‘Qysh po ju nxen gjumi natën?!’

‘Qysh po ju nxen gjumi natën?’ është sllogani i cili po përdoret si shenjë proteste për lirimin e Naser Pajazitajt, vrasësit të Donjeta Pajazitajt. Kjo shenjë proteste vjen e organizuar nga Organizata “Cicat” dhe ju drejtohet pushtetarëve, sistemit të drejtësisë dhe qeverisë me kuptimin që: si fleni natën duke e ditur se e keni dështuar drejtësinë?

Jastëku, është një simbol i rehatisë dhe pushimit, që në këtë rast përdoret si mjet proteste dhe rezistence, duke u bërë thirrje institucioneve që të zgjohen nga gjumi për të sjellur drejtësi ndaj akteve të vrasjeve të grave.

Ky mesazh shërben si një akuzë ndaj një shoqërie që shumë shpesh mbyll dy sytë e flen gjumë përballë dhunës dhe brutalitetit me të cilin përballen gratë.

‘Konteksti i kësaj fotografie është jashtëmase tronditës, pasi i referohet vrasjes tragjike të Donjeta Pajazitaj, i akuzuari për vrajsen e së cilës përfundimisht u lirua pa asnjë pistë të mëtejshme, pas disa vendimeve të disahershme me burgim të përjetshëm. Kjo tragjedi e pakuptimtë shërben si një kujtesë e ashpër e nevojës për ndërgjegjësim dhe veprim më të madh për të luftuar femicidin. Kjo tragjedi mbyt besimin në drejtësi! 8 vite pas vrasjes së saj, gjykata që liron të akuzuarin e vetëm, ku është dështimi?!’,  thuhet në njoftim. /KultPlus.com.