Festivali i 64-t i Këngës në RTSH është hapur zyrtarisht.
Spoti i shumëpritur i Fest64 sapo është publikuar, duke dhënë startin e thirrjes për këngëtarët shqiptarë kudo që ndodhen – nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në diasporë! Të gjithë janë të ftuar të bëhen pjesë e Festivalit që çon Shqipërinë në Eurovizion.
Përmes një videoje të xhiruar në një skenografi magjike, Drejtoresha Artistike e Festivalit të Këngës në RTSH, Elhaida Dani, tha se asnjë artist shqiptar nuk duhet ta humbasë mundësinë për t’u bërë pjesë e historisë së muzikës shqiptare.
“Prej më shumë se gjysmëshekulli, këtu lindin këngët të cilat kthehen në kujtime. Nëse ke një këngë me shpirt, që flet me zemër dhe e cila tingëllon shqip, tani është momenti ta ndash me ne. Eja të shkruajmë së bashku kapitullin e radhës të muzikës shqiptare,” tha Dani, e cila prej një viti ka kthyer klasin dhe emocionin në skenën shqiptare në rolin e Drejtoreshës Artistike të Festivalit.
Regjia e spotit të Fest64 sivjet u realizua nga Redi Treni, sikurse në edicionin e kaluar. Videoja e shfaq Elhaidën në mes të detit, elegante dhe pranë një pianoje të bardhë – një metaforë për thirrjen artistike që prek çdo shqiptar me këngë në shpirt.
Artistët që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit kanë një muaj kohë, duke filluar nga data 1 shtator deri në 30 shtator, për dorëzimin e materialeve të tyre muzikore vetëm përmes email-it zyrtar [email protected].
Në email çdo pjesëmarrës duhet të dërgojë:
- Këngën e plotë në formatin MP3;
- Orkestralen bashkë me zërat shoqërues në formatin MP3;
- Tekstin (poezinë) e këngës në formatin Word;
- Minutazhi i këngës nuk duhet të kalojë 4 minuta;
- Emrat e autorëve të këngës (kompozitor, poet, orkestrues, producent, studio realizuese);
- Ditën e lindjes, vendlindjen dhe vendbanimin aktual të këngëtarit;
- Një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të këngëtarit, përfshirë pjesëmarrjet e tij në festivale, si Festivali i Këngës në RTSH, Kënga Magjike apo evente të tjera muzikore të rëndësishme (nëse ka);
- Fotografi të artistit ose grupit performues, nëse është hera e parë që merr pjesë në festivalin e RTSH;
- Artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç;
- Numër kontakti dhe email për komunikim direkt me Stafin e Festivalit;
- Këngët e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) do të skualifikohen menjëherë. /rtsh.al/ KultPlus.com
