‘Festival Vetrine’ në Tiranë, bashkëpunim me teatrot e Italisë dhe Malit të Zi

Në kuadër të projektit “Teatrot për zhvillimin e turizmit në Evropë” (TOURNEE PLUS), Bashkia e Tiranës organizoi në datat 23, 24 dhe 25 maj aktivitetin “Festival Vetrine” në Tiranë.

Projekti (TOURNEE PLUS) financohet nga programi “Interreg IPA” për Italinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Ky aktivitet synon zhvillimin e një shkëmbimi konkret dhe domethënës ndërmjet partnerëve dhe palëve të interesuara, krijimin e sinergjive të mundshme me sektorë të tjerë ekonomikë, si dhe gjetjen e zgjidhjeve efektive të tregut për të vazhduar ruajtjen e niveleve të larta të cilësisë së produkteve kulturore.

Në kuadër të “Festival Vetrine” u organizuan takime me drejtues të qendrave teatrore, duke verifikuar mundësinë e shkëmbimit të shfaqjeve të prodhuara si dhe mundësinë e krijimit të prodhimeve të reja të përbashkëta për tregje të ndryshme kombëtare.

Projekti “TOURNEE PLUS” përfshiu po ashtu rrjetin e parë të Teatrove Bashkiakë Shqiptarë, të përbërë nga 9 teatro publike me detyrën e promovimit të bashkëprodhimeve dhe shkëmbimeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky është një rast i rëndësishëm për të mbështetur prodhimet teatrore e muzikore, duke identifikuar objektivat e përbashkëta të rritjes.

Projekti “TOURNEE PLUS” synon të krijojë bashkëpunime të reja midis profesionistëve dhe institucioneve në zonën ndërkufitare, në funksion të rritjes së flukseve turistike në Itali, Shqipëri dhe Malin e Zi.

Në Shqipëri nuk ka nisma të ngjashme, por prania në rritje e grupeve teatrore private dhe disponueshmëria gjithnjë e më pak e fondeve publike për sektorin e argëtimit, po i shtyn operatorët të gjejnë zgjidhje efektive në treg për të vazhduar ruajtjen e niveleve të prodhimit.

Prandaj kjo nismë shihet nga partnerët nga i gjithë Adriatiku si një mundësi e rëndësishme për të mbështetur prodhimin teatror dhe muzikor.

Projekti synon bashkëpunim konkret ndërmjet teatrove, organeve publike lokale dhe operatorëve të shumtë ekonomikë të lidhur me sektorin e turizmit, duke i mbështetur ata në krijimin e përbashkët të shërbimeve dhe mundësive të reja për të lejuar qytetarët dhe turistët të shijoni më mirë produktet kulturore./KultPlus.com