Fjodor dhe Ana Dostojevski – një histori e mrekullueshme dashurie

Në verën e vitit 1865, kur sapo kishte nisur të shkruante “Krim dhe ndëshkim”, një nga romancierët më të mëdhenj të të gjitha kohërave nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë. I mbetur i ve, Dostojevski humbi edhe të vëllain.

I mbytur në borxhe për shkak të vesit të kumarit, Dostojevski trashëgon edhe borxhet e të vëllait dhe shumë shpejt kreditorët nisën t’i trokisnin në derë, duke e kërcënuar me burg. (Një dekadë më herët, ai mrekullisht i kishte shpëtuar dënimit me vdekje për shkak të leximit të librave të ndaluar).

I dëshpëruar, shkrimtari pranoi të shiste të drejtat e një koleksioni historish dhe pjesë e marrëveshjes ishte edhe një roman i ri me të paktën 175 faqe që duhej të ishte gati në nëntorin e një viti më pas.

Duke mos pasur rrugëzgjidhje, Dostojevski vendosi të përmbushte kontratën, por ishte kaq i përfshirë nga “Krim dhe ndëshkim” sa e kaloi gjithë vitin duke punuar mbi të në vend që të shkruante romanin “Kumarxhiu”, që ishte pjesë e kontratës. Me ardhjen e tetorit, Dostojevski duhej të shkruante gjithë romanin në 4 javë.

Më 15 tetor ai i kërkoi një miku që t’i sugjeronte një stenograf të mirë. Pa hezitim, miku profesor i sugjeroi emrin e një gruaje të re, Ana Grigoryevna Snitkina.

20-vjeçarja u entuziazmua nga oferta; Dostojevski ishte shkrimtari i preferuar i babait të saj dhe ajo ishte rritur me librat e tij. Të nesërmen ata filluan punën: ai diktonte, ajo shtypte në makinë. Gjatë 25 ditëve në vijim, Ana shkonte çdo ditë në shtëpinë e shkrimtarit. Çdo ditë ai bëhej më i qetë dhe më i sjellshëm me vajzën.

Me ndihmën e Anës, Dostojevski arriti ta përfundonte librin në kohë. Në përfundim të punës, ai e pagoi dhe e falënderoi. Ditën tjetër, me rastin e 45-vjetorit të tij, Dostojevski vendosi të organizonte një drekë, ku ftoi edhe Anën. Në atë drekë ai kuptoi se Ana ishte bërë drita e ditëve të tij dhe se puna me të i jepte kënaqësi.

Duke mos e imagjinuar më jetën pa të, ai i kërkoi ta ndihmonte që të përfundonte “Krim dhe ndëshkim”. Më 20 nëntor, 10 ditë pas përfundimit të projektit të parë, ai e ftoi Anën në shtëpinë e tij. Të dy u futën në studion e tij, ku ai i propozoi martesën në mënyrën më të mrekullueshme.

Dostojevski i tha Anës se do të donte të dinte mendimin e saj mbi një roman që po shkruante. Por sapo nisi t’i tregonte historinë u bë e qartë se për çfarë bëhej fjalë, ishte historia e atyre të dyve.

Ata u martuan më 15 shkurt 1867. Edhe pse patën vështirësi financiare dhe përjetuan tragjedi familjere, përfshirë humbjen e dy fëmijëve të tyre, ata e deshën njëri-tjetrin dhe qëndruan bashkë deri në vdekjen e shkrimtarit.

Pas vdekjes së tij, Ana studioi tregun e botimeve dhe punoi fort duke e bërë të shoqin një markë kombëtare, librat e cilit u shitën në miliona kopje. Sot shumë e konsiderojnë atë si gruan e parë që drejtonte një biznes në Rusi. / Nga Elona Qose / KultPlus.com

Dostojevski, artisti që zgjeroi dhe thelloi njohjen mbi njerëzit e jetën

Në qoftë se një nga detyrat më themelore të artit është zgjerimi dhe thellimi i njohjes sonë mbi njerëzit e jetën, atëherë Dostojevskin si artist, mund ta vendosim pa ngurrim pranë Shekspirit. Vështirë të gjendet një tjetër autor që shtytjen e vet të brendshme, ndërgjegjen e fshehtë njerëzore me gjithë frikën, konfliktin dramatik dhe kundërshtinë ndaj zbulimit, ta ketë pasur aq të fortë sa ç’e pati Dostojevski.

Që në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare i shkruan (më 16 gusht 1839) vëllait, Mihalit, që “misteri i personalitetit njerëzor duhet zbuluar dhe, në qoftë se ti do t’ia kushtosh jetën kësaj gjëje, mos thuaj që e ke shpenzuar kohën kot. Mua më intereson ky mister, sepse e kam vullnetin për t’u bërë njeri”. E ai bëri ç’është e mundur për ta zbuluar këtë mister.

Rrethanat e lindjes dhe prejardhjes së Dostojevskit qenë sigurisht të jashtëzakonshme. Në fëmijëri iu desh të përballohet me shfaqjet më të ndryshme të mjerimit, faktor që luajti rolin më të rëndësishëm në numrin më të madh të tregimeve të tij. Ai rridhte nga një familje fisnike që kishte rënë nga vakti e ndoshta, duke qenë i përzier me gjak tartar, kish nxjerrë tipa të larmishëm njerëzish.

Shkaku kryesor i shqetësimeve që prisnin Dostojevskin ish pjesëmarrja e tij në një shoqatë të fshehtë revolucionare të themeluar nga Petrashevski – një i ri, nëpunës i Ministrisë së Jashtme – në kohën kur Dostojevski ishte nën ndikimin e radikalit të fortë Bjelinski. Menjëherë pas suksesit letrar, ai hyri në këtë rreth pa e menduar se ç’e priste. Pasi pa në katorga natyrën lakuriqe të njerëzve, qe e pamundur që të besonte në të “mirën e arsyeshmërinë e njerëzve”. Në rastet më tipike ai pa përzierjen e së mirës me të keqen, pa gjithashtu që e keqja, në qoftë se nuk gjen pengesën e duhur, ajo fiton epërsinë. Ai nuk besonte më në efektin e pengesës kur ajo është vetëm e jashtme, sepse e njihte mirë aftësinë e vetëmbrojtjes së brendshme. Ato ku ai mbështetej dhe kërkonte qenë vlerat shpirtërore e morale, të cilat, të rrënjosura në vetë irracionalen e njerëzve, sjellin shumë shpejt ndryshimin e dalë nga brenda. Dostojevski mendonte se ky kapërcim, kjo vlerë e përjetshme e jetës nuk kryhet përmes njerëzve, por vetëm përmes një qenieje kapërcyese të përjetshme, domethënë përmes Perëndisë.

Ishte ekzistenca e Perëndisë ajo që bëri të mundur që vetë jeta njerëzore të mbushet me vlerat më të larta, në mënyrë që vetë niveli qenësor i saj të ngrihet mbi nivelin psikologjik dhe përcaktues të kafshëve. Kjo qe shkalla nga ku mori hov kërkimi i Zotit te Dostojevski. Megjithatë, kish një gabim: kështu ky i mbrojtur i dikurshëm nga ateistë si Bjelinski dhe Nekrasovi, u kthye papritmas në atë qëndrim të cilin dikur e pat luftuar me aq zjarr në romanet e tij. Gaboi rëndë, pasi rruga e Dostojevskit drejt besimit ish e stërngopur me dyshim. E, nga konfliktet dhe torturat e brendshme ai kurrë, as në fazën e fundit të jetës, nuk mundi të çlirohet krejtësisht. Gjithsesi, ai pati një sekret të dhimbshëm: shpesh në mënyrë të gabuar, e mbajti dëshirën e dikurshme për besim, vetëm për besim.

Në një letër shkruar në vitin 1854, Dostojevski pohon se dëshirat dhe synimet për figurën e Krishtit janë të sakta, sepse nuk ka më të bukur, më të thellë, më të dashur, nuk ka më të urtë, më njerëzor e më të përsosur sesa Krishti. Në qoftë se dikush më dëshmon që Krishti qëndron jashtë së vërtetës e me të vërtetë do të ish kështu, që e vërteta do të ish jashtë Krishtit, unë do të doja të isha më mirë me Krishtin se me të vërtetën.

Ashtu si Lazari i ngjallur nga vdekja trupore, Raskolnikovi duhej ringjallur nga vdekja shpirtërore. Gjithçka që vërehet në epilog është ajo që bluante me mend Raskolnikovi mbi fatkeqësinë e tij dhe mbi fatin e njeriut në një botë ku “gjithçka lejohet”. Tendenca e kësaj bluajtje me mend shprehet në ëndrrën e tij alegorike të një epidemie, e cila kishte ardhur nga Azia. Për çudi, me vullnet e inteligjencë mikrobet e ngjitur kishin pushtuar gjithë qeniet njerëzore, duke i bërë ata të marrë. E kjo marrëzi kish një aspekt të veçantë: ajo manifestohej në një orgji të përgjithshme arbitrariteti të lidhur me një akses në shkencë dhe arsyeshmëri.

Asnjëherë njerëzit nuk janë mbajtur për aq inteligjentë në zotërimin e së vërtetës; asnjëherë nuk i kanë mbajtur vendimet e tyre, konkluzionet e tyre shkencore dhe bindjet e tyre morale për aq të pagabueshme. Fshatra të tërë, qytete të tëra dhe popullsi u pushtuan nga epidemia dhe marrëzia. Të gjitha u ngacmuan me urrejtje dhe nuk u morën vesh më me njëri-tjetrin. Secili mendonte që ai vetëm e kishte të vërtetën. Ata nuk e ditën më gjykimin dhe nuk mundën më kurrë me këtë të bien në ujdi se çfarë është e mira dhe e keqja. Ata nuk e dinin nëse ata duhet të flasin me faj, apo lirshëm. Njerëzit vrasin njëri-tjetrin, në një mënyrë të çmendur zemërimi… Ka afsh të zjarrtë dhe zi buke. Gjithë njerëzit e gjithë gjërat duhet të binin në shkatërrim. Epidemia përhapet e shtrihet larg e më larg. / Konica.al / KultPlus.com

“Kërkesa e parë për të qenë e qeshura ashtu si duhet është të qenit e sinqertë”

Një ndër autorët që vazhdon të lexohet anë e kënd botës është rusi Fjodor Dostojevski, shkruan KultPlus.

Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.

KultPlus ju sjell një fragment të veprës “Adoloshenti” nga Fjodor Dostojevski:

Unë mendoj kështu: kur qesh një njeri, nuk shihet dot me sy! Se të qeshurit ia bën më të theksuar vulgaritetin njeriut, i theksohet diçka poshtëruese, ndonëse vetë personi as që dyshon ndonjëherë për këtë. Se as këtë s’e dimë: çfarë shpreh fytyra jonë kur flemë?

Dikujt i shpreh mençuri, një tjetri i shpreh banalitet, deri idiotësi, një i tretë kur fle, duket qesharak. Nuk di nga se vjen; ajo që desha të them është se si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin personi nuk di asgjë. Ka shumë që nuk dinë të qeshin, ndonëse këtu dija s’para hyn në punë; të qeshurit është dhunti, s’ke si e rregullon. Diçka edhe e arrin, duke i mposhtur brenda vetes instinktet e këqija, por fare pak.

Shumëkush e tregon veten si në pëllëmbë të dorës kur qesh. Kurse mua deri edhe e qeshura e mençur më është e pështirë. Them se kërkesa e parë për të qenë e qeshura ashtu si duhet, është të qenit i sinqertë. Po ku e gjen atë te njerëzit? Të qeshurit e sinqertë parashikon mposhtjen e ligësisë, po pse e lehtë është kjo? Ndaj dhe jo rrallë njerëzit qeshin me ligësi.

Kur shoqërohet nga sinqeriteti dhe privohet nga ligësia, të qeshurit del i gëzueshëm, i ëmbël, por ku e gjen gëzimin dhe ëmbëlsinë ndër njerëzit? Se të qenit i gëzuar është tipari më i shquar i njeriut! Por ndodh edhe kështu: orvatesh dhe jo pak të zbërthesh një karakter dhe s’ia arrin dot, mjafton që njeriu të qeshë, dhe karakteri i tij të hapet si në pëllëmbë të dorës. Kuptohet, kur të qeshurit është i sinqertë. Njeriu di të qeshë me zemërmirësi vetëm atëherë, kur ka zhvillim ngjarjesh lumturuese.

Nuk e kam fjalën për nivelin e zhvillimit mendor të njeriut, po flas për shpalosjen e karakterit të tij përmes të qeshurit, për tërësinë e vetive si njeri. As heshtja, as të qarët, as të folurit, as të emocionuarit nga veprimet fisnike të të tjerëve nuk arrijnë dot ta tregojnë njeriun aq sa e tregon të qeshurit. Qesh mirë, domethënë, është i mirë! Në iu rëntë në sy qoftë edhe një gram marrëzie në të qeshurit e tjetrit, dijeni, ky njeri s’e ka të theksuar dinjitetin vetjak.

Qoftë edhe kjo: dikush prej natyre është tejet i komunikueshëm, por ju duket disi banal e deri i lëshuar në sjelljen me njerëzit, dijeni se është natyrë vulgare; në rast se ju bie në sy në sjelljen e tij diçka fisnike, dijeni se o shtiret, o e ka të huazuar nga të tjerët. Ky njeri me kalimin e kohës ka për të ndryshuar për keq! Një i tillë mund të kapet pas “të dobishmes”, por ciniken do ta flakë pa pikën e keqardhjes, ashtu si këmbejnë njëra – tjetrën edhe shkulmet rinore, frelëshuara të të qeshurit të tij të ngazëllyer. / KultPlus.com