Vajza që dikur shkoi si refugjate në Francë, sot u dekorua me titullin ‘Kalorëse e Urdhërit të Palmës Akademike’

Suada Qorraj

Shkolla Ndëkombëtare Franceze sonte ishte mbushur me përplot njerëz, krahas përurimit të ambientve të reja, aty u shënua dorëzimi i titullit ‘Kalorëse e Urdhërit të Palmës Akademike’, Fitore Sadikut, vajzës që lidhja me Francën i daton qysh prej kohës kur kishte shkuar si refugjate, shkruan KultPlus.

Pjesmarrëse në këtë përurim dhe dorëzim të këtij titulli ishte Ambasadorja e Francës në Kosovë Marie-Christine Butel, e cila përpos prerjes së shirit të përurimit, i dorëzoi edhe titullin Fitore Sadikut.

Në fjalën e saj hyrëse ambasadorja franceze, Marie-Christine Butel tha se titulli ‘Kalorëse e Urdhërit të Palmës Akademike’, po i dorëzohet një zonje që ka punuar shumë për shkollën, por njëkohësisht edhe për gjuhën frënge, por edhe si një shtytje për të vazhduar më tutje angazhimin e saj në të mirën e përbashkët.

“Është shumë kënaqësi e madhe për një ambasadore që të dekoroj një personalitet i cili është përkushtuar në shërbim të vendit të saj, por edhe Francës. Nëse secili nga ne kemi punuar që aspiratat të cilat i kemi pasur t’i arrijmë, dikush nga ne ka punuar edhe më shumë. Kjo ka të bëjë me një zonjë, me një grua e cila është shumë e fortë, kokëfortë po ashtu në lidhje me punën që ka pasur të bëjë rreth projektit për të cilin jemi mbledhur. Sot, ajo që është shkolla Franceze Ndërkombëtare e Prishtinës dhe shpresojmë që do të jetë e tillë apo më mirë në të ardhmen, ja kemi borxh një zonje. Përtej kësaj ajo ka punuar edhe në të mirë të gjuhës frenge. Dhe zonja që sot do dekorojmë me titullin ‘Kalorëse e Urdhërit të Palmës Akademike, është Fitore Sadiku”, theksoi kështu ambasadorja franceze kur e përuroi Sadikun.

Fitorja e cila sonte nuk erdhi e vetme, por nën shoqërimin e prindërve dhe të kolegeve, ishte shumë e emocionuar. Lotët e gëzimit ishin ata që e shoqëruan këtë dekorim, jo vetëm Fitoren por dhe prindërit e saj, që lufta e fundit në Kosovë i kishte detyruar të migrojnë në Francë.

“Kontakti im i parë me francez ka qenë kur babin tim, nga ajo që mbaj në mend në ’97-ën e kanë arrestuar si gazetar. Aty babai ka pësuar arrest kardiak ku dhe pikërisht për këtë edhe e kanë ndihmuar. Mandej gjatë luftës kemi shku në Francë, dhe aty kam mësuar gjuhën frënge ku dhe kam të gjithë shoqërinë. Pas përfundimit të studimeve kam punuar në Ferizaj dhe në ‘Aleancën Franceze’ dhe ka katër vite që jam këtu”, rrëfen kështu Fitorja për KultPlus.

Sadiku tash e katër vite mbanë postin e drejtoreshës administrative dhe financiare në këtë shkollë tha se marrja e kësaj dekorate është ndër nderet më të mëdha të jetës.

Emocionet nuk arritën ti fshihnin as prindërit e saj Rrahim dhe Fefzije Sadiku të cilët krahas duartrokitjeve të shumta që i dhanë vajzës së tyre, nuk përmbanë lotët e as përqafimet e ngrohta.

Për babain e Ftores, Rrahimin që kohë më parë kishte punuar si gazetar, arritja e së bijës për të ishte një emocion i papërshkrueshëm.

“Një emocion i papërshkrueshëm, tu e pa punën e vajzës. Është një kënaqësi për familjen, por edhe për Kosovën sepse njohjet dhe dekoratat e tilla tregojnë që punën dhe mundin tonë e njeh edhe bota”, theksoi ai për KultPlus.

Edhe për Fefzijen dekorimi i bijës së saj ishte një emocion tejet i madh. Ajo teksa fliste me sytë e mbushur me lot, tregoi se jeta e bijës së saj ka qenë përplot sfida deri sa ka mbërritur në pikën ku është sot.

“Kur fëmijet kanë një rrugë të mbarë dhe arrijnë suksese nuk ka ndjenjë më të mirë për prindërit, e sidmos për nënat. Krenarinë që e ndjej tani nuk kam si ta përshkruaj, vetëm di të ju tregoj që gjatë tërë kësaj kohe më është kujtuar jeta e Fitores, mënyra si është rritur, sfidat dhe çka ka arritur deri më sot”, tha nëna e Fitores për KultPlus.

Fitore Sadiku e cila në vitin 1999 ka shkuar si refugjate në Francë, ka ruajtur dhe përforcuar deri më sot lidhjet e saj me Francën, gjuhën dhe kulturën frenge çka edhe e ka shtyer që edhe më tej të vazhdoj me studime në Letërsinë Frenge në Universitetin e Prishtinës. Sadiku ka punuar në ‘Aleancën Franceze’ të Prishtinës qysh në fillet e saja profesionale. Por, kontributi i saj për gjuhën frënge nuk ndalet këtu, sepse ajo në të mirën e gjuhës frënge ka punuar pranë shoqatës së Profesorëve të frengjishtës të Kosovës./ KultPlus.com