Ornela Vorpsi ekskluzivisht për KultPlus: Nuk shkruaj në shqip, ndryshe ngrihen demonët e së kaluarës dhe më shqyejnë të gjallë

Ardianë Pajaziti

Fytyra e saj është një fytyrë si e një kukulle porcelani. Dhe jo vetëm, por edhe një fytyrë kukulle e habitur. Dhe me sytë e saj të mëdhenj sikurse edhe më ma vërteton këtë ndjesi që ma jep figura e Ornela Vorpsit.

Në pamje të jashtme ta le përshtypjen e një gruaje të fortë, që është në gjendje të thyej çdo barrikadë, po në shpirt, sikurse e thotë edhe vet, është e vrarë, shumë e vrarë nga jeta që e rropati brenda dhe jashtë Shqipërisë.

E përkthyer në mbi 20 gjuhë të botës, mu kjo Ornela e Shqipërisë që doli nga ky vend dhe vazhdon të bëj nam nëpër botë me librat e saj, akoma nuk e ka shkruar një libër në gjuhën shqipe, po gjithë krijimtarinë e saj e ka të shkruar o në italisht, o në gjuhën frënge. Dhe ka një arsye pse nuk ka shkruar dhe nuk dëshiron të shkruajë në gjuhën shqipe.

Përgjatë një bisede të gjatë, pashë shumë Ornela rreth meje, e mezi arrija të përmblidhja mu atë Ornelën që kisha para syve të mi, që padyshim është një zonjë e madhe, dhe nuk do të ishte e tillë po të kishte pas një jetë ndryshe.

Për mbi dy orë përgjatë intervistës pashë Ornelën e vogël të Tiranës e cila lumturohej në familjen e saj të vogël, pastaj pashë Ornelën e topitur, mu këtë Ornelën me fytyrë porcelani, hije që mori që nga vdekja e gjyshes, vdekje që ndodhi në prani të saj, hije që u bë edhe më e rëndë me burgosjen e babait. Pashë Ornelën e vetmuar rrugëve të Tiranës, vetmi dhe refuzim që e mbështolli regjimi i Enver Hoxhës, pashë Ornelën duke vrapuar pas ngjyrave, pikturës, pastaj atë Ornelën e Milanos e të Parisit, Ornelën në romane që edhe më tej refuzon ti shkruaj në gjuhën e nënës, e deri te kjo Ornela e fundit që i janë përkthyer romanet e saj në mbi 20 gjuhë të botës, këtë Ornelën e ekspozitave e të pikturës, e cila prap më jep ndjesinë e një portreti të një figureje porcelani, e cila edhe e thotë vetë, që këtë figurë apo ndjesi të majës së ajsbergut, e mori që nga përplasja e gjyshes para këmbëve të saj, vdekje që ja dha një nur përgjatë gjithë jetës.

Përderisa kujton fëmijërinë e saj, e cila e konsideron fëmijëri të lumtur, rritën e saj me dashurinë e gjyshes dhe prindërve të saj, Ornela Vorpsi e kujton atë periudhë si periudhën më të ëmbël, e cila rritej në një shtëpi në mes të Tiranës, me një kopsht shumë të madh me hurma e ullinj, e cila shumë më vonë kuptoi se babai i saj kishte prona, shumë prona, por që ata e rritnin pa ia kujtuar se ishin një familje e kamur, duke vënë në plan të parë dashurinë që kishin për njëri tjetrin, e sidomos për gjyshen. 

“Kam pas një gjyshe jashtë mase të dashur, dhe mbaj mend se deri në moshën gjashtë vjeçe kam gëzuar dashurinë e saj të pafund. Dhe vdekja e saj, besoj se ishte një nga goditjet më të mëdha që kam pas në jetë. U rrëzua para syve të mi, ra në tokë, mbaj në mend që më tha “koka, më dhemb shumë koka” dhe vdiq, para syve të mi vdiq”, kujton Ornela dashurinë për gjyshen, dashuri që më pas u shndërrua në atë topitjen, akullnajën jetësore, pasi që këtë vdekje e kapërceu ftohtë, pa lot dhe pa bërtima, me një mur në mes, mur të madh mes dhimbjes shpirtërore dhe reagimit të jashtëm.

Ornela kujton më pas se kishte vazhduar jetën në atë Tiranën e atëhershme, Tiranë që bashkë me Shqipërinë ishin super të izoluara nga bota, me makina të pakta, e edhe më pak racione ushqimi, por me një dashuri të madhe për artin, dashuri që e kishte qysh nga vegjëlia e saj.

Dhe kjo artiste e madhe, rrugëtimin drejt artit e kishte nisë në piano. Prindërit e saj e kishin detyruar të ngulitej në atë instrument, tinguj që kurrë se plotësuan shpirtin e saj të madh artistik, që në periudha të ndryshme jetësore ndryshonin formë, herë pikturë, herë fotografi e herë letërsi.

Dhe përderisa Ornela kërkonte art, apo dhimbja e saj kërkonte të shpërfaqej nëpërmjet artit, në kohën kur ende mësonte piano, por që nuk përmbushte dëshirën e saj për të bukurën, me vetëm shtatë vjet ajo pëson edhe një goditje.

Dhe si me rastin e vdekjes së gjyshes, edhe kësaj radhe, nuk qau, as lëvizi e as nuk reagoi. Ishte zhdukja e babait, dhe ajo që dinte në atë kohë ishte vetëm kjo, babai i saj iku me motorin.

“Mbaj mend mamin, e priste. Por babai u zhduk, kishte një motor dhe po me atë motor u zhduk. Unë si fëmijë nuk reagoja, nuk merrja pjesë në këto goditje, nuk lëvizja, nuk qaja dhe nuk prekesha”, shpjegon Ornela Vorpsi duke kujtuar këtë goditje si shtatë vjeçe, e cila më pas ka shpjeguar se pas bisedave dhe konsultave më të vonshme me psikoanalistë, i kishin shpjeguar se ky mos reagim i saj ishte më shumë si një mur, si një mbrojtje e vetvetes karshi zhvillimeve.

“Dhe babai nuk u kthye, kaluan gjashtë muaj dhe nuk kuptuam asgjë. Brenda këtyre gjashtë muajve mami shkonte në polici të pyeste, dhe ata i thoshin se nuk dinin gjë. Të njëjtit kërcënonin mamanë time se ajo duhej tu tregonte se ku ishte burri i saj” tregon Ornela për atë periudhe të rëndë për familjen e saj, të cilës familja e saj veç po i zvogëlohej, dhe tani kishte ngelur me mamanë e saj, e që atë kohë ishte 29 vjeçe.   

Dhe regjimi i Enver Hoxhës sapo kishte trokitur në portën e familjes së Ornela Vorpsit, dhe shija e hidhur e komunizimit kishte kaluar përmasat për të dhe për mamanë e saj, të cilat vuanin në palcë ndarjen e familjes, distancimin e njerëzve nga to dhe vuajtjet e kësaj kohe që kishin shndërruar një grua dhe një vajzë të vogël si dy njerëz tmerrësisht të padëshiruara nga të tjerët.

Babain e dënuan për politikë pa u marr asnjëherë me politikë, kishin për qëllim sekuestrimin e pronave

Ornela Vorpsi kujton që babain e saj e kishin gjykuar me dyer të mbyllura, e kishin akuzuar për politikë, edhe pse, sipas Ornelës, babai i saj kurrë nuk ishte marr me politikë. Sipas saj, arsyeja e burgosjes së tij ishte diku tjetër, sekuestrimi i pronave të shumta që kishte kjo familje. Dhe me rënien e tij në burg, krejt këto prona u sekuestruan dhe lanë këtë familje në dyer të botës. 

Ornela kujton se dy herë e kishte vizituar babain e saj në burgun e Spaçit, njëherë kishte shkuar me gjyshin, nga ana e babit, dhe njëherë kishte shkuar me mamin. Të dy vizitat kishin lënë vragë të thella në memorien e Ornelës, duke nisë nga kontrollet e rrepta të gardianëve e deri te takimi me babain, që për të ishte shumë i panjohur.

“Nuk e njoha fare babain tim, ishte dobësuar jashtë mase, ishte me pizhame me vija, si ato të Auschwitz. Dhe mbaj në mend që mamit tim i dha një qese të vogël, kur u ktheva në shtëpi, si kurreshtare që isha e hapa atë qese. Në të gjeta dhëmbët e thyer të babit, sepse më vonë e kam kuptuar se kur e kishin arrestuar, e kishin futur në një thes, dhe e kishin rrahur aq fortë sa që ia kishin thyer edhe dhëmbët”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe një takim tjetër me babain e saj në burg, po këtë herë më shumë kujtime të hidhura i kishte lënë rruga deri në Spaç, sesa vet Spaçi.

“Nuk kishte makina, mbaj mend se patëm shkuar me autostop me një kamion që barte derra, mami ishte ulur me shoferin para, unë isha pas, me derrat. Para syve të mi shihja se si tentonte shoferi ta puthte mamin tim, ishin kohë të tmerrshme, ishte një Shqipëri që nuk të le qetë as sot”, kujton Ornela.

Dhe përgjatë kohës sa babai i saj vuante dënimin, mamanë e saj e detyruan ose të divorcohej ose do ti internonin, por sipas Ornelës, mamaja e saj zgjodhi të parën, dhe pas sekuestrimit të pronave, Ornela bashkë me mamanë e saj u detyruan të ktheheshin te dajët, ku u vendosën të dyja në një dhomë të vogël, dhomë e cila u shndërrua në shtëpinë e tyre për shumë vite.

“Të gjithë njerëzit na u larguan, mbaj mend edhe kushërirat e mia të cilat bëheshin se nuk më shihnin në rrugë. Tirana ishte e vogël atëherë, dhe bënim pjesë te shoqëria margjinale. Ndërkohë, Shqipëria në atë kohë ishte kaq injorante, me mentalitet shumë të rëndë, sa po të ishe një grua pa burrë, sikurse ishte ime më, ishe direkt kurvë”, kujton Ornela, e cila mentalitetin e Shqipërisë edhe sot e sheh si të ngecur në vend, me shumë pak ndryshime.

Nga një inxhinere mekanike, mamanë e Ornelës e vendosën në punë në një fabrikë me tre turne. E dërmuar nga rrethanat, e larguar nga shoqëria, sipas Ornelës, mamaja e saj për një muaj e gjysmë u shtri në psikiatri.

“U shtri në psikiatri vetëm që të flinte, nuk flinte dot nga puna që bënte në tri turne. Dhe si e vogël unë mbeta vetëm me gjyshen te dajët”, rrëfen Ornela, të cilës çdo ditë po i zvogëlohej bota, e krejt këtë çmenduri që e kishin kaluar shqiptarët që i prekte regjimi i Enver Hoxhës, Ornela e shpjegon me një fjali “Ishte një Shqipëri e çuditshme, mos ta jetoje, nuk e koncepton dot”.

Ornela shpjegon se babai i saj vuajti shtatë vjet dënim, dhe pas burgut ajo e takoi si 14 vjeçe. Si vajzë e një të burgosuri politik, përgjatë kohës sa babin e kishte në Spaç, i kishin thënë shumë fjalë të këqija për babain e saj. Aq keq i kishin fole, sa që Ornela tregon se kur dikush i thoshte se sa shumë i ngjante babit të saj, ajo nuk ndihej mirë, ndihej shumë keq.

“E kam takuar edhe dy tri herë, fshehtas prej mamit. Sepse ajo nuk donte që të takohesha me të, asaj i ishte ngulitur në mendje se ai ishte shkaktari që na shkatërroi jetën. E në fakt nëna kishte probleme mendore, sepse i vuajti shumë pasojat”, tregon Ornela më tej.

E adhuroja vizatimin, pikturën, po sistemi i atëhershëm nuk më lejonte të futesha në Liceun Artistik, isha vajza e një të burgosuri politik

Dhe përderisa jeta i kishte rropatë sa poshtë e lart këtë familje tironse, lufta e artit brenda shpirtit të Ornelës nuk gjente paqe. Përderisa bënte shkollë për piano, brenda saj ajo kishte zbuluar pasionin për vizatimin, pasion që u bë aq i fuqishëm sa mori edhe vendimin për braktisjen e pianos.

Ajo kujton se vet kishte shkuar të Pallati i Pionierit për tu regjistruar për vizatim, pastaj përfundoi shkollën tetë vjeçare të normales, institucion në të cilin poashtu ndjeu distancën e shokëve, shoqeve dhe mësimdhënësve.

“Pastaj kisha dëshirë të vazhdoja Liceun Artistik për pikturë, por ishte e pamundur, sepse isha fëmija i një të burgosuri politik, dhe në Shqipërinë e atëhershme, arti ishte propagandë, dhe nuk kisha të drejtë, kisha të drejtë vetëm në gjimnaz”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton se përgjatë asaj kohe, ajo kishte vijuar gjimnazin, përderisa pikturën e vazhdonte në shtëpi.

Dhe me përfundimin e gjimnazit, si duket po përfundonte edhe një regjim i tmerrshëm në Shqipëri. Ornela Vorpsi ishte në vitin e tretë të gjimnazit kur kishte vdekë Enver Hoxha, dhe Ornela kujton edhe sot kumtin e zysheve të asaj kohe dhe histerinë kolektive për vdekjen e Enver Hoxhës.

Por me vdekjen e tij, vendi kishte filluar pak të merrte frymë. Më në fund, Ornela Vorpsi arrin të futet në Institutin e Arteve, tash Akademia e Arteve të Bukura, garë të cilën e synonin mbi 400 të rijnë, e pranoheshin vetëm 25 studentë.

“Kisha përballë fëmijë të artistëve, fëmijë që ishin rritur me art, fëmijë që ishin mirë politikisht dhe që ishin mirë me talent. Po pata një fat të jashtëzakonshëm, dhe pata një mbështetje nga Hektor Dula, i cili mbështeste talentin tim, dhe kështu që e fitova atë konkurs. Mbaj në mend që për një javë kam pirë vetëm ujë dhe nuk haja asgjë, aq isha e emocionuar”, tregon Ornela Vorpsi për këtë vulë jetësore, vulë që e kërkonte pothuajse që nga fëmijëria dhe më në fund ia kishte dalë që të jetë pjesë e këtij institucioni që pas përfundimit do ta nxirrte si piktore.

Ika me mamin në Itali, kapitalizmi mu duk gjëja me e egër që kisha parë në jetën time, nuk i kuptoja lëvizjet e gjithë atyre makinave, sikurse nuk e kuptoja dashurinë e tyre për macet dhe qenët. Atëbotë në Shqipëri nuk kishte as veterinar

Dhe portat po hapeshin për piktoren e re. Në fakt nuk u hapën portat, po shqiptarët po i hapnin ato dhunshëm, duke u futë nëpër ambasada dhe duke kërkuar një jetë më të mirë.

“Meqë jam esteiste, Shqipëria nuk u hap bukur, po ky ishte realiteti i jonë”, kujton Ornela lëvizjet e shqiptarëve përgjatë viteve të 90-ta, e që Ornelën ajo periudhë e kishte gjete 22 vjeçe dhe me titullin piktore e diplomuar.

Ornela kujton se kjo dyndje e shqiptarëve e kishte provokuar edhe mamanë e saj, dhe sipas saj, kërkesa e saj ishte që të iknin nga Shqipëria dhe të shkonin ne Milano. “Ishte një shoqëri që nuk na kishte lënë vend, nëse njerëzit tjerë kishin vend, ne nuk kishim një të tillë”, tregon Ornela, duke e krahasuar Shqipërinë e atëhershme si një moçal dhe si një vend të kalbur.

“Ne morëm një vizë për dy javë, unë kisha një gocë tezeje e cila duke qenë nxënëse shembullore, duke pas babin komunist, me të drejtë e shkreta, rrinte larg meje, ajo mbaroi me medalje ari, dhe e cila duke qenë kaq e shkëlqyer, Shqipëria i qonte jashtë shtetit. Edhe atë e kishin dërguar në Romë, kështu që unë me mamin tim duke mos e pas fare idenë e një vendi të huaj, siç ishte Italia, marrim biletën dhe shkojmë tek ajo. E ke parasysh, ajo ishte në kolegj universitar, ishte në konvikt, dhe ne i shkuam në konvikt”, tregon Ornela duke qeshur, e cila shpjegon se këto ishin pasojat e izolimit 50 vjeçar, dhe një izolim i tillë reflekton më pas edhe budallallëqe të tilla.

Ajo tregon se për dy javë sa patën vizë, qëndruan fshehurazi në konvikt, dhe pas asaj kohe ishte lufta tjetër, se nëse do të ktheheshin në Shqipëri, apo do të vazhdonin të kërkonin tokën e premtuar. Zgjodhën këtë të fundit, edhe pse, sipas Ornelës me shumë frikë, sepse sipas saj, kapitalizmi ishte gjëja me e egër që kishte parë në jetë.

“Mu duk një tmerr, ishte një gjuhë e huaj që nuk e njihja fare, por nuk kishte gjë që mamin tim ta kthente në Shqipëri”, tregon Ornela rreth vendimit të qëndrimit në Itali.

Por 50 vjet izolim ishin shumë për dy gratë shqiptare, të cilat po përpinin habinë dhe magjinë e Milanos.

Ornela atëbotë kishte kujtuar se të gjitha gratë e Milanos janë si Sophia Loren, por edhe pse nuk ishin si Sophia, sipas saj dallonin shumë nga vajzat dhe gratë shqiptare.

“Ishin vajza të holla, ne në Shqipëri na donin me gjoks e me vithe, me flokë të zeza, ndërkohë ato të gjitha ishin bërë bionde, ishin të nxira nga dielli, nuk kuptoja se çfarë ishte kjo.  Pastaj nuk i kuptoja makinat që shkonin e vinin, sepse në Tiranë ishin katër makina që rrotulloheshin në krejt Tiranën, dhe ishin aso makina që shkonin e vinin për punë. Ishte një shoqëri që e nuk e kuptoja në asnjë gjë, nuk e kuptoja as dashurinë që kishin për qentë dhe macet, përderisa ne në Shqipëri nuk kishim atë kohë as veterinar. Çdo gjë ishte një tronditje e madhe, unë do të isha kthyer në Tiranë, por mami nuk deshi”, tregon Ornela për goditjen me perëndimin, duke u detyruar që pas vendimit të qëndrimit në Milano, të bënte hapin e radhës, të bënte një copë vend për vete.

Në Milano ma thyen ëndrrën, profesori më tha: Piktura tashmë ka vdekur

Pasioni për pikturën e ndiqte edhe këtu, dhe duke pas parasysh se Shqipëria atëherë kishte ngelur te realizimi socialist, dhe shkollimi i saj po në atë pikë, Ornela Vorpsi kishte një tjetër ëndërr. Të përfundonte Akademinë e Arteve edhe në Milano. 

“Dhe mbaj në mend, konkursin e fitova pa asnjë tmerr në Milano, në Aakademinë e Arteve të Bukura të Brerës, dhe pyesja vetën se si ka mundësi, sepse në Shqipëri shumë pata heqë që të pranohesha në atë Institut”, tregon Ornela, por duke mos qenë e përgatitur se furtuna e radhës veç sa se kishe goditë.

Ajo kujton se kishte marr një pikturë të saj për t’ia prezantuar profesorit të saj, dhe përgjigja e tij se piktura tashmë kishte vdekur, dhe se art tash janë instalacionet, artet konceptuale, video instalacionet e performancat e kishte goditur jashtë mase. Një jetë të tërë kishte luftuar për vizatimin dhe pikturën, dhe në mes të Milanos, Ornela e kupton se ajo që e kishte ëndërruar kaq shumë, tashmë kishte vdekur.

“Dhe kështu vendosa të bëja disa hulumtime në këtë art konteporan dhe të shoh se si më fle. Dhe bëra këto katër pesë vjet, që për mua ishte humbje e kohës komplet, sepse nëse në Shqipëri mësova se si të pikturoj, aty te arti konteporan, mu duk një spekulacion, dhe edhe sot e kësaj dite mendoj se është një punë koti, por njerëzit nuk kanë guxim ta thonë.  Dhe unë nuk e ndjeva, nuk isha fare e kësaj udhe, njoha instalacionet, provova fotografitë, dhe nuk ma mbushi mendjen”, tregon Ornela Vorpsi për ballafaqimin me artin konteporan.

Dhe përderisa kishte mbetë pa atdhe, përderisa piktura kishte vdekur, po sipas profesorit italian, dhe përderisa nuk kishte një copë vend në Itali, Ornela Vorpsit me nguti i duhej të bënte një zgjidhje, sepse i duhej të ekzistonte në një vend të huaj.

Ornela përgjatë kohës sa ‘varroste’ pikturën, dashurinë më të madhe te jetës, bëri fotografi mode, mënyrë elementare për të siguruar jetën.

“Dhe më erdhi shkrimi, mu dhuru kjo dhuratë e madhe e shkrimit, pa asnjë lloj mendimi se mund të bëhesha shkrimtare, apo ti publikoja, pasi që ëndrra ime ishte piktura. Fillova të shkruaj, dhe fillova të shkruaj kur isha në Paris, pasi që isha pjesë e një shkëmbimi universitar mes atij të Milanos dhe Parisit. Shkova ne Paris për gjashtë muaj në Erasmus, dhe nuk u ktheva më në Milano, dhe mbaj në mend që fillova të shkruaj në Paris”, tregon Ornela për fillimin me shkrimin, e cila tash njihet për romanet e saj në 20 shtete, përderisa ajo kishte dashuri të pa kompromis pikturën.

“Vendi ku nuk vdiset kurrë” u shkrua në italisht, kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time

Dhe një shqiptare që kishte jetuar për gjashtë vjet në Itali, dhe sapo ishte vendosë në Paris dhe po provonte kulturën e ushqimin francez, kishte filluar ti lëshonte rrënjët e para të romanit bestseller “Vendi ku nuk vdiset kurrë” por jo në gjuhën shqipe, por ajo pavetëdijshëm kishte filluar ta shkruante në italisht.

“Qëndrova në Itali për gjashtë vjet dhe gjuha italiane ishte shumë e kollajshme, veshi ma kishte dëgjuar që kur isha në Shqipëri dhe për atë nisa të shkruaj në italisht. Shumë më kanë pyet se pse nuk e shkrova në gjuhën e nënës, në gjuhën shqipe. Nuk mund të shkruaja në shqip, sepse të gjithë demonët  e së kaluarës  ngrihen dhe më hanë, e gjithë e kaluara më mbytë, nuk do të shkruaja dot emocionalisht. Kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time. Italishtja ime nuk e barte fëmijërinë time, frëngjishtja nuk e bartë fëmijërinë time, nuk mbytem në to, ka një lloj distance, në shqip s’do të kisha shkruar kurrë atë që kisha shkruar në italisht”, thotë Ornela, e cila përpos që po fitonte distancën me gjuhën shqipe, ajo po fitonte edhe një distancë tjetër, me nënën e saj, e cila kishte mbet në Milano, përderisa Ornela po qëndronte në Paris, por që pavarësinë e saj nuk e fitonte dot, se ishin të lidhura si mish e thua.

“Fillova ta shkruaj, sepse nuk dija çfarë të bëja me ditët e mia. Mbaj në mend se si u ula aty afër shpisë, më erdhi të shkruaj dhe shkrova një tregim dhe më pëlqeu disi, po pa i bërë pyetje vetës se pse po shkruaj në italisht, më erdhi në mënyrë organike, ato gjëra që i kam treguar në këtë libër dhe që janë të vërteta, në shqip nuk do ti tregoja kurrë, do të kisha vdekë, do të isha djegë. Shkrova një tregim të vogël, dhe ja përktheva keq e keq një shokut tim shkrimtar që ishte francez. Edhe ai është goxha i njohur, dhe më tha ‘e di që është fantastik’. Dalëngadalë shkrova, edhe mbarova këtë libër, që tashmë është i përkthyer në shumë gjuhë të botës, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe shumë gjuhë të tjera, dhe gjuha e fundit që do të përkthehet së fundi është në gjuhën serbe”, ka thënë Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe detajin tjetër, se iu deshën vite të tëra që të jepte dritën e gjelbër që të përkthehej edhe në gjuhën shqipe.

Babai mu lut që mos ta përktheja romanin në gjuhën shqipe, i kishin thënë se kisha shkruar shumë keq për Shqipërinë dhe nuk dëshironte që ky libër të fliste në shqip

“Mora shumë kohë deri sa vendosa ta botoj në gjuhën shqipe, sepse im atë më luti që mos ta përktheja. I kishin thënë që kisha shkruar tmerre për Shqipërinë, dhe nuk donte që ky libër të fliste edhe shqip. Por më në fund vendosa, ka tri vjet që është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe”, thotë Ornela.

Dhe përgjatë këtyre viteve të krijimtarisë në fushën e librit, Ornela ndër vite prap e ka bindë vetën se piktura nuk ka vdekur, dhe se piktura është ringjallë më shumë se kurrë, dhe paralelisht punon në të dyja, herë në libër e herë në pikturë, e me raste edhe në fotografi.

Ajo është duke shkruar në librin e ri, por është duke e shkruar në gjuhën frënge, pasi që, sipas saj, duke jetuar që një kohë të gjatë në Francë, italishtja, sipas saj ka filluar ti brishtësohej, dhe nuk ndihet mjaftueshëm e sigurt në këtë gjuhë.

Ndërkohë, përderisa shkruan dhe pikturon, Ornela Vorpsi tregon edhe një detaj që e vuan si pasojë nga Shqipëria. Ajo synon prestigjiozen për ti bindë të tjerët se arti i saj vlen. Së fundi ka fituar qëndrimin në një rezidence shumë prestigjioze, sikurse që ka ndërruar shtëpinë botuese që vlerësohet të jetë poashtu shumë prestigjioze.

“Në Shqipëri më kanë rrahur aq keq, sa që kisha dëshirë të kapja këto maja prestigjioze, është njësoj sikur të vësh pak balsam mbi trup. Sepse, në Shqipëri ngaqë kisha një natyrë të çuditshme dhe nuk më kuptonin, më konsideronin keq, sepse në Shqipëri po të jesh gocë e bukur të vlerësonin si budallaqe, dhe ky mentalitet, për mu ishte një ravansh me Shqipërinë,  po për mua ishte një ravansh i madh, sepse vija nga një Shqipëri ku më copëtuan, më dërmuan në të gjitha dimensionet. Por në të njëjtën kohë pata fatin ti them këto mrekulli, dhe falënderoj Zotin, misterin që bën jetën, edhe pse ngelem njeri jashtë mase i vrarë, gjërat që kanë ndodhë nuk shërohen më”, ka thënë Vorpsi, e cila tregon se në Shqipëri e kishin quajtur tradhtare, për faktin se nuk kishte shkruar në shqip. 

“Unë e ndjej vetën tërësisht shqiptare, dhe fakti që kam jetuar në Itali dhe Francë nuk më bën as italiane e as franceze. Të përdorësh një gjuhë të huaj është një mjet, që për mua ishte i shëndetshëm”, ka thënë Ornela.

Ornela Vorpsi që ka mbi supe tetë tituj të librave dhe shumë ekspozita, që nuk ka asnjë shtëpi në Tiranë, edhe përkundër faktit se babai i saj posedonte shumë prona, që vishet vazhdimisht me ngjyrë të zezë, që edhe këtë detaj e adreson te Shqipëria, sepse ky vend e la pa ngjyra dhe pa lule, që sheh akoma ëndrrat në Shqipëri, edhe pse dëshiron që ti rri larg saj, që humbi nënën gjatë pandemisë dhe që nuk arriti as ta shoh në momentet e fundit, edhe sot nuk e konsideron vetën të suksesshme, dhe sipas saj ajo e vuan këtë pjesë si njeri që ka bërë shumë pak.

Ornela Voprsi ka dëshirë që të bënte shumë më tepër, jo në nivelin e shkrimit e të pikturës. Po ëndrra e saj do të ishte që të mund të krijonte azile për të moshuar dhe të ndihmonte njerëzit e rrugëve. “Kur i shoh njerëzit nëpër rrugët e Parisit, janë pamje që më vrasin, sepse unë isha rrugëve bashkë me nënën time”, përfundon Ornela, e cila vazhdon të jetojë dhe krijojë në zemër të Parisit, bashkë më bashkëshortin, vajzën e saj dhe tri mace, tri mace në shtëpinë e kësaj Ornele që në fillet e migrimit të saj nuk i kuptonte perëndimorët për dashurinë ndaj maceve dhe qenve./ KultPlus.com

Dokumentimi i luftës së fshehur të Indisë gëzon çmim prestigjioz

Fotografja Poulomi Basu shpreson që imazhet e saj të një lufte të përgjakshme, nën luftën e raportuar në Indi nuk do të rrisin vetëm vetëdijen, ajo dëshiron që fotografitë, të cilat qëllimisht ndërlidhin vijën midis së vërtetës dhe trillimit, për t’i shtyrë shikuesit të ndërmarrin veprime për racën, gjininë dhe drejtësia mjedisore.

“Unë në të vërtetë nuk bëj fotografi të bukura, jam e sigurt që ato mund të jenë poetike, por … më pëlqen në punën time që drita të shkojë me errësirën”, tha Basu.

Ajo është një nga katër fotografët e përzgjedhur për çmimin prestigjioz, ‘’Deutsche Börse’’, me punën e finalistëve aktualisht të ekspozuar në Galeria e Fotografëve të Londrës, deri në shtator.

Poulomi Basu, "Centralia," 2020

Gjetjet e saj nxitën një udhëtim tre-vjeçar që e çoi fotografin në zonat e konfliktit në Indinë qendrore dhe lindore për të ndezur një dritë mbi njerëzit që luftonin, shumë prej tyre gra, dhe duke jetuar në mes të një konflikti gjysmë shekulli të gjatë në të cilin dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Indisë.

Basu u nis për të eksploruar konceptin se “Në luftë, e vërteta është viktima e parë”, duke krahasuar imazhe fotografike gazetare që zbulojnë dhunën dhe vdekjen nga zemra e konfliktit, me portrete të skenuara, ekspozime të dyfishta kinematografike dhe dëshmi nga njerëzit e involvuar në luftime.

Poulomi Basu, "Centralia," 2020

Lista e ngushtë dhe ekspozita e këtij viti, ‘’Deutsche Börse’’, e cila përfshin gjithashtu artistë kryesorë nga Kina, Algjeria dhe Meksika, pasqyrojnë katër qasje shumë të ndryshme. Por, secili pjesëmarrës kërkoi të përziente fotografinë me format e tjera të artit, sipas kuratorit Anna Dannemann.

Ndërkohë, instalimi i artistit algjerian, Zineb Sedira “Standing Here Wondering Who Way To Go”, u paraqet vizitorëve një argëtim të dhomës së saj të jetesës dhe i fton ata të eksplorojnë objekte, relike dhe imazhe nga historia ndërkulturore e familjes së saj.

Poulomi Basu, "Centralia," 2020

Ndërsa Basu thotë se as ajo dhe as vizitorët e ekspozitës nuk ka të ngjarë të ndalojnë dhunën në këtë konflikt të gjatë, ajo shpreson që audiencat të kuptojnë kryengritjen si një konflikt feminist kundër dhunës seksuale dhe një betejë mjedisore për të ruajtur lidhjen e njerëzve indigjenë me toka dhe natyra.

“Unë dua që njerëzit të kuptojnë se kjo luftë në feminizëm është ende duke vazhduar dhe unë dua të kuptoj se ajo është e lidhur me drejtësinë mjedisore. Është një zonë luftë, nuk mund të pres të ndryshoj ligjet atje brenda natës. Por, ju mund të protestoni më shumë, të luftoni më shumë”, tha Basu.

“Çmimi i Fondacionit të Fotografisë Deutsche Börse 2021” është në Galerinë e Fotografëve në Londër, deri më 26 shtator 2021. /CNN/ CBC / KultPlus.com