Nga Albert Vataj
Jean de La Fontaine u lind më 8 korrik 1621 në Château-Thierry dhe u nda nga jeta më 13 prill 1695 në Paris. Ai qëndron si një nga emrat më të shquar të letërsisë franceze, një prej fabulistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe pa dyshim një nga poetët më të dashur dhe të lexuar të shekullit të XVII-të. Veprimtaria e tij letrare, e përqendruar sidomos në “Fabulat”, shënoi jo vetëm një kulm artistik për këtë zhanër klasik, por edhe një themel i qëndrueshëm mbi të cilin u ndërtuan veprat e fabulistëve të mëvonshëm në të gjithë Evropën. Këto krijime, të përkthyera, të ripërpunuara dhe të interpretuara në gjuhë të ndryshme, përfshirë dialektet rajonale të Francës, vijojnë të jetojnë si thesar i mendimit universal dhe mençurisë popullore.
Pavarësisht një fillimi të ngadaltë në skenën letrare dhe njëfarë hezitimi nga oborri mbretëror, La Fontaine përfundimisht u pranua në Akademinë Franceze në vitin 1684, një nder që përfaqësonte njohjen më të lartë të kohës për kontributin në letërsi. Prej asaj kohe e deri më sot, emri dhe figura e tij nuk janë zbehur kurrë në kujtesën kulturore të Francës. Statujat, medaljet, monedhat dhe pullat postare që i janë kushtuar, dëshmojnë për këtë nderim të pashuar dhe për vendin e veçantë që ai zë në ndërgjegjen estetike dhe qytetare franceze.
Personazhi i La Fontenit është përthithur në një lloj legjende, siç ndodh shpesh me figurat që sfidojnë format konvencionale të jetës. Ai është paraqitur nga bashkëkohësit si një shpirt i lirë, i pakujdesshëm për çështje praktike, i përhumbur në botën e ideve dhe fabulave të tij, shpeshherë deri në shkallën e harresës apo ekscentrizmit. Gédéon Tallemant des Réaux, i pari që nisi të dokumentonte këtë tipar të tij, rrëfen për një La Fontaine që i thotë të birit: “Ah, po, më duket se të kam parë diku!”, apo për ngulmimin për të sfiduar në duel një burrë që ai e dyshonte se kishte admirim për gruan e tij, vetëm për t’i kërkuar më pas të vazhdonte ta vizitonte shtëpinë si më parë.
Anekdotat e shumta, si ajo e shfaqjes në publik me çorape të palidhura apo me veshje të çrregullta, e rrethojnë figurën e tij me një aureolë çuditshmërie, që në vetvete kontraston me qartësinë therëse dhe ironinë e hollë të fabulave të tij. Ai ishte një njeri që përkonte më shumë me thelbin e artit sesa me skemat e jetës së përditshme, një prani delikate e heshtur në shoqëri, por një zë i fuqishëm në letërsi.
Jean de La Fontaine nuk ishte thjesht fabulist. Ai ishte një vëzhgues i thellë i natyrës njerëzore, që përmes gjuhës së kafshëve dhe alegorisë satirike, foli për veset, padrejtësitë dhe marrëzinë njerëzore me një mençuri që i mbijetoi kohës. Në fjalët e tij gjejmë shpesh atë që Voltaire më vonë do ta quante “arti për të thënë të vërtetën me elegancë”.
ANEKTODAT
Vizitë në shtëpinë e mikut të vdekur
* La Fonteni si njeri i hutuar që ishte, tetë ditë pasi varrosi një mik vajti tek shtëpia e tij për darkë siç bënte shpesh herë.
– Por, – u përgjigj i hutuar kamarieri kur ai pyeti për shokun e tij, – zotnia im dhe miku juaj shkoi në varreza tetë ditë më parë.
-Nuk e dini?
– Ah, po nuk ma mori mendja se ai do të rrinte kaq gjatë.
Debati me të birin
* La Fonteni ishte njëherë në shtëpinë e Dupinit, doktor i shkencave në Sorbonë, bashkë me të birin e vet. Ky në fjalë e sipër bëri disa vërejtje për të atin. Kur djali u largua, La Fonteni, që e kishte përshëndetur me respekt të madh, u drejtua nga i zoti i shtëpisë dhe e pyeti se kush ishte ai djalë që iku. Tjetri e shikoi i habitur dhe thirri:
– Si, po a nuk ishte yt bir ai?
– Po, po – u përgjigj La Fonteni, – tashmë po më duket se e kam parë
edhe herë të tjera atë njeri dhe pamja e tij nuk m’u duk e re.
Bullallëqet e komedianit
Kur La Fonteni u sëmur rëndë, prifti i rrinte shumë rreth e qark për t’i bërë shërbimet e shëlbimit të shenjtë. Infermierja që i shërbente të sëmurit i tha priftit:
O atë! Lëreni të qetë e mos e mundoni shumë, se ai në jetë bëri më shumë budallallëqe se mëkate, dhe Zoti nuk do të ketë kurrë guximin që ta dënojë.
Epitafi për varrin e tij
* La Fonteni e kishte bërë vetë epitafin ku thuhej: “Këtu shtrihet ai që iku ashtu sikurse kishte ardhur. Hëngri trashëgiminë dhe kapiti duke besuar se pasuritë janë gjëra fare të panevojshme. Kur arriti të gjente kohë të mirë, atë e ndau në dy pjesë, njërën e përdori për të jetuar dhe tjetrën për të mos bërë asgjë”./ KultPlus.com
