Artistët shqiptarë në Vjenë, koncert për nder të Festës Kombëtare të Austrisë

Koncerti do të mbahet sonte, më 26 tetor, për nder Festës së Pavarësisë së Austrisë, i cili do të jetë në vazhdën e „Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri“ të organizuar nga Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri, transmeton KultPlus.

Gjithçka është gati: Artistët shqiptarë mbajtën mbrëmë edhe provat e fundit para koncertit “Klassik trifft Ethno“ që do të përformojnë para publikut shqiptar në Vjenë dhe miqve austriakë.

Salla e bukur “Konservatoirum Ehrbar Saal” tashmë ka hapur dyert për të pritur mysafirët.

Koncerti do të mbahet sonte, më 26 tetor, për nder Festës së Pavarësisë së Austrisë. Koncerti do të jetë në vazhdën e „Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri“ të organizuar nga Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri.

Gjatë provave

Publiku shqiptar dhe miqtë austriakë do të kenë mundësinë të shijojnë rreth 1 orë e 30 minuta përformancat e artistëve më të njohur shqiptarë në Austri, si: Flaka Goranci – mezzosoprano, Eno Peçi – balerin dhe koreograf, Rina Kaçinari – violonçeliste, Aurel Qirjo – violinë dhe Zamir Kabo – piano.

„Jemi në provat e fundit të përgatitjes për koncert. Do të jetë një natë e paharruar me këngë të zgjedhura nga vetë artistët. Ata po japin maksimumin që gjithçka të shkojë mbarë“, thotë për Albinfo Austria, Ermal Vejsa, sekretar nga Këshilli i Shoqatave.

Edhe pse në kohë pandemie, organizatorët kanë marrë të gjitha masat që koncerti të rrjedhë sipas kërkesave të institucioneve austriake. “Ne do t’u përmbahemi të gjitha kërkesave nga institucionet austriake. Me keqardhje duhet të themi se përkundër kërkesave të shumta për të qenë të pranishëm në këtë koncert, ne ishim të obliguar që të kemi numër të kufizuar. Prandaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve”, tha Vejsa për albinfo Austria.

Si pasojë e masave të reja kundër Covid-19, që janë ndërmarrë nga Qeveria e Austrisë dhe të cilat vlejnë që nga data 23/10/2020,  Këshilli organizativ ka njoftuar të gjithë të ftuarit se janë të obliguar:

-Në orën 18:30 të vini në koncert (Mühlgasse 28, 1040 Wien, Austria)

-Të mbani distancën prej1,5 m – me njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës së pritjes dhe në hapësirat e brendshme.

-Të dezinfektoni duart sapo të hyni brenda në objekt.

-Të mbani maskën në të gjitha hapësirat e brendshme të objektit dhe gjatë gjithë koncertit duke mbuluar gojën dhe hundën.

“Gjithashtu, në rast se për arsye të ndryshme nuk do të mund të vini në koncert, duhet të na lajmëroni menjëherë për mos pjesëmarrjen tuaj, sepse të gjitha vendet janë të rezervuara në emrin personal të secilit prej jush.

Ne si organizatorë, kemi përgjegjësi shtesë rreth organizimit të koncertit dhe respektimit të masave mbrojtëse në këtë periudhë pandemie, prandaj jemi të obliguar të mbajmë evidencë të saktë të pjesëmarrësve në koncert dhe për këtë kërkojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim. /albinfo/ KultPlus.com