Rikthimi i ‘Frankenstein’ në ekran

Romani “Frankenstein” i Mary Shelley, i botuar për herë të parë në vitin 1818, konsiderohet si një nga veprat themelore të letërsisë gotike dhe të zhanrit fantastiko-shkencor. Ky tregim i fuqishëm mbi një shkencëtar që guxon të sfidojë natyrën dhe të krijojë jetë jashtë normave njerëzore, për të përfunduar i ndëshkuar nga pasojat e zgjedhjeve të tij, ka frymëzuar dhjetëra adaptime në teatër, film dhe televizion. Në qendër të veprës qëndron jo vetëm tmerri i krijesës së bërë nga njeriu, por edhe dilemat morale, përgjegjësia ndaj jetës dhe vetmia ekzistenciale.

Në versionin e ri filmik që pritet të lansohet në nëntor 2025 në Netflix, regjisori Guillermo del Toro e rikthen këtë histori të njohur përmes një lenteje të errët dhe vizualisht të pasur, karakteristike për stilin e tij. I bazuar drejtpërdrejtë në romanin origjinal të Shelley, adaptimi i del Toros synon të qëndrojë besnik ndaj temave filozofike dhe emocionale të veprës, duke thelluar ndjeshmërinë e krijesës dhe dramën tragjike të krijuesit të saj, shkencëtarit Victor Frankenstein, përcjellë KultPlus.

Me aktorë të talentuar si Oscar Isaac, Jacob Elordi, Mia Goth etj., ky film nuk paraqet thjesht një histori horror, por një rrëfim të thellë mbi humbjen, veten, besimin dhe kufijtë e humanitetit. Del Toro i jep jetë këtij miti letrar me një qasje bashkëkohore, pa e humbur lidhjen me rrënjët klasike të tregimit.

Ky adaptim pritet të jetë një ndër risjelljet më të denja të romanit, duke e paraqitur “Frankenstein” si një histori të përjetshme që vazhdon të sfidojë kohën dhe ndërgjegjen njerëzore./KultPlus.com