“Hapat”, ekspozita e artistes Dea Tili në FAB

Galeria FAB inauguroi ekspozitën personale të artistes Dea Tili, “Hapat”. Ekspozita me kurator Ermir Hoxhën, do të mikpresë publikun artdashës deri më datën 2 shkurt.

“Në ekspozitën e artistes së re, Dea Tili, procesi i krijimit vjen dhe një herë përballë nesh në vetë të parë. Me thjeshtësinë lirike të një habitati modest, të vërtetë në përqasjen ndaj subjektit, aq sa dhe kërkimin e një metafore estetike, Dea i afrohet sipërfaqes piktorike me një mision personal, që të pikturojë aktin dhe hapësirën ku ai ngjizet, njëkohësisht, pa një vijë ndarëse mes tyre”, shkruan Ermir Hoxha për ekspozitën “Hapat”.

Në pikturat e Deas shfaqen subjektet, mes atelieve të shkollës, vendit të punës, studiove të artistëve, shfaqen të rrëmujshëm sa edhe të pistë cepat e kavaletave, kompensatat e tavalocave, podiumet, shishet dhe skulpturat e natyrave të qeta. I gjithë ky kaos, i rregullt vetëm në optikën e atyre që e jetojnë përditë atë, për Dean, duket më shumë se një subjekt. Ai është një destinacion i panegociueshëm.

Në “Hapat” e Deas, dominon habitati, vendi i krijimit mbipopulluar nga subjektet rrethanore. Ato janë personazhi i saj kryesor, objekti dhe subjekti me të cilin identifikohet më shumë se me çdo gjë tjetër./ atsh / KultPlus.com

Greg Rama vjen me një ekspozitë personale

Galeria Fab, sonte mirëpret ekspozitën “Fidem”, të artistit Greg Rama, duke filluar nga ora 19:00, shkruan KultPlus.

“Fidem”, quhet ekspozita e Greg Ramës, djalit të kryeministrit Edi Rama, e cila do të qëndrojë e hapur nga 13 deri më 30 shtator në Galerinë Fab, pranë Akademisë së Arteve. Ekspozita do të vijë nën kurimin e Vladimir Myrtezait.

Kjo është ekspozita e parë personale e Gregut. Ai ka filluar që në moshë të re të shfaq talentin e tij në fushën e arteve pamore, duke ecur rrugës së babit të tij.

Me këtë ekspozitë, Galeria Fab hap sezonin e ri të ekspozitave për këtë vit. Kryesisht në këtë galeri ekspozohen artistë të rinj dhe vepra të studentëve të Akademisë së Arteve./ KultPlus.com