Presidentja Osmani: Historia e Kosovës, është histori e secilës grua që hoqi një gur nga rruga 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji, është e rëndësishëm për njerëzimin në përgjithësi.

Sipas saj, historia e Kosovës është histori e secilës grua e cila siç ka thënë, ka larguar një gur nga rruga drejt barazisë.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, e para e shtetit ka falënderuar partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për ndihmën në organizimin e këtij eventi.

“Ne besojmë që nëse i njohim praktikat e partneritetit, çdo fëmijë do të na jep kontributin që të ndërtojmë një botë paqësore. Pjesëmarrja dhe vetëbesimi është mbushur me liderë, ekspertë nga e gjithë bota, të cilët e kanë mësuar mësimin e tyre për botën si një botë të sigurt. Dua t’i falënderoj miqtë që e kanë bërë këtë Forum, të gjitha institucionet kosovare dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Osmani.

Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, panelistë e diskutues të tjerë do të debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”./ KultPlus.com

Presidentja Osmani njofton për lansimin e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja Osmani njofton për lansimin e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në Kosovë më 22-23 tetor.

Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Prishtinë do të organizohet edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), më 22-23 tetor 2022.

Me temën “Ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme”, ky forum ndërkombëtar ka për qëllim të reflektojë mbi sukseset dhe sfidat e kësaj axhende 22 vite pas miratimit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të njohur e promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë aktive e përmbajtësore në procese të paqes dhe sigurisë.

Ky edicion i parë i Forumit do t’i dedikohet trashëgimisë së ish-sekretares së SHBA-ve, Madeleine Albright. Forumi do të sjellë në Kosovë liderë nga rajoni dhe bota, akademikë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, e personalitete përgjegjëse për zbatimin e kësaj axhende.

Organizimi i këtij Forumi ndërkombëtar është një ndër zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci. Forumi synon të përçojë qartë mesazhin se paqja dhe siguria e grave janë shtyllat qendrore të vizionit të Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel vendor, rajonal dhe global.

Forumi GPS do të zhvillohet në një kohë kur paqja, liria dhe siguria po sulmohen në zemër të Evropës, teksa gratë e vajzat sërish janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Forumi do të fokusohet në “Ndërtimin e aleancave për paqe të qëndrueshme” dhe do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mësimeve të nxjerra nga përvojat e vendeve pjesëmarrëse, zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të balancuara gjinore, si dhe hartimin e kornizave të reja të veprimit në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme të arkitekturës së sigurisë dhe paqes në Evropë e më gjerë.

Në këtë frymë, Forumi do të promovojë një rol më të fuqishëm për gratë në të gjitha fushat e jetës dhe posaçërisht drejt avancimit të Axhendës GPS.

Forumi organizohet në bashkëpunim me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla Schwarz, si dhe mbështetet nga partnerë lokal e ndërkombëtar.

PËR ÇËSHTJE TË AKREDITIMIT: Forumi do të jetë i hapur për mediat vendore, rajonale e ndërkombëtare. Të gjitha informatat, përfshirë akreditimin medial, do të publikohen në javët në vazhdim. / KultPlus.com