Jeff Bezos planifikon të xhirojë filma në hapësirë

Blue Origin, kompania hapësinore e turizmit, në pronësi të themeluesit të Amazon Jeff Bezos, ka njoftuar projektin e radhës që është krijimi i një stacioni hapësinor komercial.

Kompania tha se ata shpresojnë të vënë në jetë stacionin e quajtur Orbital Reef deri në fund të dekadës. Materialet promocionale u bënë publike nga kompania, e cila pretendon se stacioni do të jetë një park shumëpërdorimësh në hapësirë, që do të mund të mbajë deri në 10 persona, transmeton Euronews, përcjell KultPlus.

Kompania do të bashkohet me Sierra Space dhe Beoing për të ndërtuar stacionin. Blue Origin tha se stacioni me një sipërfaqe prej 3 mijë metra katror do t’i ofrojë klientëve një vend ideal për xhirim filmash në kushtet e mikrogravitetit.

Në një konferencë për shtyp, ku kanë njoftuar projektin, përfaqësues të kompanisë dhe Sierra Space nuk dhanë të dhëna se sa do të kushtojë projekti, edhe pse projekti me siguri do të marrë një shumë të majme parash nga Bezos që ka premtuar se do të shpenzojë 1 miliard dollarë në vit për Blue Origin.

Njoftimi vjen ndërsa NASA po kërkon propozime për të zëvendësuar stacionin e vjetëruar hapësinor ISS. Më herët, zyrtarët rusë kanë paralajmëruar se kozmonautët e tyre mund ta lënë stacionin deri në 2025-ën, për shkak të frikës se pajisjet e vjetëruara mund të shkaktojnë një incident të rëndë. / KultPlus.com

Amazon CEO Jeff Bezos speaks at the the Amazon re:MARS convention, Thursday, June 6, 2019, in Las Vegas. (AP Photo/John Locher)