Rama: Pista e parashutizmit në Funar, kompleton guidën turistike të Elbasanit

Funari, rreth 20 km larg Elbasanit do të ketë së shpejti një pistë parashutizmi, 75 km shtigje malore dhe një pikë informimi të vizitorëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për ndërtimin e pistës së parashutizmit, një nga projektet më të mira për zhvillimin e turizmit në Elbasan.

Rama  shprehet se në kuadër të projektit më të ri turistik në Elbasan, “Funari Adventure Park”, ka nisur puna për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km të shtigjeve malore dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve, investim që do ta kompletojë edhe më shumë guidën turistike në këtë qytet.

Kjo pistë po ndërtohet në bashkëpunim me Bashkimin Europian me fondet IPA Crosporter dhe me të Maqedonisë së Veriut.

Pista është më e madhja që po bëhet në Shqipëri, ku janë 3000 m2 të rehabilituara totalisht të shtruara me tapetin sipas standardit më të mirë ndërkombëtar, për të pasur një turizëm të qëndrueshëm në Elbasan.

Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë. / atsh / KultPlus.com