Mbahet festivali i Rinisë “Future4Youth”, promovon shëndetin mendor dhe fizik

Është mbajtur festivali i Rinisë “Future4Youth” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

Për nder të kësaj dite, në këtë festival u mbajtën shumë aktivitete, qëllimi kryesor i të cilave ishte vetëdijesimi i të rinjve për shëndetin fizik dhe mendor.

Kështu u shpreh edhe Njomza Berisha, menaxhere për zhvillimin e programit, e cila tha se kjo temë është aktuale në gjithë botën, prandaj edhe u zgjodh që të mbizotëronte në festival.

“Sot jemi duke e shënuar ditën e rinisë. Këtë vit e kemi marrë si temë kryesore shëndetin fizik dhe mendor. Kjo temë është duke mbizotëruar në gjithë botën përmes organizatave ndërkombëtare”.

“Kemi organizuar këtë aktivitet që të rinjtë të mësojnë më shumë rreth shëndetit dhe aftësive të tjera sociale. Përmes edukimit jo formal jemi duke dashur t’i mësojmë të rinjtë për shumë aftësi të reja”, u shpreh Berisha.

Ndërsa, Nesa Gazazi, vullnetare në këtë festival, tha se aktiviteti kryesor në këtë festival do të jete “Gjuetia e Thesarit”.

“Është festival që kemi vendosur me bë për me shënu ditën e rinisë. Ka shumë aktivtete. Aktiviteti kryesor do të jetë “Gjuetia e Thesarit” ku do të ndahen në tri grupe nga katër veta dhe në fund do të marrin edhe një thesar. Ka edhe shumë aktivitete që lidhen me shëndetin fizik dhe mendor”./KultPlus.com