“Erë gjaku”, ekspozita që risjell dëshmitë e Masakrës në Rogovë të Hasit

Fotografitë ndihmojnë në formimin e të kuptuarit tonë për kulturën, historinë dhe identitetin. Si një mjet dokumentimi i saktë dhe objektiv, fotografia është përdorur edhe nga Alban Bujari, në arkivin e të cilit ndodhen imazhe të panumërta që i përkasin periudhës së luftës në Kosovë (1997-1999).

Për të “fotografitë e luftës” nënkuptojnë më shumë sesa thjesht imazhe. Përmes tyre tregohet dhimbja e madhe e luftës.

Të renditura në ekspozitën “Erë gjaku”, 28 fotografitë rikujtojnë janarin e vitit 1999 dhe përkujtojnë 21 persona të vrarë nga forcat serbe, përfshirë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë të fshatit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

MKRS do të vazhdojë përkrahjen e projekteve të tilla në mënyrë që e vërteta e Kosovës të tregohet me zë edhe më të fuqishëm. / KultPlus.com