Pianistja e kompozitorja franceze zgjedh Prishtinën për t’i dhënë fund karrierës si pianiste

Gili Hoxhaj

Sonte në Prishtinë po mbahet koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës, i cili u hap me veprat e kompozitores e pianistes nga Franca, Fançoise Choveaux e cila në Prishtinë ka ardhur me ftesë të Ambasadës Franceze dhe Filharmonisë së Kosovës, shkruan KulPlus.

Instrumentistët harkorë të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës sonte zbërthyen dy vepra të saj nën urdhrat e dirigjentit Oscar Rubilar, dirigjenti i cili zhvillimin muzikor e ka bërë në Kili, Zvicër dhe në Mbretërinë e Bashkuar. “Simfonia Indiko Op.2- për orkestër harkore”, ishte vepra e pianistes e kompozitores Françoise Cheveaux që hapi programin.

Në veprën e dytë “Concerto d’hiver- për piano dhe orkestër harkore”, Cheveaux iu bashkuar orkestrës me lojën e saj pianistike, duke nxjerrë në pah dhe më tepër virtuozitetin e saj edhe prej pianisteje. Piano e vendosur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, është pianoja e fundit që asaj do t’i shërben për një koncert të këtij formati, e publiku i Prishtinës i fundit që shijoi lojën e saj pianistike.

Pasi që u largua nga skena me plot duartrokitje, pianistja Françoise Cheveaux u rikthye përsëri për të përshëndetur publikun e Prishtinës. Në këtë koncert, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari njoftoi të pranishmit se pianisja Choveaux në Prishtinë po e përmbyllë karrierën e saj prej pianisteje por jo dhe si kompozitore.

“Ky është koncerti i saj i fundit për Françoise Cheveaux si pianiste por jo edhe si kompozitore”, ka thënë Jashari.

Françoise Choveaux deri më tani ka shkruar më shumë se 170 vepra muzikore për të gjitha formacionet, nga solo deri të ato me orkestër simfonike. Veprat e saj janë interpretuar në Evropë, Azi dhe Amerikë./ KultPlus.com