Filmi ‘Sirin’ shfaqet në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Filmi ‘Sirin’ është dhënë në premierën botërore të Festivalit të Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus. Filmi ‘Sirin’ nga regjisori Senad Sahmanovic, ku luan edhe aktorja jonë e njohur May-Linda Kosumovic po merr pjesë në kuadër të programit zyrtar (Open air Cinema) në Sarajevo Film Festival.

Me skenar të Claudia Bottino dhe Senad Šahmanovic, ky film është prodhim i produksioneve si: CUT UP, Sekvenca, On Film Production, BUKA, Dokument, APC.

Filmi ka për producent Velisa Popvic dhe Co-producent: Jure Pavlovic, Dritan Huqi, Fatmir Spahiu, Alem Bbaic Ines Tanovic dhe Jean-Cristophe Barret.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës,Filmski Centar Crne Gore, Havc, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, dhe nga Fondacioni Kinematografik Sarajevo Eurimages./KultPlus.com

Filmi kosovar “Vera andrron detin” në kinematë e Selanikut

Nën organizimin e Komunitetit Shqiptar të Selanikut, filmi kosovar fitues i shumë medaljeve ndërkombëtare “Vera andrron detin” do të shfaqet në dy kinematë e njohura verore të Bashkisë Neapoli-Sykies të Selanikut, përcjell KultPlus.

Për të gjithë të interesuarit, filmit do të shfaqet sipas programit të mëposhtëm:

Kinema “Παράδεισος”, zona Strembeniotis, Neapoli, më datë 3 – 6 gusht, ora 21:15 dhe në Kinema “‘Αλσος”, kodra e Alsos, Sykies, datë 7 – 9 gusht, ora 21:15.

Me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit, filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Sa i përket ngjarjes së filmit, Vera është një përkthyese e gjuhës së shenjave në moshë të mesme, e cila bën një jetë të mirë: një grua me një gjykatës të famshëm, një nënë mbështetëse dhe një gjyshe e kujdesshme. Paqja e saj prishet nga vetëvrasja e papritur e të shoqit e ndjekur nga një paradë e padëshiruar, kërcënuese e të afërmve që pretendojnë pronësinë e shtëpisë së familjes së tyre në fshat. Kur fillesat e një skeme të botës së krimit fillojnë të dalin në sipërfaqe, bota e Verës do të përballet me rrezikun dhe do të duket e gatshme të shembet. Frika dhe mosbesimi do ta detyrojnë Verën të marrë në duart e saj fatin e familjes.

Aktorët në rolin kryesor janë Teuta Ajdini Jegeni, Astrit Kabashi dhe Alketa Sylaj. / KultPlus.com

Sot fillon “DokuFest”, programi i pasur i këtij edicioni synon të ju ofroj një eksperiencë unike

DokuFest, në tërësinë e tij, kapërcen thjesht etiketën e një festivali për Kosovën, ai përpiqet të jetë përfaqësues i dëshirës për të sfiduar paragjykimet dhe për të mbrojtur hapjen, duke kultivuar në fund një hapësirë të lirë për të.

Në zemër të kësaj eksperience, potencialisht transformuese qëndron programi muzikor i DokuNights. Ky, një element i domosdoshëm në arritjen e këtij qëllimi. Brenda skenës kosovare ofron një platformë për të gjithë që të vijnë dhe të angazhohen në të gjitha ngjyrat e tyre.

Sot, më datë 4 Gusht, në qytetin e Prizrenit, në ambientet e ndryshme kulturore, do të mbahen eventet të cilat edhe shënojnë edicionin më të ri të këtij festivali i cili zgjatë deri më 12 Gusht.

Këtë vit DokuNights, kuruar me kujdes nga Leart Rama, sjell një formacion yje që mbeten të përkushtuar në mënyrë të palëkundur thelbit të lirisë.

Qëllimi i procesit kuratorial është të krijojë një utopi ku të përqafohet identiteti unik i çdo personi, dhe përmes mediumit të muzikës, ky vizion të bëhet i prekshëm.

Nga ikonat feministe tek pionieret e muzikës elektronike, ato njihen si përfaqësues të lirisë së shprehjes. Disa kanë marrë atë që është konvencionale dhe e kanë bërë unike të në mënyrën e tyre, të tjerë kanë krijuar hapësira për të ekzistuar në mënyrë alternative brenda konformave të shoqërisë.

Të jesh dëshmitar i kësaj mjeshtërie do të thotë të hedhësh një hap në një përvojë zhytëse të një utopie të propozuar të vetë-shprehjes së lirë.

Deklarata e kuratorit të programit, Leart Rama:

Jam i kënaqur dhe i nderuar që kam rastin të kuroj programin muzikor për Dokunights edhe për një vit. Ky formacion është një udhëtim i pafund përmes zërit, duke rrëfyer një histori unike për secilën zemër që dëgjon.

Si një regjisor dhe DJ i ri, magjepsja ime me muzikën avangarde filloi me Dokunights në vitin 2014. Pra atëherë kur e gjithë kjo lindi nga frymëzimi i përjetshëm i Nita Dedës.

Që atëherë e kam imagjinuar gjithmonë ditën kur do të mund të performoja në skenën prestigjioze të Andrrës. Megjithatë, mundësia për të kuruar të gjithë programin i tejkaloi edhe ëndrrat e mia.

Formacioni i krijuar me kujdes mishëron thelbin e lirisë dhe pikturon një realitet utopik që rezonon me emocionet tona më të thella.

Duke jetuar në një vend të izoluar, mendjet tona shpesh enden dhe eksplorojnë përmes ëndrrave dhe imagjinatës.

Ky formacion është një manifestim i atyre pikave më të ëmbla nga ëndrrat tona, të thurura me tingujt më të bukur që na transportojnë në vende ku nuk kemi qenë kurrë.

Programi:

Aug 04: Peaches // Steffi // Ivana Dragsic

Aug 05: Higher Intelligence Agency // Interstellar Funk // Gent Vargmal

Aug 06: Yiochi Kurokawa – Kinema Lumbardhi

Aug 06: Willikens & Ivkovic — All Night Long – Skena Andrra

Aug 07: Lyra Pramuk // Space Africa – Skena Sonar

Aug 07: Islandman// Uj pa gaz – Skena Andrra

Aug 08: Josh Caffe // Johnny Aux // Gemza

Aug 9 : ë (Stadt ) // Vagina Corporation // The milk snatchers

Aug 10: Besa M & Bimbimma // Killua // Despoti

Aug 11: Herrensauna Showcase +010010*

Aug 12: Dopplereffekt // Reptant // Isabella // Genc Elezaj. / KultPlus.com

Coppola parashikon epokë e artë për kinemanë

Regjisori Francis Ford Coppola ka parashikuar që një “epokë e artë” e kinemasë ëshë afër.

Ai e ka thënë një gjë të tillë pasi i ka quajtur sukseset e filmave “Oppenheimer” dhe “Barbie” si triumf të kinemasë.

“Ende nuk i kam parë, mirëpo fakti që njerëzit po i mbushin kinematë për t’i parë, dhe që ajo janë as vazhdim-filmi e as filma paraprijës, dhe që janë njëmend të përveçëm…është një triumf për kinemanë”./KlanKosova/KultPlus.com

‘Dokufest’ shpall filmin hapës dhe përmbyllës të këtij edicioni

Në përputhje me temën qendrore të festivalit I AM AI AM I duke synuar të eksplorojë dhe të sjellë në diskutim fenomenin e Inteligjencës Artificiale dhe lidhjen e saj me ne njerëzit, festivali ka vendosur t’i kushtojë një pjesë të vogël të programimit të tij zhanri i filmit fantastiko-shkencor. 
Të dy filmat hapës dhe mbyllës do të shënojnë këtë homazh për vetë zhanrin, si dhe për interpretimin e Inteligjencës Artificiale në historinë e kinemasë.   

Filmi i hapjes

Një pikë referimi e kinemasë fantastiko-shkencore, një artefakt i çuditshëm i viteve 1960 dhe padyshim një nga filmat më të bukur e madhështor të të gjitha kohërave, 2001: A Space Odyssey është kryevepra par excellence e Stanley Kubrick – një operë dërrmuese hapësinore e kërcimit vizual dhe një film që parashikoi një të ardhme realiste, shumë të detajuar për udhëtimin njerëzor në hapësirë.

Filmi mbyllës

I cilësuar si një nga filmat më të mirë të të gjitha kohërave fantastiko-shkencore, një shembull kryesor i kinemasë neo-noir dhe një vepër themelore e zhanrit cyberpunk, Blade Runner i Ridley Scott është një vizion i Los Anxhelosit në 2019 si një ferr përrallor rrokaqiejsh dhe fabrika monolitike Fritz Lang.

U  deshën 25 vjet dhe tre modifikime në kinema që Ridley Scott të arrijë në versionin e ri përfundimtar të kryeveprës së tij fantastiko-shkencore, Blade Runner: The Final Cut dhe DokuFest do ta  të prezantojë këtë version të zgjeruar si filmin përmbyllës të festivalit./GazetaExpress/KultPlus.com

Filmi i regjisorit Sovran Ndrecaj me premierë në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Filmi “Fran and Verka; or a usual day in an abandoned village” nga regjisori Sovran Ndrecaj, do të ketë premierën botërore në edicionin e 29-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, një ndër ngjarjet më të mëdha të filmit në rajon, përcjell KultPlus.

Festivali do të zgjasë nga data 11 deri më 18 gusht, ku në fund fituesit do të marrin trofeun “Zemra e Sarajevës”.

Filmi nga Kosova konkurron në kategorinë “Dokumentari më i mirë i shkurtër” dhe është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Këtë vit, programi i festivalit përfshin 22 premiera botërore.

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në rrjetet sociale janë shprehur se pjesëmarrja jonë dëshmon shkëlqimin artistik të vendit dhe urojmë që udhëtimi i filmit të përfundojë me triumf dhe brohoritje ndërkombëtare. / KultPlus.com

Inteligjenca Artificiale pjesë e filmit të ri T.I.M.

Në këtë kohë kur thuajse çdonjeri ka në mendje Inteligjencën Artificiale, nuk është befasi që me këtë vjen në pah edhe urgjenca për reflektim të avantazheve dhe rreziqeve nga kjo teknologji.

Kur jemi te kjo, Spencer Brown ka realizuar filmin e ri T.I.M., në të cilin me role paraqiten Georgina Campbell e Famon Farren, e që flet për këtë teknologji.

Në filmin Tim, Campbell luan rolin e Abi-t, një inxhiniere robotësh e cila shkon në një fshat për të punuar në një kompani teknologjie që zhvillon shërbëtorin me Inteligjencë Artificiale, Tim-in.

Ajo shpreson se kjo punë për të është një fillim i mbarë, pasi që ia mundëson të pajtohet me burrin e saj i cili e tadhton me një tjetër, dhe të krijojnë familje.

Si përfitim nga kjo punë, asaj i jepet prototipi TIM. Por ky robot shpejt fiksohet pas saj dhe bën çdo gjë për t’ia zënë vendin burrit të saj. Kështu, ai fillon të ketë qasje në të dhënat e tij, manipulon me to duke e nxitur Abi-n të mendojë se burri i saj e tradhton sërish.

Dhe çfarë mund të bëjë ajo kundër një inteligjence që bën fals zërin, ka qasje në llogarinë bankare, që kontrollon çelësat në shtëpi dhe kontrollon edhe veturën që ngitet pa shofer?

Po, skenat në të duken si nga seriali Black Mirror, megjithatë nga parqitja e parë e trailerit, ai premton po ashtu se në të ka edhe skena të freskëta dhe interesante.

Filmi T.I.M. do të lansohet në Netflix në Britani me 16 gusht 2023./21Media/KultPlus.com

Johnson me pagesë rekorde për filmin e ri ‘Red One’

Filmi i ri “Red One” bëri aktorin Dwayne Johnson rekorder të filmave, kjo pasi që ai u pagua me shumë rekorde për paraqitje në të.

Ky sukses i tij erdhi pasi që ai u paraqit në filmin “Black Adam” dhe në serinë dedikuar jetës së tij, Young Rock. Pra, Rock është gati edhe për hitin e ri.

Filmi “Red One” ku ai paraqitet bashkë me aktorin Kris Evans, do të shfaqet këtë dhjetor. Siç parashihet, Rock mund të arrijë rekord në karrierën e tij filmike edhe me paraqitje në të.

Sipas një burimi, Rock ka fituar nga 50 milionë dollarë në ditë për xhirimin e “Red One”, duke bërë që kjo të jetë pagesa më e lartë në baza ditore sa i përket një aktori për një rol.

Johnson veç rolit në këtë film, paraqitet me një prej roleve ikonike në Moana.

Ai paraqitet edhe me aktorët Ryan Reynolds e Gal Gadot në filmin vazhdim “Red Notice”.

Tani për tani nuk ka të dhëna të tjera për filmin e ri “Red One”, megjithatë dihet se ai i dedikohet kremtave të fundvitit./21Media/KultPlus.com

Filmi “Hana e Re” dhe “Prishtinë 2002” me premierë kombëtare në Doku Fest

Dy projekte të subvencionuara nga Qendra Kinematografike e Kosovës do të kenë premierën Kombëtare në edicionin e 22 të Doku Fest, përcjell KultPlus.

Filmi “Hana e Re” dhe filmi “Prishtinë 2002” do të kenë premierën kombëtare në edicionin e 22 të Doku Fest.

Filmi “Hana e re” është në garë për filmin më të mirë të shkurtë në kategorinë Nacional.

Filmi trajton rrëfimin e katër shoqeve, të cilat në një udhëtim të menduar për qejf, zbulojnë të vërteta për njëra tjetrën.

Ky film është prodhim i shtëpisë filmike Kanape, me skenar dhe regji të Jehona Berisha dhe producent Jetmir Zenelaj.

Në rolet kryesore janë: Rozafa Çelaj, Era Balaj, Blerta Ismaili, Qëndresa Jashari.

Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002”, me regji të Trëndelina Halilit dhe producent Ermal Gërdovci është gjithashtu në garë për filmin më të mirë të shkurtë në kategorinë Nacional.

Filmi rrëfen historinë e një adoleshenteje, e cila priret të transformojë vetveten, për t’i bërë përshtypje shoqes së saj të ngushtë. Në rolet kryesore janë: Hana Limani dhe Rrezarta Haziraj.

Edicioni i 22-të i Doku Fest do të mbahet me 4-12 gusht, 2023. / KultPlus.com

Tirana mirëpret kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota

Tirana mirëpret edhe këtë vit kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota për të qenë pjesë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme artistike. Edicioni i dytë i Travel Fest Albania ka ngritur siparin në Amfiteatrin e Tiranës, falë një ekrani gjigand e plot filmave premtues.

“Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Fotografisë “Travel Fest Albania” në Amfiteatrin e Tiranës!Tirana mirëpret edhe këtë vit kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota për të qenë pjesë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme artistike”, thekson Veliaj.

Në tërësi do të shfaqen 112 filma të përzgjedhur, të cilët i adresohen njeriut, qenies që mbetet gjithmonë e njëjtë, pavarësisht vendit ku jeton e vepron.

Ekrani i madh në zemër të Amfiteatrit të Tiranës tërhoqi pas vetes grupmosha të ndryshme. Dhe ekrane të ngjashme premtojnë se do të dallohen nga i njëjti pasion e dashuri për kinematografinë, për plot 4 ditë dhe në qytete të tjera.  /tvklan.al/ KultPlus.com

Nis festivali i filmit të shkurtër në Dropull

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dropull 2023” mbërrin në edicionin e tij të tretë.

40 filma kryesisht të regjisorëve grekë, shqiptarë dhe kosovarë janë në konkurrim, 11 prej të cilëve filma të animuar për të rritur. Një pjesë e tyre u projektuan mbrëmë në amfiteatrin e Sofratikës, në Adrianopol, aty ku 2000 vjet më parë kanë interpretuar poetët, filozofët, oratorët dhe janë luajtur dramat e tragjeditë e mëdha të kohës.

Në festivalin e Dropullit konkurojnë filma të metrazhit të shkurtër.

Ata janë realizuar nga regjisorë të rinj e sjellin tematika të përditshmerise. Ka filma që kanë në qendër forcën njerëzore mbijetesën dhe shpesh absurdin e diktuar prej zhvillimeve pa busull.

Festivali është një maratonë 4-ditore jo thjesht e filmit por edhe artit pamor, vizatimit, muzikës, zakoneve e jetës lokale.

Mbrëmja e parë, në teatrin antik të Adrianopolit, solli një koncert në kitarë dhe një film të shkurtër grek të realizuar në vitet `60./atsh/KultPlus.com

Filmi ‘Dune: Part Two’ për dashamirët e tij në nëntor

Filmi “Dune” ishte njëri prej filmave shumë të pëlqyer të lansuar në vitin 2021. Ky film që është adaptim nga romani i Frank Herbert i vitit 1965, u realizua me regji të Denis Villeneuve, ndërkaq në të luajnë një kastë e gjerë aktorësh të mirënjohur.

Edhe filmi vazhdim i tij, i pagëzuar “Dune: Part Two” synon të arrijë sukses. Lansimi i tij po pritet me padurim.

Filmi “Dune: Part Two” fillimisht u planifikua të lansohet në tetor të këtij viti, por më pas u shty për nëntor po këtë vit. Më saktësisht, ai do të lansohet me 3 nëntor 2023.

Tani ai do të lansohet në këtë periudhë ku do të lansohet edhe filmi tjetër “The Hunger Games: The Ballad of Songbirds and Snakes”.

Sa i përket filmit “Dune: Part Two”, traileri i tij na kthen në botën e Frenk Herbert.

Në të shihen Florence Pugh, Autin Butler, Zendaja e Timote Shalamet.

Në këtë film me role paraqiten edhe shumë aktorë të tjerë të mirënjohur./21Media/KultPlus.com

‘Spider Man Across the Spider-Verse’, filmi më i shikuar i javës

Në top listën e filmave më të shikuar të javës së boks ofisit, kryeson filmi “Spider-Man Across the Spider Verse”.

Kjo është java e katërt që ai u vlerësua në këtë ranglistë.

Ky film është vazhdim i filmit” Spider-Man: Into the Spider-Verse”, të realizuar në vitin 2018. Ai u dha premierë në Los Angeles më 30 maj 2023.

Filmi “Spider-Man Across the Spider Verse” paraqet njeriun Merimangë, Majlls-in, i cili takohet me një ekip të ri të personave merimanga, të njohur si shoqëria e merimangave.

Ashtu si filmat tjerë para tij Spider-Man, edhe ky film mori kritika pozitive nga kritikët, dhe po ashtu arriti sukses në boks office. Ai u realizua me një buxhet prej 100 milionë dollarësh. Në boks ofisin amerikan fitoi 316 milionë e 754 mijë dollarë, ndërkaq në atë botëror 563. 1 milion dollarë./21Media/KultPlus.com

Nolan për ‘Oppenheimer’: Disa i ka lënë absolutisht të dërrmuar

Regjisori Christopher Nolan ka folur për përshtypjet e para që ka marë nga njerëzit për filmin e tij më të ri, “Oppenheimer”.

Në këtë film, aktori Cillian Murphy e luan rolin e shkencëtarit J. Robert Oppenheimer, i cili njihet si “babai i bombës atomike” për rolin e tij në Projektin e Manhattanit.

“Disa njerëz e lënë filmin absolutisht të dërrmuar. Ata as që mund të flasin. Ka një element të frikës që ndodhet në histori dhe në themelet e saj”, ka thënë Nolani.

“Mirëpo dashuria e personazheve, dashuria e lidhjeve, është po aq e fortë sa çdo gjë që kam  bërë ndonjëherë”.

Filmi do të dalë për publikun e gjerë më 21 korrik të këtij viti./klankosova/KultPlus.com

Filmi ‘Frozen III’ për dashamirët e tij në ekran vitin e ardhshëm

Filmi i animuar Frozen, prodhim i studiove Disney Animation, arriti të popullarizohet duke pushtuar kështu audiencën e të gjitha moshave. Ai u lansua në vitin 2013 dhe shpejt u bë sensacion botëror.

Ngjarja në këtë film zhvillohet rreth dy motrave princesha, Elsa dhe Anna, të cilat jetojnë në mbretërinë Arendelle. Ato fillojnë të kenë probleme kur Elsa dështon të kontrollojë fuqitë e saj magjike, dhe izolohet nga të tjerët.

Suksesi i Frozen dhe muzika e tij, përfshirë këngën “Let It Go”, çoi në lansimin e vazhdimësisë së Frozen në vitin 2019. Tani katër vite më vonë, studioja filmike Disney është gati që të sjellë në skenë edhe një film Frozen, që do të jetë i III-ti me radhë.

Vendimi për realizimin e filmit të III-të Frozen arsyetohet me sukseisn e pazakontë global.

Megjithatë jo shumë detale janë zbuluar për Frozen III. Por besohet se falë personazheve të ndërtuara të tij do të jetë fascinues.

Ka gjasa që Frozen III do të vazhdojë aty ku ka mbetur i dyti, kur Anna bëhet mbretëreshë e Arendell.

Nuk është dhënë ndonjë datë e lansimit të filmit Frozen III, por sipas disa të dhënave, ai ka mundësi të lansohet në vitin 2024.

Në lidhje me filmin, regjisorja e tij Jennifer Lee në një intervistë për “The Wrap” ka thënë se është e emocionuar për realizimin e tij.

Është e sigurt se rolet për këtë film do t’i reprizojnë një radhë aktorësh si: Kristen Bell, Idina Menzel, Josh Gad e Jonathan Groff. Ata do të huazojnë zërat për personazhet si: Ana, Elsa, Olaf dhe Kristof./21Media/KultPlus.com

‘Spider-Man: Across the Spider-Verse’, filmi më i shikuar i fundjavës në Amerikën e Veriut

”Spider-Man: Across the Spider-Verse” është filmi më i shikuar në Amerikën e Veriut, duke fituar 19.3 milionë dollarë shtesë këtë fundjavë.

Në vendin e dytë është “Elemental” me 18.5 milionë dollarë, i ndjekur nga “The Flash” me 15.3 milionë dollarë. Në vendin e katërt u rendit “No Hard Feelings” me 15.1 milionë dollarë dhe “Transformers: Rise of the Beasts” në të pestin me 11.6 milionë dollarë.

“Asteroid City” u rendit në pozitën e gjashtë me 9 milionë dollarë, “The Little Mermaid” në të shtatën me 8,7 milionë dollarë, “Guardians of the Galaxy” në pozitën e tetë me 3,5 milionë dollarë, “Blackening” në të nëntën me 3 milionë dollarë dhe “The Boogeyman” në pozitën e dhjetë me 2.5 milionë dollarë./rtv21/KultPlus.com

Çmimet e Festivalit Ballkanik të Filmit e Kulinarisë në Pogradec

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë ka ulur siparin me ndarjen e çmimeve filmave që spikatën. Gjatë 5 ditëve, ky festival i solli më shumë gjallëri qytetit të Pogradecit, i cili tashmë ka një frekuentim më të gjerë nga vendas por edhe turistë të huaj. Ky ishte edicioni i 13-të për Balkan Film & Food Festival.

Çmimi “Best Movie Award” shkoi për filmin “Dignity”i regjisorit grek Dimistris Katsimiris. Marko Santic nga Kroacia fitoi “Best Balkan Spirit Award” me filmin “Marko”, ndërsa regjisori shqiptar Edmond Mandro ka rrëmbyer çmimin “Best Short Movie Award” me filmin e tij “Kllouni”.

Në natën e ndarjes së cmimeve, një moment special iu kushtua regjizorit të nderuar Kristaq Mitro dhe pasurisë kinematografike që ai la pas.

Edicioni i vitit 2023 solli pranë qytetarëve e vizitorëve të Pogradecit rreth 80 filma. Në program kishte filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma të gjatë nga 11 vende të Ballkanit.

Veprat filmike përfaqësuan Turqinë, Rumaninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Greqinë dhe Malin e Zi./atsh/KultPlus.com

Nis në Pogradec Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë

 Nis sonte në qytetin e Pogradecit, edicioni i 13-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Festivali do të zhvillohet nga data 20 deri 24 qershor.

Edicioni i vitit 2023 do të sjellë pranë qytetarëve e vizitorëve të Pogradecit, kineastëve dhe artdashësve nga vendi e rajoni, rreth 80 filma. Në program është parashikuar të projektohen filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma të gjatë nga 11 vende të Ballkanit.

Veprat filmike përfaqësojnë Turqinë, Rumaninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Greqinë dhe Malin e Zi.

Këtë vit filmat do të shfaqen përgjatë 5 ditëve, në dy lokacione: programi i paradites do të shfaqet në kinemanë e qytetit, duke filluar nga ora 11.00. Programi i mbrëmjes do të fillojë nga ora 19.00, në lokacionin e dytë, pak metra larg liqenit të Ohrit, në Odeonin e mundësuar nga Bashkia Pogradec. Çdo mbrëmje aty do të shfaqen filma të vjetër shqiptarë të cilët janë restauruar së fundmi.

Edicioni i 13-të i Festivalit mundësohet falë mbështetjes së çmuar të Bashkisë Pogradec, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë e partnerëve të tjerë./atsh/KultPlus.com

Ndalohet shfaqja e “Spider-Man: Across the Spider-Verse” në Emiratet e Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk do të shfaqin filmin e animuar të Sonit “Spider-Man: Across the Spider-Verse”. Këtë e ka bërë të ditur Vox Cinemas, megjithatë nuk ka dhënë sqarim për këtë.

Por, në bazë të debateve që po bëhen online në mes fansave të këtij filmi në Emirate, flitet se filmi trajton tema për transeksualë, dhe ka mendime se kjo mund të jetë edhe arsyeja e ndalimit të shfaqjes së tij atje.

Filmi “Spider-Man: Across the Spider-Verse”, që është vazhdim i filmit “Spider-Man: Into the Spider-Verse” i vitit 2018-të, u lansua me 2 qershor 2023 në SHBA, ndërkaq në rajonin e Gjirit ishte planifikuar të lansohet me 22 qershor po këtë vit.

Sidoçoftë për ta bërë këtë më të qartë, sipas Vox që është filiale e biznesmenit Majid Al Futtaim, filmi nuk do të shfaqet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai këtë e ka bërë të ditur përmes Facebook, ndërkaq nuk ka komentuar më tepër rreth kësaj.

Zinxhiri i kinemave të mëdha në Arabinë Saudite, në Katar, Kuvait, Oman e Bahrain, nuk e kanë futur këtë film në listën e tyre të filmave të publikuar në veb faqe.

Debate rreth filmit “Spider Man Across the Spide Verse” më saktësisht janë bërë rreth personazhit Gwen Stacy, që është transeksuale. Një skenë në trailerin e filmit  tregon një shenjë ku shkruan “mbroni fëmijët transeksual”.

Mediet në anën tjetër nuk kan arritur të thonë nëse kjo është arsyeja e ndalimit të lansimit të filmt atje.

Edhe vitin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe u ndalua shfaqja e filmit të Diznit “Lightyear”. Arsyeja ishte sepse në të paraqiten personazhe të gjinisë së njëjtë në lidhje.

Ministria e rinisë për kulturë atje me këtë rast ka thënë se ky film ka përmbajtje që cenon standardet mediale të vendit./21Media/KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit të metrazhit të shkurtë ‘Keep Going’

Pas katër ditësh kanë përfunduar xhirimet e filmit ‘Keep Going’, të regjisores Valmira Hyseni, shkruan KultPlus.

Filmi “Keep Going” me regji të Valmira Hysenit trajton një temë frymëzuese rreth endrrës së një vajze të quajtur Hana, e cila është në përfundim të shkollës së mesme dhe përpiqet t’a arrijë ëndrrën e saj, të luajë futboll profesionist mirëpo babai i saj, Sherifi, ka një plan tjetër për të, e që është të vazhdojë studimet akademike.

Filmi ështē realizuar nga shtëpia filmike “Plan Bee Films”, producent i filmit: Zgjim Terziqi dhe skenaristë: Valmira Hysenit dhe Zgjim Terziqi.

Në film luajtën aktorë shumë të mirënjohur si, Luan Jaha, Adriana Matoshi, Era Balaj dhe Eli Gashi./KultPlus.com

Filmat “Era” dhe “Gülizar”, në festivalin Karlovy Vary

Filmi “Era” dhe filmi “Gülizar” të mbështetura nga Qendra Kinematografike janë përzgjedhur në seksionin “Work in Progress” në Festivalin e 57-të të filmit në Karlovy Vary.

Filmi “Era” është film i metrazhit të gjatë me regji dhe skenar nga Parta Kelmendi.

Ngjarja e filmit përcjell dramën e viteve të 90-ta në Kosovë. Kur populli i Kosovës ballafaqohej me ndjekjet dhe nxjerrje nga puna në mënyrë masive.

Përmes personazhit kryesor Era, trajtohet jo vetëm ngjarja, por edhe psikologjia dhe ndikimi i tjetërsimit të vlerave kulturore dhe njerëzore të asaj kohe.

Filmi u xhirua me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të Qendrës Kinematografike të Maqedonisë së Veriut.

Skenariste dhe regjisore është Parta Kelmendi, ndërsa producente e filmit është Afërdita Saraçini Kelmendi.

Filmi “Gülizar” është filmi i parë me bashkëprodhim Turqi-Kosovë, i xhiruar në Turqi dhe Kosovë. Producente e filmit nga Kosova është Valmira Hyseni.

Filmi tregon historinë e një gruaje që shkon në një udhëtim nga Turqia në Kosovë për t’u martuar.

“Gulizar” është mbështetur nga Ministria Turke e Kulturës dhe Turizmit dhe Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

“The Little Mermaid” dështon në arkat e filmit në Kinë dhe Korenë e Jugut

Debutimi i filmit “The Litttle Mermaid” ka dështuar në Kinë dhe Kore të Jugut, me shikuesit që kritikuan në baza raciste mbi caktimin e aktores Halle Bailey si personazhi kryesor Ariel.

Ribërja e Disney-t ka arkëtuar vetëm 3.6 milionë dollarë në Kinën kontinentale që nga hapja atje më 26 maj, sipas Box Office Mojo. Në Korenë e Jugut, “The Little Mermaid” ka fituar 4.4 milionë dollarë që nga 24 maji.

Filmi tërhoqi rreth 472,000 shikues në javën e parë në kinema atje, më pak se 643,000 fansa që u shfaqën për filmin e ri “Fast and Furious” “Fast X”, për të njëjtën kohëzgjatje, sipas Këshillit Korean të Filmit. “Fast X” u hap një javë para “The Little Mermaid”.

Pritja e ftohtë erdhi pasi shikuesit në të dy vendet vunë në dyshim zgjedhjen e Bailey-t si yllin e filmit, një vendim që është përshëndetur diku tjetër.

Në Shtetet e Bashkuara, vajzat e reja me ngjyrë kanë përshëndetur vendimin e Disney-t, duke thënë se ndjehen të përfaqësuara në ekranin e madh për shkak të rolit të saj titullar.

“The Little Mermaid” gjithashtu ka dalë mirë në arkat e Shteteve të Bashkuara, duke u renditur si filmi numër dy gjatë fundjavës së kaluar, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv.

Por në IMDb, filmi është goditur nga vlerësimet, një praktikë ku përdoruesit lënë komente negative për një titull në përpjekje për të ulur vlerësimin e tij. Çështja bëri që IMDb javën e kaluar të paralajmërojë për “aktivitet të pazakontë votimi” dhe të ndryshojë mënyrën se si llogarit vlerësimet.

Në nivel global, filmi tani ka sjellë rreth 327 milionë dollarë, me 186 milionë dollarë që vijnë nga SHBA-ja dhe 141 milionë dollarë të nxitura nga audienca ndërkombëtare./rtv21/KultPlus.com

‘Spider-Man: Across the Spider-Verse’ kryeson me 120 milionë dollarë për shitje biletash në Amerikë

Filmi i animuar “Spider-Man: Across the Spider-Verse” është filmi numër 1 në Amerikën e Veriut, duke fituar 120.5 milionë dollarë në të ardhura këtë fundjavë.

Në vendin e dytë renditet “The Little Mermaid” me 40.6 milionë dollarë, e ndjekur nga “The Boogeyman” me 12.3 milionë dollarë, “Guardians of the Galaxy Vol. 3” në vendin e katërt me 10.2 milionë dollarë dhe “Fast X” në të pestin me 9.24 milionë dollarë.

“Super Mario Bros” është renditur në pozitën e gjashtë me 2.4 milionë dollarë, “About my Father” në pozitën e shtatë me 2.1 milionë dollarë, “The Machine” në të tetën me 1.8 milionë dollarë, “You Hurt My Feelings” në të nëntën me 770,000 dollarë dhe “Kandahar” në pozitën e dhjetë me 765,000 dollarë./KlanKosova/KultPlus.com

Edicioni i 14 i Anibarit, zhvillohet me temën e dashurisë ‘LOVE | DASHNI’ në qytetin e Pejës

Edicioni i 14-të të Festivalit i Animacionit Anibar, i cili këtë vit do të mbahet në qytetin e Pejës, në fokus do të ketë  temën e dashurisë  “LOVE | DASHNI”, shkruan KultPlus.

Përmes këtij edicioni të Anibarit synohet që të rikujtohet që dashuria nuk njeh kufij dhe si e tillë nuk mund të definohet.

Përmes një komunikate oraganizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se këtë vit përmes këtij edicioni do të tentojnë të gërmojnë dimensionet e shumta të dashurisë, duke hedhur dritë në kompleksitetin e saj dhe duke zbuluar manifestimet e saj të ndryshme.

“Por mos kini frikë, kjo nuk është një mbretëri klishesh apo ëmëlsie sakarine. Ne gërmojmë në dimensionet e shumta të dashurisë, duke hedhur dritë në kompleksitetin e saj dhe duke zbuluar manifestimet e saj të ndryshme.

Përgjatë shtatë ditëve të festivalit, programi ynë artistik do t’ju zhysë në një kaleidoskop të çudirave të animuara, dhe përmes kësaj teme ne do të eksplorojmë fuçinë transformuese të lidhjeve njerëzore.

Bashkohuni me ne, ndërsa përqafojmë natyrën e shumëanshme të dashurisë, një forcë që tejkalon gjuhën dhe flet me thelbin e njerëzimit tonë. Le të festojmë format e panumërta që dashuria ndikon në jetët tona, ndez shpirtrat tanë, dhe na frymëzon për të qenë më të mirë, si individ dhe si shoqëri”, thuhet në një kounikatë të lëshuar për media.

Edicioni 1 14-të të Festivalit I Animacionit Anibar këtë vit do të zhvillohet në datat 17 korrik  deri 23 korrik 2023, në qytetin e Pejës /KultPlus.com