Iluzioni më i madh ku bien njerëzit, në epokën e mediave sociale

Është e kuptueshme pse shumica e njerëzve besojnë se mendimi i tyre ka rëndësi dhe shprehja e tij është e rëndësishme. Kjo është ajo që bëjnë të gjithë. Kjo temë është kudo në lajme dhe në internet, kështu që edhe ju duhet të kontribuoni dhe të thoni diçka, apo jo? Nuk është gjë tjetër veçse një iluzion.

Anna Lemind*

Nuk ka asnjë dyshim, se mediat sociale luajnë një rol vendimtar në jetën tonë sot. Jemi mësuar aq shumë të kontrollojmë newsfeed-in në Facebook dhe përditësimet e miqve tanë në Instagram sa nuk mund ta imagjinojmë veten pa këto gjëra.

Megjithatë, nevoja për të qëndruar vazhdimisht të lidhur dhe për të ndarë lajmet tona me botën nuk është thjesht një pjesë e jetës sonë. Ka ndryshuar gjithashtu mënyrën se si mendojmë, duke na bërë të bëhemi viktimë e iluzioneve dhe shtrembërimeve të ndryshme konjitive.

Do të doja të përqendrohesha në një prej tyre – nevojën iluzore për të pasur një mendim për gjithçka.

Ta ilustroj konkretisht, më lejoni t’ju bëj disa pyetje:

Cili është mendimi juaj për paradoksin e Fermit?

Pse gjermanët nuk i shkatërruan trupat britanike në Dunkirk gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Pse dështoi komunizmi?

Nëse nuk jeni eruditë të jashtëzakonshëm, me shumë mundësi do të përgjigjeni “Nuk e di” për disa ose të gjitha këto pyetje.

E shihni? Nuk ju vjen turp të pranoni se nuk dini diçka. Dhe nuk është aspak turp – nuk mund të dimë gjithçka. Në fund të fundit, jemi këtu për të mësuar dhe për të evoluar.

Mjerisht, ne shpesh e neglizhojmë këtë të vërtetë të thjeshtë dhe biem në iluzionin se duhet të kemi një mendim kur bëhet fjalë për temat që janë tendencë e momentit.

Tani, më lejoni t’ju bëj disa pyetje të tjera:

Cilat ishin arsyet e fillimit të luftës në Ukrainë?

Cili është mendimi juaj për vaksinat kundër COVID-19?

Pse po rriten çmimet e energjisë?

Këtu, me shumë mundësi do të keni një përgjigje për të dhënë për secilën nga këto pyetje.

Por tani pyesni veten, sa dini në të vërtetë mbi këto tema? Nëse nuk keni një njohuri të gjerë të politikës, ekonomisë ose imunologjisë, ndoshta i dini këto gjëra në një nivel shumë sipërfaqësor.

Megjithatë, ju jeni të sigurt për mendimin tuaj.

Pra, pse përgjigjet tuaja ishin kaq të ndryshme? Ju thatë “nuk e di” në grupin e parë të pyetjeve, dhe megjithatë, grupit të dyta të pyetjeve iu përgjigjët me një shkallë të lartë sigurie.

Cili është ndryshimi?

Iluzioni i të paturit një mendim për gjithçka

Këtu arrijmë te thelbi i iluzionit për të cilin po flas. Një lidhje e vazhdueshme me mediat sociale dhe internetin na mashtron duke na bërë të besojmë se duhet të kemi një mendim për gjithçka. Për më tepër, mendimet tona kanë rëndësi.

Ju shkruani një postim dhe miqtë tuaj në Facebook reagojnë ndaj tij. Ju ngarkoni një selfie me një mesazh politik në Instagramin tuaj dhe njerëzit komentojnë. Ndjeheni sikur ajo që thoni është e rëndësishme.

Në realitet, nuk është e vërtetë.

Mendimi juaj ka rëndësi për sa kohë që flisni për jetën tuaj dhe gjërat që dini. Nëse thjesht ndiqni reklamat, por keni një njohuri sipërfaqësore të temës, mendimi juaj nuk ka rëndësi sepse nuk sjell asnjë vlerë. Nëse nuk e keni studiuar dhe analizuar problemin në thellësi, thjesht përsërisni atë që keni dëgjuar nga të tjerët, keni lexuar në internet ose keni parë në TV.

Megjithatë, është e kuptueshme pse shumica e njerëzve besojnë se mendimi i tyre ka rëndësi dhe shprehja e tij është e rëndësishme. Kjo është ajo që bëjnë të gjithë. Kjo temë është kudo në lajme dhe në internet, kështu që edhe ju duhet të kontribuoni dhe të thoni diçka, apo jo?

Nuk është gjë tjetër veçse një iluzion.

Mund të jetë e vështirë ta pranosh këtë të vërtetë, sepse në epokën tonë të lidhjeve të vazhdueshme, është e çuditshme të qëndrosh larg zhurmës dhe të mos thuash asgjë. Mediat sociale janë këtu që të shprehemi, apo jo?

Në realitet, nuk keni nevojë të keni një mendim për gjithçka. Është në rregull të qëndroni larg temave të momentit dhe të mos keni fare mendim. Është në rregull të mos thuash asgjë.

Ju nuk keni nevojë të mbani anë dhe të krijoni këndvështrime për temat për të cilat nuk dini asgjë, veçanërisht nëse ato qëndrojnë jashtë zonës tuaj të interesit. Nuk është turp të thuash “nuk e di” ose “nuk jam i sigurt” kur dikush të pyet për një çështje politike apo sociale.

Në fund të fundit, heshtja është e artë. Ndonjëherë është me të vërtetë më mirë të qëndrosh i heshtur.

Pra, herën tjetër që do të filloni një debat për një temë “të nxehtë” ose do të ndani një postim politik në Facebook, pyesni veten,

Sa mirë e njoh temën?

A e kam studiuar problemin nga anë të ndryshme?

Mendimi im është në të vërtetë i imi apo thjesht po përsëris diçka që kam dëgjuar nga të tjerët ose në TV?

Ndoshta këto pyetje do t’ju ndihmojnë të shihni të vërtetën. Nevoja për të pasur një mendim për gjithçka është një iluzion.

Në të njëjtën kohë, nëse jeni vërtet të interesuar për një problem në trend dhe dëshironi ta kuptoni më mirë, atëherë sigurohuni që ta studioni atë nga të gjitha këndvështrimet.

Lexoni, shikoni, mësoni. Më pas analizoni informacionin që keni konsumuar. Vetëm atëherë mund të thoni se keni dalë me përfundimet tuaja – jo të dikujt tjetër.

* Autore e “The power of misfits” / KultPlus.com