102 vjet më parë, fillimet e lëvizjes feministe në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, kujton se 102 vjet më parë, më 3 gusht të vitit 1920, gratë shqiptare u organizuan për të ndihmuar në luftë për Atdhe.

Më 3 gusht 1920, u krijua në Shkodër, “Komiteti i Zojavet ‘Grueja Shqyptare‘ për ndihma bamirësie”. Synimi kryesor i Komitetit ishte mbështetja në mjete financiare dhe sende të ushtrisë shqiptare që ndodhej në front të luftës (bëhet fjalë konkretisht për përpjekjet mes ushtrisë shqiptare dhe asaj jugosllave, në Koplik)

Neni 2 i statutit të këtij komiteti, i dedikohet ndihmës për familjet e dëmtuara prej luftës. Pjesëtare e këtij Komiteti mund të ishte çdo vajzë e grua që dëshironte të kontribuonte vullnetarisht, në përputhje me Statutin e Komitetit. Kryetare nderi u caktua zoja e Hysen beg Bushatit, kryetare u zgjodh Shaqe Çoba, nënkryetare Age Koka, sekretare Paulina Leka, arkëtare Albina Ashiku e të tjera zonja shkodrane nënshkruan si anëtare dhe këshilltare.

Ky Komitet, veç përmasës së vet të bamirësisë, shpërfaq qartazi dhe një element tjetër të veprimtarisë shoqërore të nisur dhe të mbështetur nga vajzat dhe gratë në Shqipëri: shërben si piketë orientuese e lëvizjeve feministe që filluan të vepronin menjëherë pas organizimit shtetëror të Shqipërisë (Lushnje, janar 1920). Ngjarje të tilla me peshë historike do të përkujtohen përherë nga populli ynë -thuhet në postimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. / atsh / KultPlus.com