Askush nuk ta garanton se në darkë do i shohësh prapë familjarët e tu, ndaj duaji, puthi dhe përqafoji çdo mëngjes

Një herë një mësuese filloreje u la një detyrë studentëve të saj. Ajo u kërkoi të shkruanin se çfarë do të donin të bëheshin, kur të rriteshin. Disa shkruan se donin të bëheshin astronautë, disa aktorë, disa këngëtarë dhe disa të tjerë shkencëtarë. Ndër gjithë fletët e dorëzuara, ajo dalloi njërën si më të veçantë. Një djalë kishte shkruar: “I lumtur”.

Mësuesja shkoi drejt djalit dhe i tha: “Xhon, më duket se e ke keqkuptuar pyetjen”.

Ndërsa ai ia ktheu: “Mësuese, më duket se ju keni keqkuptuar jetën”.

Nuk e di se çfarë ka ndodhur me ne, por përkufizimi ynë për suksesin ka ndryshuar shumë me kalimin e kohës. Sot, suksesi është i lidhur ngushtë me fuqinë që të jep paraja. Luftojmë shumë të pasurohemi me mendimin se ashtu do të fitojmë sukses dhe në atë mënyrë do të fitojmë lumturi. Në mendje më vjen një thënie e Jim Carrey-t: “Do të doja që gjithkush të ishte i pasur dhe të bënte çdo gjë që dëshironte për të kuptuar se paraja nuk është gjithçka”.

Ajo që ai nënkupton, është se lumturia është gjithçka dhe lumturia është një punë e brendshme. Është përpjekja për t’u përmirësuar dhe për të qenë një njeri më i mirë. Është dëshira për t’i ndihmuar të tjerët, për t’i mbështetur ata dhe për të falur dashuri.

Ne jemi kaq të zënë me teknologjinë dhe celularët tanë, saqë harrojmë se ajo që ka rëndësi është lumturia. Kur dalim nga shtëpia, kontrollojmë nëse kemi marrë me vete portofolin, çelësat dhe celularin, por harrojmë të përqafojmë njerëzit e dashur që mund të mos i shohim sërish në darkë. Mos u çudit. Jeta është plot me të papritura. Askush nuk ta garanton që në darkë do t’i shohësh sërish familjarët e tu, ndaj fal dashuri. Lumturia është gjëja më e rëndësishme në jetë dhe ajo s’mund të blihet me para…

Në familjen shqiptare të Novi Pazarit

Të njohur historikisht për zanatet e punimit të arit dhe argjendit nuk është çudi që në qytetin e vogël të Novi Pazarit, aktualisht me më pak se 100 mijë banorë të gjesh një rrugë të tërë me dyqane aksesorësh të çmuar, ku rruga e pamirëmbajtur bën kontrast me luksin e vitrinave.

Në dyqanin “Smaragd” (Smerald) pronari Redzep Škrijelj thotë se këto kohë krize ekonomike nuk janë aq të mira për stolitë. Megjithëse hyrje-daljet e njerëzve dhe interesimi për unaza, varëse, vathë e byzylykë tregon se vendasit kanë uri për objektet e metaleve të çmuara.

“Mbiemrin e kam Shkreli”

Škrijelj, profesor në Historinë Orientale në Universitetin e Novi Pazar, thotë se ky lloj biznesi është edhe pasioni i tij. Duke folur shqip dhe maqedonisht, pasi mëson kombësitë tona, ai rrëfen se familja e tij prej Peshterit, një fshat malor në rajonin e Rashkës, e kanë origjinën shqiptare.

Kthehet duke treguar një fotografi të varur në murin e dyqanit ku një malësor me qeleshe kullot bagëtitë. “Unë mbiemrin e kam Shkreli dhe familja ka emigruar prej Koplikut” –zbulon Škrijelj. Pasi u vendosën në rajonin e Rashkës, familja e tij u nis të emigronte drejt Turqisë. Me shpresën se mund të merrnin një vizë në Shkup, mbetën aty për vite. “Unë shkollën fillore, të mesmen dhe univertitetin e kam kry’ në Shkup”, zbulon historiani, ndërsa shton se zanatin e punimit të arit dhe argjendit e mësoi në Shkup. Më pas familja vendosi të kthehej edhe njëherë në Novi Pazar, ku bashkë me të vëllain Nexhibin zotërojnë dy dyqane stolish.

Në Prizren kam mësuar si punohet

Disa prej aksesorëve janë të punuara me dorë prej tij. “Por jo të gjithë janë punime dore, pasi pak interesohen për to”, thotë, ndërsa shpjegon procesin e punimit të stolive me shtampa të gatshme, por të gjitha të prodhuara në qytet.

Prej banakut, të mbështjellë në cohëra të kadifenjta nxjerr disa stoli me motive të vjetra, punuar me filigran. “Këto janë të gjyshes. Sot zor se gjen ndokënd që i prodhon. Asht’ shum’ v’shtir. Ama Tirana, Shkodra dhe Prizreni jan’ njoft për filigranin. N’Prizren kam msue’ shumë si punohet” , thotë Škrijelj, ndërsa tregon se bashkëshorten e ka marrë prej Prizrenit. “Por nuk e flet gjuha shqipe, flet gjuha turke”.

Të parët ….pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake

Thotë se në familjen e tij kanë folur shqip dhe kur e pyesin ai thotë se ndihet nëntëdhjetë përqind shqiptar dhe dhjetë përqind boshnjak, pasi shpjegon sesi të parët e tij pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake. Pasi të ketë mbyllur dyqanin në rrugën e stolive, thotë se do të merret me organizimin e një eventi të rëndësishëm për të gjithë boshnjakët.

“Sot me 20 të nandorit asht’ dita e Sanxhakut dhe asht’ shumë me randsi. Sot do të kemi nji kremtim, kurse nesër asht’ nji mbramje kushtu’ poezisë boshnjake” , thotë Škrijelj, duke zbuluar se është edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve në Novi Pazar. “Ka shumë shqiptar’t mes boshnjakve. Ngaqë kanë harru’ gjuhën janë deklaru’ si boshnjakë”, rrëfen profesori ndërsa bën një rrugëtim në histori, duke përfunduar se gjuha është një element i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit./DW

Piktorët pa atelie

Në fshatin Lepinë afër Komunës së Lipjanit jeton një familje 7 anëtarësh rome. Vëlla e motër, ndonëse nuk kanë të përfunduar shkollën e artit, ata tashmë kanë mbi 200 piktura, të cilat i kanë punuar vetë.

Janë këta Bajram e Fahrije Mehmeti, të cilët në kushte mjaft të vështira ekonomike, megjithatë, kanë arritur që pasionin e tyre për pikturën mos ta shuajnë. Ndonëse shtëpia e tyre ka vetëm dy dhoma për të 7 anëtarët e familjes, ata e shfrytëzojnë për të fjetur, të ushqehen dhe jetojnë, si dhe e kanë improvizuar si atelie, për të pikturuar.

Bajram është 37 vjeçar. Ai thotë se përmes artit përpiqet që të pasqyrojë kulturën rome. Pothuajse të gjitha pikturat e tij kanë lidhshmëri me jetën e komunitetit rom në Kosovë.

“Kryesisht pikturoj jetën e romëve, e paraqes kulturën rome dhe doket tona. Gjithashtu më pëlqen të pikturoj natyrën, peizazhet dhe portretet”.

“Mund të them se punojmë me material i cili është lehtësisht i qasshëm për ne, për shkak se nuk kemi kushte të punojmë. Punojmë me teknikën e temperit, në letër. Kam dëshirë të punoj në pëlhurë, por për shkak të materialit që nuk e kemi, sepse nuk kemi kushte të mjaftueshme, punojmë me ato që kemi. Pra, unë dhe motra ime Fahrija, punojmë në letër dhe në këtë mënyrë prezantojmë kulturën dhe jetën tonë, përmes kësaj teknike”, tha Bajrami.

Bajrami thotë se në dy raste ka hapur ekspozitë, një herë në Komunën e Graçanicës dhe herën tjetër në Galerinë e Arteve të Kosovës. Për këtë të fundit,në të cilën janë ekspozuar mbi 200 piktura, Bajrami thotë se ku është pritur me mjaft interesim.

“Kjo ekspozitë është mbajtur në vitin 2012. Ka pasur mjaft njerëz që i kanë shikuar punimet tona. Kjo ka qenë ekspozitë e veçantë, të cilën e kemi pasur në Kosovë”, tha Bajrami.

Ai shtoi se deri më tash, nuk kanë marrë ndonjë ndihmë për t’ua lehtësuar kushtet e punës.
“Deri më tash as që kemi kërkuar, por besoj që për punën tonë kanë dëgjuar, por edhe e kanë parë, mjaft njerëz”.

“Unë jam një artist autodidakt dhe që kur kam qenë fëmijë i vogël kam nisur të pikturoj. Nuk kam përfunduar shkollimin për pikturë, për shkak të kushteve, të cilat nuk i kemi pasur, sepse jemi një familje mjaft e varfër”.
“Megjithatë, jam lajmëruar në një shkollë private për pikturë. Kjo ka qenë moti, në vitin 2000, në Uglare. Kështu kam mësuar mjaft teknika. Kështu edhe e kam përsosur punën time”, tha Bajrami.

As Fahrije Mehmeti, 39 vjeçe nuk ka të kryer shkollë për artin. Ajo ka mbaruar vetëm shkollën fillore. Ndonëse nuk ka pasur mundësi të vijojë më tej shkollimin, Fahrija tash është një artiste. Ajo pikturon portrete, ku përmes tyre pasqyron kulturën rome, komunitetit që edhe vetë i takon.

Përpos pikturave Fahrija , së voni ka filluar të pikturojë edhe shamitë, që i përdorin kryesisht komuniteti rom.
“Për mua do të thonë shumë kjo punë që bëj , pasi unë kam punuar portrete në letër, dhe tash punoj si ide të re, shamitë I ngjyrosi me ngjyra ku pasqyroj të njëjtën ide, pra kulturën rome, por jo në letër por ne material. Teknikën e njëjtë e përdori”.

Fahrija shpreson se dikush do t’iu ndihmojë që ata ta kenë një atelie të tyre, e që edhe është ëndrra e vetme e Fahrijes.
“Tash kemi një projekt, i cili dhëntë Zoti të ketë sukses, me ndihmën e njerëzve të mirë. Nëse ata kanë vullnet, të na ndihmojnë që ky projekt të ketë sukses, në mënyrë që të mbledhim para sa është e nevojshme që ta kemi atelienë tonë dhe material të mjaftueshëm që të punoj unë dhe vëllai im, me teknikën të cilën e ka”.

“Mund të them se pasqyrojmë kulturën rome, por edhe grave të Kosovës. unë këtë e bëj përmes imagjinatës, ashtu siç më vjen ideja dhe e shpërfaqi. Tash për tash i kam të gatshme rreth 50 portrete”, tha Fahrija.

Sidoqoftë, ëndrra Bajramit dhe Fahrisë mbetet ndërtimi i një atelieje, gjithsesi me vullnetin e mirë të njerëzve që do të mund t’ju ndihmonin, dhe më pas ku ata do të mund të punonin duke shprehur talentin e tyre, shkruan Insajderi./ KultPlus.com