VoRAE hapë konkurs për pikturë dhe fotografi

Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianeve”, në kuadër të Festivalit Multikulturorë, po organizon ngjarjen që promovon identitetin dhe kulturën e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, rolin e grave në shoqëri dhe ofrimin e mundësive të barabarta.

Ftoheni të merrni pjesë në garën për pikturën/fotografinë më të mirë, 30 prej të cilave do të ekspozohen në Galerinë e Arteve në Prishtinë.

Për të qenë pjesëmarrës ju duhet:

– Të postoni fotografinë tuaj në faqen tuaj personale në Facebook, duke përdorur hashtagun #Letëfestojmëngjajshmëritëtona dhe

– Të bëni TAG faqen e “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo”

A. Tema dhe Qëllimi:

Ftesë për pjesëmarrje në konkurs të pikturës/fotografisë me temën:

“Le të festojmë ngjashmëritë tona!”

B. Afati i aplikimit

Data e fundit e aplikimit është 5 Nëntor 2020, deri në ora 17:00.

C. Ceremonia e shpërndarjes së çmimeve

a. Çmimet fituese, punimet e të cilëve do të vlerësohen si të denja do të ekspozohen në Galerinë e Arteve në Prishtinë.

b. Kandidatët me fotografitë më të mira do të kenë mundësi pjesëmarrjeje në trajnim për fotografi. / KultPlus.com

Kafshë, njerëz dhe ndërtesa përrallore, njihuni me disa nga fotografitë më të mira të vitit 2020

Fotografë nga e gjithë bota kanë dërguar fotografitë e tyre më të mira në konkursin “Sony World Photography Awards 2020″ .

Njerëz, kafshë e arkitektura mbresëlënëse janë pjesë integrale e këtij konkursi. “Sony World Photography Awards 2020”, është një konkurs i hapur për fotografë të rinj nga e gjithë bota dhe në fokus ka promovimin e këtyre të fundit në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu, fotografët vlerësohen nga ekspertë të njohur dhe imazhi më i mirë vlerësohet me çmimin 60 mijë dollarë. Më poshtë mund të ndiqni disa nga fotografitë më të mira në konkurs./KultPlus.com

Realizohet dokumentari për jetën e Helmut Newton, fotografit të preferuar të Hollywood-it

Helmut Newton ka qenë fotografi i preferuar i yjeve të Hollywood-it, duke vazhduar të mbes edhe sot e kësaj dite një ikonë, shkruan KultPlus.

Pas fotografive të sukseshme, aq provokative sa ai u quajt “mbreti i kink-ut” jeta e Helmut ishte përplot me drama, që nga ikja e tij prej Gjermanisë Naziste deri te vdekja e tij në Sunset Boulevard, raporton I-D.

“Helmut Newton The Bad and the Beautiful” quhet dokumentari me narracion nga regjisori Gero von Boehm, një mik i afërt i Helmut dhe natyrisht me fjalime nga subjektet e tij të preferuar, Grace Jones, Claudia Schiffer e Isabella Rossellini. / KultPlus.com

“Më fal Kosovë, ta ktheva shpinën”

Poezi nga Shqipe Godanci – Haxhiu
Fotografia: Arian Mavriqi

Më fal Kosovë, më fal që po shtegtoj
Më fal Kosovë , unë po shkoj
Më fal Kosovë ta ktheva shpinën
Po shkoj të gjejë të mirën…
Kam lind e rritë në tokën e gjyshit e babait
Ku me shumë mund e dashni kan punu
E sot erdh dita unë prej kësaj toke me shtegtu….
Jam i ri, jam ende fëmijë
Kam shumë ëndrra e dëshira..
Më dhemb shpirti për këtë tokë
Por dua të shoh tjetër Botë…
Atje ku ka shkolla plot fëmijë
Ku ka Mësues për dituri
Ku ka spitale për shërim
Ku mjeku ka kohë për mjekim…
Ku parqet janë të mbushur me familje
Ku ndihet vetëm lumturia
E jo vujtja e varfnia….
Kosovë oj toka ime
Banu e fortë e trime
Mos më le të shtegtoj
Pikturoje ketë qiell të ngrysur
Me ngjyrat e ylberit
Dil në fund të rrugës e më kthe mbrapa
Ma kthe shpresën e humbur
Të them edhe unë se në KOSOVË jam i lumtur… / KultPlus.com

Morina: Gratë gjithmonë përçojnë mesazhe të forta, zgjodha gratë që japin forcë dhe energji

Jeta Zymberi

Nëse koha nuk shfrytëzohet në gjëra të dobishme, atëherë ajo është e destinuar të na shkatërrojë. Gjatë kësaj periudhe të pandemisë, njerëzit e kanë shfrytëzuar kohën në mënyra të ndryshme. Për shumëkënd, kjo periudhë ka shërbyer për njohjen e vetvetes, dikush ka zhvilluar artin e dikush tjetër ka zbuluar dhunti të reja tek vetja. Kështu, regjisorja Arlinda Morina e njohur me emrin Liki, e cila karakterizohet për energjinë dhe dashurinë ndaj artit, për herë të dytë ka dëshmuar se me jetën duhet luftuar dhe koha duhet shfrytëzuar për gjëra të dobishme. Pas ballafaqimit të saj me sëmundjen e Leukemisë, ndaj secilës asnjëherë nuk u dorëzuar, por e kaloi këtë sfidë duke ndarë imazhe e thënie motivuese me njerëzit, për të izolimi për shkak të pandemisë ishte më i lehtë dhe vetëm sa i dha mundësi edhe më shumë të shfaq një tjetër talent të saj, atë të fotografisë.

Aktoret më të dashura për publikun, kanë zënë vend në fokusin e Arlindës, aty ku ajo gjeti forcë për të kaluar këtë periudhë. Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Arta Muçaj, Anisa Ismaili, Xhejlane Tërbunja, Rina Krasniqi, Zana Hoxha, Aurita Agushi e Rajmonda Ahmeti janë vetëm disa nga fytyrat që janë bërë pjesë e kësaj serie të fotografive që ka një qëllim tejet human e për të cilin Arlinda ka folur më gjerësisht në një intervistë për KultPlus.

KultPlus: Si pasojë e virusit Covid-19, njerëzit janë izoluar nëpër shtëpitë e tyre që disa muaj, fillimisht na trego sa ishte e vështirë kjo periudhë për ju si artiste?

Arlinda Morina: Mbyllja për mua nuk ishte problem, se tamam unë hoqa maskën që kisha për shkak të sëmundjes (Leukemia Plasma Cell) e vendoset ju të gjithë (pak shaka), përndryshe unë isha e mësuar me izolimin dhe kreativitetin tim e kam zhvilluar edhe në mbylljen time të mëhershme por edhe tani. Për artistët mbyllja sjell ide, akumulon dhe kur del jashtë shpërthen si një bombë me plot artë.

KultPlus: Njerëzit janë munduar që përmes një forme apo tjetrën të sjellin diçka përmes së cilës përmbushin vetën dhe kënaqin të tjerët, e padyshim ky është arti, ju keni zgjedhur artin e fotografisë për ta kaluar sa më lehtë këtë periudhë izolimi, jeni marrë edhe më herët me fotografinë apo ky është “efekti i karantinës”?

Arlinda Morina: Unë përgjithësisht jam marrë me skenar, regji filmi e teatër, fotografin e kam pasur edhe lëndë në fakultet dhe gjithmonë e kam dashtë por nuk i kam kushtuar kohë, kësaj radhe këtë dashuri timen e vura në funksion. Fotografitë janë realizuar me telefon iPhone 6+ dhe më vonë ja bashkova edhe një teleobjektivë. Me siguri fotografët profesionistë qeshin me këto fotografi, por qëllimi im nuk është të bëhem fotografe, thjeshtë kam gjetur një formë për të kaluar kohën time të daljes 90 minutshe me diçka nga perspektiva ime subjektive dhe objektivi im i vogël kinezë. Efekti i karantinës e ka nxjerrë një fotografe amatore.

KultPlus: Ju keni zgjedhur të fokusoni artistet tona, si e keni bërë përzgjedhjen e atyre që doni t’i fotografoni, apo janë kryesisht njerëzit që ju rrethojnë në përditshmëri?

Arlinda Morina: Përzgjedhja ka ardhur nga shpirti sepse kisha nevojë të zgjedhë aktore të suksesshme dhe interesante që të marrë energjinë e tyre sepse në si qenie jemi sociale dhe kemi nevojë për energji, e unë zgjodha aktoret gra që të marrë energjinë sensuale, artistike, ekzotike e deri të vuajtjet shpirtërore të tyre. Takimet i kam mbajtur në distancë dhe kam fotografuar me teleobjektivë ku distanca është e largët.

KultPlus: Cili është mesazhi që doni të përcjellni përmes këtyre fotografive, apo janë thjesht fotografi të çastit?

Arlinda Morina: Gratë gjithmonë përçojnë mesazhe të forta. Fuqia e tyre, bukuria, dashuria, josha dhe vuajtjet fisnike janë disa nga mesazhet që përçohen edhe përmes këtyre fotografive. Kjo seri e fotografive do të vazhdojë, do të ketë ende artiste të cilat do t’i zbuloj në ditët në vijim.

KultPlus: A keni menduar të hapni ndonjë ekspozitë apo diçka të tillë me këto fotografi?

Arlinda Morina: Këto fotografi në vete përmbajnë një qëllim human. Ideja është të organizoj një ankand dhe fotografitë të dalin në shitje. Të gjitha fitimet do të dhurohen për fëmijët që luftojnë me sëmundjen e Leukemisë.

KultPlus: Cilat janë anët pozitive dhe ato negative që kanë ndikuar tek Arlinda gjatë kësaj kohë të pandemisë, na selekto disa prej tyre?

Arlinda Morina: Unë jam tip që kam pas periudha të mbylljes shpesh. Kjo është hera e katërt që e përjetoj mbylljen. Unë lirisht mund të them që jam vetë karantina. Kjo periudhë ka ndikuar në forma të ndryshme tek secili. Me të vërtetë ata që merren me artë e kanë pasur më të lehtë. E mira e gjithë kësaj ka qenë koha që na është ofruar e të cilën jemi munduar ta shfrytëzojmë sa më mirë, mbi të gjitha ta njohim veten sado pak. Ndërsa anët negative nuk po i përmendim fare duke uruar që gjithçka po përfundon shumë shpejtë.

KultPlus: Krejt për fund, cili është mësimi më i mirë që e keni marrë gjatë kësaj periudhe e që do ta ndaje me lexuesit e KultPlus?

Arlinda Morina: Duajeni sa më shumë familjen sepse ata vlejnë më shumë së çdo gjë në jetë! / KultPlus.com

“Topi prej bore” fiton çmimin e parë

Një foto magjepsëse e një lepuri skocez i mbështjellë si top në mes të një stuhie, ka fituar garën me mijëra fotografi të tjerë, duke u shpallur foto më e bukur e vitit në konkursin e Akademisë së Shkencave të Kalifornisë.

Fotografi fitues, thuhet në faqen e Akademisë, Andy Parkinson, ka kaluar 15 vite duke dokumentuar jetën e egër në malet e Skocisë, duke u marrë specifikisht me lepujt e egër dhe me sa duket puna e tij është shpërblyer.

Ndër fituesit e kategorive të tjera është fotografia e një lakuriqi nate në Mozambik i cili pi ujë fluturimthi, fokat duke notuar në ujërat e ngrirë të Antarktidës, përqafimi i një gjirafe me njeriun dhe foto të tjera mahnitëse. / KultPlus.com

Ja si duket bota në karantinë (FOTO)

Në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit të ri, qeveritë në mbarë botën kanë vendosur kufizime të forta për lëvizjen e njerëzve.

Shkollat dhe bizneset janë mbyllur dhe ndalohen grumbullimet publike.

Fjala që dëgjon më shumë këto ditë është distancimi social.

Revista e njohur, “The Atlantic” sjell këtë fotogaleri që tregon se si duket bota në karantinë.

Vigan Nimani prezantoi mbrëmë fotografitë ku luan rol vetëm momenti

Një prezantim ndryshe i fotografive u paraqit mbrëmë në ambientin e Kino Armatës, ku pas paraqitjes të të gjitha fotografive në ekran, fotografi Vigan Nimani  bashkë me regjisorin Ilir Hasanaj  të ulur në mes të skenës, përballë publikut, komentuan të gjitha fotografitë me rend duke krijuar kështu një dialog me atë se çfarë artisti kishte tentuar të shpalos para publikut e dashamirësve të artit, shkruan KultPlus.

Nimani duke qenë se ka kryer studimet në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës në pikturë, ai pas pikturës kishte filluar të merrej edhe me fotografinë, ku për publikun e pranishëm shpalosi më në detaje se si e kishte nisur këtë rrugëtim.

“Unë fotografinë e kam filluar si projekt gjatë vitit 2009 ku kam nisur të fotografoj ndërtesa. Në esencë nuk kam pasur tendencë ndaj fotografisë, por e kam përdorur vetëm si studim, dhe me kalimin e kohës filloi të më pëlqejë shumë dhe kështu nisa të fotografoj me shumë qejf”.

Në tërë prezantimin e fotografive ajo që mbizotëronte më shumë ishte estetika e objekteve që ishin protagoniste në ato fotografi. Objektet si fabrikat, shkollat e dhomat, në të cilat vërehej pothuajse një koncept i njëjtë. Personazhi nëse ishte në objekt ishte i vendosur gjithmonë në mes dhe kjo sipas Nimanit nuk kishte ndodhur me qëllim, por në shumë raste ishte rastësi.

“E kam pasur të qartë që nga fillimi se çfarë dua, por këto, do të thoja se nuk i planifikoj, këto ndryshe i quaj edhe aksidente të lumtura”, shtoi tutje ai

Ngjyrat që më së shumti ishin përdorur në shumicën e fotografive ishin e gjelbërta dhe e kuqja, por që nuk mungonte edhe koleksioni me ngjyrat bardhë e zi. I pyetur edhe nga Iliri se pse këto dy ngjyra dhe pse koleksioni me fotografi bardhë e zi, Nimani tregoi se që të dyja këto ngjyra i pëlqejnë dhe nuk mund t’i dallojë nga njëra tjetra.

Në shumë raste syri i Nimanit i trajnuar si në pikturë ashtu edhe në fotografi e kishte thyer perfeksionin e tij. Sipas tij fotografitë që ai i ka bërë janë shumë intuitive. Nuk kanë ndonjë rregull specifike, madje disa në prezantimin e tij duken edhe jo reale. Këtë ai e preferon shumë.

“Është pjesë shumë intiutive, unë vetëm nga një fotografi e bëj, nuk provoj më. Kam dëshirë kur në fotografi ndodhë diçka si montazh, që nuk duket reale por që është në të vërtetë fotografi. Kjo më pëlqen shumë, sepse është më ndryshe”, deklaroi Nimani.

Prezantimi shkoi me të qeshura dhe në komunikim me publikun pasiqë edhe ata u përfshinë në tërë këtë diskutim të fotografive.

Në shumë raste Nimani nuk kujtonte momentet që i kishte bërë këto fotografi në vite të ndryshme, por pikërisht kjo tregonte që arti i tij është i veçantë dhe kjo e bën atë edhe një artist më ndryshe, më origjinal, pasiqë në këto raste luan rol vetëm momenti.

Vigan Nimani ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës mes 2002 dhe 2006. Ai ka ekspozuar punët e tij në Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Serbi dhe Holandë. Solo ekspozita e tij e fundit ishte “Properties of the Undeveloped“ në Galerinë Motrat të Prishtinës në vitin 2017.

Pos pikturës, si medium kryesor artistik, Nimani gjithashtu merret me fotografi dhe muzikë; ai është pjesë e bendit Tetris. Për momentin jeton dhe punon në Prishtinë. / KultPlus.com

Michael Putland, fotografi që fotografoi legjendat muzikore që nga vitet e 60-ta (FOTO)

Michael Putland ka drejtuar lentat e aparatit të tij fotografik drejt yjeve më të jashtëzakonshëm të muzikës, kurse tani është rikthyer për të kujtuar momentet e realizimit të fotografive.

Michael Putland kishte vendosur që të linte fotografimin pasi që nuk po arrinte të gjente punë, mirëpo çdo gjë ndryshoi kur ai mori punën e tij të parë për një revistë muzikore, të fotografonte Mick Jagger. Pasi që ishte larguar nga shkolla në moshën 16-të vjeçare, atij i është dashur kohë që të gjente një punë. Pikërisht seti i fotografimit që ka realizuar së bashku me Jagger ka shënuar fillimin e karrierës së tij 50-të vjeçare.

“Pasi që fillova të punoj për një revistë, kompanitë, zyret e shtypit dhe artistët filluan që të më njohin. Kështu filloi karriera ime, isha me shumë fat”, ka treguar ai për Anothermag.com.

Një ekspozitë e re e quajtur “Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm”, është hapur në Galerinë Vassie në Amsterdam. Ekspozita është një udhë-përshkrim i punës së fotografit. The Rolling Stones, Bob Marley, Bryan Ferry, Patti Smith, Debbie Harry, Mick Jagger, Led Zepplin, Michael Jackson, Prince dhe të tjerë, të gjithë këta yje të muzikës janë fotografuar nga Putland, i cili edhe ka qenë nëpër turne së bashku me disa prej tyre. Ai kujton se gjëja më e vështirë atëherë ishte se realizimi i fotografive ishte me film dhe jo digjital.

“Për shembull, natën e parë të koncertit në kuadër të turneut të grupit The Rolling Stones isha në Vjenë, realizova fotografitë për koncert, bërë nja set fotografish për media për Mick, dhe mëngjesin tjetër unë isha në aeroplan rrugës për tu kthyer në Londër. Shkoja drejt e në studio dhe realizoja fotografitë, Atëherë i shtypnin i pastronin ato dhe kishte disa procedura. Pastaj merrja veturën dhe shkoja në aeroport gati për të udhëtuar për natën e tretë”, ka thënë Putland.

Fotografitë e realizuar nga Putland karakterizohen për spontanitetin e tyre: Leonard Cohen duke buzëqeshur, cigarja në dorë, në një dhomë hoteli, Mick Jagger pa maicë duke ngritur dorë para qindra fansave, është e qartë së ai është një ekspert për të kapur momente të paçmueshme.

Ai ka treguar sesi kishte shkuar për të fotografuar, fotografen Lynn Goldsmith, për një revistë e cila dëshironte që të tregonte arritjet e disa fotografeve. Dhe meqenëse ajo kishte qenë duke fotografuar Patti Smith, duke biseduar ai kishte përfunduar duke i fotografuar të dyja.

Kurse fotografinë ku shihen Bob Marley, Mick Jagger dhe Peter Tosh, realizuar në vitin 1978, ai e ka konsideruar si një fotografi realizuar në parajsë. Mick Jagger ka qenë shumë i lodhur pas koncertit dhe ai mori një birrë në dorë mirëpo nuk pati vend për tu ulur. Bob dhe Pete i bënë një vend për tu ulur pranë tyre, kurse unë isha shumë i lumtur që isha aty me aparatin tim.

Një fotografi tjetër për të cilën ai është i njohur, është edhe ‘Ladies Tea Party’, në vitin 1980. Po ashtu edhe fotografia e Gene Simmons nga grupi Kiss. Michael Putland ka qenë duke realizuar një set fotografik për Gene Simmons në vitin 1977 dhe në momenti kur dëshironte që të shkrepte fotografinë, afër tij ishte shfaqur një zonjë që punonte në spital. / KultPlus.com

Fotografitë që lanë gjurmë më 2019-n

Viti 2019, padyshim ishte një vit që kishte ngjarje pa fund.

Në vijim ju sjellim disa nga fotografitë të cilësuara si ato që “fiksuan” momentet më të rëndësishme e të veçanta të këtij viti.

Image

Një një-vjeçare meksikane në pritje të radhës së saj për të kërkuar azil në SHBA me nënën e saj është parë përpara portave në Urën Ndërkombëtare Gateway në Matamoros.

Image

Një grua mbulon fytyrën e saj nga një rrugë afër qytetit kurd të Sirisë Ras al-Ain, përgjatë kufirit me Turqinë. Pas saj, zjarret e gomave janë ndezur për të ulur shikimin për aeroplanët luftarakë turq.

Image

Zjarrfikësit punojnë për të kontrolluar zjarrin e Marisë, në Santa Paula, Kalifornia, në nëntor. Gati 100,000 hektarë (400 km katrore) janë djegur nga zjarret dhe mijëra njerëz u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre.

Image

Një burrë i maskuar me kokën e mbuluar me tela me gjemba merr pjesë në një protestë në Srinagar në tetor.

Image

Protestat në Hong Kong

Image

Greta Thunberg

Image

Paradë parashutash në Francë

Image

Festivali i 10-të i luftës së domates, Tomatina, u zhvillua në Sutamarchan, Kolumbi, në qershor, për të shënuar fundin e korrjes së domates.

Image

Presidenti Trump takoi liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un

Image

Studentja Alaa Salah, 22 vjeç, u quajt Mbretëresha Nubiane pasi një video e thirrjeve të saj kryesore kundër ish presidentit sudanez Omar al-Bashir u bë virale në prill.

Image

Arkivolet janë çuar në një varr gjatë një funerali masiv në Kishën e Shën Sebastianit në 23 Prill në Negombo, Sri Lanka. Një valë bombardimesh që shënjestruan kishat dhe hotelet la më shumë se 250 njerëz të vdekur dhe shumë më të plagosur.

Image

Notre Dame në flakë

“Bukuria e betonit” në Prishtinë, inspirim për fotografin Etienne Rémond

 

Fotografi Etienne Rémond do të sjellë fotografi të Prishtinës në ekspozitën e tij, të quajtur “Concrete Beauty”, shkruan KultPlus.

Etienne Rémond është marrë me fotografi për afër 6 vjet, por asnjëherë nuk ka qenë aq i inspiruar sa në Prishtinë ku ai tani jeton prej një viti. Edhe pse, për shumë njerëz, pamjet e errëta të luftës mund të jenë gjëja e parë që ju bie në mend kur flasim për Kosovën, ju duhen vetëm disa ditë këtu për të kuptuar që këto pamje i përkasin të kaluarës.

I befasuar nga gjallëria e Prishtinës, ai shpejt e kuptoi se ajo që e befasoi me të vërtetë ishte se sa i fortë ishte kontrasti me kornizën e saj brutale të betonit.

Kjo është ajo që ai është përpjekur ta kapë duke e lënë veten të humbiste nëpër qytet dhe ta bënte atë pjesë të vetes: jetën dhe energjinë që përmban brenda kufijve të mbyllur, një rini të gjallë që ekziston në mes të këtyre ndërtesave të tmerrshme e të shkatërruara jugosllave, hoteleve dhe ndërtesave krejt të reja dhe baletit të pandërprerë të vinçave që i shoqërojnë.

Ekspozita do të hapet më datë 13 dhjetor në ora 12:00 në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 19 dhjetor. / KultPlus.com

Fotografi italian shpalosi mbrëmë dy periudha të ndryshme të Kosovës, përmes një ekspozite

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, mbrëmë ka zënë vend ekspozita fotografike e titulluar “Kosovo-thin ice” e fotografit të njohur italian, Riccardo Venturi.

Kjo ekspozitë shpalosi para të pranishmëve situata gjatë luftës në Kosovë, në vitet 98-99 dhe gjithashtu situata e ditëve të sotme, pas njëzet vjetësh. Kjo cilësohet si një mundësi e mirë për të treguar përmes gjuhës së fotografisë historinë e kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.

Pasi të pranishmit u njoftuan me punën e artistit, erdhi koha që me një fjalë rasti, hapjen e kësaj ekspozite ta bëjë ambasadori italian në Kosovë Piero Cristoforo Sardi. Ai falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje dhe tha se ndihet shumë i nderuar që e kishin mundësinë të prezantojnë veprat e fotografit Venturi.

Ai ekspozitën “Kosovo-thin ice” e cilësoi si një hap të mirë dhe një evolucion pozitiv që ka ndodhur gjatë këtyre njëzet viteve në Kosovë.

“Kuptimi që gjetëm në këtë ekspozitë është se së pari këtu shohim diferencën e fotografive në dy periudha të ndryshme të Kosovës, periudhën e luftës dhe periudhën e 20 viteve pas saj, që është një evolucion pozitiv për Kosovën. E dyta, konflikti që filloi në vitet ’90 ka prekur njerëz të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, por tash e shohim si të panevojshëm, sepse e ardhmja e popullit dhe gjeneratat e reja nuk duhen të ndikohen nga kjo”, ka thënë ambasadori, Sardi.

Ndërsa fotografi Riccardo Venturi, në hapje të ekspozitës përveç falënderimeve nuk është zgjatur më shumë.

Por, ai për KultPlus ka treguar eksperiencën e tij gjatë këtyre vizitave në vendin tonë.

 “Për herë të parë në Kosovë kam ardhur në vitin 1998, kohë lufte dhe tension i madh dhe ka qenë e vështirë për mua si gazetar atëherë, sepse nuk na lejonin të hynim nëpër fshatra dhe të shkonim në frontin e parë të luftës, sepse çdo rrugë kishte policë dhe kontrolla të mëdha, puna e gazetarëve në atë kohë ka qenë shumë e vështirë”, ka thënë fotografi, duke treguar tutje se një vit më vonë, më 1999, ka qenë vizita e tij e dytë në Kosovë, ku fillimisht ka vizituar refugjatët në Maqedoni dhe Shqipëri, e menjëherë pas përfundimit të luftës, në qershor ka hyrë në Kosovë  së bashku me refugjatët që ktheheshin. 

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe e rrallë, të cilën jo shumë njerëz e kanë përjetuar. T’i shohësh katër skena në të njëjtën kohë, trupat serbe duke u larguar, trupat e Natos duke hyrë në Kosovë, refugjatët duke u kthyer në vendlindjet e tyre dhe fshatrat duke u djegur, unë e konsideroj të rrallë, sepse njeriut i ndodh shpesh të jetë prezent në një ndodhi, por  shumë rrallë ose fare në katër.”

Fotografi Venturi e ka organizuar këtë ekspozitë në dy pjesë. Në njërën anë kemi fotografi gjatë kohës së luftës dhe menjëherë pas përfundimit të saj, fotografi të qyteteve e fshatrave dhe fotografi të njerëzve. Në anën tjetër kemi fotografi të ditëve të sotme në Kosovë, që mund t’i marrim si një mesazh i shpresës.

Fotografitë bardh e zi janë fotografitë që autori i ka bërë gjatë luftës, pra janë ngjarje të cilat i ka përjetuar si fotograf dhe gazetar i luftës. Ndërsa fotografitë me ngjyra i takojnë periudhës së kthimit të tij në Kosovë, pas 20 vitesh. / KultPlus.com

Fotografitë më të mira të AFP-së që tregojnë ngjarjet që formësuan vitin 2019

Nga një Theresa May e emocionuar që njoftoi dorëheqjen e saj si kryeministre, tek dëmet shkatërruese të shkaktuara nga Storm Dorian në Bahamas dhe imazhe përhumbëse të luftës civile në Siri, AFP ka publikuar një përzgjedhje të fotografive të saj më të mira të vitit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, imazhet spektakolare kapin ngjarjet historike që formësuan vitin 2019 dhe vendosin skenën për vitin 2020.

Ndryshe, viti 2019 pa një shpërthim demonstrimesh në të gjithë botën ndërsa njerëzit kërkuan një rregullim të sistemeve politike dhe veprime mbi ndryshimet klimatike.

Imazhet e pabesueshme gjithashtu tregojnë një leopard që sulmon një burrë indian në zonën Lamba Pind në Jalandhar dhe ylli Cardi B që mbërrin për Met Galla 2019 në Muzeun Metropolitan të Artit.

Protestat masive antiqeveritare shpërthyen nga Libani dhe Iraku deri në Hong Kong dhe Kolumbi ndërsa njerëzit u ngritën para qeverive të tyre.

Aktivistja e re e klimës, Greta Thunberg nxiti një reagim global rreth ndryshimeve klimatike.

Fotografitë e tjera shprehin ngjarjet që shpalosën në sferën politike të SHBA-së, gjatë një viti në të cilin Demokratët filluan një hetim për largimin e presidentit Donald Trump.

Një burrë i dyshuar se i përket grupit të Shtetit Islamik (IS) ecën para anëtarëve të Forcave Demokratike Siriane të Sirisë (SDF) të udhëhequr nga kurdët, vetëm pasi u largua nga mbajtja e fundit e IS e Baghouz, në provincën lindore siriane të Deir Ezzor më 4 mars

Theresa May e emocionuar u paraqit në 24 maj 2019 ndërsa njoftoi dorëheqjen e saj.

Cardi B arrin për Met Gala 2019 në Muzeun Metropolitan të Artit më 6 maj 2019, në New York.

Personeli i policisë hap zjarr me predha me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e Pro-Demokracisë në Zonën Sham Shui Po të Hong Kongut më 14 gusht.

Rusja Dina Averina garon në garën individuale të gjimnastikës ritmike në Lojërat Evropiane 2019 në Minsk në 22 qershor

Zjarrfikësit punojnë për të kontrolluar flakët në Maria në Santa Paula, California, 1 nëntor.

Një leopard sulmon një burrë indian ndërsa një tjetër ik nga kafsha në zonën Lamba Pind në Jalandhar më 31 janar.

Një burrë evakuoi një viktimë të bombardimeve pas një sulmi ajror të raportuar nga forcat e regjimit dhe aleatët e tyre në qytetin sirian, në provincën jugore Idlib në 26 maj.

Aktivistja e re e klimës, Greta Thunberg gjatë Samitit të OKB për Veprimin e Klimës në Selinë e Kombeve të Bashkuara në 23 shtator, në një fjalim që bëri jehonë në të gjithë globin.

Një protestues, i veshur me një maskë që përshkruan Presidentin Francez mbi të cilin është shkruar ‘psycho ’, në Paris më 16 mars

Njerëzit demonstrojnë në Plaza Italia në ditën e pestë të dhunës në rrugë që shpërtheu mbi një rritje të pezulluar tani në çmimet e biletave të metrosë, në Santiago më 22 tetor.

Demonstruesit kurdë hedhin gurë në drejtim të një automjeti ushtarak turk më 8 nëntor gjatë një patrullimi të përbashkët turko-rus afër qytetit të Al-Muabbadah në pjesën verilindore të Hassakah në kufirin sirian me Turqinë.

Gratë dhe fëmijët e evakuuar nga Baghouz mbërrijnë në një zonë të kontrolluar nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, të mbështetur nga SHBA., në provincën lindore siriane të Deir Ezzor, më 6 mars.

Një protestues pro-demokracisë mbahet nga policia jashtë stacionit të policisë Tsim Sha Tsui gjatë një demonstrimi kundër projektligjit të diskutueshëm të ekstradimit në Hong Kong më 11 gusht. 

Presidenti amerikan Donald Trump futet në anën veriore të Linjës së Demarkacionit Ushtarak që ndan Korenë e Veriut dhe atë të Jugut, më 30 qershor.

Si do të dukej bota pa celularë? Fotografi realizon shkrepjet e “frikshme”

Një seri fotosh të quajtur “Removed” nga fotografi amerikan Eric Pickersgill tregon njerëzit që shikojnë aty ku zakonisht është telefoni i tyre por që është i hequr.

Gjithçka duket e pakuptimtë dhe një realitet disi i frikshëm.

Fotografi e ka marrë këtë nismë në kuadër të një fushate ndërgjegjësimi që shumë gjëra po i humbasim nga fokusi i shumtë në ekranët e telefonave tanë të zgjuar.

Fotografitë kanë qenë një këmbanë alarmi dhe ka marrë një shpërndarje shumë të madhe.

Ekspozita fotografike “Mbro & Promovo”, si sensibilizim për trashëgiminë kulturore

Ekspozita fotografike “Mbro & Promovo” u hap në Tiranë, qëllimi sensibilizimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulture.

Fotot e ekspozitës shëtitëse janë prezantuar për publikun në kangjellat e presidencës në Tiranë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjithë muajin gusht dhe më pas do të udhëtojë në qytetet e Shkodrës, Gjirokastrës dhe Beratit. Janë këto qytete që presin këtë ekspozitë, që vjen në edicionin e saj të tretë. Sipas organizatorëve, “Mbro & Promovo” është sllogani i kërkimit fotografik, që shpreh dhe komunikon identitetin shqiptar përmes perceptimit artistik të trashëgimisë kulturore nga të rinjtë, të cilët nëpërmjet fokusit të aparatit të tyre sjellin artistikisht në vëmendjen e publikut problematikat e ndryshme, që shoqërojnë identitetin tonë kulturor.

Fotografitë prezantohen për publikun pas një konkursi, që është zhvilluar më parë. Kurator arti, Andi Tepelena shprehet se ekspozita ka rëndësi sepse prezantohet para publikut në një moment kur po harrohen vlerat dhe po promovohen antivlerat kulturore. “Kjo ekspozitë vjen në një moment kur në këtë vend po promovohen kultura kitch, antivlerat kulturore, dhe kjo ekspozitë shërben si antipod”, shprehet Tepelena në fjalën e tij. Sipas kursorit të artit, Andi Tepelena, me pjesëmarrjen edhe të të rinjve kjo ekspozitë merr më shumë vlerë për trashëgiminë kulturore. “Përfshirja e të rinjve, premton vazhdimësinë e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare nga brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Duke shikuar nga e kaluara, të rinjtë do të ndërtojnë të ardhmen bazuar në vlerat shpirtërore kulturore, që kanë prodhuar shqiptarët ndër shekuj”, vijon Tepelena. Por përballë problemeve të shumta që ka sot trashëgimia jonë kulturore në vend, sipas kuratorit Andi Tepelena qëllimi është dhe nxitja e institucioneve për të bërë punën në mbrojtje të monumenteve të kulturës. “Sy dyti, rëndësi ka dhe tërheqja vëmendjes të këtyre monumenteve te vizitorët vendas dhe të huaj, nxit institucionet të bëjnë më mirë punën e tyre në një kohë, që ndeshemi me probleme të mëdha të ruajtjes, mirëmbajtjes dhe rijetëzimit të tyre”, shprehet Andi Tepelena, kurator arti.

Konkursi me fotografi

Konkursi “Mbro & Promovo” ka një karakter të veçantë artistik dhe ndërgjegjësues kryesisht tek të rinjtë, fokusimi i vëmendjes së tyre tek trashëgimia kulturore dhe natyrore e Shqipërisë, evidentimi i problematikave të ndryshme, promovimit dhe mbrojtjes së saj. “10 fotot finaliste të përzgjedhura nga juria janë pjesë e kësaj ekspozite shëtitëse nëpër Shqipëri, në hapësira publike të destinuara për publikun e gjerë, që ai të sensibilizohet më shumë me vlerat dhe bukuritë e Shqipërisë”, thuhet në materialin e ekspozitës. Fotot konkurruese në edicionin e tretë të “Mbro & Promovo” u seleksionuan dhe vlerësuan nga një juri profesionistësh e përbërë prej fotografes franceze Françine Carpon, Lejla Hadiç, drejtoreshë e Cultural Heritage Without Borders- Shqipëri, historiani Mesut Tufan ish drejtor i “SIPA Press” në New York dhe Paris, Ardian Isufi dekan i Arteve Figurative në Universitetin e Arteve Tiranë, Eliza Hoxha arkitekte, Arbër Kadia kurator, Blerina Berberi drejtoreshë e Ekphrasis Studio, Romain Bijard, Patrimoine sans Frontieres, arkitektja Irsida Bejo, si dhe Andi Tepelena drejtori i “Art Kontakt”. Konkursi dhe ekspozita “Mbro & Promovo” është një iniciativë e revistës “Art & Trashëgimi” dhe CHwB Shqipëri. Fotoja fituese e këtij edicioni i shkon studentit polak në arkeologji Michal Pisz: Sarda mesjetare shqiptare, ishulli i Shurdhahut, Vaut të Dejës. Michal Pisz, në kuadër të misionit arkeologjik franko-shqiptar në luginën e Drinit ka fotografuar gjurmë mesjetare në ishullin e Shurdhahut, është një ishull në lumin Drin, ku ndodhet qyteti mesjetar i Sardës, në liqenin artificial të Vaut të Dejës./Sot.com.al

Fotografia e parë e mbretit Zog dhe Geraldinës në pallatin mbretëror sipas gazetës franceze

Nga Aurenc Bebja

“Paris-soir” ka botuar, të dielën e 12 shkurtit 1938, në faqen n°16, fotografinë e parë të mbretit Zog dhe konteshës Geraldinë, e shkrepur asokohe në pallatin mbretëror në Tiranë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Madhëria e Tij Zogu, mbret i Shqipërisë, së shpejti do të martohet me konteshën e re Geraldina Apponyi.

Kjo është fotografia e parë e të tyre, e shkrepur në pallatin mbretëror në Tiranë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/fotografia-e-pare-e-zogut-dhe-geraldines-ne-pallatin-mbreteror-sipas-gazetes-franceze-1938/.

Fotografi me famë botërore dhe Prizreni i vitit 1965

Në vitin 1958, revista “Popular Photography” përpilon listën e 10 fotografëve kryesorë aktivë të kohës. Në listë ishte shqiptari Gjon Mili dhe Henri Cartier-Bresson (1908-2004), shkruan Telegrafi.

Cartier-Bresson fillimisht kishte studiuar pikturën, në klasën e të famshmit Andre Lhote. Si student shoqërohet me artisten dhe muzën më të madhe të Pablo Picassos, Dora Maar, të cilën ai e këshillon të merret me fotografi. Në fakt, as ai nuk do të merret gjatë me pikturën. Siç do të thotë në një intervistë të vitit 1957, për “Washington Post”: “Fotografia nuk është si piktura. Ka një fraksion kreativ prej sekonde kur e shkrep fotografinë. Sytë duhet ta shohin kompozicionin ose të shprehurit që vet jeta ta ofron, dhe ti duhet të dish me intuitë kur ta shtypësh sustën. Ky është momenti kur fotografi është kreativ. Momenti. Nëse e huq, iku përgjithmonë”. Ky citat dhe stili i tij përcaktojnë atë që quhet “Momenti vendimtar” e që, sipas ditores “New York Times”, e ka modeluar fotografinë moderne.

Emri i tij ndërlidhet edhe me një ndërmarrje të madhe: në vitin 1947, ai, Robert Capa, David Seymour, William Vandivert dhe George Rodger themelojnë agjencinë prestigjioze, Magnum Photos. Ndërsa, ishte bashkëshorti i artistes Martine Franck (që ka qenë asistente e Gjon Milit), që po si ai konsiderohet si një nga emrat kryesorë të fotografisë së shekullit XX.

Në vitin 1965, Cartier-Bresson e vizitoi ish-Jugosllavinë. Ndër shumë qytete të shtetit të dikurshëm, qëndroi edhe në dy të Kosovës – në Pejë dhe në Prizren. Teksa nga Peja janë të njohura shtatë fotografi (shih tekstin e Telegrafit, në linkun më lartë), nga Prizreni është e njohur vetëm një (e postuar në fund të shkrimit).

Cartier-Bresson ka hapur dhjetëra ekspozita; është autor i shumë librave; fitues i shumë çmimeve prestigjioze… ndërsa karriera e tij shtrihet edhe në film. Nga fotot e famshme të tij është edhe një që ia ka bërë Gjon Milit më 1958. /Telegrafi/

Karikatura satirike, posterë e fotografi në ekspozitën “Euimage”

“Euimage” është projekti evropian që i dedikohet lidhjes midis imazhit dhe propagandës së Luftës së Parë Botërore dhe stereotipave kombëtarë bashkëkohorë, është kthyer në një ekspozitë shëtitëse e përbërë nga karikatura satirike, posterë, fotografi historike dhe komente nga nxënës, studentë, qytetarë shqiptarë e të huaj, si dhe ekspert të artit.

Euimage” përbëhet nga një përzgjedhje me karikaturat satirike nga arkivat digjitale në funksion të ekspozitës. Imazhet dhe tekstet janë kombinuar në formën e një gazete për të nënvizuar karakterin e fortë didaktik të projektit dhe për ta bërë të mundur qarkullimin e thjeshtë të ekspozitës në vendet e partnerëve të projektit.

Kuratori i ekspozitës, Andi Tepelena, shprehet se “Euimage” na fton të pyesim veten për efektet e stereotipave të lindur gjatë Luftës së Parë Botërore, ku sot pas një shekulli prekin ende marrëdhëniet midis vendeve evropiane. “Thjeshtimet dhe përgjithësimet e realitetit përbëjnë një filtër përmes të cilit qytetarët formojnë mendime rreth kombit të tyre ose vendeve të tjera, duke anuluar dallimet dhe nuancat. Kështu lindin stereotipat, të cilët bëjnë të mundur reduktimin e një komuniteti të tërë në një etiketë të thjeshtë. Origjina e këtyre perceptimeve, ende relevante në ditët e sotme, shpesh mund të shoqërohen nga veprime propagandistike, të krijuara gjatë luftës së madhe, për të justifikuar konflikte, në të cilin armiqtë përshkruhen sistematikisht si barbarë dhe agresorë”, shprehet kuratori Tepelena.

Duke folur për ekspozitën që u hap te “Destil Tirana”, kuratori Andi Tepelena vijon se “Euimage” synon të nxisë një reflektim mbi Evropën e njëqind vjetëve më parë, por dhe për Evropën e shekullit 21 nën një paqe të brishtë. “Publiku ka mundësi të njihet me një zhanër satirik siç është karikatura politike, e cila është përdorur gjerësisht gjatë Luftës së Parë Botërore për të satirizuar ‘armikun’ e jashtëm. Ka disa imazhe-karikatura, që janë marrë nga Biblioteka Kombëtare e Francës ose nga arkiva digjitale të revistave austriake të kohës. Kanë vlerë aktuale sot e kësaj dite, në një kontekst kur kufijtë në Ballkan janë ende të brishtë edhe 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore”, konsideron Tepelena.

Ekspozita “Euimage” po qëndron e hapur për publikun dhe sipas kuratorit Andi Tepelena përmes saj tregohet edhe ndihma që kanë dhënë shtetet perëndimore për mbijetesën ekzistenciale të Shqipërisë.

Bashkëpunëtorë të ekspozitës janë dhe Mesut Tufan gazetar, historian turk, Ilda Mara -eksperte për marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe Nevila Xhindi.

Euimage” është i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit “Evropa për Qytetarët – Kujtesa Historike”. Partnerë të projektit janë “Art Kontakt” (Shqipëri); Komuna e Kinselos Balsamo (Itali); Universiteti i Studimeve në Trieste (Itali); Universiteti “Sapienza” në Romë, universiteti “Kaunas” ( Lituani), “Freie Universitat” (Gjermani) dhe “Villa Vigoni”, qendra italian-gjermane për ekselencën evropiane, shkruan gazeta /Zëri/KultPlus.com

“Shqipëria 1928 -1931” me fotografi sjell rrugëtimin unik

Janë mbi 780 fotografi të digjitalizuara të arkivit personal të fotografëve italianë Pietro dhe Larissa Quaroni të Shqipërisë në vitet 1928-1931, që do të prezantohen për herë të parë në Tiranë në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), që zë vend në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë.

Ekspozita e titulluar “Arkivi Fotografik i Pietro dhe Larissa Quaroni ‘Shqipëria 1928 -1931’” do të hapet të premten e kësaj jave nga Ambasada Italiane në Shqipëri dhe Instituti Italian i Kulturës.

Fotografitë janë realizuar nga vëllezërit Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në Ambasadën Italiane në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.

“Të pabotuara më parë, 86 fotografitë i përkasin periudhës 1928-1931, shoqëruar nga dy dokumentarë të periudhës së asaj kohe”, thuhet në paralajmërimin e kësaj ekspozite. I çmueshëm është i gjithë materiali arkivor që tashmë është bërë pronë edhe e shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, publiku do të shohë një Shqipëri “të panjohur”.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij arkivi familjar, Quaroni ia ka dhuruar shtetit shqiptar, në formë digjitale, të gjithë arkivin e familjes së saj, me 780 fotografi”, shkruhet në paralajmërim.

Sipas organizatorëve të ekspozitës të gjitha fotot e digjitalizuara mund të shihen sipas një renditjeje kronologjike në formë projeksioni filmik, po në këtë ekspozitë.

“Është dëshira e familjes Quaroni, që gjithë Arkiva Fotografike Quaroni, Albania 1928–1931 të jetë e përdorshme për të gjithë të interesuarit për historinë e Shqipërisë, si nga historianët, studiuesit, diplomatët, gazetarët, ashtu dhe studentët shqiptarë e të huaj”, shkruhet në paralajmërim.

Vizitorët do të zbulojnë ngjarje, njerëz, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat e Shqipërisë, ashtu si janë vëzhguar dhe përjetuar nga Pietro dhe Larissa Quaroni.

Ekspozita përcjell një kontekst me interes të madh historik dhe social: imazhe befasuese dhe origjinale, një përshkrim i rrallë dhe unik, veçanërisht i figurave politike dhe i personazheve që kanë dominuar skenën shqiptare të viteve ’20 dhe ’30.

Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaronit, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj vjen në Shqipëri si bashkëshortja e ambasadorit të Spanjës. Vizitorët do të kenë mundësi të rrugëtojnë nëpër këto imazhe deri në fund të muajit që vjen.

Fotoreporteri i ‘Frankfurter Allgemeine’ publikon për herë të parë foto të luftës në Kosovë

Fotoreporteri i tablodit gjerman “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka publikuar fotografi të shkrepura gjatë luftës në Kosovë.

Fotografitë e Wolfgang Eilmes përfshijnë periudhën e luftës në Prekaz, përshkrimin e dhimbjes së viktimave, pamje të ushtarëve të UÇK-së, forcave serbe, shtëpi të djegura gjithandej si dhe refugjatë të vendosur në Shqipëri e Maqedoni.

U nderua në Prishtinë fotografi Willem Poelstra

Në kohën kur në Amsterdam po kremohej trupi i tij, në Kino Armata të Prishtinës u ndezën qirinjë dhe u thanë fjalë nderi për fotografin Poelstra, i cili vdiç ditë më parë në qytetin e tij të lindjes.

Përkundër betejës së vazhdueshme me kancerin, ai realizojë të gjitha planet që kishte, duke përfshirë ekspozitën në Prishtinë dhe Beograd, publikimin e librit For Hanna, Future Stories from the Past… si dhe themelelimin e fondacionit For Hanna, i cili tashmë ofron mbështetje për projekte dokumentare.

Në fundjavën që shkoi, u mbajt ceremonia lamtumirëse për nder të fotografit holandez Willem Poelstra, i cili dokumentoi pasojat e luftës në Kosovë për pesë vite.

Willem Poelstra ndërroi jetë të shtunën, më 13 Tetor në orën 11:05 në shtëpinë e tij në Amsterdam pas një lufte të furishme me sarkomë.

Ai ishte 62 vjec, ndërsa udhëtimin e tij i në karrierë e filloi në detin e hapur si zhytës, vazhdoi me sektorin e reklamave dhe përfundoi me fotografi dokumentare, ku njihej për mjeshtërinë e trajtimit të çështjeve sociale.

Projekti i tij i fundit ishte for Hanna, Future Stories from the Past (shqip: për Hanna-n, Tregime të së Ardhmes nga e Kaluara…) në të cilin fotografi tregon historinë personale të prindërve të tij pas Luftës së Dytë Botërore, përmes tregimeve të pasluftës në Kosovë, duke synuar të dëshmojë se dialogu është thelbësor për të evituar përsëritjen e historisë. /KultPlus.com

Në ceremoninë lamtumirëse morri pjesë edhe Ambasadorja e Holandës në Kosovë, zonja Gerrie Willems si dhe miq e bashkëpunetor të ngushtë të fotografit Poelstra, në Kosovë.

Ceremonia u shoqërua me muzikë të përzgjedhur nga vet fotografi Poelstra për ceremonitë mortore të tij, kurse kjo ceremoni u organizua nga mikeshat dhe bashkëpunëtoret e ngushta të tij, Erëblina Elezaj dhe Dafina Muçaj.

Fotografitë që tregojnë pabarazinë shoqërore nëpër botë

Johnny Miller është fotograf dhe regjisor, i cili shumicën e kohës në veprat e tij është marrë më çështjet urbane, kulturore dhe sociale.

Në një projekt të tij të titulluar “skena të pabarabarta”, fotografi vizualizoi pabarazinë shoqërore dhe ekonomike nëpër botë dhe këtë e bëri nëpërmjet ajrit.

“Qëllimi i projektit është të portretizojë çështjet globale të pabarazisë sa më objektivisht të jetë e mundur dhe të tërheqë vëmendjen tek ajo përmes artit të fotografisë”, thotë autori, transmeton Klan Kosova.

Fotografitë janë realizuar në vendet si: Afrika Jugore, India, Meksika, Tanzani dhe Kenia.

Fotografi më i guximshëm në botë (FOTO)

Alex Suh është pa dyshim një nga fotografët më të guximshëm në botë.

Për të shkrepur një foto sa më të mirë, ai nuk e ka problem që të qëndrojë vetëm pak centimetra larg krokodilit.

Përveç setit fotografik fantastik, Alex kërkon që të japë edhe një mesazh: këto kafshë në dukje të frikshme nuk i vrasin njerëzit.

Fotografi beson se njerëzit dhe kafshët e egra mund të bashkëjetojnë në harmoni mes tyre, ndërsa krokodilët, sipas tij, nuk janë vrasës njerëzish./top channel

S’ka më fotografi monotone para statujave

Jemi mësuar të shohim turistët duke bërë fotografi apo ‘selfie’ para statujave në mënyrë serioze, por ka disa prej tyre që gjejnë mënyrat nga më të ndryshme për t’u fotografuar para statujave.


Në disa nga këto fotografi mund të shohim disa persona duke imituar statujat, ndërsa në disa të tjera duke vendosur gjësende të ndryshme në to, shkruan Koha.net.


E krejt kjo për t’i dhënë një dimension tjetër këtyre statujave të famshme.

Për më tepër shikoni fotogalerinë.