Çabej: Gjuha shqipe është e pasur, pastërtia e saj është tregues i nivelit të kulturës

Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës. Për të dhënë vetëm dy shembuj, po përmendim Irlandën dhe Turqinë. Në Irlandë, menjëherë pas shkëputjes prej Britanisë së Madhe dhe fitimit të pavarësisë, po edhe më parë, gjuhëtarët hapën shkrimet e vjetra, që i kishte mbuluar pluhuri i kohës, dhe qitën në dritë leksema të moçme të gjuhës që s’i njihte më kurrkush, që kishin qenë përdorur disa shekuj, mbase edhe njëmijë vjet më parë, dhe i shtinë në shkollë e në qarkullim, edhe sot janë në përdorim të përgjithshëm.

Në Turqinë qemaliste, në vazhdim të punës që pat nisur më parë, sidomos Sami Frashëri, për pastrimin e gjuhës nga fjalët, shprehjet dhe ndërtimet sintaktike arabe e perse që e kishin mbuluar, me reformën gjuhësore që nisi në vitin 1928, u hulumtuan një varg fjalësh të turqishtes (osmanishtes) së vjetër dhe të disa të tjerave gjuhë turke të Azisë, dhe këto të gjitha dhanë një ndihmesë të madhe në pastrimin e gjuhës dhe pasurimin e saj me lëndë vendi.
Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare. Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin.

Në këtë fushë është punuar me shekuj te ne dhe vazhdon të punohet në këtë drejtim. Po të kundrohet kjo veprimtari më nga afër, shihet se ka këtu një vazhdimësi, një vijë të pandërprerë. Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë veprimtarinë e paraardhësve tanë, njëkohësisht synojmë ndërkaq ta çojmë përpara veprën e tyre dhe ta thellojmë. Në këtë punë nuk do të kufizohemi të zbulojmë fjalë të moçme nëpër shkrime të vjetra, si kanë vepruar për shembull në vendet e përmendura më sipër. Nuk është kjo e vetmja rrugë për ne, sepse plot fjalë janë edhe sot të gjalla në gojë të popullit dhe presin të shtihen në përdorim. Kjo punë ka filluar që me përmendoret e para të shkrimit të gjuhës shqipe. Autorët e vjetër si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë kanë vepruar  me vetëdije në këtë rrugë. Pjetër Budi në një vepër të tij të vitit 1618 ankon se gjuha po prishej më fort prej pakujdesisë së “diesvet dhe letërorëvet” të kohës së tij. Frano Bardhi në parathënien e fjalorit të tij të vitit 1635, flet për dëshirën e tij “me ndimuem mbë nja anë gjuhënë tanë”. Gjysmë shekulli më vonë, Bogdani rrëfen se “m’anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhe të Shkodërsë” dhe shton se “giuha jonë qi me dijet dvuer edhe fjalëtë”. Qysh te këta autorë të vjetër gjejmë fjalë si derëtar, dëftues, grykësi, gjetës, gjuhëtar, kangëtar, këshilltar, kopështar, krye “kapitull”, lutës, madhështi, mbarim, mjeshtëri, ndjekës “ithtar, imitues”, i përbrendshëm, përndjek “persekutoj” (prej nga mund të formohet përndjekje për “persekutim”), polem “popull, vegjëli”, pushim, rrëfim, shkollar, urta, vetëmi, vjershëtar e plot të tjera, pa mundur ne sot të dimë se cilat janë fjalë të marra prej gojës së popullit dhe cilat janë formime të këtyre autorëve. Në lidhje me këtë, dihet se në pasurim të gjuhëve letrare e të shkrimit, dy janë kryesisht rrugët që ndiqen përgjithësisht. E para është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm, shpeshherë duke i ngritur më lart në punë të nivelit kuptimor. Kështu, për shembull, lëndë landë si kuptim konkret ka “dru; dru si material ndërtimi”, po qysh prej shkrimtarëve të Rilindjes së shekullit të kaluar përdoret me rrugë abstrakte edhe për “materie”, “subjekt”, “temë” etj. Ashtu dhe fjala rrymë, prej kuptimesh të tilla si “rrjedhë e vrullshme e ujit”, “lëvizje e ajrit”, “remë e mullirit” (rrymë e ujit, rrymë ajri, rrymë e mullirit), ka zgjeruar sferën e përdorimit me rrymë elektrike, rrymat letrare, rrymat politike etj., duke përfshirë kështu dhe sferat abstrakte të leksikut. Rruga e dytë është formimi i fjalëve të reja, i të ashtuquajturave neologjizma. Këto mund të jenë formime të mëtejme të fjalëve popullore, si anëtar nga anë. Shpeshherë ndërkaq janë të tilla, porse të farkuara si përkthim fjalësh të huaja, si kalke, si për shembull i pamasë e autorëve të vjetër, pas lat. immensus, it. immenso; ose në kohët e reja pararojë pas it. avanguardia, frgj. avantgarde etj. Janë pra formime pozitive, me gjedhe (model) të huaj, po me brumë vendi, një mënyrë veprimi me të cilën janë pasuruar me kohë gjithë gjuhët e Europës edhe të botës, rrugë pasurimi e ndjekur që në kohët e lashta (latinishtja prej greqishtes), por sidomos në kohët moderne.

Puna e autorëve tanë të vjetër në këtë fushë veprimtarie po të hetohet më imtë, shihet se vazhdon më tej dhe gjatë kohës para shekullit të kaluar. Edhe pse përmasat qenë më të vogla, dhe mënyra e punës shpeshherë anonime, vlen të shënohet se nuk ka pasur aty një zbrazëti të plotë në punë të shkrimit e përpunimit të gjuhës. Kjo veprimtari ndërkaq me një gjallëri të re u rimuar tek ne sidomos me shekullin e kaluar, mbasi lëvizja mendore e “shekullit të dritës” (le siècle des lumières), i quajtur gabimisht “iluminizëm”, dhe më vonë e romantizmit, patën zgjuar sidomos ndër popujt e vegjël e të robëruar të Europës idenë nacionale dhe dashurinë për kulturën popullore, folklorin, gjuhën amtare dhe përpunimin e kultivimin e saj. Njerëzit që vepruan në këto fusha kanë qenë nganjëherë njëkohësisht burra të armës dhe të pendës, luftarë dhe dijetarë e shkrimtarë, ashtu si Pashko Vasa ndër ne. Me një ndjenjë habie shohim ne sot  si një njeri jo i pendës, po i armës, dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore, si Marko Boçari prej Suli, përdor në fillim të shekullit të kaluar leksema të sferës kuptimore-abstrakte si kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri, e të tjera si këto. Mbetet merita e elementit shqiptar të Italisë që i priu Rilindjes Kombëtare të shekullit të kaluar, me çeljen e Kolegjit të Kalabrisë (1732) dhe atij të Palermos në Siqeli (1734), dhe pastaj me vepra historike-gjuhësore, folklorike e letrare, si ato të Nikollë Ketës (1742-1803), Engjëll Mashit e sidomos të Jeronim De Radës, i cili organizoi dhe dy kongrese gjuhësore në Kalabri. Në këtë lëvizje mendore e gjuhësore-letrare në gjysmën e dytë të atij shekulli morën pjesë, si dihet, dhe shkrimtarë e dijetarë shqiptarë të Greqisë, si Panajot Kupitori e Anastas Kullurioti. Nga shkrimtarët e  Shqipërisë, një brez para atyre të Rilindjes, Naum Veqilharxhi është një ndër të parët që u përpoqën të pasuronin gjuhën e shkrimit e ta spastronin nga fjalët e huaja, me fjalë si fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e ndonjë tjetër. Përpara tij Tahir efendiu prej Gjakove përdori më 1835, ndër të tjera, fjalë si folës, mësim, mësues, nxanës, rrëzim. Shkrimtarët e Rilindjes, si Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e të tjerë, i hynë në këtë lëmë një pune të madhe edhe me një metodë të re. Kjo metodë ishte: kërkim, përhapje e vënie në qarkullim e fjalëve që ekzistojnë në gjuhë, po që kishin mbetur mënjanë; përdorim i fjalëve të vjetra e të harruara të gjuhës; përdorim shumë i kufizuar i fjalëve të huaja; formim fjalësh të reja, neologjizmash, si ko­mpozita si rrjedhoja (derivate), pas gjedhes së analogjisë, pra kryesisht pas shembullit të fjalëve të gjalla të ligjërimit popullor e të dialekteve të tij. Ndër këta autorë, Kristoforidhi e pasuroi gjuhën e shkrimit me fjalë si fushatë, hierore “tempull”, jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks, zanore. Te Naim Frashëri gjejmë dëgjim, dritare, gjithësi, hapësirë, papunësi, i përjetshëm, vetëdijë, vjershëtor e plot të tjera. I vëllai Samiu, dihet se përveç punës që kreu në lëmin e caqeve (termeve) gjeografike e administrative (lindje, perëndim, jugperëndim, veriperëndim, mesditës për “meridian”, kryeministër, qeveritar etj.), ka vënë themelet e terminologjisë gjuhësore e gramatikore, me formime si abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar. Para tij Jani Vreto shtiu në përdorim terme gjuhësore si rrënjë, emër, përemër, folje ndihmëse. Gjejmë tek ai edhe fjalë të gojës popullore përdorur me një mënyrë të re, pa mundur ne sot të ndajmë kurdoherë me saktësi se cili ndër këta tre shkrimtarë është autori i parë i disa fjalëve të caktuara. Puna e pasurimit dhe e pastrimit të gjuhës vijoi e pandërprerë edhe pas periodës së Rilindjes nga ana e një vargu shkrimtarësh, gjuhëtarësh e arsimtarësh të vendit. Në vitet e para të shekullit tonë Luigj Gurakuqi me veprat e veta ia kushtoi gjithë mundin e tij këtij qëllimi. Ai u caktoi lavruesve të gjuhës detyrën që “skajet (termet) e përgjithshme t’gjith degëve t’dijes, qi janë pothuej gjithnjë ndër t’tana gjuhët… kena për t’i marrë edhe na… Fjalët e skajet e tjera kena për t’i trajtue vetë tue i ba me rrjedhë prej rraje shqype”. Në ditët tona Aleksandër Xhuvani, i pajisur dhe me zotërimin e plotë të metodës gjuhësore, i kushtoi gjithë jetën e tij këtij synimi, detyrës së madhe të pastrimit të gjuhës prej fjalëve të huaja e të pasurimit të saj me fjalë vendi. Punimet e tij të kësaj fushe janë mbledhur shumica në dy vëllimet: “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1960) dhe “Studime gjuhësore” (1956), për të cilin vëllim gjuhëtari i njohur austriak Maks Lamberc thotë se do të ishte me shumë vlerë që kjo punë jete të botohej e përkthyer në një gjuhë të madhe si frëngjishtja. Njëkohësisht edhe disa lavrues dashamirë të gjuhës amtare dhe arsimtarë patriotë si Mati Logoreci e të tjerë, edhe këta me sa kanë mundur kanë punuar në këtë vijë. Këtu ndërkaq është vendi të vihet në dukje ndihmesa e madhe që ka dhënë e po jep në lëmin e zëvendësimit të fjalëve të huaja me fjalë vendi, në formë anonime, masa e njerëzve të thjeshtë, nëpunës, arsimtarë, ushtarakë, specialistë të degëve të ndryshme, në ditët tona përveç këtyre edhe institucionet shkencore, aktivistë shoqërorë e plot të tjerë. Pas çlirimit të vendit janë formuar ndër të tjera, fjalë e caqe (terme), si anëshkrim, arritje, automjet, bajraktarizëm, bashkautor, bashkekzistencë, bërthamor, bishtajore, bletari, bujkrob, dukuri, ecuri, furrnaltë, gjetje (arkeologjike), halorë, hedhurina, huazim, kanal kullues, leshpunues, mbingarkesë, mbingarkim, mbishtresë, mbivlerë, pyetësor, reshje, shpërpjestim, shpim, tokëzim, tregues m., vendburim e të tjera.

Në këtë mënyrë gjuha e shkrimit dhe e bisedës që përdorim ne sot i ka rrënjët në gjuhën popullore të përpunuar gjatë kohëve. Ajo është rezultat edhe i përdorimit të fjalëve të gojës së popullit edhe i punës së madhe të brezave të mëparmë. Do të ishte me interes për historinë e gjuhës letrare e të shkrimit të hetohej se, sidomos nga fjalët e leksikut abstrakt-mendor, te cili autor secila ndër to shfaqet për herë të parë, ose të paktën në cilin shkrim (vepër, revistë a gazetë) paraqitet së pari. Një punë e tillë e dyfishtë pret që të kryhet në të ardhmen. Aty mund të dalë që një pjesë e mirë e leksemave të këtij lloji janë më të vjetra nga ç’mund të kujtohet, dhe që një pjesë i ka pasur qëmoti dhe gjuha popullore.

Gjuha shqipe është e pasur jo vetëm në elemente leksikore të kulturës materiale, po edhe në fushën e fjalëve të sferës abstrakte-mendimore. Nuk është i drejtë mendimi i disa dijetarëve të huaj se shqipja qenka e pasur vetëm në fjalë të sferës baritore, as i drejtë mendimi se shqiptarët paskan qenë një popull barinjsh nomadë, shtegtarë. Një mendim i tillë nuk përligjet as me të dhënat e ekonomisë politike historike. Një profesor matematike më thoshte para disa kohe se me terme shkencore të farkuara me mjetet e gjuhës së popullit ka shpjeguar lëndën e tij në shkolla të mesme dhe është kuptuar shumë mirë nga ana e nxënësve. Një gjë e tillë vlen dhe për të tjera degë të dijes, si për fizikë, botanikë, zoologji, gjeografi, gjeologji, arkitekturë e degë të tjera. Për të dhënë vetëm disa shembuj nga lëmi i gjuhës popullore, që janë në gjendje të zëvendësojnë fjalët e huaja ose gjithsesi të pasurojnë gjuhën letrare dhe terminologjinë shkencore me elemente ose forma të reja, po përmendim ndër të tjera: Çamëria polipit të detit i thotë likurishtë, veprimit të zbutjes së një peme me anë shartimi i thotë zbutoj; Gjirokastra për “parenté” thotë afëri, rozetës së tavanit i thotë kërthizë, tuberkulozit të eshtrave i thotë rrodhje (nga rrjedhja e qelbit); Labëria atij që përziente bagëtinë me një tjetër i thotë përzitës, dhe sisës së gjirit të bagëtisë femër mjelm; Bregu i Detit për “zë rrënjë bima” thotë rrënjëzohet; Lunxhëria drurëve e shkurreve të ulëta që rriten keq në pyll në hijen e drurëve të mëdhenj u thotë hiesira; Zagoria për “qëmoti, lashtë” thotë lashtërisht, dhe ana e Këlcyrës për “tashti vonë, rishtas” thotë rishmë; anët e Beratit e të Frashërit sipas Kristoforidhit zgavrës së një druri të madh si rrapi i thonë zgërbonjë, dhe Dangëllia një ene bakri me veshë i thotë veshore; Labova e rrëzës së Tepelenës kur bie borë e imtë thotë mizon; Mallakastra një fiku vjeshtak të zi e me plasa në lëkurë i thotë fik shkronjës; Myzeqeja grykës së lumit që derdhet në det i thotë gojkë d.m.th. “gojë”; ana e Shpatit mostrës ose modelit i thotë gjedhe, dhe të mbajturit anë, anësisë anesë; Shqipëria e Mesme për një njeri të flashkët me trup e të mefshtë thotë i qullët, e për “vete mbarë” trevon, si në s’na trevon gjaja e gjallë.  Në të folët e Tiranës ndiheshin edhe ndihen fjalë si kryemot për natën e ditën e vitit të ri, dhe hulli për “brazdë”. Në katundin Sharrë të Tiranës, fjalën pamenia e kemi dëgjuar me kuptimin “panoramë, pamje”, e në anët e Krujës dëgjohet ansujë për “ishull”. Me këtë nuk themi se do të zëvendësojmë patjetër ishull-in dhe do ta heqim krejt nga përdorimi, porse e japim shembullin për të treguar se edhe në fushën gjeografike gjuha e popullit ka formuar leksema si kjo, e cila mund të hyjë në përdorim në stile të veçanta të gjuhës letrare. Mjeshtrit e asaj ane kanaleve a vanave që gërryhen në çimento për kalim uji u thonë ujse. Mirdita vendosjes së një grupi etnik të shpërngulur në një vend të ri, pra kolonisë, i thotë ngulim. Shkodra tekstileve u thotë veglore, fjalë që lidhet me vegël, që përdor Korça për vegjët. Anët e Veriut fundërrisë që mbetet nga të shkrirët e një lënde i thonë bram, zgjyrës bramc farke, shtrirjes së një lugine i thonë lugajë, një fushe voglake vuth, një toke që është nën ujë tokë mbujake, një galerie a tuneli zgafelle, tumave të lashta (arkeologji) kodërvorre, një grumbullimi lulesh në trajtë të një kalliri të varur vastak, një pipthi, kalemi a fidani trishe, sëmundjes karies (të dhëmbëve etj.) briesë; veçanërisht Pulti për “mjekoj me barna” përdor barnatoj. Fjala imtoj, sot përgjithësisht “shkoqit në hollësira (një çështje)”, në të folët e Lumës përdoret në mënyrë konkrete “holloj”, imtoj drutë “i çaj i bëj të holla”. Kosova një njeriu që ka të njëjtin emër me një tjetër i thotë emnak, e për “dorëzoju” thotë “jep dorzimin”; në Kosovë për “filaturë” përdoret tjerrtore, e për “kaldajë” ngrohtore. Në Dibër një helmi të madh të shpirtit i thonë djegë. Duke kaluar në dialektet e ngulmimeve shqiptare jashtë Atdheut do të përmendim se në Arbënesh të Dalmacisë për “shpina e dorës” thonë përmidora, e për “krijoj”, me një fjalë vendi lentoj (nga lej), prej nga mund të formohet dhe lentim për “krijim”. Në Greqi për “gardh” thonë thurimë, fjalë që mund të përdoret edhe me një kuptim të figurshëm, si p.sh. në gërshetimin e veprimit të një drame. Në Kalabri ofiqit (nofkës) që i ngjitet një njeriu i thonë shënim. Në Siqeli samarit i thonë bërrore, fjalë që lidhet me barrë; për “të dhënë e të marrë, marrëdhënie” thonë përzitë, si në shprehjen me të hojin mos kesh përzitë. Atje kanë farkuar dikur dhe gurshkronjë për “litografi”. Këta janë vetëm disa pak shembuj për të dhënë një ide sado të zbehtë për pasurinë e visarit leksikor të gjuhës popullore.

Janë pra të gjitha mundësitë për një zëvendësim të fjalëve të huaja me fjalë vendi, dhe kjo pa bjerrje aspak të vlerës kuptimore të fjalëve. Mund të zëvendësohen ndër të tjera fjalë si abuzoj abuzim, acid, adaptoj adaptim, agresion agresiv, aktivitet aktivizoj, ambient ambiental, ambiguitet, amorf, anketë, apikulturë, aproksimativ approksimativisht, aprovoj aprovim, atribuoj, bonifikoj bonifikim, celular, deduktoj deduktim, dekompozoj dekompozim, depistoj depistim, derivat, destinoj, dezekuilibër, dimension, efekt i efektshëm efikacitet, eksperiencë, eksploroj, ekuilibër, erupsion, esencial, evoluoj, favor favorizoj favorizim i favorshëm, fenomen, fibër, filaturë, firmos, fortifikoj fortifikim, frekuentoj frekuentim, frutikulturë, germë, grataçel, hezitoj hezitim, imediat, imperativ mb., influencë influencoj, inkuadroj inkuadrim, inkurajoj inkurajim, inovacion, insistoj insistim, insuficiencë, intoksikacion, investoj investim, justifikoj justifikim justifikues, kaldajë, karbon, konditë, kondicionoj, konfirmoj, kontribuoj kontribut, kooperoj kooperim, koordinoj koordinim, korent kurent, korrespondoj korrespondencë, kulminant, landshaft, laring laringjit, leguminoze, legjislativ, lubrifikoj, manual, militoj, monument, ndofta ndoshta, operativ, origjinë, palafit, penelatë, perfeksionoj perfeksionim, polen, preferoj, preokupoj preokupim preokupant, presion, presupozoj presupozim, reciprok reciprocitet, refuzoj refuzim, renal, rendiment, represiv, revokoj, sekret, servil, silvikulturë, i sinqertë sinqeritet sinqerisht, sinjifikativ, skulptor skulpturë, spektator, spostoj spostim, stimul, sukses i suksesshëm, supersticion, supozoj supozim, tentoj tentativë, (ujëra) territoriale, toksik toksikologji, total totalisht, transformoj transformim, transmetoj transmetim, unifikoj unifikim, validitet, vegjetacion, vigjiloj, vigjilencë vigjilent (që me këtë formë s’e kanë as italishtja as frëngjishtja), volum voluminoz, xhiroj xhirim etj.

Në lidhje me këtë punë të madhe, së cilës mendojmë se duhet t’i përvishemi me një rrugë tërësore, sistematike e të organizuar mirë që në ballë, në mënyrë paraprake do dalluar qartë ç’është huazim (frgj. emprunt) e ç’është fjalë e huaj. Fjalët më sipër e shumë të tjera të llojit të tyre nuk janë huazime të mirëfillta, të tilla që të kenë hyrë lashtërisht në gjuhë të popullit, të jenë bërë mish e asht i saj. Janë mish i huaj depërtuar në gjuhë nëpërmjet shtresave intelektuale kryesisht në këto brezat e fundit, dhe nuk kanë arritur të hyjnë thellë në strukturën leksikore të gjuhës. Prandaj dhe zëvendësimi i tyre me brumë vendi, me kusht që të mos cënohet saktësia kuptimore, në përgjithësi nuk paraqitet i vështirë. Do pasur parasysh në këtë mes se depërtimi i fjalëve të këtij lloji nuk përligjet as me karakterin gjuhësor të shqipes. Gjuha shqipe nuk është një gjuhë romane as gjysmëromane, si ka qenë pohuar dikur dhe vazhdon të pohohet vise-vise dhe sot e kësaj dite. Janë të gjitha mundësitë reale që mos t’i lihet shteg edhe pohimit të dikujt se “duhet njeriu më parë të mësojë italishten para se të mundë të lexojë pa mundim një shkrim të shqipes”.

Në këtë veprimtari ndërkaq duan pasur parasysh disa parime në lidhje me metodën e punës që do të ndiqet. Një ndër parimet kryesore në zëvendësimin e fjalëve të huaja do të jetë maturia. Nuk duhet aty të kalohet në ekstrem. Ka rasa – kryesisht në punime të specialitetit – ku përdorimi i një fjale a termi të huaj paraqitet i domosdoshëm; aty, për hir të saktësisë shkencore, të stilit, a për një tjetër arsye, do të përdoret. Si kudo, edhe aty duhet vepruar me masë, pan metron ariston kanë thënë të vjetrit. Nuk duhet ecur si në disa gjuhë ku edhe fjalë e terme ndërkombëtare janë munduar t’i zëvendësojnë medoemos me elemente të vendit.

Në këtë mes del edhe pyetja: ç’është term ndërkombëtar? Mendojmë se term ndërkombëtar nuk mund të quhet një term shkencor që e kanë përgjithësisht vetëm gjuhët romane, gjuhët bija të latinishtes; ato vetvetiu e kanë marrë e do ta marrin prej saj. Term ndërkombëtar mund të quajmë një term shkencor që përveç gjuhëve romane e kanë në përdorim edhe idiomat e të tjerave familje gjuhësore, si gjuhët gjermanike, sllave e të tjera. Për të dhënë dhe këtu ndonjë shembull, do të themi se acid nuk është term ndërkombëtar, po kimi është term ndërkombëtar; levë, presion nuk janë terme ndërkombëtare, porse fizikë po; insekt është term ndërkombëtar, po insekticid nuk është. Ashtu qëndron puna dhe me botanikë përkundrejt leguminozeve labiate-ve, me zoologji përkundrejt reptilë-ve etj. Duke mbetur në lëmin e terminologjisë shkencore mund të pohojmë pra se në degë të ndryshme të dijes e përgjithësisht të veprimtarisë njerëzore, në arkitekturë, gjeologji, botanikë, zoologji, fizikë, kimi, matematikë, mjekësi e shëndetësi, në blegtori, bujqësi, industri, ekonomi, ndërtim e në fusha të tjera ka një mori fjalësh të vendit që pa dëm kuptimor janë në gjendje t’ua zënë vendin fjalëve të huaja. Aty është me interes edhe kjo, që fjalët e vendit kuptohen më mirë, rroken e përvetësohen më lehtë nga nxënësit e moshave të vogla, sepse u formojnë atyre shoqërime (asociacione) idesh; ato gjejnë analogjinë e vet në pasurinë leksikore që zotërojnë ata brenda sistemit të gjuhës amtare.

Në këtë fushë veprimtarie shihet kështu se një rëndësi të madhe ka puna e pastrimit të terminologjisë shkencore, e cila është mbuluar me elemente leksikore të huaja. Veçse përbrenda kësaj fushe duhen bërë diferencime. Një pjesë e madhe e terminologjisë së shkencave teknike, natyrore, mjekësore e të tjera është në përdorim kryesisht në rrethe shkencore e të specialitetit. Një rëndësi më të madhe merr problematika e pastrimit të degëve të leksikut shoqëror, elementet e të cilit janë në përdorim te një masë më e gjerë e shtresave të shoqërisë. Në këtë veprimtari një detyrë edhe më të madhe përbën puna e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës së përditshme që përdoret në të folë e në shkrim. Spastrimi i gjuhës prej fjalësh të tilla si ambient, eksperiencë, esenciale, fenomen, influencë, preferoj mbetet një detyrë kryesore e gjuhësisë shqiptare. Me fjalë të tjera, ne mendojmë se spastrimi i terminologjisë shkencore, me gjithë rëndësinë që ka, përbën vetëm një pjesë në punën e madhe e komplekse të pastrimit e pasurimit të gjuhës, punë në të cilën vjen e integrohet.

Edhe në lëmin e sintaksës gjuhësinë shqiptare e presin detyra të reja në pastrim të ndërtimit të fjalisë prej ndikimit të huaj. Ndërtime të tilla si gjuha greke dhe ajo latine; kategoritë emërore dhe ato foljore; në të gjitha fushat kryesisht në ato politike e ushtarake, kapitali amerikan, krahas atij holandez nuk janë të strukturës sintaktike të shqipes. Ato janë ndjekje (imitime) të gjedhes së italishtes, depërtuar ndër ne gjatë këtyre brezave të fundit. Ndërtime të tilla kanë shkuar prej romanitetit perëndimor edhe në rumanishten, porse atje edhe lejohen si një gjuhë romane që është. Tek ne mendojmë se edhe këto përdorime duhet të zëvendësohen me ndërtime të vendit. Thjesht shqip do të duhej të thuhej e të shkruhej kategoritë emërore dhe kategoritë foljore ose kategoritë emërore dhe foljoret. Një tjetër gjurmë ndër të tjera ka lënë në shqipen moderne ndikimi sintaktik i italishtes në ndërtime fjalish si hyrja në fuqi e kësaj ligje, hyrja në veprim e makinerive, hyrja në përdorim e këtyre fjalëve, për shkak të daljes në grevë të minatorëve anglezë, në vend që të shkruhej hyrja e kësaj ligje në fuqi, hyrja e makinerive në veprim etj., si ka qenë më parë në gjuhën shqipe. Veçse duhet thënë se ky lloj ndërtimi ka depërtuar tashmë aq thellë në gjuhën bisedore e të shkrimit, sa më nuk ndihet si element i huaj, dhe do të jetë vështirë të mënjanohet.

Puna e pastërtisë së gjuhës përfshin dhe frazeologjinë. Edhe aty vërehen në gjuhën e sotme ndikime të jashtme, me ndjekje gjedhesh të huaja me anë përkthimi. Në shqipen e mirëfilltë nuk thuhet i hedh pluhur syve, si thonë në disa gjuhë të tjera, po thuhet i hedh hi syve. Një përkthim (kalk) frazeologjik i ri është edhe shprehja gjysmë i vdekur; në folklor e tek autorët e vjetër gjendet rregullisht pak gjallë po me këtë kuptim. Gjuhësia jonë edhe në këtë fushë është e caktuar të gjurmojë rrugët vetjake të gjuhës.

Duke kaluar nga fjalët në punë, jemi të mendimit se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm (permanent) t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe. Mendojmë që në këtë komision të marrin pjesë njerëz nga institutet dhe qendrat kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe përfaqësues specialistë të degëve të ndryshme. Të gjenden rrugët e bashkëpunimit të tyre me ndërmarrjet, fabrikat dhe institucionet shkencore e të tjera të vendit. Do të ketë pjesëmarrje e bashkëpunim aktiv sidomos dhe nga ana e arsimtarëve të rretheve, sepse shkolla do të luajë një rol të dorës së parë. Do të duhet një punë individuale dhe kolektive, një punë e re e gjithanshme, punë sistematike dhe me afat të gjatë. Me këto punë duhet të hapet një faqe e re e historisë sonë gjuhësore, një epokë e re e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës letrare edhe të shkrimit. Duhet të kryhet në atë mes një rishikim i gjithë punës së deritanishme. Do të rishqyrtohen nga ky këndvështrimi jo vetëm terminologjitë e ndryshme dhe fjalorët terminologjikë, po edhe fjalorët e tjerë që janë punuar deri më sot. Do të jetë një reformë gjuhësore në nivel Republike. Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e pastrimit të gjuhës.

Fjalët e vendit dhe termet që do të zëvendësojnë me kohë elementin e huaj do të shtihen në përdorim që në shkollat, që me moshën e re. Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve vetë në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë do t’i mësojnë e do t’i përdorin vetvetiu; sikurse kanë hyrë në përdorim shumë fjalë vendi që janë farkuar prej paraardhësve tanë e prej brezit tonë, janë për ne sot të natyrshme dhe janë bërë pronë e qëndrueshme e gjuhës. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me maturi në punë. Ne edhe në fusha të tjera të veprimtarisë kulturore kemi ndërmarrë punë që vetë neve në fillim mund të na jenë dukur të parealizueshme, e që i kemi kryer. Sot më fort se kurrë na shtrohet detyra që këtë gjuhë, një nga elementet kryesore të kombësisë sonë, ta pasurojmë me fjalë të visarit popullor dhe ta spastrojmë nga masa e lëndës së huaj. /KultPlus.com

Shënim: Marrë nga dorëshkrimi i autorit. Botuar së pari në “Mësuesi”, 28 mars 1979-4 prill 1979

Çabej: Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision

Në vitet 1962-1966 isha student në Fakultetin Histori dhe Filologji të Universitetit të Tiranës. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine, kurse në katin e tretë kishin zyrat e tyre Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë dhe Instituti i Folklorit. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore, në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn, të shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani ose Itali.

Ashtu si Profesor Çabej, edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe në gazeta dhe libra të ndryshëm. Profesor Eqrem Çabej jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt.

Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet kur përputhen te një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, dëshmi e vlerave të tij. Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues.

Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Përshëndetja e tij na bënte përshtypje: të shikonte në sy dhe, pasi përulte kokën, e çonte pak kapelën me dorën e djathtë. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë duke folur në këmbë te katedra, kurse fragmentet që sillte për ilustrim mendimesh prej stujuesve të tjerë i lexonte. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim.

Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështore që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë. Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë.

Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare. Botëkuptimi dhe sjellja e tij ishin brumosur që në rini gjatë jetës në Austrinë e qytetëruar, prandaj ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një evropiani të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e muhamedanët e përkorë. Ora e fundit e mësimit me të, aty nga fundi i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mend. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndihem fajtor.

Ndihem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej… Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi:

“Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun. Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me biseda gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e pushimit me atë të punës.

Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja. Gjithçka shikojeni me sy kritik. Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. Mos bëni asnjë punë shkel e shko. Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kryesore…” Thanas L. Gjika /KultPlus.com

Sulmet e kolegëve ndaj Çabejt në vitet ’67-‘68

Historianë dhe arkeologëve të njohur synonin shkatërrimin e tij. Tekstet e fletërrufeve me firmat e Hasan Cekës, Dhimosten Budinës, Muzafer Korkutit, Zhaneta Andreas e të tjerë i sjell Shqiptarja.

Në të dalë të dimrit të 1967-ës, në Shqipëri ndodhi një revolucion i vërtetë kulturor, si pasqyrim i Revolucionit kulturor kinez. Shqipëria qe atëherë në kulmin e miqësisë me Kinën. Dy vende aq të largëta gjeografikisht e kulturalisht, lidhën miqësinë mbase më të ngushtë e të çuditshme në krejt kampin komunist. Më 6 shkurt Enver Hoxha mban të ashtuquajturin “Fjalimi i 6 shkurtit”. Fill pas këtij në shkolla, në qendra pune e kudo shpërtheu një stuhi e vërtetë revolucionare, e shoqëruar me dhunë verbale e psikologjike kundër të ashtuquajturave shfaqje të huaja, borgjeze etj. Kjo dhunë në shumicën e rasteve bëhej me shkrim dhe afishohej publikisht, në rrugë, sheshe, shkolla, ndërmarrje, lagje e kudo. Befas gjithandej nisi të dëgjohej një fjalë e çuditshme, kurrë e dëgjuar më parë: “fletë-rrufe”, fjalë e cila shpejt, nga përdorimi i shpeshtë, u përngjit në “fletërrufe”. Kjo fjalë, si u mor vesh shpejt, ishte përkthim i kinezes “dacibao”, pak a shumë me të njëjtin kuptim. Fletërrufeja ishte zakonisht një letër e madhe si afishe, kishte në krye, me shkronja thuajse gjithnjë të kuqe e si titull, vetë fjalën “Fletërrufe” dhe më pas emrin e personit të cilit i drejtohej. Fletërrufeja varej zakonisht në mur, në hollet e hyrjes së shkollave e ndërmarrjeve, por edhe jashtë, nëpër rrugë e sheshe, ndonjëherë edhe në trungje pemësh. Shumë njerëz u vunë në shënjestër e u nxorën thuajse në bankën e të akuzuarve për “krime” nga më të ndryshmet, nëpërmjet fletërrufeve.

Persona të caktuar viheshin në shënjestër natyrisht “me urdhër nga lart”. Por kishte gjithashtu edhe shumë raste kur njerëzit përfitonin nga rasti për të shfryrë mllefe e xhelozira të vjetra e të reja. Nganjëherë sigurisht gërshetoheshin të dyja. Për “t’ia hedhur” e për të mos rënë viktimë e ndonjë mase të rëndë, fletërrufesë i duhej përgjigjur flakë për flakë, duke pranuar si të drejtë kritikën e bërë në të, sado absurde që të ishte, sidomos po të kishte ngjyrime politike. Shpesh kjo ecte, bëje një “autokritikë” se “i kishe kuptuar gabimet”, zbuloje “shkaqet” nga të vinin ato “lakra në kokë” etj. dhe ia hidhje. Por kishte raste kur kjo nuk ecte.

Kishte në ato vite të stuhishme fletërrufe efemere, që shfaqeshin një ditë të bukur, merrnin një përgjigje dhe pas dy-tri javësh hiqeshin e zëvendësoheshin nga të tjera për të tjerë njerëz. Kishte pastaj dhe raste të rënda, si ndodhi me fletërrufetë kundër Çabejt, kur autorët e tyre këmbëngulnin deri në fund, nuk “kënaqeshin” nga përgjigjja, nuk hiqnin dorë dhe të përndiqnin pa u lodhur me muaj të tërë, me këmbëngulje gjahtari. Dhe kënaqeshin vetëm po ta shihnin viktimën e tyre të dergjej përdhe…

Fletërrufetë kundër Çabejt filluan më prill 1967 e u shtrinë në një kohë më se njëvjeçare; u pasuan një vit më vonë, më 28 prill 1968, nga një mbledhje “kundra autoriteteve të huaja” në shkencë, mbledhje që me sa duket synonte t’i jepte goditjen përfundimtare atij. Kjo mbledhje nuk ka qenë e vetmja, kanë qenë me sa kuptohet tri të tilla, por datat e tjera nuk i caktoj dot hë për hë. Ashtu si me tekstet e fletërrufeve, të cilat i ka kopjuar me dorën e tij, edhe gjatë këtyre mbledhjeve Çabej ka mbajtur shënime në trajtën e një proces-verbali me shkurtime. Besoj se këto shënime në radhë të parë i duheshin për t’i pasur parasysh kritikat e për të marrë masat mbrojtëse. Por fakti që i ka ruajtur do të thotë se i ka lënë edhe si një dëshmi. Të gjitha këto tekste, shumica me dorëshkrimin e tij, i ka futur e ruajtur në një zarf me format gjysmë A4, me shënimin sipër: Fletërrufetë. Kjo fjalë shkruar me të kuqe!

Vetëm pak javë pas “fjalimit të 6 shkurtit”, pra në prill 1967 “varet” fletërrufeja e parë kundër Eqrem Çabejt. Ai ishte atëherë punonjës në Institutin e Gjuhësisë dhe pedagog në Fakultetin Histori-Filologji, dega e Gjuhë-Letërsisë. Këto institucione ishin në atë kohë që të dyja në të njëjtën godinë, pra Instituti i Gjuhësisë ishte edhe ai në godinën ku është sot Fakultetit Histori-Filologji.

Fletërrufeja e parë nuk ka datë, por nga ato që shkruhen në vijueset thuhet se ajo “qe varur” në prill 1967. Nga bisedat e dëgjuara më vonë shtëpi, di se fletërrufetë kanë qenë me përmasa të mëdha, “sa një bojë njeriu”, “sa një çarçaf”, e binin në sy sapo hyje në godinën e Fakultetit e më pas të Institutit. Sepse kur Instituti i Gjuhësisë u bart nga godina e Fakultetit në tjetrën, ku ndodhet edhe sot e gjithë ditën, bashkë me orenditë e raftet e librave u bartën edhe fletërrufetë kundër Eqrem Çabejt, të cilat u varën më pas në muret e Institutit të ri. Bartja besoj ka qenë aty nga vera e vitit 1967. Im atë tregonte më vonë pak me shaka e pak me hidhërim një ngjarje me mikun e tij Skënder Luarasi, pikërisht në këtë kohë. Luarasi shkonte hera-here për të pirë kafe sëbashku, si shokë të vjetër që ishin qysh nga studimet në Vjenë. E gjen duke punuar në zyrë dhe i thotë: “Ç’po bën i mbyllur këtu?” “Ja, po i shes shpirtin shejtanit” i gjegjet Eqremi. “Ah, kjo shprehje meriton një fletërrufe”, i thotë Skënderi gjoja me të rreptë, por me humor. “Shko, vëre një dhe ti, ka mbetur edhe pak vend,” ia kthen Eqremi. Luarasi mërzitet shumë dhe shfajësohet njëqind herë që e lëndoi mikun: Aq kohë kishin fletërrufetë varur aty në korridorin e hyrjes, sa Luarasi hynte e dilte në Institut pa i vënë re më.

Eqrem Çabej ishte 59 vjeç kur nisi historia e fletërrufeve. Kur mbushi 60 vjeç, më 1968, fletërrufetë ishin ende në muret e Institutit. Pas kësaj ai nuk dha më mësim në Universitet.

Eqerem Çabej me kolegët Mahir Domi, Gjovalin shkurtaj etj.

FLETËRRUFEJA 1* PRILL 1967

Fletë-rrufe Prof. Eqrem Çabejt

Ne çuditemi pse vazhdoni të mbani qëndrim të rezervuar karshi rezultateve të arkeologjisë sonë, në lidhje me sqarimin e problemit të lashtësisë ilire, aq më tepër për epokën prehistorike (Eneolith dhe bronx) ku të dhëna gjuhësore nuk ka? (Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, dispensë, kumtesa: Disa probleme themelore të historisë së vjetër të gjuhës shqipe, Konferenca I e studimeve albanologjike, dhe në diskutimin tuaj të fundit.)

Në dispensën tuaj “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe” ju flisni gjerësisht për shkencëtarët e huaj që janë marrë me gërmime arkeologjike, kurse për rezultatet e arritura nga arkeologjia shqiptare mjaftoheni me një paragraf të thatë e të përgjithshëm. Pse ky qëndrim?

A vazhdoni të mbani mendimin tuaj se koha e këtij shtegtimi dhe e vendosjes së tyre në Gadishull (është fjala për prehistorinë e popullit shqiptar) nuk mund të caktohet më qartë as historikisht as me mjetet e arkeologjisë? (kumtesa f. 91)

Pse ju vazhdoni të konsideroni qytetet ilire Amantinë, Byllisin, Foiniken koloni greke (kumtesa f. 105) kur të dhënat arkeologjike dhe burimet e tjera tregojnë të kundërtën?

Kolektivi i Sektorit të Arkeologjisë

Skënder Anamali / Hasan Ceka / Dhimosten Budina / Bep Rebani Hëna Spahiu /Muzafer Korkuti / Zhaneta Andrea

prill 1967

PËRGJIGJE 1 MAJ 1967

Përgjigje Kritikën që më bëhet nga ana e Kolektivit të Sektorit t’Arkeologjisë, pavarësisht nga pikat e veçanta që preken në të, e gjej në përgjithësi e në parim të drejtë në këtë vështrim, që unë nuk kam ndjekur sa duhet sukseset ku ka arritur arkeologjia e vendit në studimin e prehistorisë së popullit shqiptar e të kulturës ilire në vendin tonë. Për hir të së vërtetës do të them ndërkaq se unë punën që ka kryer arkeologjia shqiptare gjatë viteve të pushtetit popullor për ndriçimin e së kaluarës së popullit tonë, duke u udhëhequr nga direktiva e drejtë e Partisë që t’u jepet prioritet gërmimeve për zbulimin e kulturës ilire në Shqipëri, e kam çmuar dhe e çmoj shumë lart, shumë më lart nga sa duket të kenë përshtypjen shokët e sektorit t’Arkeologjisë. Në dispencën e vitit 1960 (f. 14, 32) kam vënë në dukje sukseset e kësaj pune të madhe. Atje dhe në punime më të vona kam shprehur njëkohësisht shpresën që “vetë trualli i Shqipërisë ndërkaq mundet që ruan fshehtësirën e burimit të gjuhës së saj; shati i arkeologut mbase edhe këtu do të vërë një ditë gjuhëtarin përpara një gjëje të papritur” (“Studii si Cercetari lingvistice” X 4, 1959, shqip te “Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës”, Seria Shkencat Shoqërore 3, 1963, 101). Më shprehimisht kam thënë në një kumtesë të vitit 1964 (sh. “Revue roumaine de linguistique” X, 1965, Nos 1-3, f. 104 v.) që “është me rëndësi që në disa stacione prehistorike të vendit vërtetohet një kontinuitet (vazhdimësi) i kulturës, i cili mund të flasë për një kontinuitet të popullsisë, e në çdo rasë vjen e u shtohet argumenteve me karakter linguistik”, në lidhje me autoktoninë e popullit shqiptar. Në këtë drejtim jam shprehur edhe në kongresin e Sofjes të vitit të kaluar, khs. Les problèmes fondamentaux de la linguistique balkanique, 1966, f. 51v.

Unë s’ka si të mos njoh rezultatet ku me mjete të tjera arrihet aty ku ka arritur prej kohësh gjuhësia shqiptare në lidhje me autoktoninë ilire të popullit tonë. Etnogjeneza shqiptare, puna e autoktonisë, çështja sa i lashtë është populli shqiptar në viset e tij historike dhe prej cilës gjuhë ballkanike të vjetër buron gjuha e tij, këto janë probleme të përbashkëta për historinë, për gjuhësinë, për arkeologjinë prehistorike e për etnografinë shqiptare. Këto disiplina kanë rrugë të ndryshme për të zgjidhur ose për t’i afruar zgjidhjes këto probleme të vështira.

Secila nga këto, njëkohësisht duke punuar me metodën e vet, duhet që në një masë adekuate t’i bëjë të vetat rezultatet e disiplinave të afra. Gjuhësia duhet të nxjerrë më shumë dobi nga rezultatet e arkeologjisë nga ç’ka bërë gjer më sot. Më anë tjetër rezultatet – qofshin edhe modeste – të gjuhësisë shqiptare në ndriçimin e problemit të autoktonisë e të burimit të gjuhës shqipe prej ilirishtes mendojmë se mund të jenë me dobi edhe për arkeologjinë shqiptare. Do të jetë mirë që në të ardhmen të ketë një bashkëpunim më të ngushtë midis disiplinave që në fund të fundit synojnë në një qëllim të përbashkët. Me këtë rrugë mund të kapërcehen edhe disa pikëpamje të trashëguara prej së kaluarës, të cilat do të zhduken në dritën e zbulimeve e të studime ve tona të reja.

Eqrem Çabej

FLETËRRUFEJA 2 3 MAJ 1967

Përgjigje

Prof. Eqrem Çabejt

Në përgjigjen tuaj, në parim pranoni si të drejtë kritikën e kolektivit tonë në vështrimin që NUK KINI NDJEKUR SA DUHET SUKSESET që ka arritur arkeologjia e vendit në studimin e prehistorisë e të kulturës ilire në vendin tonë. Më poshtë thoni se: “UNË S’KA SI MOS TË NJOH REZULTATET ku me të tjera mjete arrihet aty ku ka arritur prej kohësh gjuhësia shqiptare në lidhje me autoktoninë ilire të popullit tonë” d.m.th. në lidhje me këtë problem SIMBAS JUSH ARKEOLOGJIA NUK DHA ASGJA TË RE, në fillim thoni se “NUK KINI NDJEKUR SA DUHET SUKSESET E ARKEOLOGJISË”, kurse më poshtë thoni S’KA SI MOS TË NJOH REZULTATET. Si t’i kuptojmë këto pohime të kundërta? Përveç kësaj, A MENDONI JU SE ARKEOLOGJIA E JONË KA DHËNË REZULTATE QË SHKOJNË MA TEJ SE KUFIRI “ku ka arritur gjuhësia” për problemet e etnogenezës? Të paqarta kanë mbetë në përgjigjen tuaj evazive edhe këto çështje për të cilat kërkojmë të dijmë veçmas edhe një herë: – Në dispensën tuaj (f. 14) citoni një varg arkeologësh të huaj që kanë bërë kërkime arkeologjike në Shqipëri para çlirimit. Së pari aty ka pasaktësira, së dyti ata nuk flasin aspak për problemin e lashtësisë dhe autoktonisë së ilirëve, prandaj ÇUDITEMI PSE I CITONI, ÇDO TË PROVONI ME KËTË? – A vazhdoni të mbroni mendimin tuaj se koha e këtij shtegtimi dhe vendosja e tyre në Gadishull nuk mund të caktohet më qartë as historikisht, as me mjetet e arkeologjisë? – A vazhdoni t’i konsideroni Amantinë, Bylisin, Foiniken (Finiqin) koloni greke? Tiranë, 3.V.1967 NGA KOLEKTIVI I SEKTORIT TË ARKEOLOGJISË

FLETËRRUFEJA 3, TETOR 1967

Shokut Eqrem Çabej

Më 3 maj ne varëm një fletë-rrufe në të cilën shkruanim se përgjigja juaj nuk na kënaqi. Nga 3 pyetjet, 2 ju nuk ju përgjigjët fare, kurse çështjen sesi i vlerësoni rezultatet e arkeologjisë, në thelb i shmangeni, sepse pohimet tuaja “se nuk i kini ndjekur sa duhet sukseset e arkeologjisë” dhe “s’ka si të mos i njoh rezultatet e saj” s’kanë të bëjnë fare me atë që ne kërkojmë. Ne nuk synojmë t’i imponojmë askujt pikpamjet tona. Në shkencë diskutimi dhe rrahja e mendimeve është ligj e metodë pune. Fletë-rrufetë tona të mëparshme dhe kjo e sotmja kanë për qëllim të sqarojnë disa probleme me karakter shkencor. Duke vështruar çështjen nga kjo anë nuk na duket korrekte që edhe pse kanë kaluar 5 muaj, ju akoma nuk keni denjuar t’i epni përgjigje fletë-rrufesë sonë të 3 majit. Si ta shpjegojmë sjelljen tuaj: me mungesën e kohës apo me ndonjë arsye tjetër? Po ju shokë të sektorit të gramatikës dhe punonjës të tjerë të Institutit si i shikoni këto çështje? Pse nuk merrni pjesë në këtë diskutim shoqëror? Kolektivi i sektorit të Arkeologjisë.

PËRGJIGJE KOLEKTIVIT TË SEKTORIT T’ARKEOLOGJISË

2 NËNTOR 1967

Në vijim të përgjegjes sime të majit të kaluar, po duke hyrë këtu vetëm në disa çështje të veçanta që preken në fletërrufetë e ndryshme të kolektivit, po prek sidomos këto pika.

1. Meritat e arkeologjisë shqiptare i kam vënë në dukje në vendet që citohen në përgjegjen time të parën. Ndërkaq kam rezervimet e mia parimore lidhur me barazimet: kulturë prehistorike = etnos = gjuhë, sidomos përsa i përket fushës së gjuhësisë.

2. Lidhur me citimet. Pa mohuar aspak meritat e dijetarëve të huaj, nuk kam në parim asnjë preferencë për ta. Punën e arkeologjisë vendëse e kam cituar pa dhënë emra, sepse e kam marrë si një punë kolektive në përgjithësi. Unë e kam zakon t’i citoj edhe ata që më kanë dhënë të dhëna të reja me kumtime me gojë. Më anë tjetër rezultatet e gjuhësisë shqiptare nuk citohen prej arkeologëve me asnjë rresht: me gjithë se ajo ka thënë një fjalë të re në lidhje me autoktoninë e popullit shqiptar e me rolin jo vetëm marrës po edhe dhënës të këtij populli ndaj fqinjve të tij. Këto rezultate kanë gjetur edhe njohje zyrtare (sh. A. Kostallari Mësuesi VII Nr. 41, 13. X. 1967, f. 3). Me këtë nuk kërkoj aspak që këto të citohen nga arkeologët.

3. Mendimit që koha e shtektimit dhe e vendosjes së stërgjyshëve të shqiptarëve në Gadishull të Ballkanit nuk mund të caktohet më qartë as historikisht as me mjetet e arkeologjisë unë i mbahem edhe sot e gjithë ditën. Gjuhësinë shqiptare ndërkaq e intereson më fort puna e autoktonisë së popullit shqiptar sesa ajo e ilirëve, megjithë se kanë lidhje në mes të tyre. Ajo nuk pëson ndonjë dëm, edhe po të vërtetohet që ilirët janë të ardhur në Ballkan në një periodë historike. Autoktonia nga pikëpamja e kohës është gjithmonë relative.

4. Qytetet Amantia e Byllis janë ilire nga emri dhe për kohën e parë pas themelimit të tyre. Me kohë dihet se u bënë qytete të përziera

iliro-greke-romake. Si të helenizuara më vonë i jep edhe “Historia e Shqipërisë” vëll. I f. 107; ashtu më parë edhe S. Anamali (Buletin 1949, Nr. 4 f. 63): “Ma vonë Amantia e Byllis ranë nën influencën e Apollonis dhe u helenizuen”. Kështu cilësimi i këtyre qyteteve si ilire është poaq i njëanshëm sa dhe cilësimi i tyre nga ana ime (për një lapsus) si qytete greke-dorike. Ndryshe qëndron puna me Foiniken. Kështu edhe te vepra “Iliria dhe ilirët” botuar nga Kolektivi i Arkeologjisë në ff. 522 e 532 Amantia e Byllis jepen si qytete ilire, po në f. 542 Foinike jepet si “qytet”. Këto janë shkurt disa mendime të miat rreth këtyre çështjeve, për të cilat nuk kam gjë tjetër për të shtuar.

9. XI. 1967

Eqrem Çabej

111 vjet nga lindja e Eqrem Çabejt, themeluesi dhe krenaria e Akademisë së Shkencave

Sot është ditëlindja e akademik Eqrem Çabej, autoritetit shkencor më me zë në albanologji, shkruan KultPlus.

Eqrem Çabej (1908–1980), gjuhëtar, profesor dhe akademik, punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të mesme në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Tiranë. Në vitin 1940 u mënjanua nga arsimi për shkak të përkrahjes së veprimeve antifashiste të nxënësve dhe u dërgua në Romë ku punoi për atlasin gjuhësor shqiptar. Me themelimin e UT rifilloi veprimtarinë mësimore si pedagog i lëndëve histori e gjuhës shqipe dhe fonetika historike e shqipes. Është një ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj. Punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në fund të jetës. Vdiq në Romë.

Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Fusha themelore e tij ka qenë historia e gjuhës, e vështruar në aspektet e problemet më të ndryshme të saj.

Nga veprat e para të tij, mund të përmenden: “Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe, me pjesa të zgjedhura për shkollat e mesme” (1936), “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939), “Shqiptarët ndërmjet Lindjes dhe perëndimit” (1994), “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe” (1947, 1958), “Fonetika historike e shqipes” (1958). Ndër veprat kryesore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” (në shtatë vëllime, 1976–2006); “Meshari” i Gjon Buzukut (1555)”, botim kritik në dy vëllime, i pajisur me një studim të gjatë hyrës (1958), “Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe” (1967)”, “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe” (1988). Eqrem Çabej është anëtar i komisionit hartues të “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954), anëtar i komisioneve për përpunimin e terminologjisë të shumë degëve të shkencës e të teknikës dhe i komisioneve që punuan për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë nga viti 1948 deri në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe” (1973); bashkautor (me A. Xhuvanin) në dy trajtesat “Parashtesat” dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1956, 1962).

Me botimet e shumta edhe në revista gjuhësore të huaja, si dhe me pjesëmarrjet në forume shkencore ndërkombëtare Eqrem Çabej u njoh si autoriteti shkencor më në zë në albanologji.

Eqrem Çabej ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë (dy herë) dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

Himni i Flamurit nga Eqrem Çabej


Një sprovë e hershme për Himn të Flamurit nga Eqrem Çabej. Për respekt të pjesëmarrësve të tjerë në konkursin e zhvilluar për himnin, Çabej e pati tërhequr nga gara.

EQREM ÇABEJ – HIMNI I FLAMURIT

Buzë valësh që rreh deti
Përmbi shkrepe mijvjeçare
Përmbi mal ku sundon shqipja
Edhe rrit gjini krenare,
Ku jep burri besa-besën
E ku vdes si vdiq qëmotit,
Po valon e lëshon hije
Flamuri i Kastriotit.

Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!

Te kështjell’ e bardh’ e Krujës
Rreth e qark e mbi bedena
U mblodh komb’ i fort’ i Arbrit
Rreth Shqiponjës me dy Krena.
U droth toka fort e vjetër
Kur i ranë kaq dëshmorë
Rreth flamurit të përgjakun
Si dhandurë me kunorë.

Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!

Ju Shqiptarë djemt e shqipes
Mos harroni se kush jemi.
Këtë flamur kurr të thyem,
Këtë gjak në dej që kemi,
Këtë truell që na dha Zoti,
Bani be se do t’i mbroni,
Dhe sa jet nji frym’e gjallë
Kurrëkuj s’do t’ia lëshoni.

Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe! / KultPlus.com

Inaugurohet busti i Eqerem Çabej në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka inauguruar bustin e gjuhëtarit Eqerem Çabejt. Ai ngriti lart figurën e Çabej, duke vlerësuar rolin dhe kontributin që ai ka dhënë për gjuhën shqipe.

“Busti i Eqerem Çabejt në zemër të Tiranës, një vepër e bukur për një njeri të bukur, të cilin përkushtimi dhe kontributi për gjuhën e shqipe e ktheu përjetësisht në Lartmadhërinë e shkencave albanologjike”, shprehet Rama./ KultPlus.com

Eqrem Çabej mbi prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij

Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet të zgjidhet më fort nga ana e ruajtjes dhe e vazhdimësisë së gjuhës së tij sesa nga pikëpamja etnike, sepse më shumë se elementet e tjera gjuha është karakteristika që dallon një popull nga të tjerët.

Një problem i tillë ndërkaq, për çdo popull, të çdo vendi qoftë e të çdo kohe, paraqitet kompleks, dhe për kushtet shqiptare veçanërisht i komplikuar. Kompleks: sepse në formimin e një populli si një njësi më vete e me tipare vetjake që e dallojnë nga popujt e tjerë, kanë pjesë, sikundër dihet, rrethana të ndryshme të karakterit gjeografik dhe procese të shumëfishta historike, etnike, ekonomike, kulturore e gjuhësore.

I komplikuar: në këtë fushë të studimeve shqiptare është shumë e ndjeshme mungesa e burimeve historike e të shkrimit. Megjithatë, dija e re shqiptare, edhe me këtë varfëri burimesh, me mjetet që ka në dorë përpiqet t’i afrohet zgjidhjes së këtij problemi. Dhe ka arritur në këtë lëmë rezultate që mbeten, e që kanë zënë vend dhe në fushën shkencore ndërkombëtare. Për vetë karakterin kompleks të çështjes edhe metoda për t’u zbatuar këtu duhet të jetë komplekse. Aty duhet të bashkëpunojnë disa disiplina shkencore. Sidomos vijnë në vështrim aty gjeografia historike, historia, gjuhësia, etnografia dhe arkeologjia parahistorike. Rezultatet e njërës ndër këto fusha duhet të merren parasysh e të vlerësohen në masën e duhur nga disiplinat e tjera, të kombinohen me rezultatet e tyre, që të përmblidhen faktet e shumëllojshme në disa parime të përgjithshme, në disa fakte më të sigurta, për të arritur kështu disi në një sintezë.

Shqiptarët janë autoktonë ose anas në Gadishullin Ballkanik, duke qenë që rrojnë aty që nga kohët e lashta parahistorike. Ata janë bashkë me grekët populli më i moçëm i kësaj treve, janë trashëgimtarë të situatës etnike të periodës së lashtë në këtë pjesë të Europës Juglindore. Në këto rrethana pyetja se ku e ka burimin populli shqiptar, do të thotë me fjalë të tjera këtë: Stërgjyshët e shqiptarëve, ai popull që ka folur gjuhën nga e cila ka rrjedhur shqipja e sotme, me ç’emër njihej në kohët antike në Ballkan? Prej cilit popull të lashtë të këtij gadishulli rrjedhin pra shqiptarët e sotëm?

Në shekullin e kaluar u përhap shumëkund hipoteza se shqiptarët ishin stërnipët e pellazgëve. Kjo hipotezë a teori, e themeluar në tryezë të dijetarëve të huaj, pati jehonë të gjerë në lagjen e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë të Shqipërisë e të Italisë. Ajo gjeti një truall pjellor në idetë e romanizmit, i cili në Europën Juglindore u përhap më vonë, në një kohë kur në Perëndim kishin dalë rryma letrare të tjera. Teoria pellazge ndërkaq më vonë ra poshtë. Pellazgët në burimet greke e romake përmenden si një shtresë etnike paragreke, jo më ekzistuese në periodën antike. Autorë si Herodoti e Straboni flasin për ta për një kohë më të lashtë dhe i paraqesin si një popullsi barbare, d.m.th. jogreke, e me një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. I lokalizojnë në zonën e Detit Egje, kryesisht në Tesali, me përhapje më një anë nga Epiri, më anë tjetër nga Azia e Vogël, nga Kreta e nga ishuj të tjerë të zonës egjeane. Ata paraqiten ndërkaq gjithkund si një popull legjendar, i mbuluar me mjegullën e një miti, popull pa konsistencë historike konkrete. Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të tyre me ilirët e me trakasit, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor që mund të quhej, me shumë rezervë, pellazg, për shumë arsye, edhe të karakterit gjeografik, nuk mjafton kurrsesi për të pohuar me një farë baze vërtetësie shkencore një birëri pellazge të popullit shqiptar.

Duke u nisur nga një platformë më reale, për sqarimin e problemit të burimit, do t’i sillemi pikësëpari historisë si vazhdim i situatës parahistorike në Gadishull të Ballkanit. Kjo trevë e Evropës Jugore, në periodën antike ka qenë e banuar prej disa popujsh, popuj të ndryshëm nga ata të sotmit dhe të ndryshëm edhe nga njëri-tjetri. Dihet se në viset perëndimore të Gadishullit kanë banuar ilirët, në viset lindore trakasit, në anët jugore grekët, në qendër makedonët, të cilët kanë qenë të ndryshëm nga grekët edhe me një gjuhë më vete, sipas Herodotit me “gjuhë barbare”, d.m.th. jogreke. Duke lënë mënjanë disa popullsi më të vogla, si fiset iranike në pjesën lindore të Gadishullit dhe disa fise kelte në viset veriperëndimore e qendrore, kjo ka qenë gjendja etnike në epokën greko-romake. Në këtë mes shtrohet pyetja se prej cilit nga këta popuj zbresin shqiptarët, prej cilës nga gjuhët e tyre rrjedh gjuha shqipe. Në këtë problematikë grekët, ose si quheshin në atë kohë, helenët, përjashtohen vetvetiu, si një popull i ndryshëm nga populli shqiptar. Përjashtohen gjithashtu dhe makedonët e vjetër, si një popull relativisht i vogël dhe gjeografikisht më në skaj të truallit gjuhësor të shqipes, ndonëse për punë të afërsisë territoriale disa lidhje nuk mund të mohohen kryekrejet. Në këto rrethanat dy janë popujt që vijnë në vështrim si të parët e shqiptarëve, ilirët dhe trakasit.

Ilirët kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Europës së lashtë. Duke lënë mënjanë përhapjen e tyre në kohët parahistorike, në periodën historike ata shtriheshin që nga anët e Istrisë afër Triestës në veriperëndim e nga viset afër brigjeve të Danubit në veri gjer në gjirin e Artës së Çamërisë në jug, qytet që aso kohe quhej Ambrakia. Kështu fiset ilire banonin viset e sotme të Shqipërisë me Çamëri, të Malit të Zi, Bosnjes e Hercegovinës, Dalmacisë e Kroacisë, pra gjithë bregdetin lindor të Adriatikut me hinterlandin përkatës. Të fisit ilir kanë qenë pas gjithë gjasësh edhe mesapët e japigët e Apulisë në Itali Jugore. Në lindje fiset ilire mbërrinin gjer në anët e lumenjvet Vardar e Moravë në Maqedoni Veriore e në Kosovë, një trevë që në lashtësi quhej Dardania, dhe shtriheshin edhe në një pjesë të Serbisë së sotme. Në ato anë ilirët ishin kufi me fiset trake, vise-vise edhe duke u përzier me to.

Edhe trakasit kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Europës së lashtë: Herodoti e quan popullin më të madh pas indasve. Shkonin që prej kufijve të ilirëve në perëndim e gjer në brigjet e Detit të Zi në lindje, prej Detit Egje në jug e gjer në malet e Karpateve në Veri. Përfshinin kështu një pjesë të Greqisë e të Turqisë europiane të sotme, Bullgarinë, Rumaninë e një pjesë të Hungarisë e të Polonisë. Për fatet historike të këtyre popujve e të fiseve të tyre, nga mungesa e materialit burimor për të cilin u fol më sipër, shumë pak jemi në gjendje të dimë, dhe kjo errësirë njohurish shtohet sa më lart të ngjitemi në lashtësi të kohëve. Dimë p.sh. që koncepti edhe emri ilir erdhi e u përhap vetëm me kohë, duke dalë prej një popullsie me këtë emër e duke përfshirë edhe fise etnikisht e gjuhësisht të afra. Ky emër në epopetë e Homerit ende nuk shfaqet. Emri i ndonjë populli të veçantë, si ai i dardanëve dhe ai peonëve, të cilët në kohë historike kanë banuar në veri të makedonëve, del në skenë të historisë shumë më përpara se emri i përgjithshëm i ilirëve. Dihet gjithashtu që këta popuj të lashtë të Ballkanit, nën ndikimin e qytetërimit greko-romak, e sidomos me zotërimin e gjatë të Perandorisë Romake, me kohë pjesërisht u greqizuan, e për një pjesë të madhe u romanizuan. Me fjalë të tjera këta, pa u zhdukur si popuj, me kohë u asimiluan: lanë gjuhët e veta dhe morën vise-vise greqishten, vise-vise në pjesën më të madhe – latinishten. Kjo ndodhi sidomos nëpër qytete, nëpër qendra administrative e ushtarake ku romakët kishin ngulur garnizonet e tyre. Nëpër vise malore ndërkaq asimilimi nuk arriti të kryhej kryekrejet. Popullsitë vendase ruajtën më gjatë karakterin e tyre etnik dhe gjuhën e tyre. Ndonjëri nga këta popuj bile i shpëtoi gjer në fund romanizimit. Dëshmi e gjallë për këtë është populli shqiptar, i cili duhet të jetë pasardhës i njërit nga këta popuj (a fise) të paromanizuar.

Çështja e birërisë, e filacionit, d.m.th. e rrjedhjes së një populli të sotëm prej një të lashti, të një gjuhe të re e të njohur prej një gjuhë të vjetër e të zhdukur, paraqitet mjaft e lehtë kur prej popullit të lashtë e prej gjuhës së tij kemi njohuri relativisht të sakta. Po në lidhje me shqiptarët e me shqipen, kjo çështje, si u tha, mbetet veçanërisht e vështirë. Gjuhët e lashta të Ballkanit, për mungesë shkrimesh të tyre, mund të thuhet se njihen pak e aspak. Prej gjuhës së trakasve ka disa pak mbishkrime, prej gjuhës së ilirëve të Ballkanit nuk është gjetur gjer më sot asnjë mbishkrim. Mbishkrimet e mesapëve të Italisë Jugore lexohen, porse interpretimi i tyre ka mbetur gjer sot i pasigurtë. Prej të dyja gjuhëvet, ilirishtes dhe trakishtes, kanë mbetur disa të ashtuquajtura glosa, d.m.th. disa fjalë të tyre të dëshmuara prej autorësh grekë e romakë bashkë me kuptimet e tyre të dhëna greqisht a latinisht. Ka edhe një numër mjaft të madh me emra vendesh e personash, të gdhendur nëpër gurë a të dëshmuar nëpër tekste të autorëve klasikë; emra shumica me interpretim gjuhësor-kuptimor të dyshimtë dhe ku dijetarët modernë kanë gjetur prandaj një fushë të lirë për gjykime shpeshherë arbitrare. Kështu dy gjuhët në fjalë mbeten thuajse të panjohura për ne. Ne nuk ua dimë strukturën gjuhësore, as sistemin gramatikor, as fjalorin e tyre. Në këto rrethana mjetet e krahasimit mungojnë: mungon çelësi për të krahasuar materialin e shqipes me atë të dy gjuhëve në fjalë.

Duke qenë gjendja kështu, kriteri i gjuhës duhet të vështrohet së bashku me gjendjen gjeografike e historike. Në pikëpamje të gjeografisë historike dihet se shqiptarët e sotëm banojnë në ato vise ku në kohën antike banonin fise ilire. Në pikëpamje historike është vënë re me të drejtë, që sot e dy shekuj më parë, që nuk ka asnjë të dhënë, asnjë kumt historik që shqiptarët të jenë ardhës, që të kenë zënë vend në këto troje në një periodë historike të caktuar, si bie fjala aty nga mbarimi i kohës antike, ose në mesjetën e hershme. Në këto kushte vetë arsyeja e thjeshtë shtyn të pranohet që populli shqiptar është vendës, autokton në këto anë, në mos qysh prej periodave të mugëta parahistorike, së paku që prej kohës antike e këtej. Këto dy arsye, arsyeja e banimit në teritorin e dikurshëm ilir dhe arsyeja e autoktonisë, shpien vetvetiu në mendimin që shqiptarët e sotëm janë stërnipët e fiseve ilire të jugut dhe që shqipja është vazhdimi i njërit nga dialektet e vjetra ilire.

Mund të thuhet bile që barra e argumentimit më fort u bie atyre që mohojnë burimin ilir të popullit shqiptar e të gjuhës së tij se atyre që e pohojnë. Në lidhje me këto nuk mund të jetë një gjë gand e e rastit edhe kjo, që emri i fisit ilir Albanoi, që përmend astronomi e gjeografi Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit në shekullin e dytë të erës sonë në trevën midis Durrësit e maleve të Kandavisë në Shqipëri të Mesme, vazhdon të rrojë në Arbën Arbër, Arbënesh Arbëresh, emri i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë, i gjallë dhe sot e kësaj dite. Në pikëpamje gjuhësore këtyre rrethanave vjen e u shtohet ky fakt, që vazhdimi i emrave të qyteteve, maleve e lumenjve të trevës shqiptare të kohës së lashtë, në trajtat e tyre të sotmet ka rrjedhur në pajtim me rregullat fonetike të gjuhës shqipe. Aty hyjnë barazime të tilla si Scardus : Shar, Scodra : Shkodër, Drivastum : Drisht, Pirustae : Qafa e Prushit, Lissus : Lesh (Lezhë), Isamnus : Ishëm Ishm, Dyrrachium : Durrës, Aulon : Vlonë Vlorë, Thyamis : Çam e të tjera. Edhe kjo dëshmon për autoktoninë ilire të popullit shqiptar: sepse ky zhvillim nga trajtat antike të këtyre emrave në të sotmet nuk gjen spjegim veçse me mjetet e shqipes. Nuk mund të spjegohet as me mjetet e gjuhëve romane as të gjuhëve sllave, e as nëpërmjet të ndonjë gjuhe tjetër të zonës ballkanike. Për vazhdimësinë ilire ka dhe të tjera të dhëna nga fusha gjuhësore, si disa barazime që dalin në emra personash ndër ilirët e hershëm e ndër shqiptarët e sotëm. Përveç këtyre, ato të paka fjalë që dihen prej ilirishtes, shpjegohen mirëfilli me anë të shqipes. Edhe mjaft fjalë të mbishkrimeve mesapike zbërthehen me gjuhën tonë. Në këtë mënyrë të dhënat e gjeografisë historike dhe të gjuhës vijnë e plotësojnë njëra-tjetrën. Nuk mungojnë edhe disa paralele të karakterit etnografik, në të cilat nuk po hyhet këtu. Prej lëmit të arkeologjisë meriton vëmendje rrethana që në disa stacione parahistorike të trevës shqiptare vihet re një vazhdimësi e kulturës materiale, një kontinuitet nga epokat e lashta gjer në mesjetën e hershme; kjo rrethanë vjen e u shtohet argumenteve gjeografike, historike e gjuhësore që u shtruan më sipër.

Për sa u përket trakasve dhe gjuhës së tyre, mbi dëshminë e disa të dhënave historike dhe gjuhësore (emra vendesh me tipare trake) është vënë re me kohë një prani elementesh trake në krahun veriperëndimor të Gadishullit Ballkanik e veçanërisht në viset bregdetare të Adriatikut të jugut. Ato duhet të jenë përzier me kohë me elementet ilire, pa mundur të themi se nga ilirët e trakasit kush qe anas e kush i ardhur. Si përfundim, edhe për arsye historike mund të thuhet se në formimin e etnosit shqiptar në bazë qëndron elementi ilir, porse mund të ketë pasur dhe një komponente trake, me përmasa gjithsesi më të vogla. Si u krye procesi i këtij formimi etnik e gjuhësor, në ç’rrethana territoriale e historike, në gjendjen e sotme të njohurive është vështirë të përcaktohet. Aty shihet më qartë përfundimi, që është populli shqiptar më gjuhën e tij, sesa rruga e zhvillimit që u përshkua gjersa u arrit gjer në gjendjen e sotme (Botuar së pari në gazetën Rilindja, Prishtinë 23.VII.1977)./ KultPlus.com

Poradeci dhe Çabej në parkun e Grazit, tregimi i tyre në një lokal atje (FOTO)

Të veshur të dy me pallto, kapele në kokë, dhe një bastun në dorë Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci duken kaq elegantë ndërsa shëtisin në një park në Graz. Fotoja është bërë publike nga vajza e Lasgushit Maria.

Është e njohur miqësia që dy njerëzit e njohur të letrave kanë pasur me njëri tjetrin. Ata kanë qenë të dy studentë në Graz. Janë dhjetëra letërkëmbime që kanë shkëmbyer me njeri-tjetrin mbi magjinë e poezisë, apo Shqipërinë. Herë pas here Maria bën publike detaje interesante nga jeta e poetit. Ne kemi parë dhe një portret të gjuhëtarit të madh vizatuar nga Lasgushi.

Pak kohë më parë Maria tregoi dhe një episod teksa dy personazhet e njohur të letrave shqipe ndodheshin në një lokal.

“Ishim me Eqrem Çabeun në Graz (Austri), ishim të dy studentë (vitet 1925-1926). Kishim gjetur për të ngrënë darkë një restorant të vogël, por shumë të mirë familjar. Në kuzhinë ishte gruaja, në banak ishte burri dhe vajza e tyre ishte kamarjere. Na pëlqente shumë ushqimi aty.

Një natë, po hanim si zakonisht dhe po bisedonim. Lokali ishte plot dhe të gjithë hanin dhe flisnin me njeri tjetrin dhe nuk ndiheshin. Ne, na kishte tërhequr aq shumë biseda sa nuk e kishim vënë re që po flisnim me zë të lartë. Po flisnim shqip. Dhe herë pas here aprovonim njeri-tjetrin duke thënë po po (ata që dinë gjermanisht do ta kuptojnë). E vumë re që klientët na shikonin si të habitur. Po ne, vazhdonim të flisnim me zë të lartë.

I zoti i lokalit (burri, që rrinte në banak), na u afrua dhe me zë të ulët dhe me shumë sjellje na tha që duhet ta ulnim zërin sepse po shqetësonim të tjerët që ishin duke ngrënë. Ne, nuk e konsideruam vërejtjen e tij dhe vazhduam duke folur me zë të lartë. Ata, klientët, dalëngadalë filluan të paguajë dhe e boshatisën lokalin duke na lënë vetëm. U turpëruam shumë dhe nuk shkelëm më kurrë në atë lokal”, tregonte Lasgushi./ KultPlus.com

Eqrem Çabej: Pse bota na quan Albania dhe origjina e emrit Shqipëri

Shqiptarët janë një nga të pakët popuj të Europës, e mund të themi edhe të kontinenteve të tjera, te të cilët ekzistojnë dy emra nacionalë, njëri me përdorim të brendshëm, d.m.th. emri me të cilin ata emërojnë popullin e vet, e tjetri emri me të cilin njihen nga bota e jashtme.

Eqrem Çabej

Shqiptari i thotë vetes shqiptar, vendit të vet Shqipëri, Shqipni, po populli njihet në botë, sikundër dihet, lashtërisht si Albanais, Albanese etj., dhe vendi i tij si Albanie, Albania. Ky emërtim i dyfishtë ka arsyet e veta. Ai ka lidhje me disa rrethana të karakterit etnografik, të cilat janë specifike për Shqipërinë e për të kaluarën historike të saj.

Duke u nisur nga faktet, vihet re pikësëpari që vërtet në Shqipëri vetë si emër nacional i popullit zotëron sot gjithkund shqiptar, e si emër i vendit Shqipëri, Shqipni, po që m‘anë tjetër në kolonitë shqiptare që gjinden n‘Itali e në Greqi ky emër nuk njihet. Shqiptarët e Italisë jugore e të Siqelisë, pasardhës të shpërngulurish prej Shqipërie kryesisht gjatë luftërave të para me turqit nën flamurin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në shekullin e XV e të XVI, e quajnë veten e vet dhe përgjithësisht popullin e atdheut të tyre të vjetër arbëresh, dhe këtë atdhe Arbër, Arbëri. Këto emra përdorin gjer më sot dhe pasardhësit e atyre shqiptarëve që u shpërngulën pak më parë, në shekullin e XIV e të XV, prej Shqipërie për në Greqi, të cilët edhe ata nuk e kanë në përdorim emrin që zotëron sot në Shqipëri; edhe ata përdorin rregullisht arbëresh për “shqiptar”, arbërishte për “gjuhë shqipe”, arbërisht për “shqip, në gjuhën shqipe”.

Këto të dhëna tregojnë qartë që emri i sotëm shqiptar, Shqipëri, Shqipni, në kohë të Skënderbeut ende nuk kishte dalë, ose të pakën nuk ish përgjithësuar, e që ky gjithsesi është më i ri se emri i parë. Kjo do të thotë që emri i vjetër nacional i vendit e i popullit ka qenë arbën, arbër, arbëresh, arbëresh. E meqë ky emër, sikundër shihet me vështrimin e parë, është identik me Albania, Albanese etj. që u përmendën më sipër, nga gjithë këto rezulton që shqiptarët në mesjetë e kanë quajtur veten e tyre ashtu si quhen edhe sot te popujt e tjerë.

Kjo pamje etnografike gjen vërtetimin e plotësimin e saj më një anë me disa të dhëna – të vjetra e më të reja – prej Shqipërie, më anë tjetër me dëshminë e gjuhëve të popujve fqinj me shqiptarët, e m‘anë tjetër me emrat e Shqipërisë e të shqiptarëve në burimet e ndryshme europiane të mesjetës.

Sikundër është vënë re që nga gjysma e shekullit të kaluar, emri i vjetër i vendit, përveç se në kolonitë shqiptare, që sapo u zunë ngoje, është ruajtur edhe vetë në Shqipëri. Një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së mesme ç‘merr prej Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës, pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën, dhe mal e arbën përdoret atje për “male e fusha”. Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh, dhe Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjindet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit të XVIII, prej të shpërngulurish nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është një katund afër Tiranës. Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë midis qyteteve të Vlorës dhe të Gjirokastrës e të Delvinës dhe arbëreshë e arbërorë banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, me trajta të ndryshme (arbën arbër, arbënesh arbëresh, arbnuer arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni ose nga anëtari i ndonjë tjetre popullsi ballkanike. Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës erdhi e u mbulua nga emri i ri shqiptar, Shqipëri, po ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.

Që ai ka qenë në përdorim me përmasa nacionale, në mbarë territorin gjuhësor të shqipes, këtë e vërtetojnë ndër të tjera edhe vargje popullore si Dalin zojat arbëneshe të anëve të Kosovës. M‘anë tjetër burimet historike të vendit e plotësojnë këtë pamje edhe për të kaluarën. Në monumentet letrare të shqipes së vjetër, të cilat rrjedhin nga shekulli i XVI e i XVII, vendi del rregullisht me emrin Arbënë , populli me arbënesh, arbëruer, dhe gjuha e tij me arbënisht.

Me këto të dhëna të brendshme në lidhje me emrin nacional të Shqipërisë e të popullit të saj, pajtojnë burimet e jashtme, dëshmia e gjuhëve të popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Edhe atje vrehet prania e këtij emri, i cili në rrymë të kohëve rrezatoi prej Shqipërie tek ata popuj. Në serbokroatishten popullore shqiptari quhet arbanas, në dokumentet mesjetare të asaj gjuhe arbanasin. Arbananu quhet ai dhe në bullgarishten popullore, arbanas në rumanishten e vjetër, dhe tek aromunët e Shqipërisë e të Maqedonisë arbines, arbinesi, të gjitha reflekse të shqipes arbënesh e të varianteve të saj. Duke u ngjitur te burimet historike të mesjetës, në dokumentet e shkruara latinisht të vendeve perëndimore të kohës para dinastisë së Anjouve, të cilët patën marrëdhënie politike me disa treva të Shqipërisë, shqiptarët quhen arbanenses, e më vonë albanenses, dhe vendi i tyre Albania, ashtu si edhe sot.

Duke i shikuar këto dëshmi, të brendshme edhe të jashtme, me një vështrim përmbledhës, rezulton se emri nacional i hershëm i popullit shqiptar e i vendit të tij është arbën arbër me variacionet e tij, dhe se ky ka mbizotëruar në Shqipëri gjer në shekujt e parë të sundimit osman.

Ky emër rrënjët ndërkaq i ka që në kohën antike.

Sikundër dihet, astronomi e gjeografi Klaud Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit, në shekullin e dytë të erës së re, në hartën e tij botërore shënon emrin e një fisi Albanói dhe qytetin Albanópolis në një trevë të Shqipërisë të mesme, afërsisht midis Durrësit e Dibrës së sotme e në lindje të Leshit.

Prej këtij emri rrjedh rregullisht Arbën Arbër i shqipes, një dëshmi, ndër të tjera, që shqiptarët janë anas, autoktonë në vendbanimet e sotme dhe që aty ka një vazhdimësi, një kontinuitet gjuhe të pakën që prej antikitetit.

Nga Arbën, si u tha, ka dalë në analizë të fundit emri i Shqipërisë e i shqiptarëve te popujt e Gadishullit Ballkanik e të pjesëve të tjera të Europës. Historikisht ky emër, mbi dëshminë e përbashkët të Ptolemeut, të burimeve mesjetare të vendeve të ndryshme dhe të përhapjes së sotme popullore në Shqipëri, në krye të herës pas gjithë gjasësh i ka përkitur një treve e një popullsie të Shqipërisë së mesme; ai u përgjithësua pastaj si emër nacional në mbarë vendin që në kohën para Skënderbeut.

Përsa i përket emrit shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky si emër populli e vendi, si rezulton nga sa u shtjellua më sipër, zuri vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes shqiptare për në Greqi e n‘Itali. Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër si i tillë, ka lidhje pas gjase me lëvizjet etnike e sociale të popullit gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegtime të brendshme, me formime fisesh të reja në ato perioda historike, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të tillë nuk mund të ndiqen.

Vetëm një gjë mund të thuhet me gjasë të madhe, që shqip në krye të herës ka qenë emri i gjuhës. Ky si i tillë ka qenë mbase me përdorim më të moçëm, mbase paralel me emrin arbën arbër si emër etnik, dhe pastaj do të ketë shtrirë fushën e përdorimit, duke përfshirë edhe popullin e vendin. Shihet kështu se më i vjetri shkrimtar shqiptar që njihet, Gjon Buzuku, i vitit 1555, krahas ndë Arbanit “në Shqipëri” ka shqip “në gjuhë shqipe”; ashtu dhe Pjetër Budi (1621) shqip të na e thotë, e Pjetër Bogdani (1683) një gramatikë latin e shqip. Përdorimi etnik i këtij emri rreth vitit 1700 kishte zënë rrënjë, sepse në Vendimet e Koncilit provincial të vitit 1706 krahas Arbëni “Shqipëria” dhe i Arbëneshi “shqiptari” del edhe gjuhë e Shqipëtarëvet. Mendimi që emri shqiptar të ketë ekzistuar në Shqipëri veriore që në shekullin e XIV, e të jetë identik me emrin familjar Schivipudar, Schepuder, Schapudar, Scapuder të një banori të qytetit të Drishtit afër Shkodrës që përmendet rreth vjetëve 1368-1402 në arkivat e Raguzës, mbetet një hipotezë që meriton të gjurmohet më tej.

Në lidhje më në fund me burimin e dy emravet arbën edhe shqip, do pasur parasysh se shumë emra të popujve, të vjetra e më të reja, që njihen nga historia, mbeten me domethënie e burim të paditur. Një kusht paraprak i domosdoshëm në këtë fushë kërkimesh është konstatimi i formës së kryehershme të emrit përkatës. Në lidhje me këtë, për emrin e vjetër nacional të shqiptarëve mund të thuhet me siguri që nga dy format e tij, arb- dhe alb-, e para është forma e mirëfilltë, sikundër del dhe nga dëshmitë vendëse së bashku me dëshmitë popullore ballkanike që u zunë ngoje më sipër. Prandaj kërkimi i një rrënje alb- me kuptimin e pretenduar “mal”, krahasimi me emrat topike Alba- të Italisë e të viseve të tjera, me emrin e Alpeve etj., nuk kanë ndonjë bazë solide. Duke u nisur përkundrazi nga forma arb-, e nga kuptimi “fushë, rrafshinë”, i cili ruhet në mal e arbën të përmendur më lart, mund ta afrojmë këtë emër me latinishten arvum “arë, tokë e punuar, fushë”, greqishten e vjetër aroura “arë, tokë buke”, me fjalën kelte të irlandishtes së mesme arbor, shumës arbanna “drithë”. Me emrin e Arbënit mund të ketë një lidhje të moçme edhe emri i ishullit Arbe të Dalmacisë.

Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri Shqipni, prej nga ka dalë edhe folja shqipëroj, shqipëlloj “spiegoj, sqaroj” e gjuhës popullore, ky emër mbetet me gurrë të dyshimtë.

Mendime që të ketë dalë nga emri i shqipes, duke e pasur pra shqiptarët emrin e tyre prej këtij shpendi, qysh në kohën e Skënderbeut, duke e vënë në lidhje m‘anë tjetër këtë emërtim me fjalët e Plutarkut, që Pirroja pas fitores që korri mbi makedonët u kremtua me epitetin “shqiponjë”, nuk duket t‘i rezistojë kritikës, po të nisemi nga trajtat e këtyre dy emrave.

Në të vërtetë, tek autorët e vjetër shqiptarë, shqip, shkruar me këtë trajtë, dallohet dukshëm nga emri i shpendit, që shkruhet tek ata rregullisht shqype, gjë që tregon se kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme. Jo bindëse paraqitet dhe afrimi me qipi “mullar bari”, me paravendim (presupozim) të një kuptimi të hershëm “grumbull, popull”.

Të dyshimta mbeten dhe interpretimet e tjera të këtij emri, ai si “banor shkrepash, malesh” dhe ai si “pushkatar” prej greqishtes së re skippetto(n) “pushkë” (kjo prej italishtes schioppetto), një fjalë që dëshmohet për greqishten sëpari me shekullin e XVI-XVII. I pabesueshëm mbetet mënëfund edhe spiegimi i fjalës shqip nga latinishtja excipio; fjala latine nuk do të thotë: “kuptoj”, si kanë thënë, po “marr; vë më njanë; përjashtoj; pranoj”. Kështu, duke përfunduar, puna e burimit të fjalës shqip mbetet një çështje e hapët.

Botuar në revistën “Shqipëria e re”, 1972

Poezia e Eqrem Çabej për djalin e tij të vdekur

ARTANIT

Ti vazë e derdhur mjeshtërishte dore
Ti formë e hequr baltëje bujare:
Te mes’ i ditës sate re në fare
E shove gjurmën vet’ e vet’ u bore.
Të mblonte ditën ujët tat rrafshore
E derdhej natën detesh harrimtare.
Po ky i jetës qark t’u err: krenare
Ti theve shtatin në thermi mizore.
Kush pati et iu bëre ujë e krua
Kush pati gaz i dhe të bardhë verë
E vaj të butë plagash kush i pat.
Tani na re si ra një yll q’ u shua.
Krip-artat vasha derdhin vaj të gjerë
Me sy të lagur përmbi kurmit tat.

Mbi ty ku dergje te banesa jote
Të motit gjurmë ndjekin varg e varg.
Fryn er’ e malit, ndihet vera larg
E vesa shtrohet si një shtrojë e lote.
Mbi ty kalojnë muaj edhe mote
Me dit të rënda e me net të shkreta.
Mimoza frorit, pika shiu të qeta,
Nata e vitit pa një krismë gote.
Ti rri si rri një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë;
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulojnë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet.

Fryn er’ e malit, bie bora larg
Fryn er’ e malit, hëna ndrit nga larg

15 dhjetor 1970…

Del Himni i panjohur i Flamurit, që shkroi Eqrem Çabej

Po ndajmë këtu me ju sot këtë “Himn të Flamurit” të panjohur, shkruar nga Eqrem Çabej më 1937, për ta paraqitur në konkursin e shpallur nga shteti shqiptar “për një himn të ri me frymë thjesht shqiptare”, shkruan GSH.

Çabej e tërhoqi këtë krijim nga konkursi, kur mori vesh se në të merrnin pjesë personalitete të cilët i nderonte e i çmonte lart e me të cilët nuk e quante veten të denjë të matej, bën me dije Shtëpia Botuese “Çabej”, që drejtohet nga e bija e dijetarit, Brikena.

Eqrem Çabej

HIMNI I FLAMURIT

Buzë valësh që rreh deti
Përmbi shkrepe mijvjeçare
Përmbi mal ku sundon shqipja
Edhe rrit gjini krenare,
Ku jep burri besa-besën
E ku vdes si vdiq qëmotit,
Po valon e lëshon hije
Flamuri i Kastriotit.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Te kështjell’ e bardh’ e Krujës
Rreth e qark e mbi bedena
U mblodh komb’ i fort’ i Arbrit
Rreth Shqiponjës me dy Krena.
U droth toka fort e vjetër
Kur i ranë kaq dëshmorë
Rreth flamurit të përgjakun
Si dhandurë me kunorë.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Ju Shqiptarë djemt e shqipes
Mos harroni se kush jemi.
Këtë flamur kurr të thyem,
Këtë gjak në dej që kemi,
Këtë truell që na dha Zoti,
Bani be se do t’i mbroni,
Dhe sa jet nji frym’e gjallë
Kurrëkuj s’do t’ia lëshoni.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!

37 vjetori i vdekjes së gjuhëtarit, Eqrem Çabej

Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Ai lindi më 7 gusht 1908 në Gjirokastër, ku mori dhe mësimet e para. Pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanalogji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës.

Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet Doktor në filozofi. Pasi kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjecar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabej u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Një rëndësi tepër të madhe ka puna e studimet e tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike. Disa nga veprat e tij janë Hyrje në Indoevropianistikë, Studime etimologjike në fushën e shqipes, Hyrja në historinë e gjuhës shqipe, Fonetika historike e shqipes, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Meshari i Gjon Buzukut, etj.

Në studimet e tij Eqrem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit. Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zenë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.

Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980. Vdiq në Romë më 1980. Universiteti i Gjirokastrës mban emrin Eqrem Çabej./KultPlus.com