Bujaria shqiptare: Kur shoqëria “Vatra” ndihmonte Elbasanin pas tërmetit

Shqipëria njihet si një zonë sizmike dhe në historinë e saj janë regjistruar një sërë tërmetesh shkatërruese. I tillë ishte dhe ai i Korçës i vitit 1922.

Prej vitesh një kontribut të madh për vendin kanë dhënë dhe shqiptarët jashtë vendit, të cilët nuk u kursyen as në këtë rast.

Në korrespondencën e publikuar online nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shihen ndihmat e dhuruara nga shoqata e shqiptarëve të Amerikës, “Vatra”.

Ata ofruan ndihma materiale, veshje dhe ilaçe per spitalet ku mjekoheshin te dëmtuarit, për të prekurit nga tërmeti në Elbasan e në Tepelenë.


Në vitin 1922 u krijua dhe Kryqi i Kuq Shqiptar, dhe MPJ nëpërmjet përfaqësuesit te saj ne Gjeneve koordinoi dhe vendosi komunikimin e tij me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar në Gjenevë. Njësoj vepruan edhe përfaqësuesit diplomatik shqiptarë në shtetet e tjera duke i krijuar hapësira aktivitetit bashkëpunues të Kryqit të Kuq Shqiptar në rast fatkeqësish. Rastet ishin të shumta kur shqiptarë jashtë vendit, të cilët individualisht kërkonin të ndihmonin në këtë fatkeqësi, i drejtoheshin përfaqësive shqiptare jashtë vendit ose direkt MPJ. Kjo e fundit koordinonte të gjithë procesin me institucionet shqiptare derisa ndihma mbërrinte në destinacion.

E prekur disa herë nga fatkeqësite natyrore, në qershor të vitit 1927, qeveria shqiptare, miratoi “Rregullore mbi mënyrën e mbledhjes së ndihmave në rast fatkeqësish”, ku si ditë donacioni u caktuan ditët e festave kombëtare, festat fetare dhe ditët e shpalluar si “Dite Solidariteti”. /dp/ KultPlus.com

Familja e fundit e kovaçëve, babë e bir në Elbasan nuk shkëputen nga tradita e vjetër

Kovaçi i vjetër  “është zanat i rëndë, duart bëhen me qymyr, por lahen prapë, nuk është turp. Po kur ha bukë e fut paratë në xhep, është turp?” sinkron Shahin Kurti.

Me këtë shprehje të babait të tij u rrit Aurel Kurti dhe që në moshën 13 vjeçare do të niste të punonte pranë babait të tij kovaç. Sot ai është në përfundim të shkollës profesionale për mekanik dhe synon që më vonë të krijojë një punishte më të madhe se ajo e babait.

“Hekuri rrihet sa është i nxehtë” dhe kjo nuk është thjesht një shprehje në kuptimin e figurshëm të saj, por një proces i vështirë pune që dikur ishte baza e prodhimit të vegla bujqësore.

Tashmë që industria është zhvilluar, kovaçët janë të rrallë, por familja Kurti nuk heq dorë nga puna me të cilët ka jetuar me dinjitet.

Me duart e copëtuara, por me ndërgjegjen e qetë, Shahini dhe djali i tij, jo vetëm që e bëjnë me dëshirë punën, por janë të kënaqur që garantojnë të ardhmen e familjes./tch/ KultPlus.com

Hapet Këndi Arkivor në bibliotekën “Qemal Baholli” në Elbasan

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sot ka hapur Këndin Arkivor në ambientet e bibliotekës “Qemal Baholli” në qytetin e Elbasanit.

Siç e dimë kjo është një nismë e rëndësishme e DPA-së ku ndihmon në thelb çdo qytetar të qytetit përkatës për t’ia çuar arkivat pranë, njësoj sikur të ishin në zyrat e DPA-së në Tiranë.

Rregullat, procedurat, forma e shpejtësia janë të njejta si Salla e Studimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Të pranishëm në hapjen e këtij këndi arkivor ishin drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Dr.Ardit Bido, kryetari i Bashkisë së qytetit të Elbasanit, Gledian Llatja dhe drejtoresha e bibliotekës “Qemal Baholli” në qytetit të Elbasanit, Aida Gashi.

Regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes e-mailit do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit. Pasi të jetë bërë ky regjistrim, qytetari dhe studiuesi mund të porosisë dosjet që dëshiron, ta konsultojë, si në këtë Kënd Arkivor, po ashtu edhe në adresën katalogu.arkiva.gov.al.

Dosjet e porositura do të shërbehen ditën që është përzgjedhur nga aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune.

Kjo nismë bëhet e mundur edhe falë bashkëpunimit me çdo bashki dhe jemi falenderues për përkrahjen e tyre. Jemi ende në fillim të kësaj nisme pasi këndi Arkivor Elbasan është këndi i rradhës pas çeljes së Këndit Arkivor Gjirokastër, Pogradec, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë. Gjithsej do të hapen 100 kënde të tilla në të gjitha hapësirat shqiptare. /ata/ KultPlus.com

111-vjetori i Kongresit të Elbasanit, Arkivi Qendror Shtetëror publikon dorëshkrime të vendimeve

Si sot 111 vjet më parë, mbylli punimet Kongresi i Elbasanit, i mbajtur më 2-9 shtator të motit 1909. Pjesëmarrës në kongres ishin gjithsej 35 delegatë nga intelektualët më në zë shqiptarë, nga brenda dhe jashtë vendit si përfaqësues të shoqërive patriotike.

Arkivi Qendror Shtetëror publikoi sot disa nga dorëshkrimet e vendimeve të Kongresit të Elbasanit që ruhen në fondin nr. 102 të këtij institucioni.

Ky kongres i hapi rrugën shkollimit laik në trevat shqiptare dhe vendosi të themelohej në qytetin e Elbasanit një shkollë e mesme pedagogjike e cila u quajt shkolla Normale, për përgatitjen e mësuesve të cilët do të punonin në zhvillimin e arsimit kombëtar.

Aty u vendos për sistemin e shkollave shqipe, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe për drejtshkrimin e gjuhës ku si shembull u dha përdorimi i dialektit të Elbasanit si ai që përafron më tepër me dialektet e tjera.

Kongresi i Elbasanit hodhi bazat më të rëndësishme të zhvillimit të arsimit kombëtar. Ai u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut.

Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-ës, një shkollë e mesme pedagogjike (Normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. Atsh / KultPlus.com

Pas 31 vitesh, restaurim i Kishës së Shën Kollit në Shelcan të Elbasanit

Kisha e Shën Kollit, në fshatin Shelcan të Elbasanit do t’i nënshtrohet restaurimit pas evidentimit dhe dokumentimit të problematikave nga ana e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Specialistët kanë kryer një inspektim në  ku kanë evidentuar probleme si nga ana strukturore, ashtu dhe degradime të materialeve.

Nga ndërtesa e vjetër në këtë Kishë, më e rëndësishme mbetet veshja e brendshme me afresket e piktorëve të mesjetës Onufri dhe Kostandin Shpataraku.

Kisha e Shën Kollit në Shelcan përbën një nga tipologjitë e para ndërtimore të arkitekturës pasbizantine në Shqipëri dhe riparimi i fundit është bërë në vitin 1988 ku u bë restaurimi i gungës dhe  hajatit por mbeti pa rindërtuar këmbanorja.

Kisha është njënefshe me hajate të vona, sot të zbuluara, nga jugu dhe perëndimi. Kisha është me dysheme me pllaka guri të çrregullta, ndërsa është e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969. Naosi ndahet nga ambienti i altarit nga një iconostas prej muri të pikturuar. Ai ka dyer, një në qendër dhe një në anën veriore.

Me përjashtim të murit lindor të kishës, muret e tjera janë të suvatuara, kështu që nuk dallohet teknika e ndërtimit të tyre.

Vizitori gjen në ikonat e Onufrit të pikturuar nën maskë shenjtorësh banorë të trevave të shpatit  gjë që shprehet me gjallërinë dhe sytë shprehës të të pikturuarve, me të kuqen karakteristike të Onufrit.

Kjo kishë disa herë në vit, por kryesisht në vigjilje të pashkës mbledh disa qindra besimtarë jo vetëm nga Shelcani, por edhe nga fshatrat përreth  që nga Kryezjarthi, Trepshenishti e deri nga fshatra të thella të Shpatit.

Kisha e Shën Kollit vazhdon të konsiderohet si një ‘perlë’ e ardhur nga lashtësia dhe që duhet mbrojtur nga çdo dëmtim. Është edhe ky interesim i banorëve që kjo kishë relativisht e lashtë vazhdon të qëndrojë në këmbë për t’i shërbyer besimtarëve dhe turistëve të shumtë. /a.g/ KultPlus.com

Funari, surpriza e pazbuluar e turizmit malor (VIDEO)

E pasur me pyje të shumëllojshme, me liqene të pastër dhe një natyrë thuajse të pashkelur, Funari është një nga bukuritë më të mëdha të bashkisë së Elbasanit, por edhe të vendit. Infrastruktura rrugore e vështirë ka bërë që kjo zonë të mos frekuentohet masivisht, edhe pse ndodhet 20 km larg Elbasanit.

Por, tashmë, me promovimin e zonës dhe rregullimet infrastrukturore, Funari mbetet surpriza e pazbuluar ende e turizmit malor në Shqipëri.

Për promovimin e kësaj zone dhe kthimin e saj në destinacion turistik, Bashkia Elbasan ka organizuar një festë e cila pritet të kthehet në traditë, ndërkohë që një projekt i Bashkisë synon ta lidhë Funarin drejtpërdrejt me Tiranën përmes një aksi rrugor që kalon mes fshatrave dhe ndikon në rigjallërimin e tyre.

E ndodhur vetëm 20 km nga Elbasani dhe 25 km nga Tirana, pakkush e njeh këtë mrekulli të natyrës. E pasur me pyje pishash dhe dushku Funari ofron një klimë të shëndetshme që nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionle të zonës bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavat.

Por përveç bukurive natyrore, Funari na flet edhe me gjuhën e lashtësisë. Në vitin 1967 kur u hap rruga për në këtë zonë, gërrmimet nxorrën në dritë rrasa pllakash që mbulonin varre të ndërtuar me mur guri. Në to gjendeshin skelete që nuk u dëmtuan plotësisht. Ato i përkasin një periudhe shumë të lashtë, mbase parapellazgjike.

Në malin e Bixëlles, shtrirë mbi një shkëmb, është një fushë e vogël prej 2 ha, që nga vendasit quhet qytezë. Sipas shpjegimeve të fjalorit “qyteza”është qendër e vogël banimi mes mureve të një Kështjelle.

Shpella e Hasmit gjithashtu ofron bukuri të rralla për t‘u vizituar./ ata

Turistë spanjollë vizitojnë pikën turistike të Byshekut

Një grup turistësh spanjollëvizituan pikën turistike të Byshekut pranë qytetit të Elbasani. Pasi vizituan qytetin dhe vendet e tij historike me në qendër kalanë mesjetare, objektet kulturore dhe ato të kultit, udhëtuan për në Byshek të shoqëruar nga të rinjtë e “Smilr Albania”.

Elbasani dhe zonat rreth tij përbëjnë një sektor të rëndësishëm jo vetëm për vlerën ekonomike, por edhe për atë kulturore e historike dhe turistike. Pika më e afërt turistike me qytetin e Elbasanit, Bysheku aktualisht duket se po rimerr shkëlqimin e dikurshëm të një destinacioni turistik.

Rruga automobilistikë që të çon për atje është e riparuar dhe ka lehtësuar lëvizjen e vizitorëve drejt këtij vendi piktoresk. Banorët e fshatrave të komunës Shushicë ku bën pjesë Bysheku, po shfrytëzojnë ardhjet turistike për të tregtuar prodhimet e tyre.

Elbasani ka dhe mjaftë monumente të natyrës në periferinë e tij si Llixhat Termale, Gjinari turistik dhe historik, Pylli aluvial i Shushicës , Liqenet e Seferanit dhe plot vende të tjera interesante. Një veçori kulturore e tradicionale është dhe mikpritja vendase dhe gatimet e shijshme tradicionale të Elbasanit./ KultPlus.com

Një mrekulli natyrore zbulohet në zonën e Elbasanit

Specialistët e AdZM Elbasan kanë zbuluar një mrekulli natyrore të panjohur më parë dhe bëhet fjalë për një shpellë në Klos të Elbasanit.

Fundjava nuk ka qenë thjesht turistike e argëtuese në rrethin e Elbasanit, por ka sjellë dhe një zbulim të ri në fushën e spelologjisë. Specialistët e AdZM Elbasan kanë zbuluar një mrekulli natyrore të panjohur më pare dhe bëhet fjalë për një shpellë në Klos të Elbasanit.

Fillimisht shpella është konstatuar nga banorët e zonës të cilët po nxirrnin gurë në shpatin e një kodre dhe menjëherë kanë njoftuar autoritetet e AdZM Elbasan. Shpella mbart vlera unikale dhe është shumë e veçantë në llojin e saj. Shoqata-AlbNatyra – ka propozuar që kjo shpellë të shpallet monument natyre që të mund të mbrohet nga dëmtimet dhe kureshtarët e stalagmiteve.

Kështu mund të themi se zonës turistike të Elbasanit, ju shtua dhe një tjetër destinacion turistik siç është kjo shpellë (në foto shpella e zbuluar në Klos të Elbasanit)./ KultPlus.com

Fundi i dhimbshëm i 50 grave të pasura të Elbasanit në diktaturë

Jo vetëm burrat, por edhe gratë e pasura u shpërfytyruan nga komunizmi. Ato u detyruan që të braktisnin sjelljen e fisme, normat, virtytet dhe të transformoheshin sipas moralit revolucionar me kazma e lopata në duar, shpesh duke i detyruar të punonin në sektorët më të vështirë.

Kjo është një panoramë e viteve ’50 kur gratë dhe vajzat e familjeve më të pasura të qytetit të Elbasanit, pasi u përballën me sekuestrimin e pasurisë dhe pronave, u dërguan të hapnin kanale në bujqësi.

Këto bashkëshorte dhe bija qysh nga 1945 e deri më 1956, shtërnguan fort zemrën kur u burgosën, u pushkatuan, u internuan burrat dhe baballarët e tyre me vulën “armiq të popullit”, “kriminelë lufte” dhe “sabotatorë të Pushtetit Popullor”.

Këto nëna mbajtën mbi shpatulla për vite me radhë dhe provuan shumë nga mëria komuniste, që sa vinte bëhej me vrastare dhe pashpirt. Këto nëna provuan flakjen jashtë shtëpie, daljen në rrugë në mëshirë të të tjerëve, zhveshjen ekonomike dhe financiare, sepse parat ia morën deri në monedhën e fundit; mbetën pa orenditë e nevojshme për gatim, pa ushqime, pa shtroje e mbuloje.

Shkurt pushteti komunist shpejt, shumë shpejt i çoi në atë derexhe, sa po vihej në rrezik edhe jeta. Përveç rekuizimit dhe sekuestrimit, reforma të tjera ekonomike shtërnguese si ajo e triskimit, i detyronte të drejtoheshin për të punuar dhe mbajtur frymën. Por, për to puna ishte e caktuar qëllimisht dhe e vetmja punë për to ishte puna e krahut, sepse vetëm kështu arrihej varfërimi i tyre dhe për më tepër diskreditimi para opinionit shoqëror. Duhej të krijohej koncepti i ri, duhej përmbysur patjetër dinjiteti qytetar i këtyre familjeve, duhej të realizohej falsiteti i barazisë shoqërore të popullit në varfëri.

Kështu shumë gra elbasanase iu drejtuan punës së krahut, si e vetmja mundësi për të mbijetuar dhe siguruar bukën e gojës. Historikisht dihet që femra elbasanase dhe sistemet shoqërore të tjera kishte punuar por kurrë në punë fizike krahu. Edhe para e gjatë luftës gratë e shtresave të varfra punonin si shërbyese, si mbledhëse ullinjsh, në zhveshje e shkoqje misri, por kurrë në punë të rëndë krahu apo ndërtim. (Nga editori, infoelbasani.al)./ KultPlus.com

Pse në Elbasan “Dita e Verës” festohet në mars?

Muaji mars për çdo qytetar elbasanas mbart brenda saj festën e Ditës së Verës, e quajtur edhe festa e luleve.
Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.

Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar të gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë.

Etnologu Thanas Meksi thotë se “ festa është me origjinë pagane, një festë ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës”. Në vitet 1920-1940 festimet nisnin në datën 13 mars, citon “Koha jonë” studiuesin. “Amvisat nisnin gatimet për në mbrëmje që në mëngjes, piqej gjeli i detit, më pas me lëngun e tij gatuhej dollma ( përshesh me gjel deti) dhe më pas niste ceremonia e hiseve. Në çdo sahan kishe nga një cop gjel deti, pala fiku, tre – katër kokrra arra, ballakume ose revani, vezë të ziera, gështenja etj”.

Ndërsa nata e verës festohej në shtëpi, ku mblidheshin tok të afërm dhe darkonin së bashku, amvisat në një shportë, vendosnin rroba të reja për fëmijët e tyre. Djemtë zakonisht kishin pantallona të shkurtra, ndërsa vajzat rroba të kuqe dhe verore që bashkoheshin nga fije shumëngjyrëshe pambuku. Në këtë natë nuk mungonin as këngët, vallet, shakatë dhe lojërat. Cast ëmbëlsie dhe shijimi të veçantë ishte edhe ngrënia e ballakumes, që shoqërohej me fjalë të përzemërta nga amvisat, të cilat për qesëndi merrnin vallen popullore “Bahçe bahçe me zymbyla”, të shoqëruara nga duartrokitjet e pjesëmarrësve.

“Mëngjesin e 14 marsit, pa lerë akoma mirë dielli, Elbasani është ngritur më shpejtë se zakonisht. Të moshuarit sipas zakonit hapin derën rrugës për të hyrë “e mira” në konak e për të dalë së andejmi e keqja. Ky zakon kishte edhe një kuptim tjetër, bujari dhe mirësi për mikun që vinte nga larg. Amvisat që në mëngjes lanin hajatin dhe këpusnin nga një tufë bar dhe e vendosnin atë në derë, tek guri i zallit përbri derës, çka nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë së tyre”, vijon etnologu Thanas Meksi.

Në mëngjes ishin djemtë ato që bënin derë (vizitë) tek të afërmit e tyre dhe kur dikush i thërriste në emër nuk duhet të përgjigjeshin me “e, e”, pasi nëmeshin me fyerjen “ Marrsh morrat e pleshtat”, por duhet të përgjigjeshin “ urdhëro”.

“Në mëngjes nëna na i lante sytë me ujin që ziente vezën, pasi nënkupton higjienë, pastërti, ashtu si është lëvorja e vezëve. E më pas, mëngjesin e 14 marsit kryhej rituali “kama e ditës së verës”, që do të thotë që vishen pantallonat e shkurtra të reja që i merrnin nga kanistra dhe fëmijët dilnim për vizita ku bëshim “kamë” ( të parët që hynim në derën e vizitorit) dhe me një sahan në dorë shkëmbenin dhurata e Ditës së Verës. Më e mira ishte që kamë të bënin djemtë, pasi thuhej se viti do të ishte i mbarë”, thotë Shpëtimi, një elbasanas i vjetër.

Por, Dita e Verës kishte edhe të veçantat e veta. Kur vinte dreka të gjithë elbasanllinjtë me torba të mbushura i drejtoheshin pikave turistike, si te “Ulliri i Qejfit”, tek “ Rrapi i Vojvodës”, “Krasta e Madhe”, lëndinat në Krrabë dhe tek “Kodrina rreth Teqes”. Këtë ditë vajzat shikoheshin nga djemtë të cilët ishin në moshë për t’u martuar dhe mbas ditës së verës kryheshin shumë fejesa në qytet.

I gjithë vakti i drekës në natyrë shoqërohej me grupe ahengu nga amatorë të ndryshëm, ashtu si Isuf Myzyri dikur që këndonte me grupin e tij, ashtu edhe tradita vazhdonte dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. “Në vitet e komunizmit festa pati një “ ndrydhje”, pasi nuk festohej si dikur, por prapë elbasanllinjtë gatuanin ballakumet, bënin kamë dhe drekonin në lëndina”, vazhdon Shpëtimi.

Sipas tij, në vitet pas demokracisë aktivitetet janë shtuar, organizohen karnavalet për fëmijët, krosi në mëngjes, si edhe Dita Poetike, te cilat shtojnë larminë e aktiviteteve, duke bërë që festa të përfundojë para se dielli të perëndojë dhe të gjithë elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë./KultPlus.com

Festa e Luleve ka nisë në Elbasan, atmosferë vere në sheshet e këtij qyteti (VIDEO)

Sot po shënohet Dita e Verës, dhe vëmendja shkon në Elbasan, aty ku edhe ka nisë Festa e Luleve, shkruan KultPlus.

Rrugët dhe sheshet e këtij qyteti janë mbushë me qytetarë, ku po përcjellin nga afër parakalimet e organizatorëve.
Poashtu pritet të fillojë edhe koncerti që I dedikohet kësaj feste ku do të këndojnë këngëtarë të shumtë.

Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.
Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar të gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=S5FxN3nJv4g

Ekspozohet koleksioni i rrallë i kartëmonedhave të shtetit shqiptar (FOTO)

Ekspozita ”Fragmente të historisë së Shtetit Shqiptar përmes kartëmonedhave” është çelur për herë të parë në teatrin “Skampa” Elbasan.

Kjo ekspozitë vjen përmes një koleksioni të rrallë kartëmonedhash shqiptare, pjesë e koleksionit të Julian Demeti, koleksionist, njëkohësisht anëtar Bordi i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë si dhe Anëtar i Bordi i ADE.

Ekspozita e cila është çelur për publikun më 30 tetor e do të qëndrojë e hapur deri me datë 3 nëntor, synon të informojë qytetarët mbi vlerat historike, kulturore dhe numizmatike të ilustruara në kartëmonedhat shqiptare.
Në ditët e parë të kësaj ekspozite, ajo u vizitua nga emra të njohur të Elbasanit, studiues, pedagogë, politikanë, njerëz të artit e kulturës të cilët shprehën vlerësimet e tyre për këtë koleksion të veçantë.

Ky koleksion u shoqërua edhe me objekte mbështetëse si kartolina, gazeta e revista të kohës, duke ofruar një pasqyrim më të plotë të evoluimit kulturor dhe numizmatik ndër vite në Shqipëri.Kartmonedha e parë që është ekspozuar daton e vitit 1913.
Koleksionisti Julian Demeti tha se ,“rëndësia e kësaj ekspozite është sepse realisht bëjmë dy veprime shumë të mira: e para ta zhvillojmë edukimin nëpërmjet kulturës pra t’iu tregojmë këtu sidomos kartëmonedhat lokale të cilat janë një koleksion shumë i rrallë, si dhe shumë objekte të tjera që do mundohem t’jua tregoj nëpërmjet ekspozitës”,tha ai.

Ai shtoi se kartëmonedha e Elbasanit është një nga katër kartëmonedhat e cila është e vetmja në Shqipëri që ndodhet aktualisht sot.
“Nëpërmjet këtij aktivitet kemi mundësi të bëjmë edhe një vepër të mirë duke ndihmuar këtë qendër që kujdeset për fëmijët në nevojë, dhe të gjithë ne ndjehemi mirë kur bëjmë një vepër të tillë.”, tha Demeti.

Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini vlerësoi punën e Demetit duke shpresuar që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë me bashkinë e Elbasanit për të nxjerrë në pah vlerat, kulturën, historinë, traditat dhe njerëzit e shquar të këtij qyteti. Të ardhurat e këtij eventi do të shkojnë në mbështetje të fëmijëve me nevoja të veçanta të Qendra Shqiptare per Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta Elbasan.

Sonte nis Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Elbasan

Sonte në Elbasan nis edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘Skampa’, shkruan KultPlus.

“Zgjimi”, është titulluar ky edicion i cili sjellë gjithsej 12 trupa teatrale nga trojet shqiptare, Evropa dhe Bota.

Në vigjilje të çeljes së këtij edicioni drejtori i festivalit, regjisori Adonis Filipi u shpreh se nga viti në vit ky event dallohet nga profili si një festival i formave të reja me zhvillimet bashkëkohore të festivaleve.

Festivali ka edhe kontekstin poetik pasi një sërë shfaqesh janë paraparë që të provokojnë shpirtin poetik dhe garanton interaktivitet. Adonis Filipi gjithashtu nënvizoi se qëllimi i festivalit nuk është synimi të sjellë vetëm trupa, por që nga themelimi i tij e deri më tani të kthehet edhe në një laborator të jetë pjesë përbërëse e edukimit përmes artit.

Ceremonia e këtij festivali nis sonte me fillim nga ora 18:00 me ekspozitë nga skenografi Fatbardh Marku. Festivali zgjatë deri më 27 tetor në Elbasan./ KultPlus.com

Nesër nisë ‘Takimi Kombëtar i Orkestrave të Harqeve’ në Elbasan

Për të dytin vit radhazi qendra e Artit Skampa në Elbasan do të jehojë nga muzika e Dhomës.

Nga 18 deri më 20 tetor qyteti do të presë Takimin Kombëtar të Orkestrave të Harqeve, një aktivitet që bën bashkë grupe nga i gjithë vendi.

Përvoja e fituar vitin e kaluar dhe angazhimi për ta kthyer aktivitetin në një traditë ka bërë që përgatitjet të jenë intensive.

“Ia dolëm dhe sot kemi kalendar të plotë të tre ditëve të festivalit, 18, 19, 20 dhe kemi rreth nëntë trupa informacioni duke filluar nga ansamblet trio, kuartetet duke tek orkestrat e mëdha, të cilat kanë kohë që përgatiten në programet e tyre ku një risi ose një nga kriteret më të rëndësishme është krijimtaria shqiptare e kompozitorëve”, tha Blerim Narazani.

Për tre ditë Elbasani kthehet në kryeqendër e muzikës së dhomës, ndërsa qyteti e shndërron aktivitetin në një festë.

“Besoj do jenë tre ditë të mbushura plot me artistë, plot me qytetarë. Kjo është një festë në qytetin e Elbasanit dhe ne e kemi vendosur ta trajtojmë si të tillë”, Kliton Kapaj, shkruan oraneës.

Takimi Kombëtar i Orkestrave të harqeve mbështetet nga Bashkia dhe Këshilli i Qarkut Elbasan, ndërsa synohet që festivali të kthehet në një traditë të bukur për qytetin./ KultPlus.com