Mbyllet Festivali i Teatrove në Ferizaj, Çeku: Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë

Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e Teatrit ‘Adriana’, e së fundmi ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, përcjell KultPlus.

“Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit”, ka shkruar Çeku.

Sipas tij, tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Gjysmë shekulli festival.

Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e shkëlqyer të Teatrit ‘Adriana’, Ferizaj. Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit.

Juria profesionale në përbërje Shkurtë Aliu, Agim Sopi dhe Alban Beqiraj, ndau çmimet për më të mirët e festivalit: Mentor Berisha për kostumografi (Kosovo for dummies), Petrit Bakalli për skenografi (Provo edhe një herë, Sam), Vlora Dervishi për rolin episodik (Farsë në Varvolth), Donikë Ahmeti për rolin dytësor grua (Bob Vatson bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht), Tristan Halilaj për rolin dytësor burrë (Brinat), Vjosa Abazi për rolin kryesor grua (Vizita e Zonjës Plakë), Ernest Malazogu për rolin kryesor burrë (Provo edhe një herë, Sam), Blertë Neziraj për regjinë më të mirë (Kosovo for dummies), Çmimi special për ‘Takime në burg’ të Teatrit ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Shfaqja më e mirë për ‘Provo edhe një herë, Sam’ të Teatrit ‘Bekim Fehmiu’, Prizren me regjisor Ilir Bokshin.

Tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.

Përgëzime për gjithë komunitetin teatror të Kosovës, organizatorët dhe publikun artdashës. Ju faleminderit për cilësinë dhe emocionin e ofruar.

Fotografitë: Teatri ‘Adriana’. / KultPlus.com

Shfaqja nga Shkupi fituese e edicionit të 47-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Festivali i Teatrove në Ferizaj, përfundoi mbrëmë edicionin e tij të 47-të, me ndarjen e cmimeve, shkruan KultPlus.

Në festivalin i cili nisi më 21 tetor, parakaluan shfaqje nga rajone të ndryshme shqiptare, ndërsa ajo që mori edhe çmimin shfaqja më e mirë ishte shfaqja “G” me regji të Sulejman Rushitit e që ishte nga Teatri Shqiptar i Shkupit. Shfaqja “G”, rrëmbeu edhe çmimin e aktorit më të mirë në rol dytësor mashkull që shkoi për Fisnik Zeqirin.

Çmimi për regjinë më të mirë i takoi regjisorit Kushtrim Bekteshi për regjinë e shfaqjes “Tartufi” nga teatri ‘Migjeni’ në Shkodër. Aktori më i mire, çmimi “Ismail Rama” i takoi aktorit Shpëtim Selmani, për rolin e DR. Stokman në shfaqjen, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu” Prizren.

Aktorja më e mirë, çmimi “Adriana” ishte për Rita Gjeka, për rolin e Dorinës në shfaqjen “Tartufi”, teatri “Migjeni”, Shkodër. Roli dytësor më i mirë femër shkoi për Donikë Ahmeti, për rolin në shfaqjen “Per Gynti nga Kosova” të Qendrës Multimedia, Prishtinë. Roli episodik më i mirë iu dha Afrim Kasapollit, për rolin episodik në shfaqjen “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren. Skenografia më e mirë ishte për Petrit Bakallin, për skenografinë e shfaqjes, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren.

Kostumografia më e mirë shkoi për Samka Ferrin për kostumet në shfaqjen “Tartufi”, teatri “Migjeni”, Shkodër. ndërsa Shpërblimi i medieve iu dha Shpëtim Selmanit, për rolin e DR. Stokman në shfaqjen, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren./ KultPlus.com