Miqtë

TIMO FLLOKO

Kot e ke, më tha ndërgjegja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri. ti s’fal. thotë Krishti.
Po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi në këtë jetë.
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën, oh sa të liq!

Mos u lig, mos u mpak.
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”./ KultPlus.com

Recitimi historik i poezisë ‘Anës lumenjve’ nga Timo Flloko (VIDEO)

Poezi nga FAN NOLI

KultPlus ju sjell recitimin historik të poezisë ‘Anës lumenjve’ nga Timo Flloko në filmin ”Lulëkuqet mbi mur”:

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.

Ku e lam’ e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjer-mileti
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur?

Se ç’e shëmpnë derbederët,
Mercenarët dhe Bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës!

Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’ as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’ u-mpaka,
Se ç’ u-çora, se ç’ u-mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.

Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
Endërronj pa funt, pa shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.

Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet Beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta,
Dhe kudo gjëmon trumbeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
Më bën djal’ e më bën trim,
Më jep forc’ e më jep shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi një herë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur
Brohorit me bes’ e shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së./KultPlus.com

‘Sytë’

Poezi nga Timo Flloko.

Sytë shohin, shihen; fshehin, fshihen;
Sytë ikin largohen, …sytë mërgohen.

Sytë ndrijnë, qeshin; ndizen, ndezin,
Sytë dashurojnë, dashurohen …sytë verbohen.

Sytë lotojnë, pikëllojnë; fiken shterohen,
Sytë ftohen, s’flasin, ….sytë vrasin.

Shtati kallkan ngrin,
sytë mbesin,
hapur, kur vdesim./KultPlus.com

‘I pavlerë je në këtë botë, po nuk pate dhe ‘armiq”

Poezi nga Timo Flloko

Kot e ke, më tha ndërgjegja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri. ti s’fal. thotë Krishti.
Po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi në këtë jetë.
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën, oh sa të liq!

Mos u lig, mos u mpak.
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”/KultPlus.com