Erdogani kundër artistëve, birrës dhe Moxartit

Erdogan ka dalë kundër artistëve, pasi nuk duron asnjë kritikë, as kur ajo vjen prej artistëve me bindje konservatore. Kundëgoditjet bëhen të ashpra, kur atij i duhet të heqë vëmendjen e opinionit nga problemet politike.

Armiqësia e fundit verbale tingëllon zbavitëse. Artisti 72 vjeçar, Rutkay Aziz i rekomandoi Recep Tayyip Erdoganit që: “Presidenti i shtetit duhet të dëgjojë një herë Moxartin dhe Bethovenin. Mbase do t’i bënte mirë.”

Dhe meqenëse presidenti refuzon pirjen e alkoolit, gazetari Yilmaz Özdil shkruajti në editorialin e tij për gazetën nacionalisto- kemaliste “Sözcü”: “Sikur Tayyip Erdogan të pinte vetëm një birrë, Turqia do i kishte punët sot shumë më mirë.”

Për këto dy rekomandime, Erdogani reagoi ditën e martë (8.01)pa humor në fjalimin e mbajtur para deputetëve të AKP: “Të detyrosh të pijë birrë dhe të dëgjojë Moxartin presidentin e shtetit, karakteri dhe qëndrimi i të cilit janë të qarta, nuk është gjë tjetër veç epitomi e fashizmit.”

Erdogan: “Epitomi e fashizmit”

Rutkay Aziz reagoi në televizionin turk Arti TV, që transmeton në ekzil, nga Këlni. Ai tha se nuk i dha asnjë këshillë Erdoganit. “Mua më thanë se Erdogani do të shkojë në një koncert të pianistit me famë botërore, Fazil Say. Dhe më pyetën çfarë mund të them për këtë? Unë iu përgjegja: Kjo do ishte shumë mirë. Atje ai do të dëgjojë Moxartin dhe Bethovenin. Kjo do t’i bënte mirë.”

Aziz nuk mund ta kuptojë pse Erdogani e quan fashist: „Nuk mund të kuptohet çfarë ka të bëjë kjo me fashizmin. Jam unë fashist apo është Mozarti fashist? Nëse është ky i fundit, atëherë unë them se Moxarti duhet mbrojtur në emër të njerëzimit.” Azizi thotë se rasti për të është i mbyllur. Për DW ai tha se: „Unë i kam vënë pikë kësaj historie dhe nuk dua të flas më për të.”

Hetime për “fyerje” dhe “nxitje të situatës”

Aktorja Deniz Çakir u kthye në objekt sulmesh të Erdoganit, pasi hapi një beteje fjalësh për gratë me perçe. Gazetat e afërta me qeverinë raportuan për këtë. Presidenti i shtetit akuzoi Çakirin se i ka kërkuar grave që mbulojnë kokën me shami të shkojnë në Arabinë Saudite. Edhe një herë Erdogani kujtohet se:„ky është fashizëm i gjallë. Kjo është ideologjia e Partisë Republikane CHP”. Partia socialdemokrate dhe kemaliste CHP, është partia më e madhe opozitare në Turqi.

Prokuroria është duke zhvilluar hetime kundër Deniz Çakirit për „fyerje”. Ekziston mundësia që rasti të ketë qenë i ndryshëm nga ajo që Erdogani dhe prokuroria pretendojnë të jetë. Në twitter Çakiri thotë se „ajo që i prezantohet publikut nuk ka të bëjë me të vërtetën.”

Skena kulturore u trondit edhe me një rast tjetër një javë më parë. 76 vjeçari Müjdat Gezen dhe 78 vjeçari Metin Akpinar janë dy aktorë legjendë në Turqi. Filmat e tyre dhe shfaqjet teatrale vlerësohen edhe nga të majtët edhe nga konservatorët. Ata të dy janë distancuar nga politika aktuale qeveritare. Në stacionin televiziv opozitar Halk TV ata kanë kritikuar Erdoganin. Erdogani i quajti ata të dy „aktorë që do të donin të ishin aktorë”.

Aktorët kërkojnë më shumë demokraci

Por Müjdat Gezen dhe Metin Akpinar nuk janë vetëm duke u vënë në lojë nga presidenti. Kundër tyre po zhvillohen hetime me akuzën: „Fyerje e presidentit të shtetit, kërcënime me puç dhe vrasje.”

Pas marrjes në pyetje dy aktorët u lanë fillimisht të lirë me kusht. Ata nuk lejohet të dalin nga Turqia, prandaj pasaportat e tyre u mbajtën nga autoritetet dhe një herë në javë ata duhet të paraqiten në polici. Prokuroria prezantoi këtë javë një raport hetimor për „nxitjen e një kryengritjeje të armatosur kundër qeverisë së Republikës së Turqisë.”

“Nxitje e një kryengritjeje të armatosur?” Çfarë kanë bërë dy aktorët?

“Rruga e vetme me të cilën ne mund të kapërcejmë polarizimin dhe kaosin, është demokracia”, kjo ishte çfarë tha Akpinar në emisionin “Volksarena”. “Nëse ne nuk jemi në gjendje të dalim nga kjo situatë, atëherë ne do të na ndodhë e njëjta gjë si në fashizëm. Udhëheqësi varet prej këmbe, ose helmohet në burg.”

Edhe kolegu i tij Gezen jo vetëm që pati bërë thirrje për revoltë, por kritikoi edhe Erdoganin: „Ai shan këdo që i del përpara, ngre vazhdimisht gishtin dhe thotë se duhet kuptuar ku është kufiri. Unë të them ty, Recep Tayyip Erdogan, se dashuria jonë për atdheun nuk duhet vënë në provë. Ti duhet ta dish ku e ke vendin.”

Erdogan reagoi në mënyrë edhe më agresive. Pse i sulmon ai kaq shumë artistët, ndërkohë që vendi është duke jetuar kohë të trazuara politike dhe ekonomike dhe me shumë probleme, që janë shumë më të rëndësishme se sa kritika ndaj skenës kulturore?

Gülfem Saydan Sanver ka marrë çmimin Pollie për konsultime politike nga Shoqata amerikane për konsultime politike (American Association of Political Consultants). Për të përgjigja për këtë pyetje ka të bëjë me zgjedhjet komunale që pritet të zhvillohen në mars.

Erdogani shfrytëzon polarizimin

Në të kaluarën Erdogan është përpjekur në të gjitha fushatat elektorale që të verë veten në qendër të çdo lloj diskutimi, shpjegon Sanver. “Nëse shohim rezultatet e zgjedhjeve të fundit shohim se polarizimi i shoqërisë që nxitet nga Erdogani, i sjell atij dobi. Goditja publike e artistëve është pjesë e kësaj strategjie.”

Erdogan krijon përshtypjen se rrethet konservatore të shoqërisë janë të kërcënuara. Ai mundohet nga njëra anë që zgjedhësit e tij të bashkohen me njeri tjetrin dhe nga ana tjetër që të pengohet opozita të dërgojë mesazhet e saj në popull. “Përveç kësaj Erdogan kërkon të mbulojë pasojat e krizës ekonomike”, thotë Sanver. “Ai është i vetëdijshëm se atmosfera e frikës i sjell dobi qeverisë aktuale. Sepse një shoqëri që ka frikë, përkrah gjithnjë sistemin ekzistues. Fjalët e ashpra dhe hetimet kundër artistëve lëshojnë mesazhin se kritika ndaj qeverisë ka çmim të lartë.”/DW/KultPlus.com

Erdogan mbyllë teatrot shtetërore

Rexhep Tayyip Erdogan ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të Teatrit Shtetëror dhe atij të Operas dhe Baletit.

Dekreti presidencial u heq këtyre dy teatrove financimin shtetëror, u konfiskon ndërtesat dhe i pezullon kontratat me artistët. Qeveria e Turqisë argumenton se vendimi ka të bëjë me rikonstrukturimin dhe përshtatjen e këtyre institucioneve me nevojat e kohës.

Ndërsa kritikët mendojnë se kjo mund të interpretohet si një luftë e hapur e Erdoganit ndaj sekularizmit dhe kulturës së orientuar nga Perëndimi, pasi këto teatro njihen për vënien në skenë të veprave të mëdha botërore.

Dy institucionet e lartpërmendura janë themeluar rreth 1 shekull më parë.

Fyeu Erdoganin, aktorja e njohur turke dënohet me burg

Një gjykatë apeli në Stamboll ka dënuar me 11 muaj e 20 ditë burg aktoren dhe këngëtaren e njohur turke, Zuhal Olcay, për fyerje publike ndaj Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Olcay kishte apeluar vendimin e një tjetër gjykate që e kishte dënuar me 10 muaj burg për fyerje ndaj Erdogan, por përkundër pritshmërive të saj, Gjykata e Apelit ia rriti dënimin në 11 muaj e 20 ditë burg. Ajo akuzohet se nga skena e një lokali ku po këndonte ka bërë deklarata fyese ndaj Presidentit turk.

Gjykata rriti dënimin ndaj aktores dhe këngëtares me arsyetimin se fyerja ndaj kreut të shtetit ishte bërë në publik, por nga ana tjetër mori vendimin që vuajtja e dënimit të shtyhet si pasoje e pendesës së shfaqur nga aktorja.

Sipas Haberturk, Olcay duke ka shprehur pendesën për veprimin e saj ka theksuar se “ishte një veprim impulsiv”. Ajo kërkoi abrogimin e vendimit të gjykatës ose kthim të dënimit në gjobë me para. Por gjykata vendosi vetëm shtyrje të dënimit me 1 vit e 6 muaj.

Aktorja dhe këngëtarja 61-vjeçare ka luajtur në më shumë se 15 seriale që prej vitit 1980. Roli i saj i fundit është ai i Sureyasë në serialin “Shoqëria e Lartë”. /KultPlus.com

Bosnja anulon vendimin për ta nderuar shkrimtarin turk Orhan Pamuk

Shkrimtari Orhan Pamuk, laureat i Nobelit, i cili është një kritik i zëshëm i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, u propozua për t’u nderuar për shkrimin e skenarit për luftën në Bosnjë.

Por qyteti i Sarajevës ka braktisur planet për ta bërë Orhan Pamuk-un një “qytetar nderi” të kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa kritikët thonë se kjo u bë nga frika e ofendimit të Turqisë.

Pamuk ishte nominuar për t’u nderuar nga botuesi dhe libraria vendore Buybook, e cila sugjeroi që laureati i Nobelit të bëhej “qytetar nderi i Sarajevës” ndërsa po planifikonte të vizitonte qytetin këtë pranverë duke punuar në skenarin për Bosnjën gjatë luftës. Sipas drejtorit të Buybook, Damir Uzunoviq, ndërsa komisioni i këshillit fillimisht votoi shtatë me zero për ta bërë autorin turk një qytetar nderi, një votim i dytë e kishte refuzuar kandidaturën e Pamuk duke votuar, katër me tre.

“Shpjegimi i komisionit të këshillit ishte se Orhan Pamuk nuk bëri asgjë ose pothuajse asgjë për qytetin e Sarajevës. Disa anëtarë nga partia qeverisëse vlerësuan se dekorimi i zotit Pamuk mund të shkaktojë zemërimin e qeverisë aktuale të Turqisë. Ata shfrytëzuan këtë mundësi për të dërguar një mesazh te Pamuk … se ai nuk është i mirëpritur në Sarajevë”, tha Uzunoviq.

“Ne kemi deklaruar se Orhan Pamuk është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë dhe se asnjë nga laureatët aktualë të Nobelit kurrë nuk ka ardhur në Sarajevë. Pamuk është shkrimtari më i lexuar dhe më i famshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe si botues i tij ekskluziv për BeH, ne e kemi ftuar Pamukun të vizitojë disa herë Sarajevën”.

Pamuk është një figurë e diskutueshme në Turqi, ku ai është përballur me burg për “fyerjen e gjërave turke”. Sipas Agencisë Franceze të Lajmeve, e cila për herë të parë raportoi për vendimin, Bakir Izetbegoviq, i cili kryeson partinë në pushtet të SDA, është i afërt me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Samir Fazliq i partisë opozitare ‘Nasha Stranka’ i tha AFP-së se rezultati i dytë i votimit ishte për shkak të “kundërshtimit të politikës së presidentit turk Erdogan” nga Pamuk dhe “frikës….nga Erdogani”.
Zyra e Kryetarit të Bashkisë së Sarajevës nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Ndryshimi i mendimit për Pamuk u kritikua gjithashtu nga Partia Social Demokratike (SDP) e opozitës në Bosnjë-Hercegovinë. “Këta zotërinj në pushtet u zgjodhën të ishin etërit e qytetit të Sarajevës, por ata sillen si foshnje të një fshati të vogël të Erdoganit”, tha zëdhënësi Malik Garibi.

“Unë jam i sigurt se Turqia është vendi ynë miqësor dhe se turqit janë një popull miqësor për ne, kështu që unë jam i sigurt se edhe ata do të zbrapsen nga gjeste të tilla, ashtu si do të bënte çdo mik i mirë. Një mik do të na ngriste dhe nuk do të lejonte që ne të gjunjëzohemi para tij”, tha Garibi.

“Shpresoj që Orhan Pamuk të bëhet qytetar nderi i qytetit tonë. Librat e mëdha që ai ka shkruar e bëjnë atë një nga turqit më të famshëm dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj në histori dhe ne do të nderohemi që ta kemi atë si bashkëqytetar. Këto trazira politike janë të përkohshme dhe me siguri do të kalojnë, por shkrime të tilla mahnitëse do të vazhdojnë të ekzistojnë shumë kohë pasi të gjitha këto projekte politike janë harruar. Të dyja, shkrimet e Sarajevës dhe Orhan Pamuk janë pjesë të mrekullueshme të historisë njerëzore dhe sigurisht se do të qëndrojnë atje së bashku, ndryshe nga autoritetet aktuale të qytetit dhe vendimet e tyre të turpshme”.

Ai shtoi se SDP do të kërkonte që çështja “të zgjidhet” nga këshilli i qytetit”, por kam frikë se tashmë është tepër vonë dhe se qyteti është tashmë i turpëruar, dëmi i reputacionit të Sarajevës është bërë sapo lajmi i tillë mori dhenë”./ KultPlus.com
Marrë nga “The Guardian”.