Nesër do të dorëzohet Çmimi Vjetor për Teatër, laureat Fadil Hysaj

Nesër , në ora 12:00, në kabinetin e ministrit Kujtim Gashi, organizohet ceremonia e ndarjes së Çmimeve Vjetore për Teatër për vitin 2016, shkruan KultPlus.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore i ndahet regjisorit Fadil Hysaj. Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë për vitin 2016 i ndahet shfaqjes “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit nën regjinë e Martin Koçovskit. Çmimi vjetor për regjinë më të mirë i ndahet regjisores Sevdije Ajeti për shfaqjen “Sapotlem” të autorit Juan Jose Arreola.

Çmimi për aktorin/aktoren më të mirë për 2016-tën i ndahet balerinit Sinan Kajtazi për rolin kryesor Albert në shfaqjen e baletit “Zhizell”. Çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar i ndahet Qendrës Multimedia./KultPlus.com

Gashi: MKRS-ja do të jetë e hapur për një bashkëpunim më të madh me shoqërinë civile

Ministri Kujtim Gashi, ka takuar drejtuesit e Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK), të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv Albert Heta dhe anëtarët tjerë të bordit, profesori Fadil Hysaj, regjisori Fatos Berisha e Sali Shoshi nga CHwB.

Në takim u diskutua për situatën kulturore në vend dhe se si ajo të përmirësohet dhe aktivitetet kulturore brenda dhe jashtë vendit të prezantohen sa më mirë. Në lidhje me këtë, ministri Gashi ofroi gatishmërinë e plotë të tijën personale por edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të punuar bashkërisht ashtu që politikat kulturore dhe implementimi i tyre të jetë që kultura të ketë rolin dhe vendin e vet meritor në vend dhe në skenën kulturore ndërkombëtare. “Ministria do të jetë adresa e duhur për përkrahjen e kulturës dhe do të jetë një derë e hapur për bashkëpunim të mirëfilltë në të mirë të kulturës dhe mbështetje të vlerave”, tha ministri.

Ministri e vlerësoi punën që bëjnë institucionet dhe organizatat e pavarura kulturore, duke qenë një faktor i rëndësishëm që e mban gjallë kulturën në vendin tonë, e që në bashkëpunim edhe me institucionet nacionale, duke filluar me MKRS-në, e përmbushin mozaikun që kultura të jetë një tërësi./ KultPlus.com