Dita e Flamurit përkon me hapjen e “Rrënjë” nga Nagip Tashi, portreti i Nënës Terezë për herë të parë në teknikën e drurit

Era Berisha

Janë pikërisht ato copëzat e drurit që formojnë mozaikë dhe gjegjësisht na portretizohet një figurë e dukshme për syrin e publikut. Me këtë teknikë të veçantë, krijon edhe artisti i njohur me stilin e tij, Nagip Tashi që sot ka hapur ekspozitën e tij “Rrënjë”, pikërisht në nderë të Ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.

Gjithsej 11 portrete të figurave të rëndësishme shqiptare, sikurse: Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë, Bekim Fehmiu, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Abdurrahman Shala, Ibrahim Kodra e Fahrije Hoti, janë jetësuar përbrenda hapësirës në bibliotekën “Ernest Koliqi” brenda Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Krijimtaria e Tashit fokusohet në vlerat e mëdha që këto figura të ndritura të historisë e kulturës shqiptare shpërfaqin. Andaj, për të mos i lënë në harresë vlerat e tyre, ai portretet e tyre i ka sjell nëpërmjet teknikës së drurit. Nëse shikoni thellë në këto punime, do të përjetoni mundin, kohën, pasionin e dashurinë e artistit Tashi, i cili i ka shkrirë të gjitha në një vend.

Ajo që vjen si një portret ekskluziv është figura e Shën Nënë Terezës. Fytyra e saj e njomë dhe e mbushur plot dashuri, na vjen e punuar në një formë që jo rrallëherë e shohim. Me lloje diversive që krijon vetë druri, dhe ato ngjyrime që krijohen vetvetiu pas një kohe të gjatë të qëndrimit të drurit, na është shfaqur edhe portreti i Terezës, nga duart e talentuara të artistit Tashi.

Në anën tjetër, ambienti i ngrohtë i bibliotekës “Ernest Koliqi” ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve. Në ndërkohë, të pranishëm ishin edhe bashkëpunëtorët, kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti, Don Fatmir Koliqi dhe vetë artisti Nagip Tashi.

Fillimisht, ka qenë kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti ajo që ka thënë se fillimisht ekspozita është hapur në KultPlus Caffe Gallery, pastaj në Shqipëri, për të vazhduar edhe sot në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’.

“Faleminderit shumë që keni ardhur. Jemi në ekspozitën e radhës së Nagip Tashit, që vjen nga Tërrnovci e që veçantia e krijimeve të tij shihet lehtazi sikurse që po e shihni edhe ju. Ai ka sjell figura shumë të rëndësishme të kombit. Por në anën tjetër, ai krijon edhe portrete të tjera me dru. Njashtu është edhe kënaqësi e madhe që pikërisht për 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kemi një bashkëpunim me Katedralen, për të sjell këtë ekspozitë në këtë datë. Është vendosur për përzgjedhjen e disa figurave të teatrit por edhe të historisë të kombit tonë. Unë jam tejet e kënaqur sepse kjo është hera e tretë që bashkëpunojmë me Nagipin. Fillimisht, e kemi hapur ekspozitën në KultPlus Caffe Gallery, pastaj e radhës ka ardhur në Shqipëri, kurse sot këtu. Sot e kemi një ekskluzivitet tjetër për arsye që Nagipi po e prezanton portretin e Nënës Terezë, pikërisht në vendin që mban emrin e saj”, thotë Pajaziti.

Ndërsa, nikoqiri i këtij organizmi, Don Fatmir Koliqi është shprehur i lumtur që artisti Nagip Tashi i ka sjell rrënjët e kombit tonë në këtë vend.

“Kjo është ekspozita ‘Rrënjë’ dhe artisti Tashi na sjell rrënjët e kombit tonë, pra ato vlera të cilat në fakt neve na mbajnë gjallë me këto figura. Janë një pjesë e rrënjëve tona të cilat ne të gjithë i duam dhe dëshirojmë t’i kultivojmë e të jetojmë sipas tyre. Dëshiroj t’i përmendi disa gjëra që të gjithë ju që jeni të pranishëm, duhet t’i dini. Kjo ekspozitë është koincident me 25 vjetorin e kalimit në amshim të Nënës Terezë dhe gjithashtu sot është Dita e Flamurit tonë Kombëtar dhe po ashtu është një bashkëpunim që e kemi me KultPlus-in, si kulturë për të promovuar vlerat tona. Prandaj, është gjithmonë kënaqësi që të ju pranojmë e të bashkë ndajmë këto vlera. Edhe unë sot i kam parë këto mozaikë të bukura të punuara me dru dhe shpresoj që gjatë gjithë javës, të jetë e hapur ekspozita në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’”, ka thënë Koliqi.

Krejt në fund, qe vetë artisti Nagip Tashi ai i cili ka thënë se vetë puna dhe koha e tij, kanë respektuar këto figura që janë pjesë e punimeve të tij.

“Unë gjithmonë e kam një emocion në këso raste. Kësaj here nuk dua të flas shumë por dua të ju falënderoj për prezencën e juaj e sidomos Ardianën për këtë bashkëpunim. Nuk e kam filluar këtë punë dje por e kam nisur shumë vite më parë. Këto punime qëndrojnë në një periudhë kohore prej 15 vitesh. Unë këto figura kam dashur t’i respektoj duke i punuar, dhe ashtu bëra. Besoj që është e mjaftueshme respekti që e kam dhënë për këto figura, duke i sjell ata edhe njëherë në kujtesë. Aq më shumë, sot për këtë datë të rëndësishme”, thotë Tashi.

Ekspozita “Rrënjë” do të qëndrojë e hapur deri më 2 dhjetor në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’ dhe tashmë veprat e artistit Nagip Tashi janë edhe në shitje.

Kjo ekspozitë është organizuar nga “Drita” dhe “KultPlus”. / KultPlus.com