Fondacioni “Raoul Wallenberg”: Historia e Isuf dhe Niqi Panariti, shpëtuesve të hebrenjve

Fondacioni “Raoul Wallenberg”: Historia e Isuf dhe Niqi Panariti, shpëtuesve të hebrenjve Fondacioni “The International Raoul Wallenberg Foundation” e ka shpallur Shqipërinë si “Shtëpia e Jetës”, çmim që do të jepet më 27 janar 2019.

Fondacioni “The International Raoul Wallenberg Foundation” (IRWF) i ka kushtuar një shkrim të veçantë familjes shqiptare Isuf dhe Niqi Panariti, prindërve të deputetit të LSI-së, Edmond Panariti, ish-ministër i Punëve të Jashtme, të cilët strehuan gjatë Luftës së Dytë Botërore familjen hebreje Mari dhe Eli Kuonne. Sipas asaj që shkruhet në faqen zyrtare të fondacionit, IRWF e ka shpallur Shqipërinë si “Shtëpia e Jetës”, çmim që do të jepet më 27 janar 2019.












Ja dhe shkrimi i plotë

Historia e një çifti guximtar shqiptar – Isuf dhe Niqi Panariti

Isuf dhe Niqi Panariti – Shpëtuesit shqiptarë

Shqipëria është një vend i veçantë. Para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, ajo kishte një popullsi hebreje prej rreth 200 veta. Deri në fund të luftës, rreth 2,000 hebrenj jetonin në Shqipëri, përfshirë qindra refugjatë nga vendet fqinje, si Austria, Gjermania, Greqia, Italia dhe Jugosllavia, të cilët arritën t’i mbijetonin persekutimit nazist falë frymës shqiptare të solidaritetit dhe mikpritjes.

Asnjë vend tjetër nën pushtimin gjerman nuk e përfunduan luftën me më shumë hebrenj sesa kishte përpara Holokaustit. Në fillim të vitit 1944, hebrenjtë në Tiranë morën urdhër të regjistroheshin te Gestapo. Shqiptarët i ndihmuan duke u pajisur me dokumente identiteti të rreme dhe i kishin fshehur ata në fshatra të vegjël.

Këtu është një nga shumë tregimet e shpëtimtarëve shqiptarë.

Marsi i vitit 1943 shënoi fillimin e dëbimit të hebrenjve nga Selaniku.

Mari dhe Eli Kuonne ia dolën të iknin nga Greqia së bashku me vajzën e tyre Frida. Vajza e tyre tjetër, Medi, ishte bashkëshortja e një pronari të hotelit jo-hebre i lidhur mirë, i cili përdori kontaktet e tij për të rregulluar largimin e tyre nga Selaniku. Ai mori kontakt me Isuf Panaritin, një biznesmen shqiptar i cili ishte në qytet në biznes dhe t’i merrte Kuonët në kufi për t’i e strehuar në vendbanimin e tij në Korçë.

Kur nazistët pushtuan Shqipërinë, në vjeshtën e vitit 1943, Kuonët u fshehën në shtëpinë e Panaritit. Eli Kuonne u bashkua me partizanët dhe bashkëshortja dhe vajza e tij u zhvendosën në një fshat të largët ku u pritën nga familja e Niqi Panariti.

Në prag të çlirimit të Shqipërisë nga nazistët, në tetor të vitit 1944, Eli u kthye nga partizanët dhe familja Kuonne u rikthye në Selanik.

Ata gjetën atje një vend të shkretuar. Lagjja e hebrenjve ishte  shkatërruar dhe shumica e anëtarëve të familjes së tyre u vranë nga nazistët.

Në vitin 1954, Frida u martua me një biznesmen hebre, Isaac Matalon.

Për shumë vite, Frida mbajti korrespondencën me Panaritët, por çdo takim personal u ndalua për shkak të kufizimeve të vendosura nga regjimi komunist në Shqipëri.

Në vitin 2015, Isuf dhe Niqi Panariti u shpallën pas vdekjes në “Të Drejtë mes Kombeve”. Çmimi u dorëzua djalit të tyre, z. Edmond Panariti, ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në atë kohë.

Në një deklaratë të përbashkët të bërë nga Eduardo Eurnekian dhe Baruch Tenembaum, Kryetari dhe Themeluesi i Fondacionit Wallenberg deklaroi: “Për shkak të heroizmit të veçantë kolektiv të Shqipërisë, IRËF ka vendosur të shpallë Shqipërinë si ‘Shtëpia e Jetës’. Ceremonia e shpalljes do të mbahet në Tiranë, më 27 janar 2019, që përputhet me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit”./KultPlus.com

Marrë nga http://www.raoulwallenberg.net/general/isuf-and-niqi-panariti-albanian-rescuers/#.W4_8dcxUXnA.facebook