Suksesi që ‘zhduki’ të gjitha vështirësitë, Baker dhe Mehmeti hyjnë në historinë e “Manifestas”

Uranik Emini

Komunitetet përbëjnë një nga pjesët më integrale të shoqërisë dhe romët kanë vazhduar ta bëjnë këtë për shekuj me radhë në Evropë. Edhe pse ka pasur përpjekje të vazhdueshme, si në nivel vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar, për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore dhe veçanërisht avancimin e grave rome në shoqëri, ato vazhdojnë të përballen me paragjykime, intolerancë dhe diskriminim të vazhdueshëm nga shoqëria në përgjithësi. Ndërkohë kushtet e banimit dhe shëndetit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të kufizuara. Barra e tyre është shtuar me kalimin e viteve dhe përkundër diskriminimit dhe vështirësive me të cilat ballafaqohen në jetë, ata ende kanë arritur të bëjnë gjëra të mëdha, siç është hyrja në histori të Bienales “Manifesta”, shkruan KultPlus.

Artistja Fahrija Mehmeti, ka arritur që për herë të parë të paraqes kulturën rome në një ekspozitë në Manifesta “14” në Prishtinë. Duke filluar nga Rotterdami i Holandës në vitin 1996 (edicioni i parë), e deri te Franca para dy viteve, Manifesta ndër vite nuk e ka pasur asnjëherë të përfshirë në planin e saj kulturën rome, e për herë të parë një gjë e tillë ndodhi pikërisht në kryeqytetin më të ri në kontinentin e vjetër, në Prishtinë.

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Daniel Baker dhe Farija Mehmeti kanë shkruar histori, duke u bërë njerëzit e parë që paraqesin një kulturë rome në “Manifesta”.

E përbërë nga 150 libra artistike dhe kulturore mbi trashëgiminë letrare bashkëkohore rome, rritja e koleksionit të bibliotekës e pasqyron këtë trashëgimi të pasur rome, ndërkohë merr në pyetje kritike dhunën dhe shtypjen ndaj romëve në Evropë.

Qëndrimi i kësaj biblioteke, RomaMoMa, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shoqërohet nga Farije Mehmeti, e cila është munduar që përmes porterteve shumëngjyrëshe të përfshijë gratë rome me veshjet e stilit të tyre, me shamia me ngjyra dhe disa prej tyre që bartin edhe stoli të çmuara në qafë. Të gjitha këto gra janë të krijuara nga imagjinata e artistes dhe qëndrimi i tyre tregon një vendosshmëri të thellë në brendësi, duke dëshmuar se janë të afta për të bërë gjithçka.

Kultura rome shkruan histori në Manifesta

Avni Mustafa nga organizata ERIAC ka bërë hapjen e këtij eventi, duke prezantuar në pikë të shkurtëra për çfarë ishin mbledhur gjithë të pranishmit aty.

“Unë jam këtu për të prezantuar të gjithë folësit në këtë event dhe gjithashtu është një kënaqësi e madhe që e kemi këtu edhe ambasadrorin gjerman, Jan-Axel Voss, i cili do t’iu urojë mirëseardhjen gjithë juve këtu”, tha Mustafa.

“Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e këtij prezantimi të Bibliotekës RomaMoMA këtu në Prishtinë, me Farija Mehmetin dhe Daniel Baker, përpara hapjes zyrtare të Manifesta 14 në Prishtinë nesër.
Ky event i “Manifestës” është i veçantë, pasi ka një sërë lidhjesh me Gjermaninë, duke përfshirë kuratorin që jeton në Berlin dhe artistë nga Berlini të përfshirë fuqishëm në disa nga ngjarjet këtu. Ngjarja jonë këtu ka gjithashtu një lidhje gjermane sepse një nga dy zyrat e ERIAC është edhe në Berlin. Me përpjekjet e ERIAC, kultura rome, për herë të parë në historinë e Manifestit, do të marrë pjesë në mënyrë eksplicite me ekspozitën e saj.

Sipas tij, ky hap është i mirëpritur: kultura rome është pjesë integrale e kulturës evropiane, e kulturës së Ballkanit Perëndimor dhe e kulturës së Kosovës.

“Sot do të mund të shohim, po ashtu për herë të parë në Kosovë, Bibliotekën RomaMoMA, këtu në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ai përmban libra në anglisht, me fokus historinë e artit rom dhe historinë kulturore rome.Mezi pres të shoh edhe punën e artistes kosovare, Farija Mehmeti. Veprat e saj shumëngjyrëshe të artit po na ofrojnë një qasje të fortë vizuale në jetën e grave rome në Kosovë, diçka që ne si qytet rrallë e shohim dhe vlerësojmë”, tha ambasadori gjerman, duke falënderuar institutin ERIAC gjithë të pranishmit dhe duke i uruar atyre shikim e qëndrim të këndshëm.

Fjalimet emocionale, të veçanta për Gazmen Salijevic

Pas tij e mori fjalën Zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, Gazmen Salijevic, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit aty dhe tregoi mënyrën se si përgatitet për fjalime emocionale.

“Zakonisht ekipi im më përgatit një fjalim përpara një ngjarjeje, por kësaj radhe unë i thash atyre që mos ta bëjnë një gjë të tillë pasi është një ditë historike për kulturën rome. Për mua, si një rom dhe pjesë e Kosovës, e mbështeti këtë hap të madh të promovimit dhe mbrojtjes së kulturës rome. Unë pres që të vazdhojmë këtë promovim dhe të japim kontributin tonë për aktivitetet e ardhshme. Kjo ngjarje do të jetë vetëm një hap i yni për hapat e tjerë që do t’i bëjmë në të ardhmen”, u shpreh ai mes tjerash.

100 ditë Manifesta, 100 ditë mundësi e njohjes me njëri-tjetrin

Edhe Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani, pati disa fjalë për këtë ngjarje të madhe, për të cilën Avni Mustafa përktheu.

“Ndihem i privilegjuar dhe i lumtur që e shoh organizimin e këtij eventi në Kosovë. Ky është një event unik ku mund të shihni piktura të ndryshme të artistëve të ndryshëm. Çdo kornizë në këtë event po tregon një histori të Farijes. Shpresojmë që të mësojmë nga njëri tjetri në këto 100 ditë të Manifestës”, u shpreh Elshani.

Platformë bashkëpunimi ndër-rajonal, nga Sarajeva në Sofje dhe Podgorica në Shkup

Në vrazhdën e disa fjalimeve, edhe Emilia van Lynden nga zyra e Marketingut, Komunikimit dhe Publikimeve të Manifesta 14, tha se Biblioteka RomaMoMA është një projekt i jashtëzakonshëm, derisa falënderoi disa partnerë që e bënë të mundur realizimin e kësaj.

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, një nga ndërtesat më të veçanta dhe depot më të rëndësishme të librave në Ballkan, Manifesta 14 prezanton me krenari Bibliotekën RomaMoMA, si pjesë e Projektit Manifesta 14 Prishtinë – Ballkani Perëndimor. Projekti i Ballkanit Perëndimor është iniciuar nga Manifesta e Fondacionit Ndërkombëtar me 11 partnerë në të gjithë rajonin e Ballkanit. Si pjesë integrale e Manifesta 14, Projekti i Ballkanit Perëndimor synon të zgjerojë shtrirjen e kohëzgjatjes së Bienales Evropiane Nomade duke zhvilluar një platformë bashkëpunimi ndër-rajonal, nga Sarajeva në Sofje dhe Podgorica në Shkup.

Sipas saj, si një bibliotekë dinamike dhe nomade, e përfshirë me kontekste lokale kudo që udhëton, Biblioteka RomaMoMA është një projekt i jashtëzakonshëm për Maniestën, Bienalen Evropiane Nomade. I përbërë nga rreth 150 libra mbi trashëgiminë letrare, artistike dhe kulturore bashkëkohore rome, koleksioni në rritje i bibliotekës tregon trashëgiminë e pasur rome, ndërsa merr në pyetje në mënyrë kritike dhunën dhe shtypjen ndaj romëve në Evropë, RomaMoMA është një projekt arti bashkëkohor që nis një forum për reflektim bashkëpunues mbi një Muze të ardhshëm të artit rom bashkëkohor.

“Dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian dhe Ambasadën Gjermane për mbështetjen e tyre për Libarinë RomaMoMA. Shumë faleminderit për artistët dhe ekspertët romë që e kanë bërë këtë të ndodhë.
Kjo është shtëpia e artit dhe artistëve romë”, përfundon fjalimin e saj van Lynden, duke thënë se kjo është shtëpia e artit dhe artistëve romë.

Këmbëngulja e familjes, shkas për sukses të madh

Në anën tjetër, artistja Farija Mehmeti në hapjen e fjalimit të saj pati një falënderim të veçantë për familjen e saj, veçanarisht vëllaun që e ka mbështetur që nga fillimi i rrugëtimit të saj.

“Unë jam Fahrije Mehmeti, jam një rome nga Kosova dhe artiste nga familja Mehmeti. Unë kam filluar që të vizatojë në 2001-tën dhe jam inspiruar nga vëllau im, Bajrami, dhe ai është gjithashtu një artist i madh sa jam unë. Unë dua që të promovojë sa më shumë kulturën dhe historinë rome të Kosovës. Jam falënderuese ndaj Zotit për këtë talent që më ka dhënë. Vizatimet e mia përfshijnë gratë rome. Me talentin tim unë dua që të kujtoj historinë dhe kostumet e bukura që janë të veshura nga gratë rome në kohët e kaluara. Me vizatimet e mia gjithashtu dua që të ngrisë vetëdijën për të drejtat e grave dhe t’i promovojë ato. Dua gjithashtu që të shpreh edhe vështirësitë që përballen gratë rome në Kosovë, të gjejnë një punë, problemet me shkollim etj. Gratë rome janë shumë të forta dhe janë sot këtu me ne, e kjo është mënyra se si ato duhet të jenë, të kenë mbështetje nga shoqëria”, përfundoi Mehmeti, duke vazhduar që të falënderojë edhe një herë të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite.

Pas gjithë fjalimeve dhe shikimit nga afër të portreteve dhe librarisë RomaMoMA, ishte edhe një “befasi” e përgatitur për fund, ku grupi Gipsy Groove, në përbërje prej: Arsim Baftiu – bass, Grant Pacarada – drums, Faruk Banjska – guitar, Ivan Ivanov – sax, Igor Ivanov – klarinet, Kafu – vocal, patën një performancë në hyrjen e Bibiliotekës Kombëtare të Kosovës. /KultPlus.com