Publikohen dorëshkrimet, vizatimet dhe letrat personale nga Franz Kafka

Pas restaurimit intensiv, katalogimit dhe dixhitalizimit, tani një koleksion i dixhitalizuar që përfshin tre versione të drafteve të historisë së Kafkës, përgatitjet e dasmës në vend, fletorja në të cilën ai praktikonte Hebraishten, qindra letra personale, skica dhe revista udhëtimi, janë në dispozicion të publikut në internet, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Talentin për skicim Kafka e zbuloi në vitin e tij të parë në universitet ku vizatimet e tij përfshinin karikatura kryesisht groteske të njerëzve që ai takonte ose skica të vetvetes. Ndërsa, koleksioni i tij u la në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit nga Max Brod, një mik i cili Kafka i besoi të digjte shkrimet e tij pas vdekjes së tij në vitet 1920. Por, Brod i refuzoi dhe i botoi ato në vend, duke bërë që Kafka të njihej si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit 20.

Pas vdekjes së Brodit në 1968, koleksioni është zhdukur dhe Biblioteka Kombëtare është përfshirë në një luftë 11-vjeçare “Kafkaesque” për ta sjellë koleksionin së bashku, me c’rasy koleksioni i fundit i letrave arriti në Izrael në vitin 2019 pasi hetuesit kërkuan dokumentet në Gjermani, Zvicër dhe në kasafortat e bankave në Izrael.

Prandaj, nëse nuk do të ekzistonte Max Brod, puna e Kafkës do të ishte zbehur në harresë.

Gjithashtu, pas vdekjes së autorit në vitin 1924, 15 vite më vonë, Brod, një shkrimtar hebre u detyrua të largohej nga Çekosllovakia. Ai mbante me vete letrat e Kafkës në një valixhe dhe më vonë vazhdoi të botojë shumë prej tyre, duke ndihmuar kështu në çimentimin e pas vdekjes të vendit të mikut të tij në histori.

Pasi Brodi vdiq, ai ia la koleksionin sekretares së tij Esther Hoffe dhe i kërkoi asaj të siguronte që ato të arrinin në Bibliotekën Kombëtare. Ajo i mbajti letrat deri në vdekjen e saj në 2007, duke ruajtur disa prej tyre në banesën e saj në Tel Aviv, dhe të tjerat në Izrael dhe Zvicër. Kurse, në vitin 1988, ajo shiti dorëshkrimin e Gjykimit për 2 milion dollarë (1.4 milion).

Kur Hoffe vdiq, Biblioteka Kombëtare u bëri thirrje vajzave të saj të respektonin dëshirat e fundit të Brodit dhe t’u jepnin atyre dorëshkrimet e mbetura. Por, kërkesa e tyre u refuzua dhe procedurat ligjore filluan vitin pasues. Krejt në fund të procesit, Gjykata e Lartë e Izraelit doli në krah të bibliotekës dhe urdhëroi që letrat t’u dorëzoheshin atyre.

Hetuesit u lejuan të shikonin në banesën e Hoffe në Tel Aviv, ku gjetën se ishte marrë nga macet të cilat thuhet se kishin shkaktuar disa dëmtime në dokumente.

“Gazetat Franz Kafka tani do të bashkojnë miliona artikuj të tjerë që kemi sjellë në internet vitet e fundit si pjesë e përpjekjeve tona për të ruajtur dhe transferuar pasuritë kulturore brezave të ardhshëm,” ka thënë Oren Weinberg, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Izraelit.

“Pas shumë vitesh në të cilat këto dokumente ishin të paarritshme për publikun, ne jemi krenar që tani ofrojmë hyrje falas në to për studiuesit dhe miliona tifozë të Kafka në Izrael dhe në të gjithë globin”, ka thënë tutje Weinberg. / KultPlus.com

Para ligjit

Franc Kafka

Para Ligjit rri bën roje një portier. Te ky portier na vjen një burrë nga fshati, i cili lyp të hyjë në Ligj. Por portieri i thotë se për momentin nuk mund ta lejojë të hyjë. Burri mendohet pak dhe e pyet se a do mund t’i lejohet hyrja më vonë. “Është e mundur” i thotë portieri, “por jo tash për tash”. Meqenëse dera është e hapur, si zakonisht, e meqë portieri bën një hap pas, burri rreket të shohë tej derës se çfarë ka brenda. Duke e vënë re këtë roja i derës qesh e thotë: “Nëse të tundon kaq shumë, provoje një herë t’ia mësysh edhe pa lejen time. Veç mbaje mend: unë jam i fuqishëm. E unë s’jam veçse më i dobëti prej rojtarëve. Nga paradhoma në paradhomë, rojet e dyerve janë njëri pas tjetrit, secili më i fuqishëm se pararendësi. Rojtari i tretë është aq i tmerrshëm sa as unë s’guxoj ta shoh me sy”. Këto vështirësi burri nga fshati nuk i kishte pritur; te Ligji, sipas tij, do duhej me siguri të kishte qasje kushdoqoftë, në çdo kohë, mirëpo tani që e sheh pak më me vëmendje rojtarin me pallto prej lëkure, me hundë të mprehtë e të gjatë e me mjekër të zezë si të tartarëve, vendos se është më mirë të presë derisa t’i japi leje të hyjë. Rojtari ia jep një stol dhe e lë të ulet e të presë në njërën anë të derës. E aty burri ulet e pret për ditë me radhë, për vite me radhë. Bën përpjekje të shumta për të marrë leje për të hyrë dhe e lodh rojtarin me këmbënguljen e tij. E rojtari shumë shpesh e merr në pyetje me intervista të shkurtra, e pyet për shtëpinë e tij e për çkamos, por pyetjet shtrohen me indiferencë, siç dinë t’i shtrojnë zotërinjtë, dhe gjithnjë përfundojnë me konstatimin se burri ende nuk mund të lejohet të hyjë. Burri, i cili ka marrë me vete shumë gjëra që t’i ketë gjatë rrugës, sakrifikon gjithçka që ka, sado e çmueshme, që ta joshë në ryshfet rojtarin. Rojtari e pranon çdo gjë, por gjithnjë me vërejtjen se “po i pranoj këto që më jep vetëm që të mos mendosh se ke lënë ndonjë gjë pa bërë”. Gjatë atyre shumë viteve burri e fikson vëmendjen tek rojtari, pa ndërprerje. I harron gjithë rojtarët e tjerë dhe ky i pari i duket si pengesa e vetme që s’e lë t’i avitet Ligjit. E kështu burri nis të mallkojë fatin e tij të keq, në vitet e para ashpërsisht e me zë të lartë; ama duke u plakur, ia nis të shkrofëtijë vetmevete. Bëhet si foshnjë, dhe meqë gjatë viteve të meditimeve mbi rojtarin tashmë ia njeh dhe pleshtat që rrinë në jakën e tij, fillon t’u lutet dhe pleshtave që t’ia ndërrojnë mendjen rojtarit. Pas një kohe të gjatë sytë nisin ta lënë, dhe ai më nuk e di se a është bërë bota më e errët apo thjesht po e mashtrojnë sytë. Megjithatë, në terrin e vet, ai bëhet i vetëdijshëm për rrezatimin që del pandërprerë prej derës së Ligjit. Tash nuk i ka mbetur më edhe shumë për të jetuar. Para se të vdesë, gjithë përvojat e tij në gjithë ato vjet i mblidhen në kokën e tij në një pikë të vetme, në një pyetje që ende nuk ia ka bërë rojtarit. I kërkon rojtarit të afrohet, se tashmë nuk mund të ngrihet më në këmbë me trupin e tij të kërrusur. Rojtari duhet të përkulet shumë që t’i afrohet, sepse dallimi në lartësi mes të dyve ka ndryshuar shumë, në disavantazh të burrit. “E tash çka dëshiron të dish?” e pyet rojtari; ” se ti nuk u lodhke kurrë”. “Gjithkush rreket të arrijë Ligjin” thotë burri, “po si ka mundësi që gjithë këto vjet askush veç meje nuk ka ardhur ndonjëherë të kërkojë të hyjë këtu?”. Rojtari e kupton se burrit i ka ardhur fundi dhe që të arrijë të jetë i kuptueshëm për shqisat e tij të lodhura, i bërtet në vesh. “Askush tjetër s’mund të pranohet ndonjëherë këtu sepse kjo derë është bërë vetëm për ty. Dhe tash do e mbyll”. / KultPlus.com

Pesë fakte interesante për Franc Kafkën

I lindur në një familje çifute në fillim të shekullit XX, Franz Kafka njihet si njëri nga praktikuesit më të mëdhenj të absurdizmit që njihet edhe sot.

Jeta e tij është e mbushur me fakte të çuditshme, ashtu siç veprat e tija. Disa nga këto fakte janë:

1. Kafka frikësohej nga minjtë

Ndonëse në veprat e tija kemi disa nga imazhet më të frikshme, ai vet frikësohej nga minjtë.

2. Vodhi në provime

Ndonëse nuk mund të gënjente, Kafka kishte shfrytëzuar një metodë tjetër për të kaluar greqishte. Ai i kishte dhënë ryshfet shërbëtores së profesorit që të vidhte provimet nga sirtari i tij.

3. Dyshemeja e Samsas ishte si e Kafkas

Edhe pse refuzohet nga kritikët e njohësit e shumtë fakti që Gregor Samsa ishte një mishërim i Franz Kafkës, ekziston një ngjashmëri ndërmjet dy botëve – dyshemeja e të dyve ishte e njëjtë në shtëpitë e tyre.

4. Ai ishte ‘fleçerist’

Në fillim të shekullit të kaluar, Horace Fletcher kishte përhapur një ide që ushqimi do të duhej të përtypej deri 100 herë, deri të bëhej e lëngshme që të ishte më e shëndetshme. Ai e kishte përhapur këtë ide duke thënë që edhe shkrimtarë të njohur si Sir Arthur Conan Doyle, Henry James, e edhe vet Franz Kafka përdornin këtë teknikë të përtypjes.

5. Digjjani letrat

Sikur shumë shkrimtarë, edhe Franz Kafka kishte kërkuar që shkrimet e tija të digjeshin, por miku i tij Max Brod nuk e kishte plotësuar këtë kërkesë të tij. Dhe ja ku jemi sot, duke shkruar për Kafkan./ KultPlus.com

“Mendoj se ne duhet t’i lexojmë vetëm librat të cilët na lëndojnë ose na godasin”

Franz Kafka është njëri nga autorët më të njohur të letërsisë botërore i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërësi. Këtu kemi shkëputur një pjesë nga mendimi i tij rreth asaj se çfarë duhet lexuar.

“Mendoj se ne duhet t’i lexojmë vetëm librat të cilët na lëndojnë ose na godasin. Nëse librin të cilin jemi duke e lexuar nuk na zgjon neve me një shpërthim në kokën tonë, atëherë për çfarë po lexojmë? Për të na bërë të lumtur, do të thoshit ju?

Unë mendoj se ne mund të jemi të lumtur pikërisht nëse nuk do të kishim fare libra. Ne kemi nevojë për libra të cilat ndikojnë tek ne ashtu si një fatkeqësi, të cilat na brengosin neve thellësisht, ashtu sikur vdekja e dikujt të cilin e kemi dashur më shumë se veten, ashtu sikur dëbimi në një Pyll, larg prej të gjithëve, si një vetëvrasje.

Një libër duhet të jetë sëpatë për detin e ngrirë brenda nesh. Kështu besoj unë.” Filozofia.al / KultPlus.com

– Franz Kafka

Sekretet e vogla të shkrimtarëve të mëdhenjë!

Franc Kafka (1883-1924)

Autorit të Metamorfozës i pëlqente të praktikonte nudizmin, edhe pse kjo ndodhte në raste të rralla. I kalonte pushimet e tij në një hotel në natyrë që quhej “Burimi i të rinjve”, por kishte pak siklet për t’u zhveshur i tëri, dhe i kishin vënë pseudonimin “njeriu me rroba banje”.

Agatha Christie (1890-1976)

Librat e saj kanë shitur miliona kopje, por nuk i ka shkruar ajo. Në fakt ajo vuante nga disgrafia, një çrregullim për të mësuar shkrimin e dorës, që e bënte kaligrafinë e saj të palexueshme dhe prandaj ishte e detyruar t’ia diktonte dikujt tjetër romanet e saj.

Oskar Uaild (1854-1900)

Autori i “Dorian Greit” shprehu diversitetin e tij që fëmijë, kur atij i pëlqente të vishej si femër. Në kolegj nuk praktikonte sportet tipike mashkullore, por merrej me zbukurimin e dhomës së tij me lule.

Xhorxh Bajroni (1788-1824)

Ishte një nga rebelët më të mëdhenj të fillimshekullit të 19. Atij i atribuohen një numër i madh të dashurash, 250 vetëm në një vit, vitin kur vizitoi Venecian. Për të kujtuar femrat që kishte zënë, mbante disa prej qimeve pubike të secilës në një zarf me emrin e vajzës. Lord Bajroni i donte edhe kafshët. Në shtëpinë e tij kishte kuaj, pallua, shpendë të ndryshëm si papagall apo rakun, një dhelpër, një shqiponjë dhe një korb.

Xhejms Xhojs (1882-1941

Kishte një pasion të vërtetë për të pasmet e femrave. Por jo vetëm, i pëlqente të ishte i frustruar dhe i nënshtruar. Këtë e dëshmojnë disa letra nga e dashura Nora Barnacle, që më vonë ishte dhe partnerja e tij. Autori i Uliksit kishte edhe një frikë të madhe ndaj bubullimave, ishte katolik i devotshëm, dhe thoshte se bubullimat janë shprehje e zemërimit të perëndisë.

Xhek London (1876-1916)

Djalë i jashtëligjshëm, kishte një njerkë të alkoolizuar që kur ishte fëmijë e çonte në një pijetore për të blerë birra me kovë. Kështu që i vogli Xhek filloi të pinte që 5 vjeç. Dhe nuk u ndal kurrë. Që në moshën 14-vjeçare pinte si një i rritur. Pas një aksidenti humbi dhëmbët e tij të përparme. Njihej për racizmin e thellë sidomos ndaj aziatikëve.

Leon Tolstoi (1828-1910)

Si fëmijë ashtu edhe adoleshent ishte një student indiferent. Rininë e tij e kalonte mes femrave, bixhozit, alkoolit dhe dueleve. Natën e dasmës detyroi gruan të lexonte ditarin e tij ku ishin shkruar të gjithë aventurat e tij erotike. Këto ndodhën para konvertimit të Tolstoit, që nga ai moment hoqi dorë nga alkooli, duhani, seksi.

Edgar Allan Poe (1809-1849)

Kishte frikë nga errësira dhe e mësoi matematikën duke llogaritur moshën e të vdekurve nga lapidarët e varreve. Ishte i gjithë faji i profesorëve të tij që në shkollën fillore i çonin fëmijët në varreza në fillim të çdo viti shkollor. I jepnin një lopatë të vogël dhe e përdornin për të gërmuar varrin e shokëve të tyre që do vdisnin para përfundimit të shkollës. Kur ishte pa para, ai hiqej si gazetar, duke shpikur artikuj të rreme.

J.R.R Tolkien (1892-1973)

Autori i “Zotit të Unazave” ishte para së gjithash një studiues gjuhësh: mes gjuhëve antike dhe moderne dinte 12 dhe shpiku 14. Profesor i Oksfordit, ishte publikisht i njohur si një shofer i keq, aq sa gruaja e tij refuzonte të hipte në makinë me të kur ecte në qytet. Kishte gërhitje shumë të fortë dhe ndonjëherë gruaja e bindte të flinte në banjë.

Uilliam Shekspir (1564-1616)

Dramaturgu anglez ishte i fiksuar pas parasë. Merrte shumë para borxh nga miqtë e tij, mashtronte departamentin e taksave dhe ishte shumë i ashpër në kërkesat ekonomike të punës së tij. Ishte një bashkëshort i pabesë. Të shumta kanë qenë lidhjet e tij jashtëmartesore./filozofia.al / KultPlus.com

Franz Kafka – Hiq dorë

Ishte mëngjes herët, rrugët qenë të pastruara e të zbrazura.

Po shkoja te stacioni. Kur krahasova orën time me një orë të madhe, vura re se ishte më vonë se sa kujtoja: duhej të nxitoja! I trembur nga ai zbulim, harrova rrugën, ngaqë nuk e njihja mirë atë qytet. Për fat, aty pranë vura re një polic; iu afrova me vrap dhe duke m’u marrë fryma e pyeta çfarë rruge të ndiqja. Ai më pyeti buzagaz:

– Nga unë kërkon të mësosh rrugën që duhet të ndjekësh?
– Po, iu përgjigja, derisa nuk mund ta gjej vetë.
– Atëherë hiq dorë! Hiq dorë! – tha ai dhe më ktheu shpinën, siç bën një njeri i cili do të qeshë pa e parë askush.

Franz Kafka

Franz Kafka (i lindur më 3 korrik, 1883 në Pragë të Austro-Hungarisë, sot Republika Çeke; vdiq më 3 qershor, 1924 në Vjenë të Austrisë) ishte një nga shkrimtarët e historive të shkurtra, dhe romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX, trupi i shkrimit i të cilit ishte i vetëm në llojin e tij. Shumica e shkrimeve të tija mbetën të pambaruara dhe u botuan pas vdekjes së tij, megjithëse dëshira e tij ishte që ato të asgjësoheshin – janë bërë ikona në letërsinë e Perëndimit.

Pjesa e tij më e njohur përfshin një tregim të shkurtër me emërtimin Die Verwandlung (Metamorfoza, Shëndërrimi) dhe romani i tij i pambaruar Der Prozess (Procesi) dhe Das Schloß (Kështjella). Mbiemri “kafkor” ka hyrë në përdorim të shënojë rrethanat e rëndomta te llojit absurd dhe surreal zakonisht të gjetura në veprat e Kafkës. /KultPlus.com

‘Unë të përkas ty’

Franc Kafka, letra për Felice Bauer

Fräulein Felice!

Tani do të të kërkoj një favor që tingëllon pak si i çmendur, të cilin do ta përshëndes kur të marr unë letër. Është gjithashtu testi më i madh në të cilin mund të vihet njeriu më i mirë.

Mirë, ja ku është:
Më shkruaj vetëm njëherë në javë, kështu që letrat e tua të më vijnë ditën e diel, sepse nuk mund t’u rezistoj letrave të tua të përditshme. Për shembull, unë i përgjigjem një nga letrat e tua, dhe pastaj shtrihem në krevat në dukje i qetë, por zemra ime rreh përmes gjithë trupit vetëm prej teje. Unë të përkas ty.Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta shprehur këtë, dhe kjo nuk është mënyra më e mirë. Po për këtë arsye nuk dua të di se çfarë vesh. Më ngatërron aq shumë, saqë s’mund të merrem me jetën. Nuk dua ta di që edhe ti ndjen për mua. Po ta dija, si mundja, si budalla që jam, të ulesha në zyrën time, apo këtu në shtëpi, në vend që të hipja në një tren me sytë që hapen dhe mbyllen vetëm kur jam me ty? Oh, ka një arsye të trishtueshme, që nuk s’e bëj dot këtë. Për t’i rënë shkurt: Shëndeti im është i mirë vetëm për të përballuar veten time. Ai s’është i mjaftueshëm për martesë, duke lënë mënjanë të bërit baba. Sidoqoftë, kur lexoj letrat e tua, ndjej se mund të lartësohem edhe mbi atë që nuk mund të lartësohet.


Ah sikur ta kisha përgjigjen tënde tani. Dhe sa keq të torturoj, dhe sa të detyroj ty në qetësinë e dhomës tënde të lexosh këtë letër, si letra më e ulët që është vënë ndonjëherë në tryezën tënde.


Ndershmërisht, ndjehem keq ndonjëherë kur lutem si një lugat mbi emrin tënd lumturues! Ah sikur ta kisha postuar letrën e së dielës, në të cilën të kisha kërkuar të mos më shkruaje më kurrë, dhe në të cilën të jepja një premtim të ngjashëm. Oh Zot, çfarë më ndaloi të ta dërgoja këtë letër? Çdo gjë do ishte në rregull. Por a është kjo zgjidhje e paqtë e mundur tani? Çfarë do të ndihmonte nëse ne do i shkruanim njëri-tjetrit vetëm një herë në javë? Jo, sikur vuajtja ime të kurohej nga mjetet të tilla, atëherë ajo s’do ishte serioze. Dhe tashmë parashikoj që s’mund të jem në gjendje t’iu rezistoj as letrave të së dielës. Kështu, për të kompensuar mundësinë e humbur të së dielës, të kërkoj me gjithë fuqinë që më ka mbetur në fund të kësaj letre: Nëse i vlerësojmë jetët tona, le të mos shkruajmë më.
Mos po mendoja të nënshkruaja me Dein? Jo, s’do të kishte gjë më false se sa kjo. Jo, unë jam gjithmonë i lidhur me zinxhirë me veten time. Ky jam unë, dhe kjo është ajo me të cilën duhet të jetoj.


11 nëntor, 1912

(Kafka e takoi për herë të parë Felice Bauer në vitin 1912. Për pesë vjet ata patën një histori dashurie).

“Kushdo që ruan aftësinë për ta parë të bukurën, nuk ka për t’u plakur kurrë”

Franc Kafka u lind në Pragë më 3 korrik 1883. Ai ishte nënshtetas austro-hungarez, me prejardhje hebraike. Rridhte nga një familje relativisht e kamur. Një penë e jashtëzakonshme dhe një personalitet, gjithashtu i jashtëzakonshëm. Njëri me një zemër që mund të trokiste vetëm në kraharorin e një shenjtori, siç ishte ai. U nda nga jeta më 3 qershor, 1924 në Vjenë, ende pa i mbushur 41 vjeç, prej një tuberkulozit, i cili e përndoqi për 7 vite radhazi, deri sa e shuajti përgjithmonë. Ai, Franc Kafka, shteri pak e nga pak, shtërzeu e hoqi prej orës në çdo ditë, u drithërua e flakëriu, driti e u përpëlit në syt e shpirtit dhe dëshirimit të drobitur, si një qiri që soset pikëllueshëm nën ëndjet e kapluara prej terri të atyre dëshirimeve që s’mundën të ishin veç vuajtje dhe trishtim.

Marrëdhëniet e tij intime dhe tekstshkruese ishin të ndërlikuara, të garrametshme, dashuroi dhe shkroi, jetoi dhe kontribuoi me zemër dhe mendime, si ai e pakkush tjetër në mënyrën e tij. Krijimtaria; tregime të shkurtra, romane që kurrë nuk i përfundoi. Shumicën e dorëshkrimeve i dogji, pjesën që mbeti e la me amanet të kishte të njëjtin fat, por jo çdo amanet meritonte të respektohej, si dhe ky. Si shumë personazhe të artit avangard, edhe për krijimtarinë e Kafkës do të zgjohej interes dhe do të korrte famë pas vdekjes. Ai u cilësua si një nga autorët më me ndikim, apo Dante i shekullit të njëzetë. Franc Kafka fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një hyjlindur. Kthjelltësia si loti, i gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë dhe papajtueshmërisë. Nëse nuk do ta kishim njohur si shkrimtar, pa asnjë mëdyshje do ta pranonim si shenjt. I tillë ishte ai, i devotshëm dhe shëlbyes.

Fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një hyjlindur. Kthjelltësia si loti e gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë  dhe papajtueshmërisë .

Franc Kafka erdhi në letërsi si një nevojë e brendshme e një individi gjithnjë i papajtueshëm me realitetin. Ndoshta jo vetëm sëmundja, prej së cilës ai ishte i dënuar me vdekje, por edhe njeriu delikat e shpirtmirë, cilësi këto të përftuara nga e ëma një grua hebre, bënë që kjo penë ta ngjynte majën në zjarrin e vetëtimave. I ndryshtë, shumëçka tjetërqysh nga të tjerët, ishte kumti që mëtoi në një vepër, e cila për pak do të shuhej bashkë me të, nëse miku i tij do të ishte aq shpirtkazëm sa të çonte në vend amanetin e tij, asgjësimin e dorëshkrimeve.

Franc Kafka është një nga shembujt emblematik i njerzinit, që hetoi mbi vehten, zbuloi vlerat dhe u cfilit me ndërgjegje për të materializuar ato në artin e krijimtarinë e tij. Ndërsa vepra e tij është një shembull brilant se çdo qenie njerzore, o rastësisht o domosdoshmërisht i jepet rasti e mundësia për tu bërë një fillim. Linda e tij, ardhja e tij në jetë duhet konsideruar si një ftesë që bashkë me konstitucionin e tij fizik të sjellë diçka të re. /KultPlus.com

Si e vlerësonte Franc Kafka aktorin me prejardhje shqiptare Aleksandër Moisiun

Sot shënohet ditëlindja e aktorit të madh botëror me prejardhje shqiptare  Aleksandër Moisiut, shkrua KultPlus.

Veprimtaria e tij ishte e fokusuar në Vjenë, për të depërtuar shpejt edhe në teatrot e tjera evropiane. Pas sukseseve të tij të njëpasnjëshme në aktrim ai u angazhua pothuajse në të gjitha vendet e Evropës e Amerikës Veriore.

Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse.

 Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it , të Wedekind-it dhe të Hofmannsthal-it .

Për këtë aktor të madh, fjalët nuk i kursyen as filozofët e shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës. Filozofi i njohur dhe një nga romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane, Franc Kafka vlerësoi se gjestet e Moisiut ishin unike dhe të pa para ndonjëherë në skenat botërore.  

“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”, janë fjalët e Kafkës për Moisiun./ KultPlus.com