Mësuesi në pension, Fazli Kikaj mbetet në paraburgim edhe për një muaj

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për vazhdimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji mësuesit në pension, Fazli Kikajt.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj, i cili ka bërë të ditur se Kikaj mbetet në paraburgim deri më 27 qershor.

“Ndaj të pandehurit F.K., Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm,– Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 26.05.2022,. ka marrë Aktvendim dhe ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, e cila masë mund të zgjasë deri më datë 27.06.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ofrim i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç nga neni 231 par. 1 të KP-së”, thuhet në përgjigjen e Lekajt për Sinjalin.

Po ashtu bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se me lirimin e Kikajt, ekziston rreziku se i njëjti do të përsëris veprën penale për të cilën dyshohet, të kryejë vepër tjetër penale, apo edhe të dëmtojë provat materiale të cilat duhet ekzaminuar në të ardhmen.

Kujtojmë se Fazli Kikaj u bë kryefjalë e mediave javë më parë pas detajeve tronditëse të publikuara në emisionin ‘Piranjat’ në ABC, ku përkundër që gazetarja është prezantuar si 15-vjeçare, 76-vjeçari ka bërë biseda erotike me të dhe i ka dërguar fotografi e video të organit të tij gjenital.

Ai është takuar më pas me ‘të miturën’ në Prizren, të cilën e ka ftuar në momentin e parë në shtëpinë e tij.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./ KultPlus.com