi, me mbi 15 ekspozues në sektorë të ndryshëm me veçanti të spikatur.

Kompanitë nga Kosova, do të jenë të pranishme me sektorët e industrisë së paketimit, tubave plastike, printimeve, agroushqimore etj.

Ndërsa Italia e pranishme me pushtetin e saj të përhershëm në produkte ushqimore, pije, materiale ndërtimi, pajisje për sektorin civil dhe ushtarak, energjetikë, stil dhe fashion.

Greqia, Franca, Danimarka, Gjermania, Holanda me prani të drejtpërdrejta ose të përfaqësuara nga kompanitë bija, tek të cilat kanë investuar së fundmi në materiale ndërtimi, teknologji dhe sisteme survejimi, elektroshtëpiake etj.

Ceremonia e Përurimit të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës do të zhvillohet në datën 1 Dhjetor ora 11.00, ne Pallatin e Kongreseve, në Sallën «A» të Konferencave, me praninë e personaliteteve publike shqiptare e ndërkombëtare, trupit diplomatik, përfaqësues të zgjedhur të komunitetit të sipërmarrjes, personazhe të artit e kulturës./ atsh / KultPlus.com