Skulptori Eroll Murati komunikon me veprën e tij për herë të fundit: I pamë të dashurit tonë, por u kthyem prapë nëntokë

Skulptori Eroll Murati ka hapur ekspozitën me titull “Më gjeni”, me fokusin kryesor tek të zhdukurit në luftën e fundit të Kosovës, e së cilës po i vjen fundi, me ç’rast skulptori ka vendosur që në përmbyllje të ekspozitës, të krijoj një monolog me veprën, shkruan KultPlus.

Me moton “Dikush është ende duke i pritur te dera qe 20 vite”, janë shfaqur dy skulptura në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në të cilën Murati dëshironte të përcillte te publiku dhembshurinë që ai ndjenë në zemrën e tij.

Unë; hej… hej… ku keni mbetur mbrëmë? Ju lashë shumë mirë. Unë mendova se ju gjeta shokë e ju nxora nga nëntoka por tani po ju kuptoj se paska qenë vetëm dy drita shok. Faleminderit që qëndruat 15 ditë me mua dhe me gjithë popullin tim e posaçërisht me ata që ju kërkojnë. Do të ju nxjerr prapë dhe kurrë pa ju harruar. Te zhdukurit… Shok, faleminderit që na nxore nga nëntoka e qëndruam plotë shpirt e dritë për 15 ditë dhe i pamë të dashurit tonë, por u kthyem përsëri nëntokë që një ditë të dalim në të vërtetë. Shok, mos na harro të lutem, ne gjendemi diku dhe kemi shpresë tek ju”, përmbyll kështu Murati ekspozitën me monologun e tij.

“Frymëzimi erdhi nga zemra që ndjenë dhimbje të madhe për familjarët e të zhdukurve”, pati thënë Murati në një prononcim për KultPlus.

Tutje, ai pati pohuar se do të marrë hapa të mëtutjeshme për të përcjellë siç duhet mesazhin e tij.

“Unë po mendoj që të realizojë edhe ekspozita të tjera, megjithatë fokus kam që të paraqes një ekspozitë në Beograd. E di se një gjë e tillë është e vështirë, por do mundohem vitin e ardhshëm ta bëjë një gjë të tillë nëpërmjet formave më të “ashpërsuara”, tha në vazhdim.

I pyetur në qoftë se dikush nga familjarët e të zhdukurve ka kontaktuar me të, Muarti ka thënë se ende nuk është takuar me ndonjë familjar, por, sipas tij, ai e kupton edhe këtë distancë të tyre, duke pas parasysh se sa të thellë e kanë plagën këto familje.

Ekspozita e skulpturave është e hapur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë e që i dedikohet të zhdukurve nga lufta e Kosovës, e që numërohen 1638 persona. / KultPlus.com