Festivali Mbarëkombëtar i Humorit ul siparin në Shkodër

Në qytetin e Shkodrës u mbyll mbrëmë nata e 5-të dhe e fundit e Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit.

“Një mbrëmje plot gaz, hare dhe këngë, që solli të qeshura të sinqerta dhe emocione të paharrueshme”, shkruhet në faqen online të Teatrit “Migjeni” që falënderoi të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj feste magjike.

Festivali Mbarëkombëtar i Humorit u organizua në sallën e  Teatrit “Migjeni” të Shkodrës prej datës 11 deri më 15 dhjetor.

Shkodra ka hapur dyert për herë të parë për këtë ngjarje të veçantë, që u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga publiku. Aktorë të njohur nga e gjithë Shqipëria u bënë pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje artistike, e cila përveç shfaqjeve solli edhe workshop-e me aktorë e autorë të mirënjohur.  Festivali Mbarëkombëtar i Humorit riktheu edhe një herë në vëmendje rolin e Shkodrës si qendër arti dhe djep i kulturës kombëtare./atsh/KultPlus.com

Nis sot në Shkodër Festivali Mbarëkombëtar i Humorit, Beci takon trupën e aktorëve

Shkodra ngre siparin për herë të parë të Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit, një ngjarje që pritet të kthehet në traditë dhe të sjellë buzëqeshje për të gjithë adhuruesit e artit dhe humorit.

Festivali Mbarëkombëtar i Humorit po pritet me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku shkodran, ndërsa një vëmendje të veçantë i ka kushtuar këtij eventi qytetari i parë i Shkodrës, Benet Beci.

Kryetari i bashkisë Benet Beci ka takuar trupën e aktorëve të Shkodrës duke i siguruar për mbështetjen në këtë festival, i cili pritet të ketë një sukses të jashtëzakonshëm, duke parë edhe interesin e lartë të publikut.

Gjatë datave 11-15 dhjetor, çdo natë, Teatri “Migjeni” do të shndërrohet në epiqendrën e të qeshurave dhe kreativitetit artistik, duke mbledhur emrat më të njohur të humorit nga e gjithë Shqipëria.

Shkodra, si djepi i kulturës dhe humorit shqiptar, rikujton me këtë festival rolin e saj të rëndësishëm si një qendër e artit kombëtar. Ky event është një mundësi për të përjetuar jo vetëm të qeshura, por edhe për të festuar traditën e humorit që ky qytet e ka të rrënjosur thellë në identitetin e tij./atsh/KultPlus.com