‘Fjalët janë të bukura dhe të rrezikshme’

Shkruan Charles Bukowski

Përshtati në shqip Arjola Zadrima

Fjalët

Fjalët nuk kanë sy as kamë,
s’kanë gojë as krahë,
nuk kanë organe të mrendshme
shpesh as zemër,
ose kanë shumë pak.
Nuk mundesh me ju kërku fjalëve
me ta ndezë një cigare,
por ato, munden me ta prue
ma të kandshme venën.
Asht e sigurtë
nuk mundesh me i detyru fjalët
me ba diçka që nuk dojnë
me e ba.
Nuk mundesh me i mbingarkue
e nuk mundesh me i zgjue
kur bijnë me fjetë.
Nganjiherë
fjalët kanë me të marrë me t’mirë
kjo m”varet prej asaj çka i kërkon
me ba.
Tjera herë,
të marrin me t’keq
për çkado që tu thuesh
me ba.
Fjalët shkojnë e vijnë.
Nganjiherë të bjen me i pritë gjatë ,
tjera herë nuk kthehen ma mbrapsht.
Nganjiherë shkrimtarët vetvriten,
kur i fjalët i lajnë.
Të tjerë shkrimtarë
kanë me u shtirë sikur i kanë ende
në grusht
anipse fjalët e tyne
kanë vdekë e janë varrosë
me kohë.
Kështu bajnë shumë shkrimtarë
të famshëm,
edhe do tjerë ma pak të famshëm
që , shkrimtar, kanë veç emnin.
Fjalët nuk janë për të gjithë.
Shpesh shumica mendon se ekzistojnë veç
për pak njerëz.
Fjalët janë një prej mrekullive
ma të mëdha në botë,
munden me ndriçu
ose shkatërru
mendje,
kombe,
kulturën.
Fjalët janë të bukura
dhe të rrezikshme.
Në qoftë se të gjejnë
ke me e kuptue
e ke me u ndje
njeriu ma fatlum i tokës.
Kurgja tjetër s’ka me pasë randësi,
dhe gjithçka ka më tu dukë kuptimplotë.
Ke me u ndje
Zot i diellit,
ke me qeshë me kohën që kalon,
ke me ja dalë mbanë,
ke me e ndje prej majave të gishtave
guximin.
Dhe po, ke me u ba
derisa të zgjasin
një shkrimtar i ndytë,
që ban të pamujtunën,
të mujtun ,
tuj shkru fjalë,
tuj i shkrue,
tuj shkru. /KultPlus.com