Biblioteka e Aleancës Franceze do të hap dyert për shkëmbim librash

Aleanca Franceze në Prishtinë në bashkëpunim me ETEA do të nisin fushatën për shpërndarjen e librave në gjuhën franceze, shkruan KultPlus.

“Allo Bouquin? Librat për t’u huazuar!” do të jetë emri i fushatës, përgjatë së cilës lexuesit e gjuhës frenge do të kenë rastin të afrohen me librat e kësaj kulture nga biblioteka e Aleancës Franceze.

Nëpërmjet kësaj iniciative, lexuesit do të shprehin preferencat e tyre të leximeve, e që pastaj do ta kenë librin për lexim.

“Mjafton të na tregoni moshën, zhanrin tuaj të preferuar si dhe nivelin e frëngjishtes, ne do të zgjedhim një libër surprizë për ju. Kemi libra për të gjitha moshat dhe interesat, nga 3 deri në 100 vjeç!”, thuhet në njoftimin e kësaj fushate.

Të interesuarit do të kontaktohen për orën dhe vendtakimin se ku mund ta marrim librin, të cilin kanë të drejtë mbajtjeje deri në 3 javë.

Poashtu, për të qartësuar tutje këtë nismë do të mbahet edhe një takim. Takimi i parë për shkëmbimin e librave do të mbahet më 4 dhjetor, në orën 11:00, në objektin e Aleancës Franceze dhe do të shoqërohet me një atmosferë këngësh dhe librash francezë.

Për t’u bërë pjesë, ju lutemi plotësoni këtë formular: https://forms.gle/9QmAxcMktjNwA9gN7 / KultPlus.com

Prishtina me skulpturë të re dedikuar librit dhe shëndetit mendor

Kjo skulpturë  është vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, mes Kino “ABC” dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. E njejta do të qëndrojë për një muaj aty si lokacion ekspozues i veprës artistike, e më pas me organizimin e një ceremonie do t’i dhurohet bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”, në oborrin e së cilës do të qëndrojë përherë.

Në skulpturën e punuar nga Butrint Morina, qytetarët do të kenë mundësi të lexojë rezultatet e dala nga hulumtimi gjashtë mujor i organizatave partenere ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore si dhe Qendra për Afirmimin Social të të Rinjve.

Disa nga të gjeturat e gravuara në faqet e librit të kësaj skulpture janë, si vijon: “Nxënësit që lexojnë libra jashtëshkollor kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”; “Të lexuarit aktiv ka ndikim pozitiv në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve.”; “Fëmijët që lexojnë më shumë libra në vit dhe ata që janë të regjistruar në bibliotekë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”

Skulptura është pjesë e  projektit “Ndikimi i leximit aktiv në shëndetin mendor të fëmijëve” dhe është  përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe INDEP me burim financiar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjithashtu ky projekt përkrahet edhe nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Publikohet raporti: Fëmijët që lexojnë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë

“Fëmijët që lexojnë për shkak se e shijojnë të lexuarit kanë mirëqenie psikologjike më të lartë; si dhe ata që lexojnë më shumë libra në vit kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë më të lartë emocionale”. Këto kanë qenë të gjeturat kryesore të raportit hulumtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të Kosovës”, publikuar sot në ambientet e Qendrës “Libart”.

Për gjashtë muaj me radhë organizata ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore (QHPSM), dhe Qendra për Afirmimin të të Rinjve (CSAY), kanë punuar në realizimin e këtij raporti hulumtues, të gjeturat e së cilit kontribuojnë në fushën e edukimit dhe psikologjisë.

Në fjalën e saj hyrëse, menaxherja e projektit Fatime Rrahmani, tregoi më gjerësisht për rrjedhën e projektit, arsyet dhe konceptet e tij si dhe punën e organizatave partnere. 

Rrahmani tha se pothuajse i tërë projekti është realizuar virtualisht për shkak të kushtëzimit nga pandemia COVID-19. Ndërsa tregoi se ky studim thekson rëndësinë që të lexuarit ka në zhvillimin mendor te fëmijët. Po ashtu, shtoi se studimi është valid dhe se, sipas saj, mund të përdoret për intervenime në fushën e psikologjisë dhe edukimit. Fatime Rrahmani ndër të tjera tha edhe se sipas të gjeturave motivi i brendshëm është faktori kyç për nxitjen e procesit të të lexuarit.

E për të treguar më shumë për metodologjinë, rezultatet, përfundimet e rekomandimet e raportit, foli Diar Hajrizi, hulumtues kryesor i projektit.

Hajrizi, the se pjesëmarrës në projekt kanë qenë rreth 980 nxënës të klasave 6-9 të moshave 10-15 vjeç, dhe hulumtimi është shtrirë në 68 shkolla të 20 komunave të Kosovës. 

Diar Hajrizi, po ashtu tregoi se ndër të tjera, më këtë hulumtim kanë synuar ta masin edhe se cilat lloje të leximit dhe zhanret të librit ndikojnë në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale. 

Për më tej, ai u shpreh se rezultatet tregojnë se fëmijët që lexojnë më shumë libra dhe janë të regjistruar në bibliotekë gëzojnë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë. 

 Nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), të cilët e kanë mbështetur financiarisht këtë projekt, Dajana Berisha u shpreh se përkrahja e studimeve të tilla është e nevojshme pasi e ngrisin nivelin e raportit të shkencës, dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme në raport me tregun e punës. Berisha, gjithashtu shtoi se duhet të fokusohemi në të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Sipas saj, faza e parë është të nxënit në mosha të reja, faza e dytë formësimi dhe krijimi i identitetit dhe faza e tretë kontributi që pastaj ia dhurojmë shoqërisë. 

Për t’i komentuar të gjeturat nga prizmi psikologjik, e pranishme në panel ishte edhe psikologja Saranda Rexha.

Ajo tha se leximi duhet të promovohet si diçka që nxit kënaqësi dhe kjo duhet të fillojë nga mosha e hershme, më saktësisht para se të fillojnë procesin mësimor.  

Ndërsa, sociologu Roland Peraj, tregoi për trajtimin e fenomenit të lexueshmërisë nga këndvështrimi sociologjik.

Ai tha se janë disa faktorë që sipas tij e pengojnë nxitjen e procesit të leximit. Peraj theksoi se ndër ta, fakti kryesor është mungesa e kulturës së leximit, ndërsa aspekti historik, kurrikulat dhe infrastkruktura shkollore ndikojnë në uljen e nivelit të motivit për lexim. Ndërsa, sugjeroi të krijohet një strategji nacionale për lexim dhe të bëhet digjitalizimi i librave.

Nga audienca, Besnik Peci, psikolog dhe sociolog u shpreh se me këtë hulumtim janë vënë bazat e evidencës për rëndësinë e lexueshmërisë. Peci, njëherish psikolog i SOS Fshatrave të Kosovës, tha se prindërit dhe mësimdhënësit duhet t`i shpërblejnë dhe inkurajojnë fëmijët që lexojnë, dhe po ashtu, të krijojnë alternativa që leximi për fëmijët të jetë i këndshëm dhe jo i imponueshëm. 

Panelistët, po ashtu bënë më dije se përveç produkti kryesor të projektit që është raporti hulumtues, ditëve në vijim do të përurohet edhe skulptura që ngërthen trurin dhe librin, në faqet e së cilës do të gravohen rezultatet kryesore të raportit. 

Fatime Rrahmani, prezantoi edhe rekomandimet e dala nga projekti, disa prej të cilave janë: aplikimi i Biblioterapisë (seanca grupore me lexim të librave) nëpër shkolla, të hartohen më shumë hulumtime nga organizatat e shoqërisë civile dhe prindërit të investojnë në krijimin e këndeve me libra sipas preferencave të fëmijëve të tyre. 

Ky hulumtim është pjesë e projektit “Ndikimi i leximit aktiv në shëndetin mendor të fëmijëve” dhe është  përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe INDEP me burim financiar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjithashtu ky projekt përkrahet edhe nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Dy sulme ndaj minibibilotekave në Prishtinë, njërës i vidhen librat kurse tjetrës i thyhen xhamat

Dy minibiblotekat në Prishtinë sot gjatë ditës janë dëmtuar, asaj në lagjen “Bregu i Diellit” i janë thyer xhamat ndërsa tjetrës në “Lagjen e Spitalit” i janë vjedhur të gjitha librat, njofton organizata ETEA, shkruan KultPlus.com

Organizata ETEA, e cila njëkohësisht ka qenë implementuese e këtij projektit ka dalur sot me një komunikatë përmes së cilës ka dënuar këto akte. Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që janë sulmuar minibiblotekat e reja në ngritje.

Këtu keni reagimin e plotë të organizatës ETEA rreth këtij incidenti:

REAGIM
NDAJ SULMIT ME GURË NË MINIBIBLIOTEKËN E “BREGUT TË DIELLIT” DHE NDAJ VJEDHJES SË LIBRAVE NË MINIBIBLIOTEKËN E “LAGJES SË SPITALIT”

Prishtinë, 23 nëntor 2019

Të nderuar qytetarë,

Nga banorët e “Bregut të Diellit” dhe “Lagjes së Spitalit” kemi pranuar njoftime se minibibliotekat e këtyre dy lagjeve që u inaguruan më datë 21 nëntor 2019 janë dëmtuar dhe keqpërdorur, përkatësisht njëra është sulmuar me gurë dhe i janë thyer dritaret, ndërsa tjetra ka mbetur pa asnjë libër.

Nga përvoja e deritanishme kemi kuptuar se minibibliotekat janë në rrëzik të lartë në ditët e para dhe kjo duket se vjen nga kurreshtja e tepërt e faktorit njeri, pamundësia e këtij të fundit për ta pranuar të renë dhe paaftësia e pandjeshmëria për t’u kujdesur dhe vlerësuar pronën e përbashkët. Me pak fjalë, derisa minibibliotekat të bëhen pjesë e përditshmërisë sikurse në lagjet “Dardania” dhe “Ulpiana” – ato do të dëmtohen dhe/apo keqpërdoren.

Prandaj, ne tashmë kemi ndërmarrë masat e nevojshme duke njoftuar fillimisht Policinë e Kosovës dhe duke vëzhguar kamerat për ta identifikuar personin/at që kanë bërë këto veprime të pahijshme, me ç’rast do të nisim procedurat e nevojshme juridike.

Rastet në Policinë e Kosovës janë cilësuar si vepra penale: Dëmtim i pronës dhe vjedhje e rëndë.

Pas përfundimit të procedurave juridike, kemi kënqësinë të njoftojmë komunitetin kontributdhënës dhe lexuesit se ne do të organizohemi për ta bërë sa më shpejt rimbushjen me libra të minibibliotekës në “Lagjen e Spitalit” dhe renovimin e minibibliotekës në “Breg të Diellit”.

Shfrytëzojmë rastin të falënderojmë qytetarët e kulturuar që po kujdesen për minibibliotekat, për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre që të kontribuojnë në të gjitha aspektet për mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e minibibliotekave.

Të gjithë jemi të vetëdijshem se lexues ka më pak, por fuqia e dijes është më e madhe se çfardo force tjetër dekonstruktive. Prandaj, siç kemi thënë edhe më parë, minibibliotekat do të ndërtohen. Edhe nëse rrënohen – minibibliotekat do të rindërtohen – derisa rrënuesit të bëhen lexues.

Shihemi së shpejti në hapjen e minibibliotekave në Sheshin “Nëna Terezë”, Lagjen “Qafa”, Taukbahçe, Sheshin “Adem Jashari”, Kampusin Universitar, Lagjen “Arbëria” dhe në Parkun e Qytetit të Komunës së Prishtinës”.

KultPlus.com

Dëmtohet minibiblioteka që u hap dje në Dardani, reagon ETEA

Dëmtohet minibiblioteka që u hap dje në Dardani, reagon ETEA, shkruan Klan Kosova transmeton KultPlus.com

Mbrëmë gjatë mbikëqyrjes së minibibliotekës që u përurua gjatë ditës në lagjen e Dardanisë në Prishtinë është sulmuar me vezë.

Për këtë ka reaguar edhe organizata joqeveritare “ETEA” duke kërkuar që këtë ta bëjnë edhe qytetarët e lagjes, njofton Klan Kosova.

“Lusim qytetarët që nëse nuk përdorin minibibliotekat së paku të mos i keqpërdorin ato. Dhe, lusim të gjithë lexuesit/et e lagjes “Dardania” në Prishtinë, dhe jo vetëm, që të reagojnë ndaj kujtdo që tenton t’i dëmtojë minibibliotekat si dhe të na njoftojnë për çfarëdo parregullsie në raport me minibibliotekat”, thuhet në reagim.

“Ndërsa ne, shihemi së shpejti në ceremoninë e hapjes së minibibliotekës në lagjen Ulpiana, Prishtinë”.

“ETEA” thotë se minibibliotekat do të ndërtohen dhe edhe nëse rrënohen ato do të rindërtohen, derisa rrënuesit të bëhen lexues.

Pensionisti shpallet lexues i dalluar në Prishtinë

Në komunën e Prishtinës është mbajtur edicioni i pestë i festivalit “Prishtina Lexon”. Në kuadër të këtij festivali, në përmbyllje të aktiviteteve, janë shpallur tre lexuesit e dalluar në këtë komunë.

Nga organizata ETEA kanë njoftuar se për këtë titull janë vlerësuar të gjitha grupmoshat, dhe një nga lexuesit e dalluar është shpallur pensionisti Hazir Mehmeti.

Po ashtu, nxënësja Era Dragusha dhe studenti Flamur Foniqi, janë nderuar me këtë titull.

Lexuesve të dalluar u ndanë mirënjohje kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti dhe Fatime Mehmetaj nga biblioteka “Hivzi Sulejmani”. Atyre po ashtu u dhuruan libra Iliriana Hasaj nga Libraria “Dukagjini”, Bukurije Demolli nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe përfaqësues nga Aleanca Franceze, përcjell albinfo.ch.

“Prishtina Lexon”, një ngjarje tradicionale tashmë në Prishtinë, përgjatë datave 1-5 qershor, solli aktivitete për të gjitha grupmoshat në kryeqytet. Aktivitetet ishin të ndryshme, por me një qëllim të njejtë: vetëdijësimin për rëndësinë e librit dhe kultivimin e shprehisë së leximit.