Ekspozita ‘ICY’ nga Neroni, me 20 shkurt në Prishtinë

Bashkimi Evropian në Kosovë gjithmonë ka ndihmuar në kulturën dhe artin e vendit, kësisoj duke përkrahur edhe artistët e rinj dhe vizionin e tyre.

Me datë 20 shkurt, duke filluar prej orës 19:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së do të hapet ekspozita ‘ICY’ nga Neron Deshishku.

Ekspozita e fotografisë sjellë disa punë artistike të Neronit ndër vite, fotografi të cilat Neroni me aparatin e tij i ka kapur në kohën dhe momentin e duhur duke përcjellë kësisoj emocionin e mishëruar në pamje vizuele. Për Neronin, fotografia si medium i shprehjes artistike mund ta ndryshojë mendimin tonë për botën, dhe perspektivën tonë mbi të.

https://www.instagram.com/p/BsRSat6nVP0/?utm_source=ig_web_copy_link

Neroni ka nisur të merret me fotografi qysh i vogël, i ndihmuar nga babai i tij, ndërsa ka eksperimentuar edhe me film, muzikë, poezi.

Fotografia më pas u bë mënyra e tij kryesore e shprehjes artistike. Nisur prej fytyrave të njerëzve, momenteve të mira, peizazheve të bukura, në këtë ekspozitë do të mund të zbuloni mbi sytë e Neronit që shkrihen në lensin e aparatit dhe dokumentojnë fotografi që mbesin përgjithmonë të printuara në kujtesë, shkruan KultPlus.

https://www.instagram.com/p/Bp70_YZndae/?utm_source=ig_web_copy_link

Në vitin 2018-të, Neroni ka diplomuar nga Speos Paris Photographic Institute. / KultPlus.com

View this post on Instagram

Half of us will always remain hidden.

A post shared by Neron Deshishku (@nerondeshishku) on

‘Ajo’ nga More Raça, një reflektim mbi rrugëtimin e grave të cilat ikin prej dhunës

Arbër Selmani

Lajmet për dhunën e ushtruar ndaj grave po shtohen dita-ditës, njëjtë si barra e zemrës së qytetarit i cili lëngon prej dhimbjes kur dëgjon se gruaja kosovare vendin më të rrezikshëm e ka pikërisht brendësinë e shtëpisë së saj.
Megithatë, shpesh një grua largohet, merr zemër dhe zgjedhë diçka më të mirë, ose veç merr rrugë të cilën nuk e njeh por e ndjen se nuk ka dhunë në atë drejtim.

E njëjtë është gruaja në filmin “Ajo” nga More Raça. Vajza e saj e largon nga babai dhe vëllau, ndërsa nëna e lumtur bashkë me vajzën në veturë largohen për një jetë më të mirë. Nëna e ka fytyrën me shenja nga goditjet e dhunës, derisa vajza në fund të filmit ka arsye të buzëqeshë. Burri është i tmerrshëm, e djali është viktima që pajtohet me të atin. Por ka një shpëtimtare, e cila e kupton më së miri zemrën, trupin dhe fizikun që dhemb të nënës së saj të pafat.

Aurita Agushi, Sunaj Raça, Florist Bajgora dhe Diella Valla janë katër aktorët e filmit “Ajo” me regji nga More Raça, i cili mbrëmë u shfaq në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në kryeqytet, në kuadër të dhjetorit që në këtë Qendër po shënohet si muaji i grave të suksesshme kosovare, në fushën e artit dhe kulturës.

Filmi 12-të minutësh tregon për dhunën në familje, një inspirim i radhës i regjisores e cila sapo është kthyer nga Amerika, atje ku e promovoi filmin e saj dhe e cila pret që ndoshta ky film të mund të nominohet në listën e ngushtë të filmave të shkurtër në ceremoninë Oscars.
“Unë e kam ndje obligim me e përdorë artin tim për të mirën e shoqërisë, për me ngritë debate, dhe gjithmonë kam dashur me sjellë në ekran histori të parrëfyera. Filmi “Ajo” për mua ka qenë një proces i ndjeshëm dhe i dhimbshëm sepse gjatë shkrimit të skenarit kam takuar gra që janë viktimë e dhunës, disa prej tyre edhe kanë nisur një jetë të re dhe janë larguar” tregoi në bisedën e zhvilluar pas filmit regjisorja More Raça.

Filmi ka nisur mbarë, ndërsa është shfaqur për 15 ditë në rreth 350 kinema rreth e qark Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas filmi fitoi në Mahnattan ndërsa para pak ditësh morri çmimin special të jurisë në Kajro, në një festival të kategorisë A. Historia shqiptare kësisoj shndërrohet në histori universale, e dhuna ndaj gruas kosovare bëhet dhuna ndaj secilës grua. Sepse në fakt, të rrahësh një grua duket sikur ke goditur secilën grua që merr frymë në këtë botë.
“Fundi i lumtur i filmit tregon se ka shpresë. Unë gjithmonë e kam pyetur veten se pse këto gra nuk ikin, nuk largohen, por gjithmonë ka arsye e rrethana të ndryshme. Në film së paku vjen një fund me buzëqeshje. Unë dua poashtu me këtë film të reflektoj mbi atë se sa bën ky shtet dhe kjo shoqëri për këtë rrugëtim të largimit të këtyre grave, dhe sa i sigurtë është ky rrugëtim” tregon tutje More Raça, regjisore e filmit “Ajo” dhe disa filmave të tjerë të cilët gjithmonë lidhen me gruan kosovare dhe me realitetin rreth saj.

Gjatë filmit janë përdor kuadro të fytyrës të cilët qëndrojnë të tillë për disa minuta, dhe sipas Moresë kjo vjen sepse ajo dëshiron që audienca të futet thellë në personazhet gra brenda filmit dhe në emocionet e tyre.
“Unë si i vogël jam mësu me e pa gruan dhe femrën si pjesë timen, prandaj shpesh e kam problem me e kuptu edhe rolin tim në film, se si dikush pajtohet me një trajtim të tillë ndaj gruas” tregon në anën tjetër Florist Bajgora, aktor në këtë film, në rolin e djalit të familjes i cili është dukshëm një viktimë e mentalitetit por nuk bën zë dhe pajtohet me trajtimin që po i bëhet nënës së tij.

E pranishme në diskutim ishte edhe Aurita Agushi, aktore në film, e cila barti mbi vete fuqinë e tërë filmit duke qenë gruaja e heshtur që flet me zë më shumë se me gojë. Ajo tregon se ndihet e lumtur që ka punuar në këtë film i cili po pritet mirë dhe ka marrë hovin e tij nëpër botë.
“Më ka pëlqyer skenari dhe e kam lexuar me shumë kujdes. Sidomos titulli “Ajo” më intrigoi shumë sepse nuk e dija kush ishte ajo. Ajo mund të isha unë ose edhe secila në këtë audiencë. E kam përcjellë suksesin e filmave të mëhershëm të Moresë dhe më pas më pëlqeu të isha pjesë në këtë film, i cili trajton një problematikë të shoqërisë kosovare, problematikë aktuale dhe shumë shqetësuese” tregon Agushi.

Gjatë diskutimit Agushi tregoi edhe për përvojën e saj në Oscars, kur ajo ishte pjesë e filmit “Shok” i cili u nominua në listën e ngushtë për Ceremoninë Oscars në vitin 2016-të.

Sot, me fillim prej orës 16:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian do të diskutohet mbi gruan kosovare dhe diplomacionë kulturore, me Nita Dedën, Vjosa Berishën, Arta Aganin, Zana Hoxha Krasniqin, Donika Rudin dhe Besa Luzhën. / KultPlus.com

Liburn Jupolli të enjten dhe të premten mban seminar në EUICC

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë ju fton të merrni pjesë në një seminar ekskluziv 2 ditor me kompozitorin dhe muzikantin Liburn Jupolli më 11 dhe 12 tetor nga ora 17.00-19.00.

A keni menduar ndonjëherë për përgjigjet e pyetjeve më poshtë:
Si mësoni?
A mund të mësoni muzikën, matematikën, biologjinë, arkitekturën në të njëjtën kohë?
Si duket muzika në trurin tuaj?
Mund të dëgjoni ngjyrat, ose të shihni muzikë?

Ejani dhe gjeni në një seminar të veçantë të përshtatur posaçërisht për të kuptuar se a jeni ju një nga këta njerëzit e veçantë. Nëse ju nuk jeni në mesin e tyre mësoni se si mund ta përdorni këtë njohuri në të mirën tuaj?
Në këtë punëtori ju do të njoftoheni me rastet e rralla të “synesthesia” dhe me gjetjet e fundit se si mund të mësoni më mirë duke përdorur disa shqisa. Ju po ashtu do të bëheni pjesë e një testi i cili do të vlerësoj perceptimin tuaj ndaj muzikës, tingujve dhe anës vizuale për të zbuluar nëse ju jeni në mesin e 6% të popullsisë të cilët i kanë të lidhura shqisat e tyre. Cilët janë njerëzit prapa këtij zbulimi dhe cilat janë gjetjet e fundit rreth kësaj çështje?

Liburn Jupolli është kompozitor, pianist dhe novator në fushën e muzikës klasike dhe zhanreve alternative. Ai ka një interes të veçantë në inovacionin e instrumenteve muzikore dhe në përmirësimin e komunikimit dhe edukimit muzikor, si një mjet i komunikimit tërësor dhe si një mjet që mund të shërbejë për të mësuar lëndë të tjera, të tilla si matematika. Aktualisht, ai është duke studiuar në Francë, ku ka diplomuar në EdTech, me fokus në zhvillimin e instrumenteve muzikore nëpërmjet të mësuarit teknologjik dhe multisensor në CRI – Centre de Recherche Interdisciplinaire – Paris Descartes, ku është kandidat PhD.

Leksionet do të mbahen në gjuhën shqipe dhe të interesuarit për pjesëmarrje mund të regjistrohen në [email protected] ose duke telefonuar në 038 259 999./ KultPlus.com

HAVEIT: ‘Ne jemi grup artistik që i takojmë rrugës’

Punët e tyre artistike kanë ditur gjithmonë të godasin në realitetin kosovar. Kosovarët lirshëm shpesh edhe i kanë kërcënuar, aq lirshëm sa çdo ditë kërcënohet në këtë shoqëri kosovare ku luhet me letra të hapura kur vjen puna te kërcënimet paskrupull, por katër vajzat e grupit HAVEIT nuk kanë ndaluar.

Puthja e tyre në Sheshin e qytetit në Prishtinë ende është momentum i kohës. Tregimi i vajzave gjithmonë është i begatshëm edhe vite e vite pas debutimit të tyre artistik.

Sot në Qendrën Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian, Hana Qena dhe Alketa Sylaj nga HAVEIT ishin pjesë e një bisede artistike – small artistic talk – ku treguan më shumë për përvojën e tyre dhe për planet e tyre, shkruan KultPlus.

Vajzat që jo shumë kohë më parë arritën deri te vëmendja e The Guardian për shkak të billbordeve me emrat e viktimave familjare – mes tyre Diana Kastrati e Zejnepe Bytyqi, para audiencës në Prishtinë prezantuan të kaluarën e tyre dhe vizionin për një të ardhme ku katërshja e vajzave thumbojnë bash aty ku nuk pritet e përllogaritet.
“Është interesante sepse punët tona lindin shumë shpejtë, sepse nëse nuk i realizojmë ashtu atëherë edhe ne jemi vetëm disa të rinj që mbesin duke u ankuar. Ne kemi pasur fillimisht opinione të fuqishme që i kemi përkthyer në punë. Punët tona vijnë si nevojë prej problemeve me të cilat ballafaqohemi çdo ditë” tregoi mes tjerash Alketa Sylaj.

Grupi foli për fillimet në vitin 2011-të, për punët artistike që pasuan – “Jepi me gojë” apo “Tagër”, për performancat e tyre në hapësirë publike por edhe për faktin se me kalimin e kohës ato janë zhvilluar dhe sot vijnë si artiste në forma të ndryshme.

“Performancat tonë janë performanca përtoke, e kur kemi dalë në rrugë e kemi kuptuar si është të njoftohesh me të panjohurën. Në plot prej performancave tona më pas ne vetë si HAVEIT kemi hasur probleme, kemi hasur në pyetje prej familjarëve në lidhje me performancat, por kjo është vetëm pjesë e punës dhe angazhimit tonë” tregoi Hana Qena.

U debatua edhe për puthjen e famshme që katër vajzat e realizuan para disa vitesh përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, në ditën e Shën Valentinit, si revoltë ndaj shtypjes që kjo shoqëri i bën dashurisë mes personave të gjinisë së njëjtë.
“Është interesant fakti se kur shkuam në Polici, ata vetë na thanë që ta fshinim fotografinë që e kishim vendosë në rrjete sociale, ku po putheshim. Atyre u dukeshim një komunitet qesharak ndërsa kemi marrë atëherë plot mbështetje por edhe plot kërcënime. Megjithatë kjo ka qenë një kohë kur ka pasur debat rreth komunitetit LGBT” tregoi Hana Qena.

Pasi prezantuan një pjesë të punëve të tyre artistike ndër vite, HAVEIT treguan për planet.
Në korrik do të kenë një ekspozitë në Tiranë ndërsa më vonë do të jenë pjesë e një residence artistike jashtë vendit. Një pjesëmarrje në Shkodër poashtu do të jetë pjesë e planit artistik të Vesa Qenës, Lola Sylajt, Hana Qenës dhe Alketa Sylajt. / KultPlus.com

Adea Ademi dhe Srdjan Conic, fituesit e garës për posterin më të mirë lidhur me arsimin cilësor (FOTO)

Gili Hoxhaj
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian kanë organizuar mjaft aktivitete për të shënuar Ditën e Evropës. Një ndër ta ka qenë edhe gara për dizajnimin e postereve dhe sloganeve në rëndësinë e arsimit cilësor në Kosovë.

Në një ekspozitë në Qndren Informative dhe Kulturore t Bashkimit Evropian, janë prezantuar punimet e garuesve dhe janë ndarë dy çmime kryesore për dizajnimin e posterit dhe sloganit më të mirë. Sredan Conic dhe Adea Ademi, kanë fituar çmimet kryesore të kësaj gare, shkruan KultPlus.

“Educated people don’t settle for underdevelopment”, shkruhet në sloganin e Adea Ademi, e cila sot edhe pranoi shpërblimin për vendin e parë. Pasi që pranoi çmimin, ajo u shpreh falënderuese ndërsa tha se puna në këtë poster i ka dhuruar shumë kënaqësi. Ajo po ashtu falënderoi edhe profesorin Agon Nimani.

Riccardo Serri nga Bashkimi Europian tha se kjo është një javë shumë e rëndësishme e cila do te përcillet me shumë aktivitete.

“Në kuadër të kësaj nuk po festojmë vetëm për Evropën por edhe për Rëndësinë e Edukimit dhe dhe ky është qëllimi i kampanjës tonë që fokusohet në rëndësinë e arsimimit. Ne do të mundohemi që t’iu mbështesim sa më shumë në këtë aspekt “u shpreh Serri.
Serri po ashtu tha se kjo ekspozitë përmban punime shumë të bukura dhe është vështirë që të dhurohet vetëm një çmim.

Posterët janë pjesë e ekspozitës në EUICC në Prishtinë dhe në Mitrovicë, si pjesë e aktiviteteve për Ditën e Evropës. / KultPlus.com