Gjimnazi “Sami Frashëri”, gati në shtator, Veliaj: Shkolla më e bukur në Shqipëri

Gjimnazi “Sami Frashëri”, ndër shkollat më të bukura midis 40 shkollave të reja që janë ndërtuar dhe po ndërtohen në Tiranë, 12 prej të cilave hapin dyert këtë shtator, është pothuajse gati për të pritur nxënësit pasi u rindërtua pas tërmetit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi detajet e fundit në godinën moderne, me një kapacitet për 1500 nxënës, dhe u shpreh se shkolla e re, si infrastrukturë, përngjan me një hotel me 5 yje.

“Jam shumë i lumtur kur shoh se po marrin drejtim rifiniturat e fundit, po vendosen kangjellat, për të pasur një kufizim të territorit të shkollës, ku mund të bëjmë aktivitete në oborr etj. Kemi vendosur edhe kamerat, ka sistem kondicionimi; kjo shkollë nuk dallon fare nga një hotel me pesë yje, ku çdo gjë është e standardit të fundit. Është pa dyshim shkolla më e bukur në Shqipëri, por me gjasë është edhe më e bukura në rajon. Shpresoj shumë që bukurinë e vërtetë ta sjellin djemtë e vajzat që do vijnë e do popullojnë këto ambiente supermoderne në shtator”, tha ai.

Veliaj tha se është e rëndësishme të ruhet reputacioni i shkollës, jo vetëm si ndërtesë, por edhe në rezultate dhe aktivitete jashtëshkollore. Ai u shpreh se me këtë investim, sikurse edhe në 40 shkollat e tjera të reja në Tiranë, merr fund mësimi me dy turne, ndërsa pasdite godina e re do të shërbejë si qendër komunitare.

“Duam që shkolla të funksionojë edhe si qendër komunitare pasdite, ndaj mësimin do ta kalojmë paradite. Nuk do të ketë më mësim pasdite, por as bosh nuk do ta lëmë, sepse mund ta shfrytëzojmë për 21 klubet e ‘Samiut’, për t’i dhënë hapësirë kujtdo të organizojë aktivitete në këto ambiente. Do të kemi një vëmendje të shtuar te administratorët e shkollave, sidomos në këtë shkollë, e cila është si të menaxhosh një hotel kur vjen puna te sistemi i pompave, mirëmbajtja, kamerat e sigurisë, kondicionimi, apo sistemi antizjarr, kaldajat etj. Me këtë shkollë i kemi dhënë Tiranës një xhevahir të paprecedentë në cilësinë e një ndërtese arsimore, por kemi ngritur edhe stekën për shkollat e tjera që vijnë më pas”, u shpreh ai.

Në shkollën “Sami Frashëri” do të ndërtohet edhe një muze, për të gjithë ata që kanë kontribuuar ndër vite për emrin dhe brezat që kanë dalë prej saj.

“Dua të kemi edhe një pjesë muzeale, sepse ‘Samiu’ ka qenë ndoshta, vatra që ka prodhuar më shumë talente dhe njerëz që kanë dhënë një kontribut për vendin. Brezi ynë, i ‘Samiut’, ka bërë disa punë të mira, por ka bërë edhe disa punë të këqija, ndaj do doja shumë që brezi i ri i ‘Samiut’ të ishte një brez që bën vetëm të mira, që e bashkon vendin, që promovon vlerat tona më të mira dhe që mban lart emrin e “Sami Frashërit”. Kush mbjell arsim dhe kulturë investon tek e ardhmja; kush mbjell vetëm grurë edhe misër investon për stomakun e përditshëm, por jo për atë që është vizioni ynë, për Shqipërinë e të ardhmes”, përfundoi Veliaj. /ata.gov.al /KultPlus.com

Hapet gara për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, Veliaj: Më moderni në Ballkan

Bashkia e Tiranës ka hapur garën për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak, në të cilën theksoi se puna për ndërtimin e godinës së re moderne do të nisë shumë shpejt.

“Me vendimin që marrim sot kalojmë fazën e fundit burokratike, hapjen e garës ndërkombëtare, e cila zgjat 60 ditë, dhe me të shpallur fituesin do të fillojmë ndërtimin e Teatri të ri sipas projektit danez të Bjarke Ingels. Do të kemi teatrin më modern në Ballkan! Viti 2025 do e gjejë Tiranën me një teatër të ri, edhe pse njësoj si me projektin e Unazës së Madhe tek Astiri, sherri na mori 3 vjet kohë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar është bërë edhe reflektimi i nevojshëm në buxhet, si pasojë e ndryshimit të çmimeve të materialeve të ndërtimit për shkak të luftës në Ukrainë.

“Në fund të vitit të kaluar e kaluam projektin në buxhet, por asnjë prej nesh nuk e kishte pritur që në 24 shkurt do të fillonte agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, çka do të sillte një trazim të tregjeve, sidomos të çmimeve të hekurit dhe çelikut. Si element bazë ndërtesat kanë çelikun, hekurin dhe betonin, prandaj e kishim të pamundur të hapnim një garë ndërkombëtare me çmimet e paraluftës”, sqaroi Veliaj.

Veliaj siguroi se teatri i ri do të jetë një tjetër sukses në kryeqytet, si Liqeni, Pazari dhe Unaza e Madhe.

“Një pjese të atyre që ndihen ende të lënduar për teatrin u kam kërkuar ndjesë, por shpresoj që me kohën – ashtu siç shumë prej njerëzve që protestuan te Liqeni, tani çojnë fëmijët të luajnë aty, apo shumë prej atyre që protestuan tek Astiri, tani shkojnë për dy minuta në shtëpi prej Unazës së Madhe, apo shumë prej atyre që e quanin monument kulture asbestin dhe eternitin te “Pazari i Ri”, sot kalojnë një pjesë të ditës duke bërë pazarin aty, e shumë prej tyre që shanin kullat, sot i nxjerrin në Instagram – pra, me kalimin e kohës edhe kjo pjesë do t’i bashkohet modernizimit dhe do të kuptojnë se nuk kemi prishur një monument kulture, por një ngrehinë prej tallashi, për të cilën u debatua 30 vjet. U kërkoj ndjesë nëse i kemi lënduar, qoftë edhe për mënyrën sesi e prishëm, por nuk bëhej ndryshe. Duhej ta bënim në një moment kur liderët ishin duke gërhitur, se po ta bënim me gjithë militantët e tyre aty, do shkonim në një konfrontim pa sens e do bëheshim gazi i botës. Ishte një nga vendimet më të vështira, por besoj se koha do na japë të drejtë”, nënvizoi Veliaj.

Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, teksa theksoi se projekti i ri do i shërbejë gjeneratës së ardhshme.

“Disa e duan projektin e ri dhe disa duan projektin e vjetër, pa u përfshirë politikisht. Detyra ime, por edhe e juaja si këshilltarë, është të bëjmë më të mirën për qytetin, jo çfarë është më e mira për sondazhet. Unë nuk udhëhiqem si do dalë sondazhi i radhës. Unë udhëhiqem si do dalë gjenerata e radhës dhe nëse gjeneratës së radhës, pra e atyre që vijnë pas nesh, e fëmijëve tanë, u lëmë një teatër prej tallashi, ku në dimër shkohet me batanije dhe në verë me peshqirë, sidomos në 40 gradë, kjo do të thotë se ne paskemi humbur shansin e një gjenerate për ta ndryshuar këtë për 100 vitet e ardhshme”, përfundoi Veliaj. / atsh / KultPlus.com

Sunny Hill Festival rikthehet sërish në Prishtinë, reagon Erion Veliaj

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar përmes një statusi në facebook pasi u konfirmua se Sunny Hill Festival do të mbahet edhe në Prishtinë.

Sunny Hill Festival do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht.

Veliaj është shprehur shumë i lumtur duke e cilësuar si një super lajm për të gjithë.

‘Sunny Hill Festival – Edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë! A jeni gati për një super verë elektrizuese në të dyja kryeqytetet shqiptare? Jam shumë i lumtur që edicioni special i këtij viti i “Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht. Një super lajm për të gjithë! BASHKË!’, shkruan Veliaj. / KultPlus.com

“Sunny Hill’ dhe drama e ndërtuar mbi gjysmë të vërtetë

Gjylieta Mushkolaj

Është vërtetë dëshpruese që Festivali Sunny Hill nuk po mbahet në Prishtinë siç besonim të gjithë, edhepse një gjë e tillë ishte bërë e ditur një vit më parë, përveç të tjerash edhe në emisionin shumë të shikuar Krasta show! Ky lajm i vitit të kaluar u rilind këto ditë me njoftimin zyrtar nga Sunny Hill kompania ose fondacioni, Sunny Hill Foundation, ose “the Sunny Hill” sh.p.k., biznesi komercial, ose organizata e bamirësisë! Për shumë kend, krejt njejtë, por, siç thuhet, djalli është në detaje, e fshehja e detajeve e ndërton gjysëm të vërtetën. Lajmi mbi ikjen e festivalit, ose aratisjen e festivalit u bë, siç e do zakonisht gjysëm e vërteta, dramë. Drama, megjithatë, nuk filloi me këtë gjysmë të vërtetë, “ikje të befasishme.” Ikja e festivalit është vetëm “gjysëm e vërteta” e parë, por jo edhe më e gënjështra më qyqare, siç do të thishte Mark Twain.

Një ‘gjysmë e vërtetë” tjetër, është edhe ARËSYEJA e ikjes së Festivalit. Është, vonesa, zhagitja prej një muaji (?!) për dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë të Komunës për Festivalin “Sunny Hill!” Lajmi merr përmasa edhe më dramatike e mjegulla sa vjen e rritet! Vonesa dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë “e largoi Dua Lipën nga Prishtina!” Festivali është ngjarje, e ngjarja nuk aplikon për tokë. Aplikon individi, ose biznesi, ose ndonje organizatë tjetër. Aplikon organizatori i Festivalit! Nuk është dëgjuar ndonjë herë, në ndonjë vend që organizatori i ndonjë festivali në botë të aplikojë për dhënien e tokës në shfrytëzim në kohëzgjatje prej 99 vjetësh, por kjo është një çështje krejt tjetër. Çështja është te organizatori, Fondacioni ose Sh.P.K.-ja!

Për publikun e gjerë, organizator i festivalit është “Sunny Hill Foundation!” Kështu thotë faqja e përditësuar e Wikipedia-s! Kështu është prezantuar shumë herë Festivali edhe nga vet Dua Lipa, atëherë kur me entuziazëm e njoftonte botën për këtë ngjarje që pa ekzagjerim është bërë krenaria e Prishtinës! Dua Lipa e kishte prezantuar “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa.”

Megjithatë, sipërfaqen prej 17 hektarësh për të organizuar këtë Festival, nuk e ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës “Sunny Hill Foundation!” 17 hektarë tokë i ka kërkuar një entitet krejt tjetër, The Sunny Hill SH.P.K., një biznes i regjistruar si Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku emri i Dua Lipës nuk figuron fare!!!

Kontrata për dhënjen në shfrytëzim të sipërfaqes prej 17 hektarësh është votuar nga Kuvendi komunal, bazuar në perceptim, për të mos thënë huti, se toka po i ndahet entitetit “Sunny Hill Foundation,” Festivalit të Dua Lipës! Në të vërtetë, Kontrata, askund nuk e përmendë entitetin “Sunny Hill Foundation”! Kontrata e votuar nga Kuvendi Komunal për ti dhënë në shfrytëzim prej 99 vjetësh 17 hektarë tokë biznesit The Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Kontrata nuk e përmendë askund Dua Lipën!

Këto gjysëm të vërteta, për të mos thënë, si Mark Twain, rrena kaq qyqare, e kanë ndërtuar këtë dramë kaq të madhe, kaq tronditëse, kanë shkaktuar aq dëshprim, siç rëndom bën secila propagandë! E në këtë rast, nuk mund ta akuzosh askend për rrenë, se shumë lehtë mund ti ikësh përgjegjësisë për manipulim me të vërtetën nga mosdija.

Sidoqoftë, festivalet më të rëndësishme të muzikës, mund të organizohet qoftë nga fondacionet e bëmirësisë, apo nga korporatat dhe individët me qëllim përfitimi vetanak. Që të dyja janë të ligjshme. New Orleans Jazz and Heritage Festival, ku kanë performuar yjet si Stevie Wonder, e që sjellë fitim prej 400 milion dollarësh është Fondacion bëmirës; Coachella, festivali ndër më të mëdhenjtë në botë, ku ka performuar Lady Gaga është gjithashtu bëmirës; Summerfest, ku ka performuar Paul McCartney e Bob Dillan është organizatë e bëmirësisë, e lista është e gjatë, shumë e gjatë e festivaleve të bëmirësisë…Në festival të tilla, të organizuara nga Fondacione bëmirëse, merr pjesë edhe vet Dua Lipa. Në fund të këtij muaji, për shembull ajo do të këndoj në Festivalin Roskilde, që e organizon një Fondacion qind për qind bëmirës.

Edhe festivalet pronë e korporatave e individëve, janë në rregull. Festivali Glastonbury, si festivali më i rëndësishm britanik, është i tillë. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performojnë në atë festival, madje për pagesë shumë më të vogël se zakonisht. Festivali është ngjarje madhështore e kulturës dhe sjell fitime të mëdha, por edhe e ka një veçori, se zhvillohet në Worthy farm, që është pronë private e organizatorit e jo e falur nga komuna. Edhepse biznes, që paguan taksa dhe zhvillohet në pronë të vet, Festivali Glastonbury, gati gjithë fitimin e jep për kauza të mëdha, e mbështet financiarisht organizatën Oxfam, që në tridhjetë vjetët e fundit bën punë të rëndësishme humanitare edhe te ne dhe lëvizjen GreanPeace, që vepron globalisht për parandalimin e ndryshimeve klimatike.

Përkundër kësaj, kushdoqoftë organizator i Festivalit Sunny Hill dhe sidoqë të vendosë Komuna për dhënjen në shfrytëzim prej 99 vjetësh të sipërfaqes prej 17 hektarësh tokë, procesi nuk guxon të mbetet në mjegull. Vendimet nuk guxojnë të mbështeten në gjysmë të vërteta. Transparenca duhet të jetë e plotë dhe përfundimisht, nëse një kontratë e tillë bëhet, duhet ta dijmë se kujt ia dhuron Komuna e Prishtinës në shfrytëzim prej 99 vjetësh sipërfaqen prej 17 hektarësh tokë — “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa, ” ose, biznesit privat the Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Dhe, një kontratë të këtillë, shumë të mundëshme pas këtij dëshprimi të madh, prej 17 hektarësh tokë për shfrytëzim 99 vjet, Komuna e Prishtinës, të plotë, duhet ta bëj publike në shqip e në anglisht, për ne dhe për të gjithë ndërkombatarët dashamirë, që bashkë me ne, janë zhgënjyer e mërzitur që kët vit mbetëm pa Festival.

Për këtë verë, në Prishtinë do të mjaftohemi me MANIFESTA!/ KultPlus.com

Veliaj i ndan mirënjohje Berishës, e falënderon për kohën që i kushtoi shqiptarëve kudo në botë

Të apasionuarit pas modës kanë ndjekur eventin “Muza Competition” që po zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është takuar edhe me fotografin e famshëm shqiptar, Fadil Berisha, ku edhe i ka ndarë një medalje në shenjë mirënjohje.

“Unë të jam shumë mirënjohës sepse ke ndryshuar jetën e pafund të djemve dhe vajzave, pa ndihmën tënde do të ishte realisht e pamundur. Dua që të kesh vetëm një kujtim që është një medalje e mirënjohjes nga Bashkia e Tiranës për gjithë dashurinë, enërgjinë dhe kohën që i ke dedikuar shqiptarëve kudo që janë, të jam shumë mirënjohës për këtë dhe në emër të kryeqytetit të Tiranës të falënderoj për këtë”, ka thënë Veliaj.

Ndërkaq, Fadil Berisha është shprehur mirënjohës për këtë, duke i dhënë edhe një përqafim të ngrohtë kryetarit të Bashkisë së Tiranës. /KultPlus.com

Të apasionuarit e modës në Shqipëri, Veliaj: Këto janë ditë të mira për shqiptarët, bashkë

Të apasionuarit pas modës kanë ndjekur eventin që po zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë të ditur se është takuar me të famshmin Fadil Berisha dhe gjithë grupin e jurisë “Muza Competition”.

“Shumë i lumtur që prita mikun e mirë, të famshmin Fadil Berisha dhe gjithë grupin e jurisë së “Muza Competition”, me përbërje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – një super event për të apasionuarit pas modës, që zhvillohet sonte në mbrëmje në sheshin “Skënderbej. Këto janë ditë të mira për shqiptarët. Bashkë!”, shkruan Veliaj.

“MUZA COMPETITION” është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon në kuadër të Tiranës si Kryeqyteti Europian i të Rinjve 2022, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë, në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit.

Projekti i dedikohet të rinjve nga mosha 18-35 vjec nga qytetet shqipfolëse të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për t’u ofruar atyre një spektër më të gjerë mundësish profesionale duke siguruar një urë lidhëse me rrjetin e bashkëpunëtorëve në industrinë e modës që projekti ka ndërtuar me përkushtim dhe këmbëngulje. /KultPlus.com

Pas “Sunny Hill” Tirana bëhet sponsor zyrtar i “Doku Fest”

Bashkia e Tiranës sot zyrtarisht është bërë sponsor zyrtar i festivalit të suksesshëm të filmit “Doku Fest” që mbahet çdo vit në Prizren, shkruan KultPlus.

Ky lajm vjen një ditë pas atij për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill, nga Prishtina në Tiranë, lajm ky që po vazhdon të përcillet me reagime të shumta.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë të ditur lajmin duke u shprehur se për ta ka rëndësi që jeta kulturore të zhvillohet kudo ku ka shqiptarë.

“Shume i lumtur qe kete vit Tirana do jete sponsor zyrtar i DokuFest ne Prizren kuruar me nga Vetoni, Erolli, Nita & miq! Ndonese jo ne Tirane, por me sh pjesmarrje nga Tirana, per ne ka rendesi qe jeta kulturore te geloje ketej, andej e gjithandej ka
shqiptare!

“Doku Fest” është festivali më i madh ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër që mbahet në qytetin e Prizrenit që tërheq artistë dhe audiencë ndërkombëtare dhe rajonale. / KultPlus.com

“Sunny Hill” në Tiranë, Veliaj: Prishtinasit e kosovarët janë edhe tiranas, gjithmonë bashkë

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas zhvendosjes së festivalit “Sunny Hill” nga Kosova në Shqipëri.

Veliaj ka shprehur gëzimin e tij rreth këtij zhvillimi, teksa thotë se do të jemi bashkë si shqiptarë të mirë sot në Tiranë dhe nesër në Prishtinë.

“Prishtinasit e kosovarët janë edhe tiranas, në gëzime e sfida do të jemi bashkë si shqiptarë të mirë, sot në Tiranë, nesër në Prishtinë, por gjithmonë një – gjithmonë bashkë”, tha ai.

Kujtojmë që sot u bë e ditur se “Sunny Hill” do të zhvendoset në Tiranë për shkak të zvarritjes së përgjigjes nga Ministria e Administrimit Publik për dhënien e pronës. / KultPlus.com

Kryetari Veliaj shpërndan fotografinë e “Sunny Hill” rreth zhvendosjes së festivalit në Tiranë

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, tanimë e ka konfirmuar mbajtjen e festivalit Sunny Hill në kryeqytetin shqiptar.

“Data e njëjtë, përvojat e bukura të njëjta, lokacion i ndryshëm”, ka shkruar ai në njoftimin e “Sunny Hill” që e ka shpërndarë në rrjetin social Instagram.

Edhe zyrtarisht, “Synny Hill Festival” konfirmon që për edicionin e sivjetmë do të zhvendoset në Tiranë.

Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër, organizatorët bëjnë me dije se festivali nuk do të mbahet në Kosovë për shkak të vonesave nga institucionet në Kosovë që lidhen me lejet për lokacionin e caktuar.

Organizatorët bëjnë me dije se ata që tashmë i kanë blerë biletat, nëse nuk kanë mundësi të marrin pjesë gjatë ditëve të festivalit në Tiranë, do t’u kthehen paratë.

Në njoftimin e publikuar thuhet:

Datat e njëjta, përvojat e njëjta, lokacioni i ndryshëm

Këtë gusht (për shkak të vonesave nga institucionet për të lëshuar lejet e nevojshme për lokacionin), ne detyrohemi të zhvendosemi në Tiranë.

Duam t’ju informojmë të gjithë ata që tashmë kanë bileta, se ato vlejnë për Sunny Hill Festival 2022 – Edicioni në Tiranë, ndërkaq ata që e kanë të pamundur të marrin pjesë në Tiranë, kanë mundësinë që t’i marrin paratë e tyre. (Datat për tërheqje të parave hapen nga 1 gushti deri me 15 gusht). Më shumë detaje dhe instruksione do të jepen ditëve në vazhdim.

Tiranë, po vimë! / KultPlus.com

Kopshti Zoologjik do të hapet më 4 qershor, Veliaj: Një eksperiencë e jashtëzakonshme për fëmijët

Kopshti i ri Zoologjik do të hapë dyert të shtunën më 4 qershor, në mesditë,  Hapja do të shoqërohet me një sërë surprizash për fëmijët, që do ta kthejnë vizitën në një eksperiencë të bukur për ta. 

Vizitorët e sotëm të Kopshtit Zoologjik, pikërisht në Ditën e Fëmijëve, ishin fëmijët e familjeve frekuentuese të qendrave sociale dhe të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, të cilët së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, panë detajet e fundit, para hapjes së madhe në 4 Qershor. Gjatë vizitës së tyre, Veliaj u shpjegoi fëmijëve si do funksionojë Kopshti Zoologjik në përditshmëri.

Në Kopshtin e ri Zoologjik do të kemi shumë aktivitete, madje mund të kaosh edhe natën në tenda, mes kafshëve; mund të festojmë ditëlindjet, kemi klasat mësimore që mund të rezervohen, si klasa e biologjisë, e diturisë së natyrës dhe e zoologjisë, mund të zhvillohen praktika studentore për Universitetin Bujqësor të Tiranës, e shumë të tjera. Do të jetë vërtet një eksperiencë e jashtëzakonshme për fëmijët, ndaj mezi po e pres ditën e shtunë, kur do të bëjmë hapjen e madhe. Qyteti ka fituar një xhevahir të jashtëzakonshëm! Shumica e kafshëve ka ardhur, po presim majmunët e racës lemur dhe kafshë të tjera që janë rrugës. Ndërkohë, dy luanë dhe një tigër tashmë kanë ardhur dhe ende po ambientohen me territorin, duke qenë se kanë ndryshuar habitatin”, tha Veliaj.

Ai ftoi fëmijët dhe prindërit që të vijnë ditën e shtunë në mesditë për hapjen e madhe sepse do të shohin një filozofi krejt tjetër, qoftë në hapësira, qoftë në trajtimin e kafshëve. Veliaj theksoi se ky investim i jep Tiranës jo thjesht një kopësht të denjë Zoologjik, aq të dashur për fëmijët, por i rrit edhe vlerën pronave përreth.

Për ata që kundërshtojnë projektet e Tiranës, si Sheshi, Lodrat te Liqeni, Pazari i Ri, Kalaja, tani Kopshti Zoologjik, apo minorancën e vogël që kundërshton projektin e Kopshtit Botanik, thjesht duhet të vijnë ta shohin dhe të kuptojnë se është dita me natën. Që tani është rritur vlera e banesave në gjithë këtë zonë. Përfitimi nuk është i menjëhershëm, por vjen si rrathët koncentrikë, në fillim pasuron gjithë zonën. Me të mbaruar këtu, do të zgjidhim gjyqet dhe konfliktet me ata që na pengojnë tek Kopshti Botanik, pastaj do të vazhdojmë me pishinat te Diga e Liqenit, për t’i dhënë njëherë e mirë drejtim hapësirave më dinjitoze të Tiranës”, shtoi ai.

Veliaj tha se pranë kopshtit ndodhet parkim i ri nëntokësor, ndërsa thekson se çdo ditë të po i kushton rëndësi hapësirave për parkim.

“Në hyrje të Kopshtit Zoologjik kemi edhe një parking nëntokësor. E di që nuk do të ketë kurrë vend për 200 mijë makina, por nga një Tiranë pa asnjë parking nëntokësor, në një Tiranë me parkingje të tilla te “Sheshi Skenderbej”, “Bulevardi Ri”, “7 Xhuxhat” dhe “Sheshi Italia” – sa fituam një parking tjetër, e morëm nga zaptimi privat tek Garda, e njëjta gjë poshtë tek diga, tani dhe te Kopshti Zoologjik, – do të thotë se çdo ditë po japim më shumë hapësira për lagjen”, tha ai. /rtsh.al/ KultPlus.com

Veliaj: Kopshti Zoologjik hapet më 1 qershor, vijojmë transformimin me Kopshtin Botanik dhe pishinat 

Pak ditë nga hapja, një grup fëmijësh dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan së bashku detajet e fundit para hapjes së Kopshtit të ri Zoologjik.

Në pritje edhe të kafshëve të tjera, që do të popullojnë këtë hapësirë të transformuar, Parku Zoologjik do të jetë hapë dyert për vizitorët e vegjël më 1 qershor.

“Jam shumë i lumtur që inxhinierët dhe supervizorët e vegjël po na japin notën 10 për Kopshtin Zoologjik, të cilin do ta hapim në 1 Qershor për të gjithë fëmijët e Tiranës. Tirana do ketë shumë aktivitete këtë muaj, disa janë për të rritur, siç janë këto ndeshjet e futbollit, e disa nga festat e mëdha. Por, besoj, aktiviteti më i bukur është hapja e Kopshtit Zoologjik për 1 qershor, që është edhe festa e fëmijëve”, tha Veliaj.

Kopshti Zoologjik është rikonceptuar tërësisht, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve. Veliaj nënvizoi se mjediset e reja do të shërbejnë edhe për orët e mësimit në natyrë.

“Më parë, gjithë këtë hapësirë fëmijët e kanë parë si diçka të shëmtuar, të pistë dhe shumë të ngushtë për kafshët, kurse sot po e shohin krejt të transformuar. Kopshti Zoologjik nuk do të jetë vetëm një mjedis për të parë kafshët, që kësaj here nuk janë më në kafaze të ngushta, por në hapësira shumë më të mëdha, por do jetë edhe një hapësirë për të mësuar. Pra, kemi edhe disa hapësira ku secila prej mësueseve mund ta rezervojë dhe mund ta bëjë klasën në Kopshtin Zoologjik”, tha ai.

Kryebashkiaku shtoi se dy projektet e radhës do të jenë transformimi i Kopshtit Botanik dhe kompleksit të pishinave te Diga e Liqenit.

“Pasi të mbarojmë te Kopshti Zoologjik, duam të vazhdojmë te Kopshti Botanik dhe të sigurohemi që, më në fund, të gjitha hapësirat publike të Tiranës të jenë transformuar. Ndërkohë, sapo kemi marrë në dorëzim edhe pishinat te Diga, edhe aty do të kthejmë kurset e notit, sidomos për fëmijët që nuk kanë mundësi të bëjnë pushime, ose vijnë nga familje në nevojë. Për ta do të jetë bashkia ajo që u ofron një hapësirë për të mësuar not, edhe për pushimet e verës”, theksoi Veliaj.

Brenda hapësirës së Kopshtit Zoologjik janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë eksperiencën për fëmijët dhe prindërit sa më të pasur./ atsh / KultPlus.com

Veliaj mirëpret skiatoren Kryeziu, ndihet krenar për arritjet e saj

KKryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i uroi mirëseardhjen skiatores Kiana Kryeziu, e cila shkroi historinë në Lojërat Olimpike Dimërore, duke u bërë vajza e parë nga Kosova që kualifikohet në këto gara, shkruan KultPlus.

Veliaj u shpreh shumë i lumtur për këtë sukses të Kryeziut, e cila pati rezultate të suksesshme.

“I lumtur që mikprita skiatoren Kiana Kryeziu, e cila përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, Pekin 2022, me rezultate mjaft të suksesshme. Krenar”, ka shkruar Veliaj.

Më tej, edhe Kryeziu ka falënderuar kryebashkiakun për mikpritjen.

“Faleminderit shumë për ftesën. Shpresoj se do të shihemi në aktivitetet e radhës”, shkroi ajo. /KultPlus.com

Kryetari Veliaj pret regjisorin e njohur ukrainas, do drejtojë Festivalin “Marie Kraja”

Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë, do të presë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në dy mbrëmje, edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”.

Kësaj here, regjisor i festivalit, ku marrin pjesë 16 yje të rinj nga 4 kontinente, do të jetë nëndrejtori i Operas së Kievit, Anatoliy Solovianenko, i cili është larguar nga lufta në Ukrainë.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot jurinë e Festivalit, të përbërë nga drejtorët e teatrove të njohur evropianë, dhe i dhuroi Kullën e Sahatit regjisorit të njohur ukrainas, Anatoliy Solovianenko.

“Sahati i Tiranës është kilometri 0 për çdokënd të Shqipërisë. E di që Ukraina po kalon orë të vështira, por koha do kalojë, vendi do të rindërtohet dhe do t’i rikthehemi normalitetit. Ne kemi një shprehje: Rindërto më mirë, më të madhe dhe më bukur – jo vetëm ndërtesa, ura, apo çdo shkatërrim tjetër nga lufta, por edhe shpirtin. Unë mendoj se puna dhe misioni juaj, me këtë grup fantastik miqsh, do të luajë një rol të madh edhe për rindërtimin shpirtëror të njerëzve,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se është i kënaqur që sot në Tiranë kemi miq nga Ukraina. “Nesër presim në Tiranë një ekip të lojtarëve olimpik të Ukrainës, që do të trajnohen këtu, për të mos humbur bioritmin, e për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike të Parisit. Ne treguam një mikpritje të jashtëzakonshme me refugjatët nga Afganistani, por edhe me nismën e Tiranës për të kontribuar në atë që quhet ‘solidariteti 1%’ – sikur një qytet i madh të mirëpresë ekuivalentin e 1% të popullsisë së tij, për gratë me fëmijë që vijnë nga Ukraina, atëherë edhe barra do ndahej më kollaj. Jam shumë i lumtur që shumë kolegë na kanë ardhur nga e gjithë Europa, janë pjesë e jurisë dhe shpresoj shumë që në Tiranë jo vetëm të qëndroni e të kaloni mirë, por të ktheheni edhe në ambasadorë ‘de facto’ të asaj që patë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se festivali “Marie Kraja” është pjesë e stofit të qytetit. “Këtë vit që Tirana është Kryeqyteti Eruopian i Rinisë, është një moment për të lartësuar çunat dhe gocat me talent, jo vetëm nga Shqipëria, por nga e gjithë bota. Besoj fort se tradita që ka filluar me “Marie Krajën”, dëshmon një pafundësi talentesh në një vend shumë të vogël. Ndoshta ne nuk do prodhojmë dot BMË e Mercedez, por të paktën në atë fushë ku jemi të talentuar, sidomos në art e kulturë, ne mund të kemi një krijimtari të lartë, por sidomos kur të rinjtë tanë ballafaqohen me të ngjashmit e tyre nga çdo cep i botës, e bën Tiranën një epiqendër të zhvillimeve ndërkombëtare”, tha ai.

Nëndrejtori i Operës së Kievit, Anatoliy Solovianenko, u shpreh mirënjohës që një vend i vogël si Shqipëria i ka qëndruar pranë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, Ukrainës së pushtuar nga Rusia.

“Unë e di se si shqiptarët dhe Tirana po e mbështesin Ukrainën. Vendet e mëdha po flasin për të marrë disa vendime për të ofruar armë, ndërsa Shqipëria, në vend të thjesht fjalëve, po bën shumë, shumë gjëra. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe që kam bërë miq të rinj, por edhe që Ukraina ka bërë miq të vërtetë në Shqipëri, tek shqiptarët, tek shteti shqiptar. Ndaj, dua t’ju them faleminderit për këtë mbështetje dhe për këtë bashkëpunim, sepse kur çdo gjë është duke shkuar mirë, ju keni shumë miq, por kur diçka shkon keq në familjen tuaj, në qytetin tuaj, në shtetin tuaj, ju mund të shihni kush është miku juaj i vërtetë dhe kush po ju mbështet me vepra reale, jo vetëm duke thënë “Ne jemi me ju”. E falënderoj edhe njëherë kryebashkiakun, e falënderoj Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët për atë çka po bëni tani për Ukrainën,” u shpreh ndër të tjera Solovianenko.

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Zana Çela dha disa detaje nga festivali. “Ky edicion organizohet në një moment shumë të veçantë dhe ne duam që të japim mesazhin se duhet të jemi bashkë në këto momente dhe kështu do ndodhi dhe gjatë netëve të festivalit. Ka artistë nga e gjithë bota që janë përzgjedhur si konkurrentë të edicionit të tetëmbëdhjetë. Unë falënderoj me gjithë zemër, në emër të gjithë artistëve të rinj, kryetarin e Bashkisë për këtë mbështetje kaq të madhe. Pa mbështetjen e tij, ky edicion nuk do të ishte realizuar. Tirana, si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, e meriton edicionin e 18-të të Festivalit Operistik “Marie Kraja”, sepse tashmë dihet që në shekullin që jetojmë festivalet muzikore janë promotorët më të mirë të zhvillimit të një vendi,” u shpreh Çela.

Veliaj e mbylli fjalën e tij duke theksuar se viti ku Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë është një moment për të lartësuar të rinjtë me talent, jo vetëm nga Shqipëria, por nga e gjithë bota./ KultPlus.com

Këngëtari Ermal Meta dhe Erion Veliaj bëhen bashkë për të ndihmuar 500 fëmijë

Këngëtari i famshëm shqiptar, Ermal Meta dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, organizuan mbrëmë një darkë bamirësie, në ndihmë të “Casa Rosalba”, një qendër në një fshat të vogël të Lezhës, që mirëpret dhe përkujdeset për fëmijë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.

Mes emocionesh për gjestin e veçantë të këngëtarit Ermal Meta, i cili dhuroi një fond bamirësie për këtë qendër, Veliaj tha se veprime të tilla duhen bërë sa herë është mundësia, për t’u ardhur në ndihmë atyre që janë në nevojë.

“Dua ta falenderoj me gjithë zemër Ermalin. Kjo bamirësi, edhe e atyre që janë dhe nuk janë këtu sot, të cilët janë angazhuar për t’i mbledhur këto fonde, besoj se zgjidh sado pak një nevojë për të ndihmuar, ushqyer dhe kujdesur për rreth 500 fëmijë. Kjo ishte ideja e Ermalit dhe ndonjëherë, Perëndia ia jep thirrjen dikujt, ndërsa ne të tjerët jemi në ndihmë të tij, ndaj jam shumë i lumtur ta ndihmoja në këtë përpjekje fantastike. Të jam shumë shumë mirënjohës!”, iu drejtua Veliaj këngëtarit shqiptar.

Ermal Meta tha se do të dëshironte që ngjarje të tilla bamirësie të realizoheshin përherë.

“Do më bëhej shumë qejfi që, kjo të mos jetë hera e parë dhe e fundit, por ky takim të rinovohej çdo vit. Për mua ky është një mision dhe ajo çka ndjeva kur u larguam atë natë nga Shtëpia Rosalba, në mënyrë të pashpjegueshme e ndjeva veten pak prind. Nuk e di çfarë do të thotë sepse unë nuk kam fëmijë, por në atë moment ashtu e ndjeva veten. Do më pëlqente që edhe shumë të tjerë të ndiheshin si unë dhe ky takim të bëhej i përvitshëm, pasi duhet të mendojmë për të ardhmen e atyre fëmijëve. Jeta nuk është vetëm sot, por është t’u japim këtyre fëmijëve kapacitetin që ta realizojnë të ardhmen me duart e tyre”, përfundoi ai.

Motër Alma, një prej zonjave që ka themeluar Shtëpinë Rosalba, falenderoi kryetarin Veliaj dhe këngëtarin, Ermal Meta, për këtë nismë të bukur në ndihmë të fëmijëve.

“Falenderoj me gjithë zemër kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, i cili iu bashkua premtimit të Ermal Metës, i cili na tha: ‘Unë nuk do t’ju lë’. Ky premtim është bërë edhe më i bukur sepse ju z. Veliaj shtrënguat dorën e Ermalit dhe së bashku keni realizuar këtë event bamirësie. E mira që ju keni bërë sonte është një burim shpëtimi për këto vajza”, tha Motër Alma./atsh/ KultPlus.com

Veliaj për Ramën: Me mikun e vëllaun tim për një bashkëpunim të ri

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka pritur në takim zyrtar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Veliaj, ka bërë të ditur se takimin zyrtar të Ramës e ka nisur me një vepër teatrale si Mephisto.

“Me mikun e mirë, vëllain tim, Përparim Ramën – kryebashkiakun e ri super energjik të Komunës së Prishtinës, me të cilin hapim një faqe të re bashkëpunimi mes dy qyteteve tona, sidomos për të rinjtë, kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë”, ka shkruar Veliaj në “Facebook”.

“Kryeqyteti Evropian i Rinisë” është një titull i dhënë nga Forumi Rinor Evropian (European Youth Forum EYF), i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri dhe për të forcuar identitetin evropian.

Kjo platformë synon që të përfshij edhe të rinjtë e Prishtinës, dhe së bashku me Tiranën të modernizohen kryeqytetet shqiptare. /KultPlus.com

Tirana zbukurohet me flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës, Veliaj pret në takim Ramën

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka pritur në takim zyrtar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Veliaj, ka bërë të ditur se takimin zyrtar të Ramës e ka nisur me një vepër teatrale si Mephisto.

“Sa bukur që nisëm vizitën zyrtare të Perparim Rama në Bashkia Tiranë me një vepër teatrale si MEPHISTO – kaq të arrirë nga një trupë e aktorëve të Tiranës e Prishtinës me rastin e #EYC2022”, shkruan i pari i Tiranës në “Facebook”.

“Kryeqyteti Evropian i Rinisë” është një titull i dhënë nga Forumi Rinor Evropian (European Youth Forum EYF), i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri dhe për të forcuar identitetin evropian.

Kjo platformë synon që të përfshij edhe të rinjtë e Prishtinës, dhe së bashku me Tiranën të modernizohen kryeqytetet shqiptare. /KultPlus.com

Tirana merr zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022

Tirana merr zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022.

Në arenën e elektrizuar nga muzika dhe të rinjtë, kryetari i bashkisë së Klaipedas në Letoni, Vytautas Grubliauskas, i dorëzoi në mënyrë simbolike kryebashkiakut Erion Veliaj çelësin që simbolizon marrjen e detyrës.

“Është një moment shumë i veçantë t’ia dorëzoj sot çelësin kryebashkiakut të Tiranës. Ne duhet ta mbështesim kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Shqipëria dhe Tirana janë vende për të cilat do të ndihemi krenarë dhe do të themi: -Po, ne kemi qenë kryeqytet i rinisë para këtij kryeqyteti të mrekullueshëm. Tani ky simbol besimi është në duart tuaja”, u shpreh Grubliauskas.

Si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj dhe do të përpiqet të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë moment një mundësi fantastike për Tiranën.

“Kemi marrë zyrtarisht stafetën nga Klaipeda e Lituanisë që ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2021. Ndaj ne do të përdorim gjithë ditët e fundit të dhjetorit për të planifikuar një kalendar që deri tani ka shkuar në 1000 aktivitete për gjithë vitin që vjen. 1000 aktivitete ku ne duam që të rinjtë të lidhen me njeri-tjetrin në shumë fusha, nga sporti, arti, kultura, sipërmarrja rinore, aktivistët e mjedisit. Është një ditë fantastike dhe një mundësi e jashtëzakonshme për Tiranën edhe si një kartolinë se çfarë është Shqipëria moderne sot dhe çfarë mund të bëhemi nesër”, tha ai.

Kreu i bashkisë theksoi se përgjatë 2022-it, do të mbështeten dhe promovohen jo vetëm të rinjtë nga Tirana, por edhe ata nga trevat e tjera shqipfolëse. “Ne duam gjithashtu që të përdorim këtë mundësi fantastike për të promovuar të rinjtë shqiptarë edhe përtej Tiranës, të rinjtë shqiptarë kudo në Shqipëri, të rinjtë shqiptarë kudo në Kosovë, në Luginën e Preshevës, në Maqedoninë Perëndimore, në jug të Malit të Zi, sepse shohim si një platformë ku ne mund të tregojmë aftësitë tona”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjet për të gjithë ata që kanë një ide për aktivitete për t’u bërë pjesë e kalendarit fantastik.

“Do kemi disa aktivitete që do jenë masive nëpër të gjithë sheshet dhe terrenet e mëdha të Tiranës. Sigurisht do kemi edhe disa gjëra që janë më të vogla në nivel shkolle, lagje, në nivel komunitar. Për këto ide ne sapo kemi hapur një thirrje. Është një thirrje për të gjithë organizatat rinore, universitetet, për të gjitha organizimet rinore, qofshin ato kulturore apo sportive që të aplikojnë, që të kemi mundësi t’i mbështesim financiarisht për të realizuar të gjitha ëndrrat dhe gjithë pasionet dhe idetë që kanë në vitin 2022”, nënvizoi Veliaj.

Titulli “Tirana European Youth Capital 2022” i është akorduar të rinjve të Shqipërisë, në vitin 2019 në Aimens, Francë, si një përpjekje e finalizuar me sukses nga organizatat e shoqërisë civile, nën drejtimin e Kongresi Rinor Kombëtar dhe me mbështetjen e bashkisë së Tiranës. / KultPlus.com

Muri i jashtëm i Ambasadës së Italisë në Tiranë veshet me veprën “Flamuri prej Çelikue” të artistit Helidon Xhixha

Muri i jashtëm i Ambasadës së Italisë në Tiranë është veshur me tringjyrëshin e flamurit kombëtar të shtetit fqinj, por në formën më të lartë të një arti kontemporan, sjellë nga artisti pamor dhe skulptori i mirënjohur shqiptar, Helidon Xhixha.

Vepra prej stili unik e artistit të diplomuar në Akademinë e Arteve të Milanos dhe specializuar në Londër, e quajtur “Flamuri prej Çeliku”, ka qenë një dhuratë për ambasadën italiane, por edhe për qytetarët e Tiranës, të cilët tashmë kanë një instalacion të ri në një prej kryqëzimeve më të bukura të qytetit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë ceremonisë së inaugurimit të veprës së piktorit dhe skulptorit Helidon Xhixha në rezidencën e Ambasadës Italiane, u shpreh se kjo vepër i jep një tjetër pamje gjithë zonës. “Mjafton të shikojmë si ka ndryshuar ky kryqëzim – që lidh Liceun me shkollën “Kosova” – dhe çfarë pamjeje i jep ky rikompozim i murit të Ambasadës me një vepër fantastike të Helidon Xhixhos”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi në mënyrë të veçantë simbolin e një gjesti të tillë, që ngre lart më së pari vlerat e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Jemi shumë me fat që kemi Italinë fqinje, Italinë e kulturës, Italinë e gjuhës, Italinë e shkencës, Italinë e estetikës, Italinë e këngës, Italinë e poezisë, Italinë e ushqimit! Edhe sikur të kishim zgjedhur, ne do të kishim mundur të zgjidhnim komshinj më të mirë sesa italianët. Ndaj, mezi pres që gjatë vitit 2022, bashkë me ju, ta maksimizojmë Tiranën si Kryeqytet i Rinisë”, tha Veliaj.

Edhe ambasadori italian, Fabrizio Bucci vlerësoi faktin që mes dy vendeve tona nuk ekzistojnë kufijtë dhe barrierat. “Për fat të keq, ambasadat shpesh shihen paksa si kala me mure të larta dhe nuk arrin kurrë të shohësh atë që është brenda. Por sot kemi hapur dyert për të zbuluar këtë vepër, të cilën kemi menduar ta vendosim në ambientet e jashtme, një vepër e bukur që ka një karakter të fortë italian, por është gjithashtu një vepër që Helidoni ka dashur t’ia dhurojë mbi të gjitha qytetit”, u shpreh ambasadori Bucci.

Artisti i mirënjohur Helidon Xhixha falënderoi ambasadorin italian.

“Falenderoj Fabrizion që e ka transformuar këtë vend në një lidhje perfekte midis Italisë dhe Shqipërisë. Këtu festojnë dy popuj që bashkohen dhe jemi prej shumë kohësh të bashkuar nga historia dhe gjithçka tjetër. Ne falënderojmë Italinë, të cilës do i jemi gjithmonë mirënjohës për atë që jemi,” tha ndër të tjera Xhixha, i cili njihet veçanërisht për faktin se aplikon një stil të veçantë në punimet artistike, duke përthyer dritën kryesisht në metal.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti reagoi për këtë vepër, duke thënë se, “”Bandiera d’acciaio” nuk është thjesht një flamur tringjyrësh, por është lidhja e fortë, e hekurt mes Shqipërisë dhe Italisë. Një miqësi shekullore, që kohërat moderne vetëm po e forcojnë. Përuruam sot në Rezidencën Italiane, këtë vepër simbolike të artistit Helidon Xhixha, historia jetësore e të cilit na përfaqëson nga pak të gjithëve, duke u përpjekur të tejkalojmë kufijtë, por gjithnjë lidhur fort pas rrënjëve”. / KultPlus.com

Shkrimtari Virgjil Muçi fiton çmimin e autorit më të mirë në Panairin e Librit 2021

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka dhënë çmimin si autori më i mirë shqiptar i vitit 2021 shkrimtarit Virgjil Muçi me vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”.

I pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimeve në “Panairin e Librit “Tirana 2021” kryebashkiaku Veliaj u shpreh mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuuar në ngritjen në piedestalin e merituar të librit dhe letërsisë.

“Shumë faleminderit të gjithë atyre që janë investuar në një nga industritë më sfiduese, industria e librit, e përkthimit, dijes, e gjërave të mençura dhe gjërave të bukura. Në një kontekst si yni është realisht një nga sfidat më të mëdha. Përtej këtij momenti, që është momenti më kulmor duke qenë që jemi në mes të panairit dhe e gjithë vëmendja është për ta, ajo që do vlerësoja është që për të gjithë ata që janë të përkushtuar në këtë kauzë do doja ta kishim çdo ditë të vitit me të njëjtin zell dhe pasion,” u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë tha se kjo është hera e dytë që bashkia e Tiranës është sponsore gjenerale e Panairit të Librit, ndërsa theksoi se vitin e ardhshëm, vitin kur Tirana do jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë do ketë një edicion special kushtuar shkrimtarëve të rinj shqiptarë.

“Është e vërtetë që ne jemi për herë të dytë sponsorë gjeneralë të Panairit. Nuk është sekret, unë dhe Petriti kemi pasur një debat të gjatë në vitet e mia të para në bashki, sepse në mendimin tim nuk do duhej që bota letrare të ishte mimikë, apo imitim i botës politike dhe më vjen mirë që për 2 vite kemi pasur një unifikim të këtij komuniteti, siç i ka hije. Jam shumë krenar për këtë. Do të vazhdojmë vitin tjetër, sigurisht edhe me një buxhet më të madh. Çdo vit kemi ardhur në rritje, kështu që dua që vitin tjetër duke qenë se Tirana do jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë të kemi dhe një edicion të veçantë për letrarët e rinj dhe një premium për të vlerësuar më të mirin” u shpreh ai.

Kreu i bashkisë u shpreh se vëmendja e bashkisë së Tiranës kundrejt librit me shtimin e modernizimin e bibliotekave ka bërë që të rritet dhe interesi kryesisht i të rinjve drejt tyre.

“Në 6 vitet e fundit ne shkuam nga 0 në 9 biblioteka komunitare, nga Moikom Zeqo tek Pazari i Ri, Musine Kokalari tek shkolla “Vasil Shanto”, Petro Zheji tek Njësia 9, etj. Por përsëri nuk mjafton, ndaj do doja që të na jepnit rekomandime ku mund të ishin 9 biblioteka të tjera. Sot i kemi mundësitë. Qyteti financiarisht është pak më i fortë seç e gjetëm, kështu që do të doja këtë partneritet dhe do e prisja nga ju. Sot ne kemi futur edhe kurse të teknologjisë, edhe të kompjuterëve, pra udhëtimi për në bibliotekë të mos jetë vetëm vajtja në një magazinë libri, por edhe një hapësirë për të mësuar edhe disa aftësi të tjera për shekullin ku jetojmë,” deklaroi Veliaj.

Kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që bashkia e Tiranës ka dhënë për kulturën dhe për librin në veçanti.

“Dua të falënderoj Kryetarin e bashkisë për fjalët e mira për premtimet dhe ftesën për bashkëpunim të cilën ne e përqafojmë. Viti që kaloi ishte shumë i vështirë dhe ne bëmë një panair digjital, një gjë e bukur vitin e shkuar mes atij pesimizmi nga ata që besuan. Ishte Bashkia e Tiranës që besoi tek ne dhe ne bëmë një panair të veçantë ashtu siç e bëri Frankfurti dhe Gjeneva, qytete të rëndësishme të librit”, tha Ymeri.

Ndërkohë për çmimin e përkthimit më të mirë për këtë vit triumfatore u shpall Flavia Kaba, me përkthimin e vëllimit me tregime “Qyteti i avullit” nga Carlos Ruiz Zafon, autor i rëndësishëm i letërsisë spanjolle që u nda nga jeta vetëm 2 vite më parë. / KultPlus.com

Pas Budapestit, edhe Praga do të ketë një shesh me emrin “Skënderbej”

Si në shumë kryeqytete të botës, edhe në kryeqytetin çek Pragë do të ketë një shesh “Skënderbej”. Pas Budapestit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar edhe Pragën, pas vendimit më të fundit të Këshillit Bashkiak të këtij qyteti për t’i dhënë një prej shesheve kryesore emrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryebashkiaku Veliaj pas takimit me kryetarin e Bashkisë së Pragës Zdenek Hrib.

“Është gjithmonë kënaqësi takimi me kryetarin e Pragës, mikun tim Zdenek Hrib. Si shumë kryeqytete të botës edhe Praga do të ketë një shesh me emrin “Skënderbej”, në nderim të heroit tonë kombëtar! Mirënjohje Zdenek dhe Këshillit Bashkiak të Pragës për nismën,” shkruan Veliaj.

Tre muaj më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përuroi në Budapest së bashku me homologun e tij, Gergely Karácsony, bustin e heroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeu në Parkun Qendror të kryeqytetit hungarez. Busti, dhuratë nga Bashkia e Tiranës për qytetin e Budapestit, u vendos përballë memorialit të bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadi./ KultPlus.com

Dua Lipa e entuziazmuar për nisjen e punës “Sunny Hill Kindergarten” në Tiranë

Ka nisur punën kopshti për fëmijë “Sunny Hill Kindergarten” në Tiranë.

Lajmin e ka bërë të ditur këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, e cila gjatë verës që shkoi pati vizituar kryeqytetin shqiptar për të parë nga afër punimet për ndërtimin e këtij kopshti për fëmijë, me financim nga “Sunny Hill Fondation”.

Kopshti ka kapacitet për të strehuar 300 fëmijë.

“Një moment shumë krenues – “Sunny Hill Kindergarten” tani është hapur në Tiranë, Shqipëri, dhe ka kapacitet për 300 fëmijë. Faleminderit Erion Veliaj, Edi Rama dhe Bashkia e Tiranës. Zemra ime është e plotësuar”, ka shkruar Dua në Facebook.

Shfaqet premiera e ‘007: No time do die’ në Tiranë, Veliaj: ‘Sprint’ marrëdhëniesh mes Shqipërisë e Britanisë së Madhe

Filmi i fundit i Daniel Craig në rolin e James Bond,  pati mbrëmë premierën e tij edhe në kryeqytetin shqiptar.

Në një event të organizuar me detaje, që të fusnin në atmosferën e filmit më të famshëm britanik, Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i ri i Britanisë se Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, ishin mikpritesit e veçante te të ftuarve VIP, te cilet u bene pjese te shfaqjes premiere.

Në fjalën e mbajtur në fillim të eventit, Veliaj tha se me premierën e këtij filmi nis edhe një “sprint” marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.

“Kemi kaluar një situatë shumë të vështirë me 2 tërmetet, me pandeminë, por tani është koha që të rihapemi, është koha të festojmë, të njohim miqtë, të fillojmë nga e para dhe është koha të ringrihemi. Me këtë aktivitet të parë, jo vetëm bëjmë prezantimin e ambasadorit të ri britanik në Tiranë, por fillojmë edhe një stinë aktivitetesh, që vetëm fillimin e ka te filmi i sotëm”, nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se vitin tjetër ku Tirana është “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, do zhvillohen rreth 1 mijë aktivitete, shumë prej te cilave do te jenë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe.

Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith tha se kjo premierë filmi, është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Britanisë.

“Po e nisim me një nga filmat më të mirë që përfaqëson kulturën britanike, në mënyrë që të afrojmë sa më shumë Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kjo jo vetëm në rangun e qeverive, por gjithashtu edhe bashkimin e njerëzve. Ndaj, do të shohim mënyrat për të ndërtuar marrëdhënie të përbashkëta më të forta dhe më të ngushta mes dy vendeve”, pohoi Smith.

Të gjithë të ftuarit u paraqitën në event me certifikatën e vaksinimit të Covid 19.

Filmi i “James Bond” “No time to die” pati premierën e tij botërore në Londër, 18 muaj më vonë nga sa ishte planifikuar sepse u vonua nga pandemia. “No Time To Die” është dalja e pestë e aktorit britanik, Daniel Craig si 007. /atsh/ KultPlus.com

Nesër live në “Air Albania”, Ermal Meta: Premtoj se do jetë koncerti më i bukur i jetës sime (VIDEO)

Këngëtari i famshëm me origjinë shqiptare, Ermal Meta në konferencën për shtyp një ditë para koncertit të tij në stadiumin “Air Albania” premtoi se nesër do mbajë koncertin më të mirë të jetës së tij.

“Është një nder shumë i madh për mua, hera e 3 që bëj koncert këtu dhe sa herë vij më duket si hera e parë sikur nuk kam bërë kurrë një koncert, po dridhem sot imagjinoni nesër. Nesër do mundohem të bëj koncertin më të mirë në jetën time. Është hera e parë që bëj koncert në një stadium dhe të gjitha energjitë do i shkrij mbi skenë”, tha ai.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi disa detaje sa i përket zhvillimit të koncertit nesër më 17 shtator.

“Ne do të hapim dyert e stadiumit duke qenë se do respektojmë edhe masat antikovid, edhe distancat, sigurisht edhe protokollin e sigurisë nga Federata. Do t’i hapim dyert që në orën 17:00 që të kemi mundësi të fillojmë me koncertin në orën 19:00 dhe të japim mesazhin që jo vetëm që Tirana është hapur por që në duam ta shijojmë jashtëzakonisht këtë raport special që ne kemi me Italinë dhe në 30-vjetorin e eksodit dhe këtij raporti ku ndoshta fabulën më të bukur por ndoshta dhe më unike e ka Ermali të kemi mundësi të prodhojmë një histori suksesi”, sqaroi Veliaj.

Më tej ai tha se, “do jetë hera e parë që ne bëjmë një koncert në stadiumin e ri, ndoshta dhe për të provuar atë multi funksionalitetin. Ky është një vend ku luhet futboll, po ky është një vend edhe ku kodohet edhe ne kemi qendrën TUMO, po këtu është një vend dhe ku bëhet muzikë dhe ne kemi disa medias dhe disa radio, po këtu ka edhe kompani të huaja. Ndërkohë që duam që të ketë edhe muzike edhe jetë kulturore për qytetin”.

Ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci tha se ndihet i lumtur për organizimin e këtij koncerti, që tregon më së miri edhe marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë.

“Në këto 30 vite, Shqipëria ka ndryshuar vërtet fytyrë, ka bërë hapa gjigante përpëra. Në këtë rrugëtim, Italia ka qenë përherë përkrah Shqipërisë. Jemi vende të veçanta, jemi vende mike, të lidhur nga historia, gjeografia, kultura, ekonomia, shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Italisë, janë të parët në renditjen e këtyre klasifikimeve”, nënvizoi ambasadori. / atsh / KultPlus.com

Rikthehet Mural Fest Tirana, marrin pjesë artistë nga e gjithë bota

Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota do të udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale.

Lajmin e mirë e ka dhënë vetë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjete sociale.

“Mural Fest Tirana vjen edhe këtë vit! Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale”, shkruan Veliaj.

Pjesë e Mural Fest priten të jenë artistë urbanë me famë ndërkombëtare nga Gjermania, Italia, Spanja, Greqia, Indonezia, etj. Ky event i kthyer tashmë në një traditë të bukur për kryeqytetin, është një festival ngjyrash, ku vepra shkrihet me fasadën përkatëse në varësi të hapësirës urbane që do të zërë.

Festivali synon t’i japë një imazh të ri hapësirave të qytetit duke sjellë një energji shumë të bukur e duke lënë një muze të hapur në natyrë.

Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj janë të ndërthurura, duke u rritur në mure dhe reinventuar në një përzierje të gjuhëve në një mënyrë për të krijuar identitetin dhe ridizajnimin e hapësirës urbane, duke synuar ndërtimin e një historie të re. Ky shkëmbim kulturor ka kaluar kufijtë dhe ka krijuar në Tiranë një pikë të ngrohtë pritëse të artit. / KultPlus.com