Pamje që prekin zemrat: Momenti kur fëmijët e rrëmbyer nga Rusia bashkohen me prindërit

Më shumë se 30 fëmijë u ribashkuan me familjet e tyre në Ukrainë këtë fundjavë pas një operacioni të gjatë për t’i kthyer në shtëpi nga Rusia ose Krimea, ndërsa thuhet se ishin ‘rrëmbyer’ nga forcat ruse gjatë luftës.

Siç shihet në videon e publikuar nga Reuters, pamjet që kanë bërë xhiron e rrjetit, prekin zemrat.

Nëna që përqafojnë me mall fëmijët e tyre, teksa kalonin kufirin nga Bjellorusia në Ukrainë të premten pas një misioni kompleks shpëtimi që përfshinte udhëtime nëpër katër vende.

Dasha Rakk, një vajzë 13-vjeçare, tha se ajo dhe motra e saj binjake kishin rënë dakord të largoheshin nga qyteti Kherson i pushtuar nga Rusia vitin e kaluar për shkak të luftës dhe të shkonin në një kamp pushimi në Krime për disa javë. Sipas saj, zyrtarët rusë kishin vendosur që fëmijët të qëndronin më gjatë.

“Ata thanë se do të birësohemi, dhe se do të kemi kujdestarë. Kur na thanë për herë të parë se do të qëndrojmë më gjatë, të gjithë filluam të qanim.”, tha vogëlushja. Nëna e Dashës, Natalia tha se ajo kishte udhëtuar nga Ukraina në Krime përmes Polonisë, Bjellorusisë dhe Moskës për të marrë vajzat e saj. Gadishulli i Krimesë i Ukrainës është pushtuar nga Rusia që nga viti 2014.

“Ishte tmerrësisht e vështirë, por ne vazhduam të ecnim, nuk flinim natën, flinim ulur. Ishte zemërthyese të shikoje fëmijët e mbetur pas që po qanin pas gardhit”, tha ajo, duke përshkruar udhëtimin e saj për në kamp. Kievi vlerëson se rreth 19,500 fëmijë janë dërguar në Rusi ose në Krimenë e pushtuar nga Rusia që nga pushtimi i Moskës në shkurt të vitit të kaluar, në atë që dënon si dëbime të paligjshme. Moska, e cila kontrollon pjesë të lindjeve dhe jugut të Ukrainës, mohon rrëmbimin e fëmijëve dhe thotë se ata janë transportuar për sigurinë e tyre. / Express / KultPlus.com