Vepra “të thjeshta si lojë” që të bëjnë të besosh se makina e udhëtimit në kohë ekziston

Uranik Emini

Është krahasuar me piktorin Pablo Picasso, i cili konsiderohet si një nga artistët më të mëdhenj të historisë, por kjo nuk e pengoi që shprehja më e perdorshme e artistit shqiptar, Nusret Salihamixhiq të jetë “kjo është e thjeshtë si një lojë” në çdo vepër që ai punonte, vepra që në radhë të parë përfshinin guximin në kohën kur po pikturonin dhe që përfshinin vlera shumëdimensionale, ngjyra voluminoze dhe piktura që lënë gjurmë në kohë që autori të mos harrohet kurrë, shkruan KultPlus.

Mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita pikërisht me emrin “Loja” e artistit të shquar, Nusret Salihamixhiq, ku edhe në përpikmëri dhe vëndosshmëri u prezantuan veprat e autorit nëpër etapa të ndryshme të jetës, ekspozitë e cila është kuruar nga artisti tjetër i njohur, Jakup Ferri.

Planifikimi kërkon kohë dhe ekspozita të tilla nuk realizohen brenda muajve, gjithashtu kërkohet edhe punë e madhe, një punë që bëhet çdo ditë dhe gjithashtu gjatë gjithë këtij procesi ekziston frika se gjithë mundi dhe puna e bërë, madje edhe mund të dështojë. Por vendosmëria e të gjithë atyre që morën pjesë në këtë proces, rezultoi suksesshëm dhe Galeria po mirëpriste njerëzit që po vinin në tufë për të parë e për të mësuar më shumë rreth veprave të artistit Salihamixhiqit.

Në një linjë me gëzimin, mungesa për të shfaqej natyrshëm

Gruaja e Nusret Salihamixhiqit, Mybera Ferizi, kujtimet për burrin e saj i mbanë në një vend të veçantë, derisa mungesa për të është e madhe.

“Unë të gjitha kujtimet me Nusretin i kam të mira. Gjithë kohën që kemi kaluar bashkë, ai ka qenë duke punuar natë e ditë. Ka punuar si profesor, është rikthyer në shtëpi dhe ka kërkuar që buka të jetë gati, mund të them që deri në shtratin e vdekjes e ka mbajtur brushën në dorë. Ka lënë piktura që nuk ka askush, mund të them që askush në botë nuk ka lënë piktura sa ka lënë Nusreti. Ai ka punuar sikurse me qenë fabrikë. Secila pikturë e tij është unikat në stilin e vet, nuk ka bërë asnjëherë një të njëjtë”, u shpreh ajo për KultPlus. 

E pyetur mbi hapjen e kësaj ekspozite, Mybera me emocione në fytyrë tha se ndjehet shumë e lumtur për këtë gjë. “Nuk e di se a mundet të bëhet më madhështore. Një gëzim tepër i madh, e gjëja e vetme që më mungon është ai, emocionet gjithmonë janë të pranishme”. 

(Mos)gatishmëria për ekspozitë dhe synimi për të rinjtë

Edhe djali i tij, Fatos Salihamixhiqi, rrëfen për KultPus se nuk ndjeheshin të gatshëm si familje për të hapur një ekspozitë të tillë, jo sepse mungojnë veprat, nuk ishin të përgatitur e në fund vedosën të sipërfaqin punën, guximin dhe pasionin e madh që ka pasur babai i tyre për artin.

“Kjo është hera e parë që veprat e tij po prezantohen në publik pas vdekjes së tij. Këto punime janë punime që janë punuar në faza të ndryshme, në etapa të ndryshme. Këtë seleksionim e ka bërë Jakup Ferri, në bazë të përzgjedhjes së tij e ka bërë për veprat që artisti ka realizuar në vitet 1960-70-80. Unë jam shumë falëndrues ndaj Dhuratës, e cila me një punë të palodhur ka bërë të pamundurën të mundurën. Unë nuk kam qenë i interesuar që në këtë kohë të hap këtë ekspozitë, nuk kam qenë unë i pëgatitur jo pse nuk kemi pasur vepra. Por e kam pasur të pamundur që t’i them jo Dhuratës dhe Jakupit”.

Sa i përket pjesës në qoftë se këto piktura janë në shitje apo jo, Fatosi thotë se për këtë gjë nuk është biseduar akoma asgjë, pasi qëllim kryesor dhe si mision kanë t’ia mundësojnë studentave, artistëve e njërëzve të ndryshëm t’i shohin ato dhe të mësojnë prej këtyre veprave.

“Këtu do të shihet guximi se si një artist si Nusreti në vitet 60-ta ka pas guximin që të bëjë vepra që vështirë është të bëhen në ditët e sotme. Për atë kohë ka qenë guxim, kështu që është shembull për gjeneratat e reja që të mos ketë paragjykime por të kenë lirinë e shprehjes në punën e tyre”.

Ideja, bashkëpunimi dhe realizimi

Drejtoresha ekzekutive e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, tregon se si erdhi nga ideja e deri te bashkëpunimi me familjarët për të risjellë veprat e Nusretit. 

“Ideja ka ardhur nga ne si udhëheqës të Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Jakup Ferri ka qenë i ftuar. E kemi ftuar para dy viteve që të jetë pjesë e programit, pasi ekziston një procedurë e gjatë që shkon nga ftesa, pranimi e pastaj deri te ekspozita. Kemi pasur shumë kënaqësi që fillimsiht familja ka pranuar që të ekspozojë profesorin i cili nuk jeton më, e gjithashtu edhe Jakupin, i cili me qef e ka pranuar këtë obligim të ri si kurator. E deri sot i kemi vendour bashkarisht të gjitha se si do të vendosen pikturat, si do të prezantohet, si do të bëhet PR, të gjithë bashkë kemi ardhur te ideja finale”. 

Ramosaj gjithashtu njofton se data 5 maj është vendosur bashkarisht me familjen dhe gjithë të tjerët

“Data, ka qenë vjet e vendosur që të mbahet në maj. Ne kemi fatin që kjo ekspozitë të jetë e hapur edhe nga vizituesit e Manifestas, e ne jemi munduar që të jemi edhe pranë artistëve të rinj, studentëve por pse jo edhe turistat me pa një autor sikurse Nusreti. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 26 korrik të këtij viti.Sa i përket mënyrës së shitjes duhet të vendosë familja, ne e kemi hapur si promovim dhe familja duhet të vendosë për një gjë të tillë”.

Kujtime pozitive nga fëmijëria, të përhershme në sirtar

Për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, vizita në këtë ekspozitë e ka rikthyer në kohë, atëherë kur atelia e babait të tij vizitohej shpesh herë nga axha Nusret, siç e quan ai, e përveç bisedës, arti e pikturat shtoheshin takim pas takimi.

“Kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme. Ne duhet t’i çmojmë vlerat e artistëve tanë, të cilat janë legjenda të kryeqytetit dhe jo vetëm. Nusret Salihamixhiqi është një piktor i veçantë me karakter botëror, e unë kam pasur fatin që ai dhe babai im të jenë miq të mirë. Unë jam rritur me pikturat e tij, ne e kemi thirrur atë axha Nusret e sot jam shumë i emocionuar sepse një numër të madh të pikturave që po i shoh unë janë të kohës kur unë nuk kam lindur dhe po e shoh atë ndërlidhshmërinë e fillesave të pikturimit të Nusretit, e deri te pikturat e tij të mëvonshme. Një kohë ai është thirrur edhe piktor më i madh se Pikaso, këto janë legjendat e kryeqytetit tonë, ky është Nusreti me të cilin duhet të mburremi ne të gjithë”, tha ai për KultPlus.

Kujtimet me artistin, Rama i ka në memorie si një gjë pozitive që do t’i mbajë me vete gjithmonë.

“Unë e mbaj mend shumë herë edhe në atelenë e babait kur vijke axha Nusret. Ai tërë kohën pinte cigare dhe mbante një brushë në dorë. Gjatë gjithë kohës ka qenë duke punuar, duke bërë skica, duke bërë art e kritika konstruktive. Babai im, Kadrush Rama dhe Nusreti kanë pasur një miqësi të mirë. Era e ngjyrave të ndryshme, buzëqeshja e shakatë që kanë bërë me njëri tjetrin, i kam në memorie si një gjë pozitive që i mbaj në vete gjithmonë”.

 “Rikthimi” i Nusret Salihamixhiqit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ndau me lexuesit e KultPlus emocionet e veçanta për rikthimin e Salihamixhiqit në Galerinë e Ministrisë, pas afër 11 vitesh kur ai ishte në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare.

“Jam shumë i lumtur që Galeria e Ministrisë pas një kohe shumë të gjatë, e pas ekspozitës së fundit të Nusret Salihamixhiqit, pra, pas afër 11 vitesh e kemi edhe një herë në Galerinë e Ministrisë një nga emrat më të mëdhenj të artit bashkëkohor e pamor në vendin tonë. Ai është një figurë emblematike, të paktën për mua personalisht ndër më të mirët e vendit tonë dhe jo vetëm. Nusreti është një artist i botës shqiptare, por me përmasa ndërkombëtare, i vlerësuar edhe nga kritikët ndërkombëtarë”.

Vëllimin e madh të veprave të artistit e veçon edhe Çeku, që thotë se kjo e bën të dallueshëm nga të tjerët.

“Nusreti përpos që ka ekspozuar shumë, ka krijuar edhe shumë. Nuk dallohet vetëm për nga stili i tij shumë i veçantë, ka qenë shumë i guximshëm në kohën kur ka punuar, por dallohet edhe për nga vëllimi i krijmtarisë, ka lënë shumë vepra mbrapa”.

Blerja e veprave të artit nga artistët vendor

Çeku njofton se ka filluar cikli i parë i blerjes së veprave nga artistët vendor, derisa shumë shpejt do të aktivizohet edhe një formë tjetër e blerjes së këtyre veprave.

“Ne në Galerinë Kombëtare kemi një pjesë të vogël, por familja e cila vazhdon me shumë zell ta ruajë e t’i mirëmbajnë veprat e tij, po vazhdojnë të bëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ne tashmë e kemi nisur ciklin tonë të parë të blerjes së veprave nga artistët tanë vendor, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë mbi 1 milionë euro për blerjen e veprave. Tashmë konkursi për blerje është i hapur dhe artistët mund të aplikojnë. Shumë shpejt do të aktivizohet edhe forma tjetër e blerjes së veprave që është përmes blerjes direkte dhe unë besoj që Salihamixhiqi dhe emra të tjerë duhet të jenë pjesë e koleksionit të shtetit me vepra të reja, sepsa disa i kemi në Galerinë tonë”.

Çeku lartësoi edhe një herë tjetër figurën madhështore të artistit, duke thënë se së shpejti do të botohet edhe një monografi me të gjitha veprat e Salihamixhiqit.

“Numri i madh i njerëzve të pranishëm këtu, anëtarë të familjes së tij, kritikët dhe fakti që ekspozita është kuruar nga artisti ynë Jakup Ferri e bën shumë madhështore këtë ngjarje. Prandaj unë besoj që kjo duhet të ketë vazhdimësinë e saj dhe një vazhdimësi që ne veçse e kemi nisur para ca kohësh me një vendim të Ministrisë, është botimi i monografisë së Nusret Salihamixhiqit, Galeria jonë e Ministrisë është duke punuar në këtë monografi me disa nga artistët, dizajnerët dhe fotografët më të mirë dhe shumë shpejti do ta kemi monografinë e të gjitha veprave të Salihamixhiqit të botuar”.

Muezu i Artit Bashkëkohor

Rama deklaroi se ekziston një bashkëpunim i mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e ata bashkë po punojnë edhe në Muzeun e Artit Bashkëkohor.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirëfillt me Ministrinë e Kulturës, e pikëriht sot po bisedonim që piktorët e kryeqytetit e legjendave të tjera të artit, ju duhet një muze që t’i kemi të mbrojtura në mënyrë institucionale në galeri, nëpër muze të kryeqytetit. Jemi duke punuar në këtë aspekt, i kemi vendos zonat e jemi pajtu me MKRS-në për pikat, në këtë rast të Teatrit të Operas dhe Baletit. Tani jemi pajtuar edhe pikat edhe të Muzet të Artit Modern, gati janë termat e referencës dhe shumë shpejti do të kemi konkurse ndërombëtare për dizajnimin, e më pastaj dikur në vitin e ardhshëm edhe fillimin e ndërtimit të tyre”.

Ndërkaq, i pari i Kulturës njoftoi për KultPlus se janë në fillet e para të konceptimit të Muzeut të ardhshëm të Artit Bashkëkohor, i cili është një institucion që Kosova nuk e ka dhe duhet ta ketë.

“Është një institucion kombëtar i kulturës për të cilin ne si ministri e kemi për detyrë që ta iniciojmë, por gjithsesi edhe me Komunën e Prishtinës për shkak të lokacionit ku duhet të ndërtohet ky muze. Tashmë e kemi konceptin fillestar dhe në ditët në vijim do të ngritet Këshilli Inicues i Muzuet të Artit Bashkëkohor, ku do të përbëhet nga emrat më eminent të artit tanë bashkëkohor, të emrave që i kemi edhe me karrierë ndërkombëtare dhe nga të tjerë. Besoj që ky këshill do t’i vëjë themelet e këtij koncepti edhe përmbajtësor se çfarë muzeu bashkëkohor të artit duhet të kemi, por edhe të konceptit arkitektonik se çfarë ndërtese duhet të bëhet. Ky institucion i ri i artit pamor duhet të jetë hapësira e re e shtetit tonë për të sigurar edhe një vend për mirënjohjen që duhet t’ia bëjmë emrave sikurse Nusret Salihamixhiqi, por jo vetëm. Ky muze do të shërbejë parasegjithash në komunikimin ndërkombëtar në sferën e artit, prandaj këtu jemi në hapat e parë por unë jam shumë optimist që gjatë mandatit tonë qeverisës do të jemi shumë afër e ndoshta edhe afër realizinit përfundimtar të këtij muzeu”, deklaroi Çeku.

Pikturat e Nusretit të japin një ndjenjë se ju po kaloni në një botë paralele, apo edhe dimension tjetër. Përmes ngjyrave, skicave, vijave, ideve të menduara, domosdo të “detyrohet” të vish në përfundim se kjo vepër është diçka jashtë kornizës së mendjes, pra, vërtetohej se imagjinata e njeriut mund të kalojë çdo kufi njerëzor.

Momenti kulminant ishte atëherë kur me shkronja të vogla dhe stil të veçantë shiheshin edhe 4 numra që kishte shkruar Nusreti, e që ishin pikërisht vitet në të cilat kishte realizuar këto vepra (1953,1960, 1973 etj), atëherë gjithçka ndryshonte dhe udhëtimi i njerëzve nëpër kohë dukej gjithnjë më i besueshëm, vepra që sipërfaqnin diçka që i përket së ardhmes, prandaj gjithsesi arti është gënjeshtra që na mundëson të kuptojmë të vërtetën.

E njohur si kërcimtare dhe koreografe moderne amerikane, Martha Graham kishte thënë se asnjë artist nuk është përpara kohës së tij. Artisti është në kohën e tij, vetëm se të tjerët janë pas kohës, prandaj neve na duhen vite të arrijmë në kohën e Nusretit dhe ai do të na presë me brushë në dorë dhe vepra të reja.

Ekspozitën “Loja” mund ta vizitoni deri më 26 korrik 2022 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com