Përfaqësuesi i Shqipërisë për Eurovision zgjedhet vetëm nga publiku

Festivali i 61-të i Këngës në RTSH, do të japë 3 çmime të para: vendi i parë, vendi i dytë dhe vendi i tret. Një çmim për artistët e rinj dhe grupet alternative dhe një çmim për karrierë. Por ndryshe nga vitet e kaluar, Festivali i 61-të i Këngës në RTSH vjen me një risi lidhur me këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, fituesi i së cilës do të zgjidhet vetëm me votat e publikut me anë të SMS-ve.

Çmimi për 3 vendet e para, çmimi për artistët e rinj dhe grupet alternative si dhe çmimi për karrierën do të jepen pas një vlerësimi nga juria.

Në festivalet e mëparshme të Këngës në RTSH fituesi i çmimit të parë ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, por këtë vit, vendin tonë në “Eurovision Song Contest 2023” që do të zhvillohet në Britaninë e Madhe, do e përfaqësojë ajo këngë e cila do të rezultojë më e votuara nga publiku. / KultPlus.com